Mё datё 4 janar 2022, pesё fuqitё e pёrhershme tё Kёshillit tё Sigurimit tё Kombeve tё bashkuara, SHBA, Republika Popullore Kinёs, Rusia, Britania e Madhe dhe Franca u zotuan nё mospёrhapjen e armёve bёrthamore dhe se lufta atomike nuk ёshtё njё opsion. Ky zotim padyshim ёshtё njё vendim pёr t'u pёrshёndetur, por pёrsёri dilemat janё tё mёdha. Nёse mundohemi tё lexojmё ndёrmjet kёtyre rrjeshtave kuptojmё se kёto vende janё kundёr luftёs bёrthamore, por nuk pёrjashtojnё mundёsinё e konfliktit. Do tё ishte shumё herё mё mirё tё deklarohej "jemi kundёr tё gjitha llojeve tё luftёrave, jo vetёm kundёr luftёs bёrthamore". Pёr mendimin tim, lufta bёrthamore nuk ka gjasa tё ndodhё, pasi nёse do tё ndodhte do tё ishte fundi i njerёzimit nё kёtё planet. Do tё ishte njё vetёvrasje masive.

Dikur koncepti i kryesor i epokës atomike ishte sesi bota perëndimore të ndërtonte një rreth mbrojtjeje të fuqishëm kundër një agresioni të mundshëm të Bashkimit Sovjetik. Epoka e strategjisë bërthamore vuri edhe një herë në pikëpyetje për zbatim vetëpërmbajtjen për mënjanimin e kërcënimit. Që nga përfundimi i Luftës II Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërtuan një sistem të gjerë dhe të komplikuar të aleancave ku u përfshinë 44 shtete të pavarura. (NATO – Mbrojtja e Evropës Perëndimore; Traktati për Mbrojtjen e Azisë Juglindore – Australia, Franca, Zelanda e Re, Pakistani, Filipinet, Tajlanda dhe Mbretëria e Bashkuar. Qëllimi i kësaj strukture të ngatërruar aleancash ishte të çimentoje më shumë rrethimin periferik ndaj Bashkimit Sovjetik për ta bërë të hezitojë nëse ndërmerr një sulm ndaj këtyre aleancave. Por një sistem sigurie kaq i gjerë fsheh në vetvete shumë kompleksitete. Kjo për fatin se jo të gjitha aleancat që krijuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ndanin të njëjtat qëllime. E vetmja aleancë e qëndrueshme dhe që i mbijetoi Luftës së Ftohtë ishte padyshim aleanca e Atlantikut të Veriut e cila padyshim është ura kulturore dhe e lidhjes politike ndërmjet SHBA-ve dhe Evropës. Sistemet e tjera të aleancave që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë krijuar nuk kanë qenë rezultative. Këto probleme më së shumti zmadhohen nga tendenca e doktrinës strategjike për të kthyer një luftë në gjithëpërfshirëse. Ky arsyetim në fakt nuk bie poshtë pasi sistemi i aleancave që ndërtuan amerikanët gjatë Luftës së Ftohtë kishin si synim për t’ju përgjigjur agresionit në çdo cep të botës dhe përfshinte të gjithë aleatët. Inkonsistenca ndërmjet besimit të një lufte gjithëpërfshirëse dhe angazhimit të mbrojtjes rajonale ishte thelbi i politikës euro-atlantike të koalicionit. Por kjo doktrinë strategjike asnjëherë nuk kishte një vendim për të mbrojtur zonat e kërcënuara. Strategjia ishte të përballeshe me kërcënimin kudo ai të ishte për të treguar funksionalitetin e aleancës. Një nga gabimet që bën aleanca është trajtimi që i bën kërcënimit si shkaktar të luftës. Një strategji e tillë komplikon thjeshtësinë e aleancës edhe kur e ka identifikuar rrezikun.

