Nga data 9 deri më 10 dhjetor u mbajt një mbledhje virtuale e organizuar nga Shtetet e Bashkuara e quajtur “Samiti për Demokraci”. Tre temat kryesore ishin “mbrojtja kundër autoritarizmit, adresimi e luftimi i korrupsionit, dhe avancimi i respektit për të drejtat e njeriut”. SHBA ftuan 110 vende dhe rajone për të marrë pjesë, por afro gjysma e globit nuk ishte përfaqësuar. Në thelb, të gjitha ato vende që nuk janë të gatshme të pranojnë vizionin e SHBA për marrëdhëniet ndërkombëtare, të ashtuquajturin rend ndërkombëtar liberal në të cilin SHBA gëzon pak a shumë hegjemoninë e pakundërshtueshme, nuk ishin të ftuara. Në fakt, më shumë se një samit për demokracinë, ky event ishte një mbledhje për diplomacinë amerikane, që të shfaqet sërish me epërsinë e saj në botë.

Profesor Joseph Nye, një studiues i njohur i politikës së jashtme formuloi frazën "fuqi e butë" në 1990. Nye e përshkruan fuqinë e butë si “aftësinë për të marrë atë që dëshiron përmes tërheqjes dhe jo përmes forcës”. Mjetet për të përdorur këtë “fuqi të butë” nga një shtet i madh janë të shumta, ato sofistikohen dita-ditës, por në thelb kanë një qëllim të vetëm, epërsinë mbi të tjerët.

Po çfarë është “fuqia e butë” në vetvete? - Me pak fjalë shitet një ëndërr, mirëqenieje, arritjesh, një ëndërr e një botë idilike. Por demokracia nuk është strategji marketingu dhe të duan ta shesin për të tillë.

Fasada dhe realiteti

Gjatë Luftës së Ftohtë, kinematografia funksionoi si një mjet për të ndikuar dhe kontrolluar opinionin publik. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik investuan shumë në propagandë për të ndikuar në zemrat dhe mendjet e njerëzve në mbarë botën, veçanërisht duke përdorur filma. SHBA ishin të përgatitura për të përdorur arritjet e tyre kinematografike si një mënyrë për të ndikuar efektivisht në opinionin publik në një mënyrë që kundërshtari nuk mund ta bënte. Përdorimi i filmit si një formë efektive e propagandës së përhapur e shndërroi kinemanë në një betejë tjetër të Luftës së Ftohtë. Në mes të këtij cikloni kinematografik që luftonte për të marrë mendjet dhe zemrat e njerëzve, kishte një betejë më të dhimbshme në Uashington, ajo e të drejtave të njeriut. Më 1963 në marshimin protestues, Martin Luter King i kërkonte qeverisë së tij që t’i jepte fund diskriminimit racor. Ai ishte zëri i 250 mijë protestuesve në shesh, të cilët qëndronin në heshtje duke ndjerë çdo fjalë të këtij fjalimi.

Unë kam një ëndërr, që të gjithë njerëzit të jenë të barabartë. Unë kam një ëndërr, që fëmijët e mi do të jetojnë një ditë në një vend, ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri i tyre. Sot unë kam një ëndërr”, ka thënë King gjatë fjalimit të tij. Më shumë se 6 dekada më pas protestat për vrasjen e Xhorxh Floyd në SHBA, treguan se ëndrra e Martin Luther King nuk është realizuar ende. Marketingu dhe fasadat e fjalëve të zgjedhura me kujdes mund të ecin pak kohë, por nuk mund të përbëjnë asnjëherë themelet e një sistemi që i shërben njeriut.

Një ish politikan sovjetik është shprehur se Lufta e Ftohtë u fitua më Rock & Roll dhe bluxhinse – sado e ekzagjeruar kjo shprehje ka në vetvete diçka të vërtetë. Ushtrimi i “fuqisë së butë” pati impakt të konsiderueshëm, sidomos në vendet e Evropës lindore. Por, ashtu sikurse edhe vetë bota, edhe “fuqia e butë” ka evoluar.

Në epokën e internetit Hollivudi nuk ka më impaktin e dikurshëm, jo vetëm sepse me një klikim njerëzit janë shumë afër lajmit, por edhe sepse demokracia nuk mbahet dot në këmbë me fjalime të bukura dhe me kinematografi. Metamorfoza e “fuqisë së butë” në kohët tona po mveshet me vlerat. Po cilat vlera? Vlera të kujt shoqërie, kombi ose grupi njerëzish? A po përdoret demokracia si mjet atraksioni?

