Po mbushen 8 vjet që ka filluar zbatimi i megaprojekti ‘Një brez, një rrugë’, i njohur tani si BRI, i nisur nga Kina, dhe edhe pse as një dekadë e plotë nuk ka kaluar, rezultatet e tij për të gjithë vendet dhe rajonet pjesëmarrëse në të janë mbresëlënëse, i kanë dhënë formë dhe përmbajtje të re bashkëpunimit ndërkombëtar në shkallë të gjerë duke u shtrirë në të gjithë kontinentet - një alternativë e re novatore që po realizon zhvillimin e barabartë të njerëzimit. Çfarë i ka dhënë vlerë kësaj iniciative panbotërore është se ajo nuk mbart asnjë lloj ideologjizmi, nuk ka ngjyra politike: ‘ideologjia’ e BRI ka qenë, është dhe do të jetë zhvillimi i të gjithë vendeve pa dallim ne të gjitha aspektet dhe mirëqenia e popujve në mbarë botën duke dhënë garanci dhe siguri për paqe, stabilitet e zhvillim të qëndrueshëm të komunitetit ndërkombëtar në frymën e multilateralizmit.

Këtë kurs të suksesshëm ka ndjekur BRI si të gjitha fushat e tjera ekonomike, politike e sociale të Republikës Popullore të Kinës edhe pse pandemia po zgjat (u bë tash dy vjet) me të gjitha pasojat e saj negative gjatë vitit 2021.

Realiteti e fakte jetësore po dëshmojnë dita- ditës se BRI është kthyer tashmë në megaprojektin më të madh në botë, i cili ka ngjallur interesin e shpresën për mbijetesë të tërë komunitetit ndërkombëtar paqedashës, që shikojnë në të një mundësi me vlera të mëdha zhvillimi sepse po u konvertohet në vepra të mëdha të paimagjinueshme më parë dhe mirëqenie e stabilitet social.

Me pak fjale po e ilustrojmë me një bilanc qe bëri përmes lidhjes me video të premten më 17 dhjetor 2021 mbledhja e Komitetit Këshillimor të Forumit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar “Një brez, një rrugë” për vitin 2021, ku mbajti një fjalim Ministri i Jashtëm Wang Yi sipas të cilit ndërtimi i përbashkët i “Një brez, një rrugë” ka arritur rezultate konkrete, që kur ajo u paraqit tetë vjet më pare. Wang theksoi se Kina është e gatshme të punojë me të gjithë partnerët për të kryer bashkëpunim me cilësi të lartë dhe do të përpiqet për vizionin e zhvillimit të përbashkët global.

Liderët botërorë që marrin pjesën në samitin e dytë të kornizës së bashkëpunimit "Një brez, një rrugë", prill 2019, Pekin(Xinhua)

Liderët botërorë që marrin pjesën në samitin e dytë të kornizës së bashkëpunimit "Një brez, një rrugë", prill 2019, Pekin(Xinhua)

Ministri rikonfirmoi qëndrimin se Kina do ti përmbahet hapjes në vend të mbylljes së dyerve ndaj botës së jashtme, dhe do të ndjek rezultate të përfitimit reciprok në vend të lojës së shumës zero në mënyrë që të kontribuojë për ndërtimin e një komuniteti me të ardhme të përbashkët për njerëzimin nëpërmjet ndërtimit të ‘Një brez, Një rrugë’.

Mirëpo, siç ngjet rëndom në rastin e Kinës, janë edhe kundërshtarët tradicionalë të çdo suksesi të saj që qysh në fillim të shpalljes së iniciativës më 2013 u ranë daulleve të disfatës së saj, pastaj kur u pa suksesi kaluan në përshkrimin e saj si një mjet kinez për të përfituar në kurriz të vendeve më të varfra në zhvillim, dhe së fundmi po mendojnë për një përpjekje që ta konkurrojnë BRI me një iniciativë të tyre, e kjo pas 8 vitesh?!

