Edhe viti që po lëmë pas, pra viti 2021 është shënjuar nga vazhdimi i pandemisë, e cila ka shkaktuar miliona të vdekur dhe humbje të jashtëzakonshme ekonomike në një shkallë të gjerë që ka prekur të gjithë sektorët e ekonomisë dhe me një shtrirje në të gjitha skajet e botës. Më keq akoma, me lindjen e varianteve të reja, pjesa më e madhe e vendeve të prekura nga pandemia e shikojnë të largët dritën në fund të tunelit pavarësisht sforcove për të rritur nivelin e vaksinimit. Kina duket si një përjashtim në një panoramë mjaftueshme të zymtë, të paktën për të ardhmen e afërt. Me marrjen e masave drastike në fillim të pandemisë, Kina arriti ta izolojë valën e parë të pandemisë dhe të kufizojë humbjet njerëzore dhe ekonomike për gjatë vitit 2020. Gjatë vitit 2021 Kina ka patur vetëm raste sporadike të cilat nuk kanë patur një impakt të madh në jetën ekonomike e sociale të vendit. Sigurisht që sado të kufizuara lidhjet me jashtë, përsëri edhe në Kinë ka shpërthime të vogla që zakonisht vijnë nga kthimi i shumë njerëzve nga jashtë vendit, kryesisht shtetas kinezë, apo lëvizjet e mallrave që sjellin me vete edhe raste të virusit.

Në çdo rrethanë, Kina ka vënë në jetë një strategji efektive që konsiston në një reagim të shpejtë ndaj rasteve të reja, izolimin dhe trajtimin e menjëhershëm të tyre, dhe vendosjen e kufizimeve të ashpra por efektive në ato zona ku ka raste, deri në izolimin e plotë të tyre. Me këtë strategji Zero Kovid në funksion, Kina ka mundur ti kthehet jetës normale ekonomike e shoqërore me rivendosjen në lëvizje të ekonomisë prodhuese dhe të shërbimeve. Tregtia e Kinës me vendet e tjera gjithashtu e ka rimarrë veten megjithëse për tu kthyer në ritmet e para pandemisë do duhet kohë akoma dhe mbi të gjitha mbetet në varësi të ecurisë së rimëkëmbjes shëndetësore nga vendet e tjera. Në këtë pikë duhet theksuar se këtë vit Kina ka shpërndarë me miliona vaksina në vendet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, por edhe drejt disa vendeve Europiane. Angazhimi i Kinës është që të arrijë të shpërndajë 1 miliard doza në ato vende të cilat janë lënë pas dore në shpërndarjen e vaksinave nga ana e kompanive farmaceutike Europiane dhe Amerikane dhe vendet e tyre përkatëse.

Dhe këtu hapet një çështje tjetër. Parë nga Pekini, pyetja është kur do të jetë pandemia pjesë e së shkuarës? Kur nuk do të jetë kjo pandemi një problem për jetën ekonomike e sociale në rang botëror? Pa vendosjen nën kontroll të pandemisë në një shkallë ndërkombëtare, Kina do të vazhdojë të mbetet një përjashtim, me të gjitha të papriturat që kjo sjell për botën e biznesit dhe rifillimin e shkëmbimeve normale njerëzore. Duke qenë se kjo varet kryesisht nga masat e secilit vend ndaj pandemisë, atëherë Kina ka ndërmarrë një seri masash nga ana e vet që ekonomia e saj të jetë sa më pak e varur nga faktorë të jashtëm, megjithëse ekonomia do të vazhdojë të jetë e ndërlidhur me zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit. Në Pekin shpesh herë zërat e autoriteteve i kanë mëshuar dëshirës për të çuar përpara globalizimin ekonomik. Edhe së fundi, Kina është shprehur se konsolidimi i tregut të brendshëm, me fokus rritjen e konsumit, është vërtetë një mënyrë për tu mbrojtur nga luhatjet e tregjeve ndërkombëtare, por jo një rrugë drejt izolimit ekonomik.

