Konferenca Qendrore e Punës Ekonomike është mbajtur në Pekin nga data 8 deri në 10 Dhjetor 2021. Udhëheqësit e Kinës kanë vlerësuar performancën ekonomike të vitit 2021 dhe kanë përcaktuar prioritetet për një zhvillim ekonomik të qendrueshëm në vitin 2022. Në vitin 2021 Kina ka mbajtur një pozicion udhëheqës në botë në rritjen ekonomike, kontrollin e epidemisë, në qëndrueshmërinë e zinxhirit industrial, reformën dhe hapjen ekonomike të saj, dhe rritjen e nivelit të jetesës. Ekonomia kineze performoi më mirë se vendet e tjera si rezultat i masave jashtëzakonisht të ashpra që u përdorën për të zvogëluar transmetimin e virusit si dhe stimuli ekonomik i drejtuar nga shteti, i cili u bë efektiv në një kohë të shkurtër për të siguruar që prodhimi ekonomik mund të rritej edhe në një vit kur pothuajse i gjithë aktiviteti pushoi për një muaj të tërë. Në deklaratën e drejtorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, zonjës Kristalina Georgieva, nënvizohet se “Kina arriti një rimëkëmbje vërtet të jashtëzakonshme, por momenti i saj i rritjes është ngadalësuar dukshëm. Duke qenë se Kina është një motor jetik për rritjen globale, ndërmarrja e veprimeve të forta për të mbështetur rritjen me cilësi të lartë do të ndihmojë jo vetëm Kinën, por edhe botën.”

Kina ka vazhduar rimëkëmbjen e saj, duke u kthyer në nivelet e saj të rritjes para pandemisë përpara të gjitha ekonomive të mëdha. Por, në vlerësimin e Fondi Monetar Ndërkombëtar në Nëntor të vitit 2021, është theksuar se “ekonomia kineze vazhdon rimëkëmbjen e saj, por për momentin aktual rritja ekonomike po ngadalësohet, për shkak të tërheqjes së shpejtë të politikave të mbështetjes, rikuperimit të vonuar të konsumit, shpërthimeve të përsëritura të COVID-19, masave të bllokimit, ndërprerjet e fundit të energjisë dhe një ngadalësim në investimet në pasuri të paluajtshme”.

Në nëntor, vlera e shtuar e industrisë u rrit me 3.8 për qind nga viti në vit ose një rritje prej 11.1 për qind në të njëjtën periudhë. Por, nga krahasimi muaj pas muaji, vlera e shtuar e industrisë u rrit me një ritëm më të ngadaltë, në 0.37 për qind, krahasuar me muajin e kaluar në nëntor. Indeksi i shërbimeve u rrit me 3.1 për qind nga viti në vit, por me 0.7 pikë përqindje më pak se një muaj më parë. Nga janari në nëntor, shitjet totale me pakicë të mallrave të konsumit social arritën në 39,955.4 miliardë juanë, ose një rritje prej 13.7 përqind nga viti në vit. Në nëntor, shitjet totale me pakicë të mallrave të konsumit arritën në 4,104.3 miliardë juanë, me 3.9 për qind në rritje nga viti në vit, ose me 1.0 pikë përqindje më poshtë se muaji i kaluar. Në njëmbëdhjetë muajt e parë, vlera totale e importeve dhe eksporteve të mallrave ishte 35,390.3 miliardë juanë, me një rritje prej 22.0 për qind nga viti në vit. Vlera e eksporteve ishte 19,576,3 miliardë juanë, me 21,8 për qind në rritje nga viti në vit, dhe vlera e importeve ishte 15,814,0 miliardë juanë, me 22,2 për qind nga viti në vit. Në njëmbëdhjetë muajt e parë, investimet në asetet fikse (duke përjashtuar familjet rurale) arriti në 49,408.2 miliardë juanë, me 5.2 për qind më shumë nga viti në vit, por 0.9 pikë përqindjeje më ngadalë krahasuar me dhjetë muajt e parë.

