Për herë të parë në histori, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjithashtu pesë shtetet më të fuqishme të botës me armë bërthamore, kanë nxjerrë një deklaratë të përbashkët për parandalimin e luftës bërthamore dhe shmangien e një gare armatimesh. Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara premtojnë të mos i drejtojnë armët e tyre bërthamore ndaj njëri-tjetrit, apo vendeve të tjera. Deklarata thekson angazhimin ndaj një neni kyç në traktatin mbi çarmatimin e plotë bërthamor në të ardhmen. “Ne pohojmë se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë” – kështu u shprehën pesë vendet më të fuqishme të botës.

Deklarata vjen mes një atmosfere tensioni midis fuqive globale, por kjo nuk është e para herë në histori kur fuqi të mëdha ushtarake kanë kundërshti me njëra-tjetrën. Shumë herë konflikti është evituar, vetëm një herë në histori janë përdorur në luftë (në Hiroshima dhe Nagasaki, më 6 dhe 9 gusht 1945). Fuqia shkatërrimtare e tyre bëri që vetëm përmendja ose kërcënimi i përdorimit, të krijonte zbrapsje ose dorëzim të kundërshtarit. Gjatë Luftës së Ftohtë, dy superfuqitë e botës asokohe, u përpoqën të ndërtonin sa më shumë armë bërthamore. Edhe pse organizatat ndërkombëtare lobuan për përfundimin e përhapjes, stoku i armëve bërthamore në botë u rrit në një kulm prej 70300 njësi gjithsej në vitin 1986.

Pavarësisht progresit në reduktimin e arsenaleve të armëve bërthamore që nga Lufta e Ftohtë, inventari i kombinuar në botë i njësive bërthamore mbetet në nivele shumë të larta, afërsisht 13150 njësi luftarake në vitin 2021. Aktualisht, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë (FAS) jemi në këto shifra: Rusia 6257 njësi; SHBA 5550; Kina 350; Franca 290, Mbretëria e Bashkuar 225, Pakistani 165, India 160. Në përmbledhje të totalit sipas shteteve shifrat tregojnë se Rusia ka 47.7%, SHBA 42.3%, Kina 2.67%, Franca 2.21% , Mbretëria e Bashkuar 1.71%, Pakistani 1.26%, India 1.22%. Duket qartë se epërsia më e rrezikshme e numrave është përqendruar në dy vende.

Shumë dijetarë kanë analizuar zanafillën, vazhdueshmërinë dhe pasojat potenciale të këtij fenomeni. Si rrjedhojë, ka disa teori akademike që analizojnë këtë dimension të ndërveprimit midis fuqive të mëdha botërore, por të gjitha pranojnë se që nga momenti i shpikjes së bombave bërthamore dinamikat ndryshuan rrënjësisht dhe përgjithmonë.

Teoria e parandalimit (deterrence) - i referohet studimit dhe praktikës se si kërcënimet ose forca e kufizuar nga njëra palë, mund të bindë një palë tjetër që të përmbahet nga ndërmarrja e disa veprimeve agresive. Tema fitoi rëndësi më të madhe si një strategji ushtarake gjatë Luftës së Ftohtë në lidhje me përdorimin e armëve bërthamore. Parandalimi përkufizohet gjerësisht si çdo përdorim i kërcënimeve

(të nënkuptuara ose eksplicite) ose forcës së kufizuar që synon të largojë një aktor nga ndërmarrja e një veprimi (d.m.th. ruajtja e status quo-së). Përdorimi i kërcënimeve ushtarake si një mjet për të penguar krizat ndërkombëtare dhe luftën, ka qenë një temë qendrore e kërkimit ndërkombëtar të sigurisë për të paktën 200 vjet. Schelling ofron një përkufizim më të gjerë të parandalimit, pasi ai e përkufizon atë si “për të parandaluar veprimin nga frika e pasojave”. Që prej shpikjes se armës bërthamore, ajo u bë elementi i parë dhe i fundit në çdo argument parandalimi.

