Një mega-projekt i Republikës Popullore të Kinës për ndërtimin e Rrugës së Mëndafshit nga Kina në Venedik ka zgjuar reagime të formave të ndryshme. Projekti në fjalë asocohet me rrugën historike në lashtësi, atëherë kur përmes saj lëviznin karvanët e ngarkuar me mallra, si metale, porcelan, stofra, perime e fruta të cilët vinin nga Lindja e Largët dhe furnizonin Europën. Kamilat dhe kafshët e tjera të ngarkesës, deri te elefantët, ishin para mijëra vitesh udhëtarët e zakonshëm të kësaj rruge mijëra kilometër të gjatë.

Pikërisht kjo eksperiencë e hershme është zgjuar në mendimin dhe idetë zhvilluese të udhëheqësve të sotëm kinezë. Kjo konsiderohet prej gjithkujt një Mega Projekt, i cili lidh 70 vende me katër miliard banorë. Nis në Kinë, kalon në kufirin midis Mongolisë dhe Kaukazit, arrin në Teheran e prej këtu në Stamboll, Moskë, Roterdam dhe përfundon në Venedik. Më tej rruga e kthimit nis përmes linjave detare nga Venediku në Athinë, Nairobi, Kalkuta, Kuala Lampur, Sri Lanka dhe përmes Indisë përfundon përsëri në Kinë.

Plani kinez përfshin një infrastrukturë dhe logjistikë gjigande, me autostrada, hekurudha, ura, tunele, gazsjellësa, linja të komunikimit, aeroporte dhe porte detare të mëdhenj. Projekti nisi në vitin 2013 pasi ishte shpallur iniciativa e bashkëpunimit 16+1 të Kinës me vendet e Europës Lindore, Qendrore dhe Juglindore. Për herë të parë këtë projekt e promovoi presidenti Xi Jinping gjatë një konference në Kazakistan. Oferta e tij ishte e qartë dhe joshëse: Një paketë komplete me një plan konkret, me të cilin Republika Popullore e Kinës merr përsipër jo vetëm investimin në triliona dollarë amerikanë, por edhe aktivizimin e punëtorëve, të zanatçinjve, nën-kontraktorëve, si dhe financimin e projekteve të ndërmjetme që lidhen me sipërmarrjen në këtë rrugë.

Ekspertë të shumtë e vlerësojnë iniciativën "Një Brez-një Rrugë", si shprehje të vullnetit të mirë të qeverisë kineze në realizimin e projekteve që progresojnë zhvillimin në më shumë se gjysmën e popullsisë së botës. Një prej tyre, Jan Weidenfeld i "Mercator Institute for China Studies" në Berlin, konsideron se kjo iniciativë e shefit të shtetit kinez është një sukses, i cili ndikon në perceptimin e rolit të Kinës në mbarë botën. Ai thotë se me këtë projekt Republika Popullore e Kinës nuk fiton vetëm një rol të madh në skenën botërore, por fiton gjithashtu një treg të jashtëzakonshëm, në të cilin përfshihen sipërmarrësit kinezë. Por se çfarë mund të arrijë Kina në skenën botërore, kjo është e panjohur", thotë Weidenfeld.

Ndërkaq Jan Weiderfeld përpiqet të analizojë edhe qëllimet e këtij investimi gjigand në territorin e dy kontinenteve, atij të Azisë dhe të Europës dhe me ndikim në Afrikën Veriore. Çfarë synon Kina në të vërtetë, sipas Weidefeld? Të shndërrohet në një fuqi imperialiste? Apo të konkurrojë në tregtinë botërore Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Sipas tij europianët dhe amerikanët e shohin me skepticizëm iniciativën e Rrugës së Mëndafshit dhe ato shqetësohen për rritjen e influencës kineze në kuptimin e rrënimit të koncepteve perëndimore për tregun e lirë, por edhe për humbjen e terrenit në tregtinë botërore. Ndërsa Uwe Hoering i Fondacionit të Shtëpisë Aziatike në Këln të Gjermanisë e sheh iniciativën kineze "Një Brez- Një Rrugë" si të suksesshme, pavarësisht kontestimeve të Fuqive të tjera.

Në Kinë kritikat dhe kontestimet për ndërtimin e kësaj rrugë perceptohen si jo reale dhe të padëshirueshme. Politika kineze e konsideron projektin si një vepër që zgjeron mundësitë e të gjitha vendeve për zhvillim ekonomik dhe prosperitet në mirëqenie. Të njëjtin mendim ndan dhe eksperti gjerman i shkencave politike, Uwe Hoering. Sipas tij, Rruga e Mëndafshit është një projekt me shumë implikime. Por kryesorja lidhet me faktin se ai është projekt i motivuar nga pikëpamja ekonomike. Tregtia e brendshme në Kinë ka nevojë për një frymëmarrje, të cilën e favorizon ndërtimi i Rrugës së Mëndafshit. Kina dëshiron të kërkojë mundësi të reja në tregti, si dhe në shfrytëzimin e resurseve përtej saj.

Edhe në ditët e sotme shumë porte detare, si ai i Hamburgut, janë të lidhur ngushtë me mallrat kineze. Në këtë port gjatë vitit 2020 u shkarkuan 2.6 milion konteinerë me mallra nga Republika Popullore e Kinës. Tregtia është një nga motivet më të rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës në përgjithësi dhe Rruga e Mëndafshit paraqet një mundësi të jashtëzakonshme në këtë aspekt. Kinezët zotërojnë me mallrat e tyre së paku në 14 porte të Europës, përfshirë Roterdamin, Antwerpen, Le Havre, Bilbau, Gjenova, Valencia e Marsejë. Ndërkaq porti detar i Pireut në Selanik të Greqisë është shndërruar tashmë në një investim gjigand të Pekinit. Sipas llogarive të ekspertëve, Kina zotëron dy të tretat e 50 terminaleve më të mëdhenj në të gjithë botën dhe ka rrit peshën e qarkullimit të mallrave edhe në Kanalin e Suezit.

Në të gjitha këto projekte marrin pjesë vende të ndryshme, përfshirë dhe ato europiane. Europianët nga ana e tyre nuk kanë mundësi reale për investime në projekte kaq të mëdha. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë adresuar investimet e tyre në ndërtimin e infrastrukturës së brendshme. Ndaj dhe Republika Popullore e Kinës ka rrit shanset për të patur sukses në realizimin e projektit të saj gjigand të Rrugës së Mëndafshit. Shumë vende europiane nuk e ndjejnë veten të kërcënuar e nën presionin e investimeve nga ana e Pekinit dhe bankave kineze. Një ndër to është gjithashtu ekonomia gjermane, sipërmarrësit e së cilës e shohin tregun kinez si shans për të rrit të ardhurat dhe fitimet e tyre. Në veçanti bëhet fjalë për industrinë e ndërtimit të makinave, por edhe në sektorë të tjerë.