Në tremujorin e tretë 2021, shkalla e punësimit për popullsinë shqiptare 15-64 vjeç është 62,0 %. Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 0,2 %, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020 dhe është rritur me 2,1 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2021. Në tremujorin e tretë 2021, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë mbi 15 vjeç është 11,3 %. Niveli i papunësisë u ul me 2,4 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020 dhe është ulur me 0,7 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Erion Muça, ekspert punësimi (Euronews Albania)

Erion Muça, ekspert punësimi (Euronews Albania)

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se në tremujorin e tretë 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 70,1 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 0,3 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 1,1 pikë përqindje.

Erion Muça, ekspert për çështjet e punësimit thotë për mediat se kjo rritje është e pamjaftueshme dhe kërkohen politika afatgjata dhe strategji më konkrete për punësimin.

“ Si rrjedhojë edhe e mungesës së një pjese të politikave të strategjive afatmesme dhe afatgjata, të cilat do të rivitalizonin tregun e punës dhe do t’i jepnin një shtysë më të lartë atij drejt punëdhënies apo drejt ofrimit të alternativave dhe opsioneve të tjera përtej asaj që në fakt politikat shtetërore ofruan, mbështetjen sociale për të papunët. Por kaq nuk mjafton, pasi mbështetja sociale është provuar botërisht dhe statistikisht, duke tentuar dhe rritur dembelizmin te popullsia në moshë aktive për punë dhe duke mos i bërë ata të përpiqen apo të ndërmarrin iniciativa individuale për të përshtatur aftësitë e tyre, formimin e tyre me ndryshimet që pëson tregu i punës në vazhdimësi, ndryshime të cilat janë paraqitur dhe pasqyruar dhe në tregun shqiptar të punës. Në këtë treg është krijuar tanimë një hendek, mungesa e aftësisë dhe formimi nga ana e shumë të papunëve të cilët kanë nevojë të orientohen, të këshillohen dhe të rekomandohen forma dhe mënyra alternative që vijnë nga rregullimi nëpërmjet politikave shtetërore, nëpërmjet një plani konkret, ndërhyrje që do ta zgjidhte situatën. Kjo mund të ishte pjesë e strategjisë kombëtare të punësimit që ne në fakt e kemi një dokument momental pasiv, i cili nuk ofron rrugë, hapa dhe mënyra sesi mund të përballohet situata e papunësisë dhe si mund të ndikohet për ta ulur papunësinë në mënyrë progresive. “- tha eksperti Muça.

Grafik papunësia (INSTAT)

Grafik papunësia (INSTAT)

Sipas INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,9 % dhe për gratë 11,7 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e papunësisë është ulur me 0,5 pikë përqindje për burrat, dhe me 0,1 pikë përqindje për gratë.

“Në kompleksitet niveli aktual i papunësisë është shumë shqetësues, sepse ne marrim për bazë vetëm të dhënat statistikore, por nuk marrim për bazë informalitetin e lartë. Në fakt shteti ka marrë disa iniciativa për të rritur pagën minimale, por vetëm ditën e djeshme raporti më i fundit i FMN-së tregonte që automatikisht rritja e pagave minimale do të sjellë rritje të informalitetit, nëse nuk shoqërohet me rritje të produktivitetit në kompanitë e sektorit privatë. Çfarë do të thotë ? Nkompanitë rrisin kostot e tyre lidhur me rritjen e pagës minimale dhe nuk arrijnë të fitojnë më shumë pavarësisht kësaj gjëje, atëherë ato do të gjenden para gjetjes së situatave apo mënyrave nga më alternative për të reduktuar koston, qoftë duke mos deklaruar pagën e plotë të punonjësve, qoftë duke deklaruar me orë më pak pune në institucionet përkatëse. Kështu që do të gjejnë mekanizma dhe forma, të cilat do të ndikojnë në rritjen e informalitetit. “ u shpreh eksperti.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 63,1 %, ndërsa për burrat ky tregues është 77,3 %. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 14,2 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 1,3 pikë përqindje, ndërsa për burrat është ulur me 0,6 pikë përqindje.

Punësimi (INSTAT)

Punësimi (INSTAT)

“Diferenca midis punësimit të femrave dhe meshkujve, sigurisht anon në krahun e meshkujve akoma. Kjo si rrjedhojë edhe e faktorëve socialë, jo vetëm atyre ekonomikë. Shoqëria shqiptare është një shoqëri tradicionale ku një pjesë e mirë e femrave janë në përkujdesin ndaj familjes dhe nuk janë të deklaruara, ose pretendojnë ato pozicione pune të cilat ofrojnë komoditete dhe fasilitete, lidhur me oraret e të punuarit apo lidhur dhe me fushat apo profesionet. Zakonisht femrat në Shqipëri preferojnë profesione të rregulluara ku kërkesat dhe hapësirat për to janë të kufizuara dhe femrat preferojnë të mbeten si të papuna të përkohshme deri në gjetjen e vetes në treg, lidhur me profesionet e rregulluara. Kryesisht meshkujt janë të prirur në Shqipëri për të punuar punë me një vështirësi fizike dhe mendore më të lartë, janë të predispozuar për të punuar me orar të zgjatur dhe kështu një pjesë e mirë dhe e konsiderueshme e kompanive gjenden para zgjedhjes së tyre të meshkujve në pozicione, të cilat femrat nuk i bëjne si rrjedhojë e rëndesës së tyre. “- tha eksperti Muça.

Shifrat thonë se gjatë tremujorit të tretë të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 53,5 %. Ky tregues është rritur me 0,2 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, dhe rritur me 1,6 pikë përqindje ,në krahasim me tremujorin e dytë 2021. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 78,5 %.