Presidenti amerikan Joe Biden i ka sugjeruar më 26 mars 2021 kryeministrit britanik Boris Johnson se vendet e tyre duhet të kenë një plan infrastrukturor për të rivalizuar iniciativën e Kinës ‘Një brez, një rrugë’. "Unë sugjerova që ne duhet të kemi, në thelb, një iniciativë të ngjashme, duke u tërhequr nga shtetet demokratike, duke ndihmuar ato komunitete në mbarë botën që, në fakt, kanë nevojë për ndihmë", deklaroi Biden i cituar nga Reuters.

Ndërsa shpreh shqetësimet e tij dhe kërkon të inkurajojë investimet e sektorit privat për projektet jashtë shtetit për të rivalizuar ato të BRI-së, Uashingtoni ende nuk është në gjëndje të bindë opinionin publik ndërkombëtar se mund të ofrojë një alternativë vizionare ekonomike që të jetë në gjendje të konkurrojë punën e bërë nga BRI, e cila është një skemë multitrilion dollarëshe e infrastrukturës e nisur në vitin 2013 nga Presidenti Xi Jinping që përfshin iniciativa zhvillimi dhe investimesh që janë shtrirë në të katër cepat e botës e me perspektiva të qarta për të ardhmen.

Inxhinierë kinezë në kantierin e ndërtimit të një tunelit përgjatë hekurudhës Kinë-Laos(VCG)

Inxhinierë kinezë në kantierin e ndërtimit të një tunelit përgjatë hekurudhës Kinë-Laos(VCG)

Nuk binden kollaj nga oferta e Biden, e cila mbart etiketën e ideologjizuar të ‘demokracisë ala amerikane’, më shumë se 140 vendet pjesëmarrëse në iniciativën ‘Një brez, një rrugë’ sepse kjo e fundit i ka dhënë provat e veta rezultative dhe sa më shumë kohë që kalon nxjerr në pah BRI si shembull zhvillimi të njerëzimit në diversitet ne interes reciprok të secilit vend në përputhje me format e tyre të sistemit dhe strategjive specifike të zhvillimit pa vënë kushte e pa krijuar grupe të mbyllura. Mbi të gjitha popujt i kanë të freskëta politikat kolonialiste e neokolonialiste të SHBA e Perëndimit në përgjithësi, që kanë zhvatur pasuritë e vendeve të Lindjes së Mesme, Afrikës, Azisë e rajoneve të tjera të botës në forma nga më të ndryshmet grabitqare. E zor se heqin dorë nga kjo formë, e prandaj aq më shumë bie besueshmëria tek propozimet e skemat e tyre.

Por, nga ana tjetër, i gjithë komuniteti ndërkombëtar është i vetëdijshëm se ‘Një brez, një rrugë’ nuk është rrugë e pashkelur nga Kina.

‘Rruga e Mëndafshit’ (Silk Road) ka qenë ideja, traseja, ëndrra e riaktivizimit të një prej lidhjeve komunikuese më të lashta në botë e shkelur jo vetëm nga kinezët por edhe shumë e shumë popuj të tjerë të botës. Kështu i konsoliduar si projekt bindës e konkret, BRI ka nisur si një ndër alternativat më të rëndësishme të hapjes me botën e jashtme pas anëtarësimit të saj në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe projekti vazhdon zbatimin e objektivave të tij ndër të cilët ndërtimin e një rrjeti tregtar dhe infrastrukturor që lidh Azinë me Evropën dhe Afrikën përgjatë rrugëve të lashta tregtare të ‘Rrugës së Mëndafshit’ për të kërkuar zhvillim dhe prosperitet të përbashkët.

Duke folur në një simpozium të nivelit të lartë mbi ‘Një brez, një rrugë’ mbajtur në Pekin më 20 nëntor 2021 Presidenti Xi lavdëroi BRI për ndihmën e Kinës për t'u hapur më gjerë me botën dhe për arritjen e bashkëpunimit të favorshëm midis Kinës dhe vendeve pjesëmarrëse gjatë këtyre 8 viteve. Nga ana tjetër ai paralajmëroi gjithashtu për mjedisin ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks për zhvillimin e BRI, e ndër të tjera përmendi disa faktorë si konkurrencën e ashpër të shkaktuar nga një raund i ri i revolucionit të teknologjisë shkencore dhe transformimit industrial, si dhe ndikimet në komunitetin njerëzor të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, COVID -19 dhe sfida të tjera globale.