Shkatërrimi garantuar reciprok ose MAD (mutually assured distruction) - modelon natyrën parandaluese të sulmit bërthamor në shkallë të plotë që do të shkatërronte të gjitha palët në një luftë bërthamore. Parimi i MAD bazohet në nocionin se një sulm bërthamor nga një superfuqi do të përballej me një kundërsulm dërrmues bërthamor, i tillë që si sulmuesi ashtu edhe mbrojtësi do të asgjësoheshin. Nën MAD, secila palë ka mjaftueshëm armë bërthamore për të shkatërruar anën tjetër. Secila palë, nëse sulmohet, do të hakmerret me forcë të barabartë ose më të madhe. Rezultati i pritshëm është një përshkallëzim i menjëhershëm dhe i pakthyeshëm i armiqësive, që rezulton në shkatërrimin e ndërsjellë, të plotë dhe të sigurt të të dy palëve. Më tej, doktrina supozon se asnjëra palë nuk do të guxojë të nisë një goditje të parë, sepse pala tjetër do të niste një goditje të dytë, duke rezultuar në humbje të papërballueshme për të dyja palët. Shpërblimi i doktrinës MAD ishte dhe ende pritet të jetë një paqe e tensionuar, por e qëndrueshme globale.

Teoria e lojës - e njohur edhe si teoria e vendimeve ndërvepruese, studion sjelljen e vendimmarrësve në situata të ndërvarësisë strategjike. Themeluesit e saj janë John Von Neumann dhe Oskar Morgenstern në 1944. Rëndësia e teorisë për marrëdhëniet ndërkombëtare është e padiskutueshme; është e vërtetë të pohohet se shtetet ndërveprojnë duke u përpjekur të parashikojnë reagimet e shteteve të tjera ndaj vendimeve të tyre. Domethënia kryesore e teorisë së lojës është të formulojë një strategji alternative, për të konkurruar me njëri-tjetrin dhe në të njëjtin kuptim është një mjet thelbësor për procesin e vendimmarrjes sipas luhatjeve në përmbajtjet përkatëse. Nën këtë teori është aplikuar edhe “Ekuilibri Nash” që është një teoremë vendimmarrëse brenda teorisë së lojës që thotë strategjia e secilit lojtar është optimale kur merren parasysh vendimet e lojtarëve të tjerë. Kjo teori është mënyra më e zakonshme për të përcaktuar zgjidhjen e një loje jobashkëpunuese që përfshin dy ose më shumë lojtarë. Në një ekuilibër Nash, çdo lojtar supozohet se njeh strategjitë e ekuilibrit të lojtarëve të tjerë dhe asnjë lojtar nuk ka asgjë për të fituar duke ndryshuar vetëm strategjinë e tij.

Dendësia dinamike – “Anarkia është ajo që shtetet bëjnë më të: Ndërtimi social i politikës së pushtetit” është një nga teoritë e Alexander Wendt, përdorur gjerësisht pas Luftës së Ftohtë. Ai

shprehet se një burim i rëndësishëm stimujsh është rritja e "dendësisë dinamike" të ndërveprimit midis shteteve në botë me teknologji të re të komunikimit, armë bërthamore, eksternalitete nga zhvillimi industrial, e kështu me radhë. Fatkeqësisht, rritja e densitetit dinamik nuk siguron që shtetet në fakt do të realizojnë përfitime të përbashkëta; ndërvarësia përfshin gjithashtu cënueshmërinë dhe rrezikun për të qenë "pinjolli", i cili nëse shfrytëzohet do të bëhet burim konflikti dhe jo bashkëpunimi.

Pozicioni i Kinës në këto doktrina

Në procesin e konsultimit të deklaratës së përbashkët të pesë shteteve në 2022, Kina shtyu për riafirmimin se asnjë nga vendet me armë bërthamore nuk do të shënjeshtërojnë njëri-tjetrin, apo ndonjë shteti tjetër. Zv.ministri i Jashtëm kinez Ma Zhaoxu, u shpreh se pesë shtetet me armë bërthamore, si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbajnë një përgjegjësi të përbashkët për të parandaluar luftën bërthamore dhe për të ruajtur paqen botërore. “Pesë shtetet duhet ta marrin deklaratën e përbashkët si një pikënisje të re për të rritur besimin reciprok, për të forcuar koordinimin dhe për të luajtur një rol pozitiv në ndërtimin e një bote me paqe të qëndrueshme dhe siguri universale” - tha ai.