Konferenca ka vënë në dukje se zhvillimi ekonomik i Kinës po përballet me presion nga tkurrja e kërkesës, goditjet e ofertës, zgjatja e pandemisë, si dhe mjedisi i jashtëm, i cili po bëhet gjithnjë e më i pasigurt për shkak të çrregullimit global të zinxhirit të furnizimit si dhe kostot në rritje të lëndëve të para. Sipas ekspertëve rritja ekonomike është ngadalësuar për shkak të një rënieje të tregut të pronave, të rritjes së dobët të konsumit si dhe shpërthimeve të përsëritura të Covid-19. Kjo ka dëmtuar klimën e biznesit si dhe besimin e tregut. Ekonomistët parashikojnë që rritja të ngadalësohet në 4.0 përqind në tremujorin e katërt të vitit 2021, krahasuar me rritjen prej 18.3 për qind në tremujorin e parë. Për të siguruar rritje “me cilësi të lartë”, gjithëpërfshirëse, Kina do të synojë të stabilizojë rritjen ekonomike, duke u fokusuar në një politikë fiskale të bashkërenduar me një politikë monetare të qëndrueshme, optimizimin e strukturës ekonomike dhe zhvillimin e gjelbër.

Kina do të duhet të zbatojë një politikë fiskale aktive. Politika fiskale e vendit duhet të synojë përmirësimin e produktivitetit, efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së ekonomisë. Qeveria kineze do të duhet të konsideronte uljen e taksave për të reduktuar barrën financiare mbi ndërmarrjet. Politika fiskale gjithashtu do të duhet të ndihmojë në frenimin e pabarazisë së lartë të të ardhurave me synimin e rritjes së shpenzimeve konsumatore. Përqendrimi i përpjekjeve fiskale shtesë në shpenzimet sociale dhe investimet e gjelbra në vend, të investimeve tradicionale në infrastrukturë jo vetëm që do të ndihmonte në sigurimin e rimëkëmbjes dhe do të forconte kërkesën afatshkurtër, por gjithashtu do të kontribuonte në ribalancimin e synuar afatmesëm të ekonomisë së Kinës. Gjithashtu, politika monetare do të jetë mbështetëse e politikës fiskale. Banka qendrore kineze ka njoftuar tashmë një ulje të raportit të rezervës së detyruar për bankat me 50 pikë bazë për të mbështetur ekonominë.

Një qëllim tjetër në axhendën e qeverisë duhet të jetë optimizimi i strukturës ekonomike të Kinës. Duke parë përtej rimëkëmbjes së këtij viti, politikëbërësit duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre drejt promovimit të reformave strukturore që përmirësojnë rritjen dhe drejtojnë ekonominë në një rrugë zhvillimi më të gjelbër. Kina do të vazhdojë të kryejë reforma ekonomike, duke përfshirë rregullimin e pasurive të paluajtshme, zhvillimin e tregjeve të kapitalit dhe inkurajimin e zhvillimit të teknologjisë së lartë, për të arritur zhvillim ekonomik me cilësi të lartë. E rëndësishme është përpjekja për të rritur konsumin. Rritja reale e konsumit parashikohet të kthehet gradualisht në tendencën e saj para COVID-19, e mbështetur nga rimëkëmbja e vazhdueshme e tregut të punës, rritja e të ardhurave të familjeve dhe përmirësimi i besimit të konsumatorëve.

Kina gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në luftën globale kundër ndryshimeve klimatike. Kina gjithashtu ka plane të mëdha për të zhvilluar ekonominë e gjelbër dhe reformimin e sektorit të energjisë, pasi ajo tashmë ka premtuar të arrijë kulmin e karbonit deri në vitin 2030 dhe neutralitetin e karbonit deri në vitin 2060. Për të gjeneruar më shumë energji të gjelbër dhe me karbon të ulët, së pari duhet të ruajmë energjinë. Me tej është e rëndësishme zhvillimi i energjisë së re të pastër nga karburantet fosile si dhe përmirësimi i efikasitetit të saj.

Prof. Dr. Petraq Milo