Porti i qytetit Qingdao, provincë Shandong(VCG)

Porti i qytetit Qingdao, provincë Shandong(VCG)

Xi bëri gjithashtu thirrje për besim më të fortë të ndërsjellë politik, më shumë mekanizma bashkëpunues dhe një rrjet më të mirë komunikues që lidh tokën, detin, ajrin dhe hapësirën kibernetike.

Duke theksuar bashkëpunimin në shëndetësi, zhvillimin e gjelbër, industrinë dixhitale dhe inovacionin, Xi tha se Kina do të vazhdojë të angazhohet në bashkëpunimin ndërkombëtar ndaj COVID-19, të mbështesë vendet në zhvillim në zhvillimin e energjisë së gjelbër dhe me karbon të ulët, të avancojë nismën e Tregtisë elektronike të Rrugës së Mëndafshit, dhe të nxisë një mjedis të hapur, të drejtë, të barabartë dhe jodiskriminues për përparimin e teknologjisë shkencore.

Rrugët e transportit tokësor duhet të jenë të sigurta dhe të papenguara, të kenë fuqi unike dhe të plotësojnë njëra-tjetrën, ndërsa lidhja detare duhet të jetë e efektshme, tha Presidenti Xi, duke bërë thirrje për një lidhje efektive midis zinxhirit industrial dhe zinxhirit të furnizimit.

Dhe tani në fund të 2021 çfarë është më e prekshmja në ‘rrugëtimin’ e BRI janë rezultatet e shumta dhe të shpejta pozitive.

Shifra prej 9.2 trilionë dollarë e vëllimit të tregtisë midis Kinës e vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë" është mbresëlënëse. Kurse investimet kineze në këto vende arritën në 136 miliardë dollarë. Nga ana tjetër, vendet përgjatë projektit kanë krijuar 27.000 kompani të reja në Kinë dhe investimet e tyre arritën në 60 miliardë dollarë.

Zbatimi i shumë projekteve të mëdha, si centrale elektrike, ura, rrugë, hekurudha, porte, korridore ekonomike etj. po ecën mbarë, ndërsa treni i mallrave Kinë-Europë ka arritur në 175 qytete të 23 vendeve europiane që udhëtojnë përgjatë më shumë se 80 rrugëve. Shërbimi i trenave të mallrave Kinë-Evropë trajtoi 7.377 udhëtime në gjysmën e parë të këtij viti, me qytetet Xi'an, Chengdu, Chongqing, Zhengzhou dhe Urumqi duke u bërë qendra kryesore për shërbimin e trenave të mallrave.

Vetëm më optimistët – e në këtë rast populli kinez dhe udhëheqja e tij- kanë qenë besimplotë se do të realizohej kjo lidhje jetike me 175 qytete evropiane, duke i ardhur fare afër edhe Shqipërisë në vendet fqinjë si Itali, Greqi, Serbi etj.

Tjetër aspekt që e ka bërë BRI një iniciativë të besueshme në të cilën mund të mbështetesh është se përveç përfitimit ekonomik është arritur një konsensus i gjerë për të gjithë strukturën e saj funksionale sepse konceptet bazë janë shkruar në dokumente nga Kombet e Bashkuara, G20 dhe APEC, me një fjalë multilateralizmi dhe dakortësia e përfitimit reciprok kanë qenë moto për veprim.

Prandaj deri në nëntor të këtij viti, Kina ka nënshkruar mbi 200 marrëveshje bashkëpunimi me 140 vende e 32 organizata ndërkombëtare, duke nënshkruar me 14 vende dokumente të bashkëpunimit në tregjet e palëve të treta.

Kurse sipas modelit sasior të tregtisë të një studimi të Bankës Botërore, BRI do të rrisë PBB-në e vendeve në zhvillim të Azisë Lindore dhe Paqësorit me 2.6 për qind në 3.9 për qind mesatarisht.

Kësisoj "Një brez, një rrugë" ka forcuar lidhjet konkrete mes popujve të vendeve pjesëmarrëse dhe niveli i zhvillimit dhe i bashkëpunimit në kuadër të kësaj nisme është bërë më i lartë, dhe kjo iniciativë praktikisht është bërë një produkt publik ndërkombëtar i mirëpritur nga popujt, platformë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe proces zhvillimi i hapur, gjithëpërfshirës dhe i përbashkët, dhe jo një bllok përjashtues apo një ‘klub kinez’.