Kina ka ndjekur gjithmonë një strategji bërthamore vetëmbrojtëse, ka ndjekur një politikë të “mos përdorimit të parë” të armëve bërthamore dhe i ka mbajtur forcat e saj bërthamore në nivelin minimal të kërkuar për të mbrojtur sigurinë kombëtare. Ky në vetvete është një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin strategjik global. Kina do të vazhdojë të kontribuojë me zgjidhjet dhe praktikat e saj për të promovuar qeverisjen bërthamore globale dhe është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha vendet paqedashëse.

Më 16 tetor 1964, Kina kishte pajisjen e saj të parë të testimit bërthamor, duke u bërë kështu shteti i pestë me armë të tilla në botë pas Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Sovjetik (BRSS), Britanisë dhe Francës. Në të njëjtën ditë, qeveria kineze njoftoi se Kina “nuk do të ishte e para që do të përdorte armë bërthamore, në çdo kohë dhe në asnjë rrethanë.”

Kryeministri Zhou Enlai në tetor te vitit 1970 është shprehur: “Duke e bërë këtë (zhvillimi i armëve bërthamore) do të thyejmë monopolin bërthamor dhe shantazhin. Ne duam që dy superfuqitë të ndihen të shtrënguara. Në mënyrë ideale, ne shpresojmë që përpjekjet tona të kenë sukses në mënyrë që të ndalojmë luftën bërthamore dhe përfundimisht të eliminojmë armët bërthamore.”

Politika e Kinës për mospërdorim të parë nënkupton që vendi posedon armë bërthamore vetëm për të penguar shtetet e tjera nga një sulm bërthamor. Kjo qasje shpreh natyrën vetëmbrojtëse të strategjisë

bërthamore të Kinës. Politika e mospërdorimit të parë ka ndihmuar në mënyrë efektive Kinën të krijojë një aftësi të moderuar bërthamore, që është e përshtatshme për t'u ballafaquar me kërcënimet bërthamore nga jashtë dhe për të ruajtur një ekuilibër delikat strategjik. Politika ka kontribuar gjithashtu në stabilitetin strategjik veçanërisht në rajonin Azinë e Paqësorit. Më thelbësisht, ajo ka demonstruar një rrugë të qëndrueshme drejt çarmatimit bërthamor ndërkombëtar.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik zhvilluan secila aftësi të fuqishme për goditjen e parë dhe të dytë gjatë Luftës së Ftohtë, Kina ndoqi një doktrinë të “parandalimit minimal bërthamor”. Duke supozuar se vendimmarrësit bëjnë analiza kosto-përfitim kur vendosin të përdorin forcën, doktrina e Kinës kërkon marrjen e një arsenali bërthamor të mjaftueshëm, në mënyrë që kostot e pritshme të një sulmi të parë të tejkalojnë atë të parashikuar. Parandalimi minimal do të thotë të mos posedosh më shumë armë bërthamore sesa është e nevojshme për të penguar një kundërshtar nga sulmi.

Deklarata e pesë vendeve është shumë domethënëse dhe shumë pozitive, pasi ideja e përdorimit të armëve bërthamore do të thotë të rritet potencialisht mundësia për t'i dhënë fund të gjithë jetës në planet. Po jetojmë në një botë komplekse, ku tensionet gjeopolitike dhe ashpërsia verbale e jo vetëm, në skenën ndërkombëtare po arrin majat. Ka konflikte ekzistuese dhe konflikte potenciale, të cilat nëse nuk fashiten, do përbëjnë rrezik të jashtëzakonshëm për mbarë njerëzimin – por, vetëm nocioni i katastrofës bërthamore është pothuajse tepër i kobshëm, edhe thjeshtë për t'u menduar.

Dr. Marsela Musabelliu