Prej këndej lind natyrshëm pyetja: çfarë do të ndodhte nëse Ushtria e Kuqe do të sulmonte Evropën perëndimore direkt nga territori i Gjermanisë duke detyruar Britaninë e Madhe dhe SHBA-në të fillonin bombardimin e objektive strategjike ruse? Po Franca, a do të futej në luftë në rrethana të tilla? A do të ishte ky fundi i civilizimit perëndimor dhe civilizimit në përgjithësi? Fatmirësisht këto pyetje kanë mbetur pa përgjigje pasi gjëra të tilla nuk ndodhën. Aleancat nuk duhen gjykuar si aleanca të strategjisë gjithëpërfshirëse por si mjete për t’u shpëtuar tmerreve. Nëse do të kishte ndodhur një luftë e tillë shumë pak prej aleatëve të botës perëndimore në fillimet e epokës bërthamore do të kishin rezistuar. Një doktrinë strategjike e cila vendos më pak sanksione strategjike sesa një luftë të përgjithshme e ka më të lehtë t’i anashkalojë vështirësitë që i paraqiten koalicionit. Tendenca e çdo sistemi aleancash është të shkrijë në një sistemin botëror të sigurisë. Për një luftë gjithëpërfshirëse dhe për ta shmangur atë ky është qëllimi i çdo vendi aleat por edhe i atyre vendeve që janë neutrale. Për sa kohë që doktrina evropiane e sigurisë ka të njëjtën strategji me politikat amerikane të sigurisë, në botë nuk ekziston mundësia që një luftë lokale të kthehet në luftë gjithëpërfshirëse. Një sistem mbarë botëror i sigurisë ndërkombëtare është shumë i vështirë për t'u implementuar. Dallimet në pozitat gjeografike, historike dhe të strukturës së brendshme të fuqisë na japin të drejtë të mendojmë se një orvatje për një mirëkuptim mbarë botëror për sigurinë bëhet përherë e më e vështirë. Ndaj çdo rreziku veprimi i përbashkët në mënyrë të paevitueshme reduktohet emërtuesi i përbashkët i thelbit të pavarësisë që vendet aleate kanë. Kjo për faktin se asnjë shtet në botë nuk është i gatshëm të rrezikojë sigurinë e tij kombëtare për të shpartalluar një agresionin që nuk drejtohet ndaj vendit të tij. Ndaj një agresori që paraqet ambiguitet në qëllimet e tij është e detyrueshëm të përdoret një bllokim i pafund ndaj pozicioneve të tij saqë gjithçka që do të mundohet të justifikojë të paraqitet si kërcënim. Ky është thelbi i agresionit të kufizuar që prek interesat e një aleance sado e shpërndarë që të jetë ajo. Sa më i gjerë të jetë veprimi i përbashkët, aq më shumë do të jenë mundësitë për të harmonizuar zgjidhjet. Përpjekja për të aplikuar një aleancë rajonale duhet që kjo e fundit të ketë një bazë mbarë botërore. Kjo për faktin që të shmangen sa më shumë rreziqe, edhe ato të parashikuarat. Kjo gjë e ka kthyer aleancën euro-atlantike në rrezik permanent pasi i duhet të përballet me çdo pjesë të botës duke parë gjerësinë e shtrirjes së saj. Në këtë moment duhet pranuar se në aleancë krijohet një vakum i cili bashkimin formal e zëvendëson me veprimin e përbashkët tek të cilën nuk janë të parashikuara dështimet personale të çdo vendi. Prerekuizitat e një sistemi efektiv të aleancave është harmonizimi i angazhimeve ushtarake me ato politike me një strategji të qartë diplomatike. Vetëm në këtë mënyrë mund të këtë harmoni mes aleatëve dhe suksesi të jetë gjithnjë e më i pranishëm.

Në shkencat politike është diskutuar shpesh lidhur me politikat e ndjekura nga aleancat ushtarake dhe nga vështirësitë që kanë rrjedhur prej tyre në konsolidimin e pavarësisë së kombeve. Në trajtimin e këtij fenomeni ne duhet të jemi të kujdesshëm për të mos ngatërruar simptomën e tij me identifikimin e politikave të ndjekura.

Sfida e sigurisë së botёs po merret seriozisht në konsideratë lidhur me përhapjen në masë të teknologjisë ushtarake. Brenda një gjenerate, edhe ato vende që nuk kishin kapacitet industrial do të përdorin teknologji bërthamore për qëllime paqësore dhe në shërbim të interesave të publikut. Ky fakt sado të jetë i besueshëm do të nxisë tensionet në pjesë të tjera të botës çka do të kërkojë një angazhim më të madh të shteteve më të fuqishëm në botë për të shtuar monitorimet ndaj kërcënimeve të paqes. Nuk mund të bëhet më gabimi që u bë në fillimet e Luftës së Ftohtë për të ulur vigjilencën e vëzhgimit ndaj vendeve të ashtuquajtura të paangazhuara. Nga ana tjetër, forcimi i aleancës euro-atlantike do të ndihmojë në vendosjen e një kuadri më të efektshëm mbrojtës në vendet e Evropës. Avancimi i NATO-s drejt ish Evropës lindore ka sjellë jo pak impakte negative në marrëdhëniet me Rusinë, deri në acarime ushtarake (rasti i Gjeorgjisë). Vendet anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut kanë treguar gjithnjë një kujdes të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet me Rusinë. Edhe në krizat më të forta ndërkombëtare gjatë Luftës së Ftohtë si rasti i krizës së raketave në Kubë më 1962 apo kriza e Qipros më 1974 gjithmonë perëndimi është treguar intransigjent më shumë sesa duhet ndaj rusëve. Kjo për faktin se demokracitë asnjëherë nuk janë problem për paqen në botë dhe kujdesi që tregojnë ndaj mbrojtjes së jetëve njerëzore është i jashtëzakonshëm. Duke ditur këtë "dobësi" evropiane shtetet jo demoraktike dhe totalitare abuzojnë deri në çmenduri, abuzime të cilat kanë çuar botën disa herë në prag të katastrofave globale. Me vendet e botës së tretë evropianët dhe amerikanët e kanë tepër të nevojshme të shmangin rënien e tyre në regjime totalitare dhe këtu do të tregohet madhështia e lidershipeve të tyre.

