Në konferencën e 8 –të ministrore të Forumit të Bashkëpunimit Kinë –Afrikë, Presidenti kinez Xi Jinping tha mes të tjerash se Kina do t’i ofrojë Afrikës edhe një miliardë doza vaksinash të tjera kundër Covid-19 . Shkëputëm këtë thënie të presidentit kinez nga videofjalimi i tij, për të theksuar se Kina po mbështet Afrikën në një plan shumë të gjerë me investime, donacione, ndihma, por gjithashtu i përgjigjet edhe situatës së komplikuar të shkaktuar nga koronavirusi. Është një histori e gjatë marëdhëniesh e bashkëpunimi, e cila po merr një dimension të ri në Nismën e madhe globale “ Një brez, një rrugë”. Mes më shumë se 172 shteteve dhe organizatave të ndryshme me të cilat Kina ka nënshkruar në kuadër të kësaj nisme madhore, janë pothuaj të gjitha shtetet e Afrikës, që po ndjejnë efektin pozitiv të marrëveshjeve që kanë disa vite që po implementohen.

Përballë pandemisë globale, ndihma me vaksinat është jo vetëm jetike për vendet afrikane, një pjesë e të cilave vuajnë nga varfëria e standarde të ulta jetese, por i gjithë globi, pasi nuk mund të këtë luftë frontale ndaj pandemisë, në një kohë që disa vende kanë rezerva të panevojëshme vaksinash, ndërsa disa të tjera pamundësi për t’i tërhequr ato.

Beteja me koronavirusin në shkallë globale fitohet vetëm nëse është një front i përbashkët dhe i mbështetur tërësisht mbi parime humanizmi. Hendeku vazhdimisht në zgjerim në fushën e vaksinave, po bëhët shkaku i ri i çekuilibrimit të zhvillimit global. Pikërisht për të zhdukur këtë hendek Kina po investohet fuqishëm dhe kontributi i saj është i çertifikuar në këtë drejtim, duke e bërë vaksinën një produkt publik dhe një të mirë globale.

Afrika ka më shumë nevojë se të gjithë dhe investimi kinez më i rëndësishëm është drejtuar atje. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u shpreh këto diti se “ banorët në vendet e pasura po bëjnë dozën e tretë, ndërsa vetëm 5 % e afrikanëve janë vaksinuar plotësisht”. Pabarazia në shpërndarjen e vaksinave, si rrjedhim i grumbullimit të tepërt të vaksinave kundër Covid-19 nga vendet e pasura, po gjykohet si shkaku kryesor i shfaqjes së varianteve të reja. Dhe angazhimi kinez është serioz dhe shumë i përgjegjshëm në shkallë globale, por i drejtuar me një vëmendje të veçantë ndaj vendeve afrikane, vuajtja e të cilave thërret për ndihmë dhe solidaritet.

Duke i ofruar vendeve afrikane më shumë se 1 miliardë doza vaksinash, arrihet objektivi që 60 % e popullsisë të vaksinohet deri në vitin 2022 , e mbështetur kjo edhe nga 1500 punonjës mjekësor dhe ekspertë të shëndetit publik. Optimizmi për të kaluar situatën e vështirë pandemike sigurisht që ka bazën tek kjo ndihmë konkrete, e cila ka filluar prej muajsh të zbatohet.

Rasti i qytetit të Ujvarës Viktoria në Zimbabve, ku si pasojë e vaksinimit nuk pati asnjë rast vdekje prej Covid -19 as nga turistët e shumtë që vijnë këtu dhe as nga banorët vendas, dëshmon jo vetëm efektivitetin e vaksinave kineze, por edhe domosdoshmërinë për të realizuar masivisht një proces të tillë. Investimi humanitar kinez dha efektin konkret pozitiv, ashtu si edhe në shumë vende afrikane që po e realizojnë këtë proces në mënyrë massive falë mbështetjes kineze.

Është e dukshme dhe shumë konkrete ndihma që po i jep prej vitesh Kina shteteve afrikane, ndihmë që është e drejtuar në shumë fusha, ku sigurisht parësor mbetet shëndeti. Dashamirësia e Kinës është përpjekur të obskurantohet pikërisht nga vende që ndaj Afrikës u mungon vëmendja e investimi, për ta bërë edhe këtë kontinent aq polivalent në kulturë dhe pasuri, pjesë integrale të zhvillimit të qëndrueshëm e progresiv.

