Në Shqipëri, barazia gjinore është larg së qeni realitet për gratë. Ka ende pabarazi midis grave dhe burrave, anshmëri gjinore dhe stereotipa, pavarësisht përpjekjeve institucionale, apo shoqërisë civile. Vitet e fundit po bëhen gjithnjë e më të prekshme arritjet në drejtim të barazisë gjinore jo vetëm në plan kombëtar, por dhe bashkëpunimi rajonal në këtë drejtim. Edlira Çepani, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe rolet gjinore është koordinatore kombëtare e rrjetit “Barazia në Vendimmarrje”, rrjeti i grave aktive nga të gjitha partitë politike, shoqëria civile dhe media e krijuar në vitin 2008 me iniciativën e grave pjesë e programit NDI "Zhvillimi i Liderëve të Rinj" në Politikë - Gratë në Avokim ”

CMG: Zonja Çepani, në cilësinë e koordinatores kombëtare të rrjetit "Barazia në Vendimmarrje", si e vlerësoni barazinë gjinore në Shqipëri?

Edlira Çepani: Në fakt në lidhje me barazinë gjinore do të thoja se janë bërë hapa galopantë, sidomos përsa i përket barazisë gjinore në vendimmarrje, në strukturat vendimmarrëse si këshillat bashkiakë, Parlamenti, qeveria për shkak të luftës dhe përpjekjes që lëvizja e grave dhe vajzave dhe shumë institucione kanë bërë përsa i përket kuotave dhe ndërgjegjësimeve përsa i përket pjesmarrjes së grave dhe vajzave në vendimmarrje. Ky është një nga sektorët që ka patur përmirësim të ndjeshëm jo vetëm sa i përket numrave, por dhe perspektivës gjinore që sjell legjislacioni apo aktet ligjore të shumta, por dhe zërit më të fortë të grave dhe vajzave në proceset vendimmarrëse.

Nga një aspekt tjetër në jetën e përditshme, shohim që në tregun e punës ka gjithmonë e më tepër zhvillim dhe më shumë të drejta për gratë dhe vajzat. Nga ana tjetër shohim që shoqëria ka një perceptim pak të prapambetur përsa i përket barazisë gjinore, ndaj shohim që numrat me bazë gjinore nuk janë në nivelet e duhura për një shoqëri europiane të vitit 2021.

Përmirësime janë bërë shumë, por ka ende shumë për të bërë që të kemi atë që ne kemi kërkuar dhe kërkojmë që janë shanse të barabarta dhe të drejta të barabarta. Kjo është një betejë që vijon deri sa gratë dhe vajzat të kenë zërin e tyre dhe të jenë të lira përtej kornizave të shoqërisë.

CMG: Me sa duket kjo është një betejë në vijimësi dhe ditët e fundit ishit pjesmarrëse në Konferencën Rajonale të Grave mbajtur në Selanik të Greqisë me temë ““Asnjëherë më urgjente: Investimi në Lidershipin e Grave në Politikë dhe Ndërtimin e Paqes” . Flasim për objektivat e konferencës.

Edlira Çepani: Në fakt kjo ishte një nga konferencat e radhës që Lobi i Grave të Ballkanit organizoi me një temë që është shumë interesante dhe barazia gjinore dhe perspektiva gjinore është diskutuar kohët e fundit në vijim të rezolutës 1328 të Kombeve të Bashkuara përsa i përket pjesmarrjes dhe lidershipit të grave në proceset e paqes. Në fakt jemi në momente të vështira për të gjithë botën ku tensionet janë të larta, por jemi në momente të vështira dhe për vetë rajonin tonë. Ne besojmë se një zë i fortë i grave dhe vajzave dhe një pjesmarrje më e drejtë e tyre në të gjitha proceset e paqes, por dhe në grupet negociatore ku ato mungojnë aktualisht, do të sjellin një përfaqësim edhe të zërit të 50 për qind të popullatës.

Ne mendojmë se në këto procese, sidomos në ato paqeruajtëse dhe të sigurisë ka një rëndësi të madhe që zërat të dëgjohen në mënyrën e duhur dhe vendimet të merren në mënyrën e duhur, duke patur parasysh nevojat e gjithësecilit prej nesh dhe duke bërë atë që ne e quajmë integrimi gjinor në të gjitha proceset vendimmarrëse. Tashmë gratë dhe vajzat jo vetëm në Shqipëri, por dhe në rajon janë të përfaqësuara në një numër më të lartë në institucionet e ndryshme vendimmarrëse. Besoj se tashmë nuk është vetëm një betejë personale, por për t’i dhënë zë komunitetit dhe është e gjitha jo vetëm përgjegjësi kombëtare, por edhe rajonale. Në Selanik ishte një konferencë shumë interesante sepse mblidhte bashkë gra dhe vajza politikane, deputete dhe vendimmarrëse nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ato vendosën së bashku dhe dolën me një rezolutë me disa kërkesa për proceset e ndryshme dhe një prej kërkesave ishte që të kishte të paktën 50 për qind në grupet negociatore dhe perspektiva gjinore të ishte prezente në të gjitha dokumentet e përpunuara dhe proceset negociatore të paqes.

CMG: Ndërkohë në Tiranë u zhvillua mbledhja përgatitore dhe koordinuese e formimit të grupit vullnetar “Aleanca e Grave Deputete” drejtuar nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Opinioni juaj për këtë nismë.

Edlira Çepani: Realisht para shumë vitesh kur hodhëm idenë që të rithemelohej aleanca, para 3 mandatesh ideuam themelimin e Aleancës së Grave Deputete. Kjo dukej si një gjë e pamundur në Shqipëri për shkak të politikës tejet të polarizuar që ne kemi. Dukej sikur ishte një grupim që nuk do të arrinte shumëçka dhe pati vështirësitë e veta në fillim, por unë besoj se në këtë mandat zëri i bashkuar i grave dhe vajzave, të cilat japin një model bashkëpunimi përtej partive politike dhe interesave personale. Është një zë i cili duhet të dëgjohet dhe që ka sjellë dhe do të sjellë rezultate të mira jo vetëm për gratë dhe vajzat por për të gjitha komunitetet.

Edhe në mandatet e kaluara dhe një mandat më parë Aleanca e Grave Deputete ka ndërmarë disa nisma si nisma ligjore e përmirësimit të ligjit për dhunën në familje, apo ligjit për punësimin e grave dhe vajzave . Mendoj se kontributi i tyre është shumë i vyer edhe për shumë vendimmarrje që do të bëhen në parlamentin shqiptar në mënyrë që ato të kenë më shumë zë dhe kur janë të bashkuara, sigurisht që kanë më shumë zë. Është një praktikë e mirë që është ndjekur dhe në mandatet e kaluara dhe shpresoj që edhe në këtë legjislaturë të parlamentit shqiptar gratë dhe vajzat do të tregojnë një model të bukur bashkëpunimi nga i cili do të përfitojmë të gjithë. I uroj suksese dhe aleancës së re që do të zgjidhet që të jetë sa më e fortë në zërin e saj. Ne në fakt kemi një nismë tonën për Akademinë e Grave Deputete e cila do të vijojë dhe në këtë mandat dhe do të jetë një mbështetëse edhe e Aleancës së Grave Deputete në të gjitha nismat. Ky mesazh i mirë që vjen nga gratë dhe vajzat shpresojmë të vijë për të gjitha shtresat e tjera në mënyrë që të arrijmë ndryshimet që të gjithë ne dëshirojmë për të ardhmen tonë.

Intervistoi Eda Merepeza