Nisma “Ballkani i hapur” ka shënuar në fund të dhjetorit takimin e radhës në kryeqytetin shqiptar. 3 drejtuesit e vendeve pjesmarrëse të nismës kryeministri shqiptar Edi Rama, homologu i tij maqedonas Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në konferencën e përbashkët për shtyp në Pallatin e Brigadave në Tiranë, folën mbi rolin e "Ballkanit të Hapur" në bashkëpunimin rajonal si dhe mbi marrëveshjet Kreu i qeverisë shqiptare, i cilësoi marrëveshjet e nënshkruara si finalizimi i një pune të përbashkët intensive.

Vendet pjesmarrëse të nismës Ballkani i hapur (ABCNews.al)

Vendet pjesmarrëse të nismës Ballkani i hapur (ABCNews.al)

“Këto marrëveshje të firmosura sot janë një realitet i prekshëm nesër, dhe jo nesër në të ardhmen por nesër me hyrjen e vitit të ri 2022. Të gjitha këto janë marrëveshje të cilat janë as më shumë e as më pak por marrëveshjet e tregut të përbashkët mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, bazuar te të njëjtat parime dhe nevoja të fermerëve dhe të tregut të përbashkët rajonal, i cili përdoret si alibi kundër 'Ballkanit të Hapur', por që mund të arrihet dhe jetësohet vetëm nëpërmjet 'Ballkanit të Hapur'" tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se “Ballkani i Hapur” është një nismë gjithëpërfshirëse që shtyn përpara çfarë është diskutuar në “Procesin e Berlinit”. Sipas tij, kjo nismë është një njësi zbatimi e “Procesit të Berlinit” dhe njësi realizimi e “Tregut të Përbashkët Rajonal”.

Konferenca e përbashkët për shtyp (Anadolu Agency)

Konferenca e përbashkët për shtyp (Anadolu Agency)

Kryeministri Zaev në ditën e fundit e tij në detyrë si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, si dhe theksoi se nisma "Ballkani i Hapur" është krijuar për përftim të të gjithë rajonit dhe sipas tij është e hapur për të gjitha vendet e rajonit.

"Të gjitha vendet që kanë mbetur në rajon kanë një ftesë të hapur, të qartë për t’u bërë pjesë. Ne inkurajojmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të kontribuojnë së bashku për t'u lidhur me njëri-tjetrin, për t’u zhvilluar ekonomikisht, mbi të gjitha pa barriera, pa kufizime. Ne bëjmë thirrje që të ketë kontribute që nisma ‘Ballkani i Hapur’ të jetë nismë e Ballkanit Perëndimor që të sjellë të mira dhe përfitime, për të gjithë qytetarët tanë, për jetën e përditshme të tyre përmes një tregu të përbashkët", u shpreh Zaev.

Sipas tij, "Ballkani i Hapur" është një kontribut i jashtëzakonshëm i vlerave dhe idealeve të mëdha të BE-së dhe sipas tij është një kontribut për rajonin. Ai shtoi se kjo nismë është një hallkë e fortë që ka marrë një mbështetje të qartë e të fortë nga bizneset dhe dhomat e tregtisë.

Presidenti Vuçiç theksoi se "Ballkani i Hapur" është vizioni i një Ballkani ndryshe dhe ai shtoi se beson se do të krijojnë një hapësirë më të mirë për të gjithë njerëzit dhe standarde më të mira të jetesës.

"Dëshiroj të them që jam vërtet shumë i lumtur për ato marrëveshje që ne kemi arritur të nënshkruajmë sot, pasi ky është kurorëzimi i një pune për dy vite e gjysmë. Ne duhet të përqendrohemi tek e ardhmja, të diskutojmë për të. Ne duhet të shikojmë më shumë turistë nga Tirana, nga Shkupi, nga të dyja shtetet. Kjo punë që ne po bëjmë ka të bëjë me rezultatet e prekshme për qytetarët tanë, të mirat që ne iu sjellim atyre", u shpreh Vuçiç, duke theksuar se ka vetëm përfitime nga kjo nismë.

Takimi i 3 kryeministrave në Samit (Evropa e Lirë)

Takimi i 3 kryeministrave në Samit (Evropa e Lirë)

Pas takimeve, mes tre vendeve u nënshkrua marrëveshja për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, marrëveshja për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë, Shqipëria dhe Serbia, si dhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan marrëveshje dypalëshe për njohjen e ndërsjellë të operatorëve ekonomik të autorizuar, në lidhje me sigurimin dhe sigurinë (AEOS).

Gjatë samitit të Tiranës u mbajt edhe forumi i Agrikulturës dhe Bashkëpunimit Rajonal, me fokus ndërveprimin e ri mes vendeve, me pjesëmarrjen e sipërmarrësve në fushën e bujqësisë, si dhe të akademikëve, rektorëve e dekanëve të universiteteve të bujqësisë të vendeve pjesëmarrëse në takim.

Përmes video-lidhjes përshëndeti samitin komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili bëri thirrje për vazhdimin e nismës.

“Admiroj faktin se sa fort e ndieni këtë nismë, se pikë së pari ka qenë një nismë që vjen nga Ballkani. Nuk është Bashkimi Evropian që doli me këtë nismë, por ka ardhur prej jush, prej tri aktorëve që shoh rreth tryezës edhe sot, dhe ju vazhduat të shtyni përpara edhe kur ne nuk arritëm që të tërhiqnim pjesëmarrjen e gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor, sepse ju kuptuat rëndësinë e integrimit rajonal dhe sidomos mënyrën në të cilën kjo është në gjendje të ndryshojë jetën e qytetarëve tuaj”, deklaroi Varhelyi.

Takimi i radhës i nismës "Ballkani i Hapur" është caktuar të mbahet në shkurt në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Eda Merepeza