Së fundmi në Pekin u mbajt Konferenca e Punës Qendrore Ekonomike për të rishikuar ecurinë ekonomike të vendit në vitin 2021 dhe për të përcaktuar kursin për ekonominë në 2022. Aty u diskutua sesi Kina po planifikon të zgjerojë në mënyrë aktive investimet, dhe të nxisë konsumin për të mbështetur ekonominë e saj kundër erërave të forta vendase dhe të huaja, ndërkohë që mendon të ulë taksat për të nxitur bizneset dhe për të reformuar sektorin e energjisë. Vendi po synon gjithashtu që të stabilizojë rritjen ekonomike, duke u fokusuar në zhvillim cilësor, dhe jo vetëm sasior. Kina do të vazhdojë të kryejë reforma ekonomike, duke përfshirë rregullimin e pasurive të paluajtshme, zhvillimin e tregjeve të kapitalit dhe inkurajimin e zhvillimit të teknologjisë së lartë, për të arritur zhvillim me cilësi të lartë. Këto dy vitet e fundit i është dhënë një rëndësi parësore rritjes së barazisë dhe krijimin e një ekonomie që prodhon më pak shtresëzime sociale.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është fakti se edhe një herë u theksua nevoja për të konsoliduar një zhvillim ekonomik të gjelbër, pra që të jetë në linjë me angazhimet e qeverisë për të mbrojtur ambientin, por edhe me angazhimin e Kinës në forumet e ndryshme ndërkombëtare (i fundit ishte samiti për klimën në Skoci) ku Kina ka mbështetur aktivisht nevojën për të luftuar ndryshimet klimatike në koordinim me vendet e mëdha industriale.

Shenyang,22 dhjetor,Kinë(VCG)

Shenyang,22 dhjetor,Kinë(VCG)

Shenyang,22 dhjetor,Kinë(VCG)

Nga ana tjetër Kina po mban angazhimin për investime në kuadrin e projektit madhor Një Brez Një Rrugë. Për gjatë vitit 2021, shumë komente në media të ndryshme ndërkombëtare kanë reflektuar një farë dyshimi se pandemia mund të ketë një impakt negativ mbi këtë iniciativë. Mirëpo, autoritetet në Pekin raportojnë se në kuadrin e kësaj nisme vëllimi i tregtisë përgjatë saj ka arritur në më shumë se 9 trilionë dollarë amerikanë, ndërkohë që Kina ka investuar në vendet pjesëmarrëse më shumë se 136 miliardë dollarë. Gjasat janë që investimet në këtë projekt të vazhdojnë deri në kompletimin e një serë projektesh infrastrukturore që lidhin Kinën me Europën por edhe me tregjet emergjente të Azisë Juglindore apo Afrikës. Mendoj se është e rëndësishme të përmendet fakti se së fundmi autoritetet kineze janë shprehur se projektet në kuadrin e iniciativës Një Brez Një Rrugë do të zbatohen në përputhje me respektin ndaj ambientit dhe me qëllim mbrojtjen e tij. Kjo tregon sesi Pekini e shikon reagimin ndaj ndryshimeve klimatike si një problem ndërkombëtar që si i tillë kërkon angazhim dhe koordinim mes shumë faktorësh (shtete, kompani biznesi e shoqëri civile) në shkallë të gjerë.

Pak ditë na ndajnë nga viti i ri 2022, i cili do jetë padyshim plot sfida. Kina mban në Shkurt lojërat olimpike dimërore, dhe më vonë gjatë vitit do jenë një seri ngjarjesh kombëtare e ndërkombëtare të rëndësishme. E reja gjithmonë sjell sfida, mundësi dhe vështirësi. Por viti i ri që po vjen sjell edhe shpresë, shpresë për një të ardhme më të mirë, për një paqe mes popujve dhe për një njerëzim me një fat të përbashkët. Në Pekin dritat e vitit të ri do të ndizen me një eufori të përmbajtur, por edhe me një vetëbesim më të madh te vetja, te sistemi i vet shoqëror dhe qeverisës, te besimi se viti i ri që vjen do të jetë një vit mundësish të reja për të çuar përpara përparimin ekonomik e shoqëror të vendit.