Nisma “Një brez, një rrugë” ose BRI e shpallur nga Presidenti Xi Jinping në vitin 2013, si një strategji e zhvilluar nga qeveria kineze, është shumë e rëndësishme për Kinën, por nuk kufizohet vetëm në Kinë. Në mënyrë që nisma të jetë e suksesshme, ajo duhet të përqafohet nga vendet në rrugët tokësore dhe detare të indikuar në të.

Hera e parë që bota dëgjoi për këtë nismë ishte në Kazakistan, gjatë një vizite të presidentit Xi në këtë vend. Në një fjalim atje, Presidenti Xi shprehu ndër të tjera: “Shaanxi, krahina ime e lindjes është pika e fillimit të Rrugës së Mëndafshit. Ndërsa qëndroj këtu, mendoj për historinë dhe pothuajse mundem të dëgjoj këmbanat e deveve që jehojnë ndër male dhe të shikoj tymin që ngrihet nga shkretëtira … përgjatë mijëvjeçarëve, popujt e vendeve të ndryshëm në Rrugën e Mëndafshit kanë arritur të krijojnë së bashku kapituj miqësie që janë kaluar ndër breza deri në ditët tona...” Nga sa më sipër mund të shohim se Xi fillon duke evokuar të kaluarën dhe duke shpalosur udhëzimet për bashkëpunimin e ardhshëm për vendet e përfshira në iniciativë. Ngritja e Kinës në eminencë në shekullin 21-të nuk është diçka e re, por ajo po rivendos modelet historike. Me anë të kësaj nisme Kina por rikthehet në skenën globale me një vizion të qartë dhe si trashëgimtare e një qytetërimi të lashtë.

Nisma “Një brez, një rrugë” po përpiqet të rigjurmojë rrugët e lashta tregtare të Rrugës së Mëndafshit duke lidhur Lindjen dhe Perëndimin në rrugë tokësore dhe rrugë detare. Për më shumë se 1600 vjet Rruga e Mëndafshit promovoi shkëmbimin midis qytetërimeve perëndimore dhe lindore, duke bashkuar kinezë, indianë, persë, arabë, grekë dhe romakët. Në kohët moderne, nisma “Një brez, një rrugë” përpiqet të injektojë vitalitet të ri në këto rrugë të lashta tregtare përmes një masterplani të ri ekonomik që do të lidhë Azinë, Evropën dhe Afrikën brenda të njëjës kornizë ekonomike dhe zhvillimore. Kjo nismë nxjerr në pah thelbin e zhvillimit të ri strategjik të Kinës, i bazuar në progresin ekonomik dhe prosperitetin e përbashkët.

Çfarë është Nisma “Një brez, një rrugë” në praktikë? Sipas pasqyrimit të nismës nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës të Kinës, BRI bazohet në pesë prioritete bashkëpunimi: Koordinimi i politikave: Promovimi i bashkëpunimit ndërqeveritar, shkëmbimi i politikave makro dhe ndërqeveritare në shumë nivele dhe mekanizma të shtuar të komunikimit. Lehtësimi i ndërlidhjes: Përmirësimi i lidhjes përmes planeve të ndërtimit të infrastrukturës dhe sistemeve të standardeve teknike. Tregtia e lirë ose papenguar: Reduktimi i pengesave të investimeve dhe pengesave tregtare, promovimi i integrimit ekonomik rajonal. Integrimi financiar: Koordinimi dhe bashkëpunimi në politikën monetare dhe ngritja e institucioneve financiare. Lidhjet dhe shkëmbimet mes njerëzve: Shkëmbimi dhe dialogu kulturor dhe akademik, bashkëpunimi mediatik dhe shkëmbimet njerëzore,etj.

Këto parime u përpunuan fillimisht në vitin 2015, më pas u përsëritën gjatë Forumit të parë BRI-së të mbajtur në Pekin në 2017, dhe u rishprehën në Forumin e Dytë të BRI-së, të mbajtur në 2019.

Sikurse vetë nisma, prioritetet janë në evoluim të vazhdueshëm. Nga 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, 73% e tyre janë pjesë e BRI- së. Statistikat tregojnë se në vitin 2021, janë plot 140 vende që kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) me Kinën për të qenë pjesë e BRI-së. Shpërndarja është si vijon: 40 vende janë në Afrikën Sub-Sahariane, 34 vende në Evropë dhe Azinë Qendrore (duke përfshirë 18 vende në Bashkimin Evropian (BE) që janë pjesë e BRI), 24 në Azinë Lindore dhe Paqësor, 17 vende në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, 19 vende janë në Amerikën Latine dhe Karaibe dhe 6 vende janë në Azinë Juglindore.