Atë çka një shtetar i zoti duhet ta kuptojë në kohën dhe momentin e duhur është se një fitore ushtarake ka gjithnjë dy komponentë; komponentin e realitetit fizik dhe impaktin psikologjik të tij. Është detyrë e shtetarit dhe e diplomacisë që do të aplikojë për t’i kthyer këto dy terma në komponentë politikë. Në kohë trazirash gjithnjë mendohet se lufta bëhet për të arritur paqen dhe ka gjithmonë një tendencë për ta quajtur paqen mungesë të luftës. Kjo e fundit të ngatërrohet me fitoren ushtarake. Logjika e luftës është fuqia e cila nuk ka asnjë kufi të trashëguar. Logjika e paqes është proporcioni i cili vendos gjithnjë kufij. Suksesi i luftës është fitorja, ndërsa suksesi i paqes është stabiliteti. Kushtet e paqes janë të detyrueshme. Kushtet e stabilitetit mbartin vetë-përmbajtjen.

Arsyeja përse zhvillohet një luftë është gjithnjë e jashtme dhe është frika ndaj armikut. Arsyeja e paqes është gjithnjë e brendshme dhe sjell ekuilibrin e forcave, pranimin e ligjshmërisë. Një luftë pa armik është e pakonceptueshme, por një paqe e ndërtuar mbi mitin e armikut është utopi. Çdo udhëheqës i aftë duhet pa filluar lufta të ndëshkojë tundimin për luftën në mënyrë që të shmangë këtë të fundit. Politika ka për detyrë të ndërtojë dhe të japë gjykimin e duhur. Detyra e shtetarit është të shikojë drejt së ardhmes. Themeli i një rendi të qëndrueshëm ndërkombëtar është siguria dhe pasiguria relative që përfshin anëtarët e këtij rendi. Stabiliteti reflekton jo mungesën e qëllimeve të parealizuara, por mungesën e ankesave të paligjshme të cilat mund të përmbysin arritjet.

Një rend nuk mund të quhet i ligjshëm nëse struktura e tij politike është shtypëse, në këtë rast ai quhet revolucion. Siguria e rendit të brendshëm ekziston në fuqinë mbizotëruese të autoritetit i cili në një rend ndërkombëtar shprehet me fjalën ekuilibër. Rendi ndërkombëtar shpreh nevojën për siguri në një kontekst ekuilibri forcash dhe zhvillohet në emër të ligjshmërisë. Ekuilibri i forcave e kthen sigurinë në një element të pranueshëm për të gjithë. Që të jetë i pranueshëm është e nevojshme që pjesëmarrësit e rendit ndërkombëtar të kërkojnë që qëllimet e arritura të kthehen në avantazhe për të gjithë. Ligjshmëria e drejtësisë së vendosur duhet të jetë në përputhje të plotë me ekuilibrin e forcave dhe ligjshmëria e parimeve duhet të jetë forca e arsyes për ndërtimin e sigurisë ndërkombëtare. Asnjëherë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk ka patur barazi ndërmjet palëve pjesëmarrëse në një rend ndërkombëtar. Nëse ka ekzistuar mospërputhje thelbësore ndërmjet një fuqie të madhe dhe një fuqie të vogël, kjo do të thoshte se rendi ndërkombëtar ishte i paqëndrueshëm. Shkaku psikologjik i sigurisë çon gjithmonë në probleme mes pjesëmarrësve në një rend botëror. Më të vështirë në krijimin e një rendi ndërkombëtar e kanë fuqitë e mesme. Kjo ndodh për shkak të dëshirës së tyre për t’u afirmuar në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu një tjetër problem që haset në krijimin e një rendi botëror është edhe kërkesa për ligjshmëri individuale nga fuqitë pjesëmarrëse. Kjo lloj politike nuk është e sigurtë për rendin që është në ndërtim e sipër. Ndërtimi i një rendi botëror nuk është problem mekanik, ai është një aksiomë me saktësi matematikore llogaritë e së cilës duhet të jenë të përshtatshme me të gjithë. Nëse ekuilibri i forcave është i pamundur në një rend ndërkombëtar atëherë kjo do të thotë se do të kemi agresion në një kohë të afërt. Nga këto esenca dalin në pah dy lloje ekuilibrash politikë: i pari është ekuilibri i përgjithshëm i cili rrezikon një fuqi apo një grup fuqish në rrugën e tyre të imponimit të vullnetit. Së dyti, kemi të bëjmë me një ekuilibër i cili llogarit mundësinë e ndalimit të një lufte të përgjithshme. Ky i fundit çon në harmoni politike. Nëse arrihet marrëveshja për ligjshmëri, konceptet e sigurisë ndryshojnë sipas pozitave gjeografike të vendeve pjesëmarrëse të interesuara të forcojnë pozitat e tyre.

Dr. Gjon Boriçi