"Moment i ri është sjellë në rimëkëmbjen ekonomike botërore pasi janë bërë përpjekje për të mbështetur multilateralizmin dhe sistemin e tregtisë shumëpalëshe dhe për të promovuar tregtinë e lirë dhe investimet në ndërtimin e përbashkët të ‘Një brez, një rrugë", komentonte Xiao Weiming, një zyrtar i zyrës për promovimin e iniciativës.

Një element i ri inovativ që ndodhi në 2021 është vendimi i miratuar në seancën e gjashtë plenare të Komitetit Qendror të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës të mbajtur në Pekin në fillim të nëntorit të këtij viti, që përkoi me versionin e rinovuar të Iniciativës ‘Një brez, një rrugë’ (BRI) në vend - një BRI e gjelbër, që vendos të "bëjë gjelbërimin një tipar përcaktues të bashkëpunimit ‘Një brez, një rrugë”.

Nga praktikimi në vend të konceptit të ri të zhvillimit të gjelbër deri te promovimi i transformimit të energjisë me karbon të ulët jashtë shtetit dhe inovacionit teknologjik midis partnerëve të kësaj iniciative, nga shkëmbimet e teknologjisë deri te menaxhimi i përbashkët i projekteve, Kina ka respektuar angazhimet e saj për të nxitur zhvillimin e përbashkët dhe qeverisjen globale të klimës. Oaze energjie diellore janë krijuar në sajë të kësaj iniciative në Kenia, Irak, Etiopi e shumë vende e rajone të tjera kryesisht ne Afrikë.

Tryeza e rrumbullakët në samitin e dytë të kornizës "Një brez, një rrugë",prill 2019, Pekin(Xinhua)

Tryeza e rrumbullakët në samitin e dytë të kornizës "Një brez, një rrugë",prill 2019, Pekin(Xinhua)

Rezultatet e bashkëpunimit Jug-Jug të Kinës për ndryshimet klimatike janë të dukshme, të prekshme dhe efektive. Që nga viti 2011, Kina ka caktuar gjithsej 1.2 miliardë juanë, ka nënshkruar 40 dokumente bashkëpunimi me 35 vende dhe ka trajnuar rreth 2000 zyrtarë dhe teknikë në fushën e ndryshimeve klimatike për gati 120 vende në zhvillim, duke bërë të pamundurën për të ndihmuar vendet në zhvillim të rrisin kapacitetin e tyre për të përballuar ndryshimet klimatike.

Janë tejet aktuale e realiste disa mendime të ish- kryeministrit te Francës Jean-Pierre Raffarin botuar në një intervistë me agjencinë Xinhua më 20 dhjetor 2020 sipas të cilit dinamika e re e BRI mbështetet mbi potencialin e saj të zhvillimit dixhital dhe të gjelbër.

Duke iu referuar projekteve të kësaj nisme, ish- kryeministri Raffarin deklaroi se “bota ka nevojë për projekte të mëdha ndërkombëtare”. Ai vuri në dukje se "ne duhet të kërkojmë përputhshmërinë e investimeve me marrëveshjen e Parisit" dhe më poshtë politikani veteran francez theksoi se BRI "duhet të jetë në gjendje të japë shembuj konkretë të përputhshmërisë" me paktin e klimës.

"Unilateralizmi nuk ka të ardhme. Ne kemi nevojë për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar”, Raffarin theksoi në intervistën e tij.

“Për botën, Iniciativa ‘Një brez, një rrugë’ ka ofruar një platformë publike për kërkimin e zhvillimit dhe prosperitetit të përbashkët dhe një platformë të rëndësishme për ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin”, ka thënë Presidenti Xi.

Kësisoj në kuadrin e këtij bashkëpunimi idetë dhe përmbajtja e këtij megaprojekti janë kthyer në veprime dhe vizion të realitetit të prekshëm me perspektiva më të mëdha për vitin 2022 e vitin pasues 2023, kur edhe do të përkujtohet 10-vjetori i inaugurimit të ‘Një brez, një rrugë’!