Mbështetja e kësaj nisme në rang botëror është e jashtëzakonshme. Fjala kyçe për BRI-në duket qartë së është infrastruktura. Autoritetet kineze e shohin infrastrukturën si mjeti më i mire për të arritur të ashtuquajturat “Korridore Ekonomike”. Por, korridoret ekonomike kërkojnë mbështetje financiare dhe sipas kalkulimeve të fundit në bazë të projekteve të nisura nëse BRI-ja do të ishte një shtet, do të renditej si ekonomia e tetë më e madhe në botë, duke eklipsuar Italinë, Brazilin, Kanadanë dhe Rusinë. Me gjithë sfidat e saj, BRI-ja mbetet një nismë masive, me projekte me vlerë 2.3 trilion dollarë në faza të ndryshme. Këto aktivitete mbështeten nga asetet e lidhura me Bankën Aziatike e Investimeve Infrastrukturore (AIIB), Banka e Re për Zhvillim (NBD) dhe Fondi i Rrugës së Mëndafshit. Duke shkuar më tej në këtë kalkulim të përfitimeve në bazë te studimeve empirike, Jackson dhe Shepotylo, vlerësojnë se me projektet e BRI do të ketë një ulje të kostos së transportit mbi 30% që do të rrisë si rrjedhojë mirëqenien e konsumatorëve me 1.51%. Përveç kësaj, duke kombinuar BRI-në me Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë (MTL) këto shifra mund të rriten deri në 4.9%.

Me anë të BRI-së Kina po bën jashtë kufijve të saj atë që brenda territorit kinez ka sjellë vetëm përfitime, pasi fokusi në rritje ekonomike sjell më shumë stabilitet kombëtar dhe rajonal. Para së gjithash, ngritja ekonomike kineze është një histori suksesi global. Vendet në zhvillim mund të kenë një model progresi të qëndrueshëm nëpërmjet komunikimit të politikave të përmirësuara nga mekanizmat e BRI-së, duke zbatuar këto praktika në realitetet e tyre përkatëse.

Planet e BRI-së janë projekte tejet ambicioze, por për Kinën kjo nuk është gjë e re. Për shumë shekuj me radhë Kina nuk kishte konkurrencë për sa i përket efikasitetit, kompetencës ose aftësisë së saj për të ndërmarrë projekte të mëdha në shkallë të gjerë. Mjafton të mendojmë sa organizim dhe mund është dashur për të ndërtuar Murin e Madh kinez dhe kuptohet se veprat gjigande janë pjesë e mendësisë së popullit. Ky model i konceptit të punës, në shekullin e 21-të karakterizohet nga investime të drejtuara nga shteti jashtë Kinës. Këto projekte përmbajnë në thelb gjithë aftësinë e autoriteteve kineze për projeksione, menaxhim dhe përfundim të punëve madhore me efiçencë të lartë.

Ndërlidhja është kryefjala e BRI-së por ka një aspekt tjetër të saj përveç atij të prekshëm të infrastrukturës, ai i marrëdhënieve ndërshtetërore. Asnjëherë më parë, në historinë moderne kineze, drejtuesit e qeverisë nuk kanë pasur këtë intensitet takimesh, forumesh, simpoziumesh dhe samitesh siç kanë pasur që nga shpallja e Rrugës së Re të Mëndafshit në 2013.

Kjo nismë mund të përfaqësojë një model tjetër gjithëpërfshirës për bashkëpunimin ekonomik dhe politik ndërkombëtar dhe ndoshta iniciativën më ambicioze të politikës ndërkombëtare kineze në histori. Asgjë nuk është anormale pasi kjo strategji e madhe kineze përshtatet me liberalizmin ekonomik, shtyllat e të cilit janë tregtia dhe investimet ndërkombëtare dhe duke krijuar një ndërvarësi tregtare do të arrijë rrjedhimisht njohje të ndërsjellë midis popujve dhe kombeve.

Vizioni për zbatimin e BRI-së mbetet i jashtëzakonshëm dhe gurthemeli i çdo deklarate zyrtare kineze është “Bashkëpunimi me përfitim të ndërsjellë”. Sa më shumë të rritet intensiteti dhe përhapja e këtyre praktikave, aq më shumë BRI-ja do të arrijë një sinergji unike institucionale të gjithë palëve të përfshira. Me këtë qëndrim proaktiv në punët e jashtme, qeveria kineze po përpiqet të forcojë marrëdhëniet e saj me vendet përgjatë rrugës. Angazhimi i Kinës për të vazhduar dhe thelluar globalizimin, në thelb po kontribuon në të mirën më të madhe duke lejuar vendet e tjera të fitojnë dividentët nga BRI. Projekte të tilla duhet të mirëpriten dhe natyrisht të përsëriten aty ku nevojiten më shumë. Kina e ka promovuar BRI-në si një mjet për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin. Qëllimi i BRI-së është ai i integrimit ekonomik dhe potenciali i jashtëzakonshëm i një epoke të re të prosperitetit global.

Rruga e Mëndafshit ishte një produkt ikonik i Kinës, por ndër shekuj u bë pjesë e historisë tregtare dhe kulturore të Euroaziasë e më tej. Me të u krijua një nocion i trashëgimisë botërore dhe si i tillë duhet parë edhe në shekullin e 21-të.

Është e rëndësishme të theksohet se BRI e bën Kinën sot të vetmin vend në botë me një plan të qartë dhe afatgjatë për rritjen e ekonomisë globale.

Dr. Marsela Musabelliu