Jo rastësisht diplomati kongolez Fataki Nikolas do të theksonte se “Disa njerëz orvaten t’i provokojnë marëdhëniet e ngushta midis Kinës dhe Afrikës, por nuk biem dakord me këtë. Kina është partnerja jonë e madhe dhe e besueshme e bashkëpunimit dhe shpresojmë t’i vijojmë këto marëdhënie të ngushta”.

Konferenca e 8-të ministrore e mbyllur disa ditë më parë rikonfirmoi vullnetin dhe gatishmërinë e Kinës për mbështetje të pakursyer ndaj vendeve afrikane, por edhe mirënjohjen e këtyre vendeve ndaj saj , mirënjohje që forcon miqësinë e partneritetin.

Nisma e “Nëntë Projekteve” e lançuar nga presidenti Xi është një vizion i gjerë bashkëpunimi që përfshin shumë fusha, ku sigurisht parësor mbetet shëndeti publik, por me interes dhe me ndikim në përmisimin e cilësisë së jetës janë edhe ato që lidhen me zbutjen e varfërisë, nxitjen e tregtisë dhe të investimeve, risitë digjitale, zhvillimin e gjelbër e të tjerë. Në fund të vitit të kaluar, duke rrëzuar edhe teoritë konspirative të borxheve që përhapin jo pa keqëdashje disa vende perëndimore, Kina shpalli anullimin e borxheve të kredisë pa interes për 15 vende afrikane.

Në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” Kina ka ndihmuar në perspektivë afatgjatë vendet afrikane. Më shumë se 10.000 kilometra hekurudha të reja të përmisuara, gati 100.000 kilometër autostrada, afro 1000 ura, 100 porte 150.000 kilometër rrjet bazë komunikimi që mbulon afro 700 milionë përdorues. Përtej këtyre shifrave, qëndrojnë edhe angazhime të tjera serioze të Kinës në ndihmë të vendeve afrikane që lidhen me fushën e parandalimit dhe zbutjes së fatkeqësive natyrore, navigimit dhe pozicionit satelitor dhe bujqësisë së saktë.

Bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve afrikane iu kushtua edhe libri i bardhë ku nënvizohet se parimet në shkëmbimet midis Kinës dhe Afrikës mbështeten në “sinqeritet, rezultate konkrete, miqësi, mirëbesim dhe kërkim i interesave më të mëdha të përbashkëta”.

Fakti që Kina nuk i ka vënë në asnjë rast bashkëpunimit me këto vende kushte politike të ndihmës, ka bërë që ky bashkëpunim të shikohet si një vlerë e veçantë miqësore dhe pa interes, vlerë që ka e ridimensionuar gjithnjë e më shumë partneritetin Kinë- Afrikë. Por Kina ka ditur të gjejë vlera të veçanta midis popujve të ndryshëm afrikanë dhe t’i transferojë këto vlera si një urë miqësie midis këtyre popujve dhe popullit kinez dhe duke e trajtuar këtë si një bashkëpunim me përfitime të ndërsjellta.

Përmasat e bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve afrikane kanë ardhur në rritje. Domosdoshmërinë e njohjes së kësaj marëdhënie, Grupi Mediatik i Kinës (CMG), si korpusi më i madh mediatik në botë, gjithnjë e më shumë i ka dhënë një vend të posaçëm. Forumi i mbajtur në fund të nëntorit në Nairobi të Kenias me temë “ Respekti i ndërsjellë e bashkëpunimi me përfitime reciproke-Mediat kino-afrikane ecin bashkërisht përpara” tregoi se në mënyrë kapilare komunikimi e promovimi janë shtrirë nga Kina në çdo vend të Afrikës.

Një vëzhguese korrekte e zhvillimit të marëdhënieve, ndërtuese e bashkëpunimit Kina-Afrikë dhe regjistruese e miqësisë, Grupi Mediatik i Kinës (CMG) ka një rol të pazëvëndësueshëm për të forcuar më tej urën e fuqishme të ndërtuar midis Kinës dhe Afrikës.

Panorama e ndihmës dhe e bashkëpunimit Kinë_Afrikë, zbërthen më së miri shprehjen e njohur se “çfarë do të thotë miq të vjetër, miq të vërtetë dhe miq të mire”, Forumi i mbajtur së fundi në Senegal dhe platforma konkrete e paraqitur nga Kina. që i shërben bashkëpunimit të sinqertë e zhvillues, dëshmon më së miri dimensionin human të kësaj marëdhënieje të sinqertë dhe dobiprurëse në shkallë globale.

Gëzim Podgorica