Samiti për demokraci dhe hije qe rikthehen nga Lufta e Ftohtë

Ҫfarë Lufta e Ftohtë i dha njerëzimit është ndarja: ideologjike, gjeografike dhe fizike. Samiti për Demokraci që u mbajt me ftesën e Presidentit Biden në dhjetor kishte në pjesëmarrje gjysmën e përfaqësuesve të botës, pasi gjysma tjetër nuk ishte e prezente. Që këtu fillon ngritja e perdes se re ideologjike, gjeografike dhe fizike në shekullin tonë. Në Perëndim, demokracia ka të bëjë me vlerat, më shumë se sa me metodat ose rezultatet, të cilat Perëndimi i konsideron të vërtetën politike përfundimtare universale dhe të padiskutueshme.

Po të kthehemi sërish në të shkuarën gjejmë edhe fjalimin e Ronald Regan të vitit 1983 ku kundërshtari i aso kohe u quajt “Perandoria e ligësisë”. Zhargoni i larmishëm asnjëherë nuk ka munguar sidomos nga forcat politike të djathta.

Koncepti i bashkimit të të ashtuquajturave “demokraci” kundër “autokracive” nuk është nje ide e re, ai është një konsensus i politikës së jashtme të SHBA i zhvilluar që në mesin e viteve 2000. Ideja u hodh dhe u implementua atëherë në mesin “tranzicioneve demokratike” që po ndodhnin në mbarë botën dhe me një frymë optimizmi në agimin e Mijëvjeçarit të ri. Komuniteti i Demokracive (CoD) lindi si një iniciativë kolektive e ish-sekretares së shtetit të SHBA, Madeleine Albrigh dhe afro 100 shteteve të tjera. Në krye të axhendës ishte e njëjta pyetje, cili shtet është demokratik dhe cili jo. Pas kësaj konference u bë e qartë se edhe pse ishin nën kuadrin e demokracive, vendet që morën pjesë kishin interesa të ndryshme dhe shumë shpejt ky “komunitet” u la në harresë pasi në vitin 2003 filloi pushtimi i Irakut, dhe shumë vende u distancuan. Që atëherë, ideja bazë ishte një përditësim i mentalitetit të Luftës së Ftohtë për t'u përballur më Kinën që po rritej ekonomikisht me hapa të pandalshëm.

Ky formulim i dy blloqeve të kundërta me njëri-tjetrin rrjedh nga bota e vjetër bipolare e Luftës së Ftohtë që përballte Perëndimin kundër Lindjes. Propaganda e asaj epoke shfaqte parullat "Bota e Lirë" kundër "Bota komuniste" dhe shihej nga bota perëndimore si një konfrontim ideologjik dhe pushteti.

Clifford Kiracofe, një ish-anëtar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA shprehet se duke pasur parasysh tonin e mprehtë ideologjik të këtij samiti, ai mund të nxisë tensione në mbarë botën. Të tjerë vërejnë se ky samit duket si një përpjekje për të minuar autoritetin e Kombeve të Bashkuara si institucioni kryesor i ditëve të sotme më sistemin ndërkombëtar. Kiracofe vazhdon duke thënë se Uashingtoni duhet të heqë dorë nga ideja se samitet e demokracisë në SHBA dhe koalicionet e ndryshme ad hoc mund të zëvendësojnë Kombet e Bashkuara si institucioni kryesor i sistemit aktual ndërkombëtar.

“Vlerat, emocionet, standardet” e shumë të tjera si këto po përdoren si fjalë kyçe për të tërhequr mendjet nga kampi i demokracive liberale. Të gjitha këto janë shumë tërheqëse deri në momentin kur të gjithë e kuptojnë se nuk mund të ushqehesh me vlera, nuk mund të vishesh me emocione dhe nuk mund të jetosh vetëm me standarde.

Demokracia nuk mund të përdoret si mjet për të arritur qëllimin. Demokracia është ai sistem që duhet t’u japë njerëzve mundësi dhe hapësirë për të jetuar jetën e tyre me dinjitetin që meritojnë, në çdo cep të botës qofshin.

Dr. Marsela Musabelliu