Konsolidimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm i Kinës si një superfuqi ekonomike, teknologjike dhe ushtarake tregon se modeli i saj i sistemit nuk është thjeshtë një alternativë, por referencë e cila ka nevojë të shikohet nga një këndvështrim pozitiv që sjell përvojë me efekt global. Epoka moderne nëse shënon një arritje të rëndësishme, kjo arritje është fakti se ngjitja dhe zhvillimi i Kinës është mbresëlënës dhe ka një rezonancë pozitive botërore. Miliona njerëz dolën nga varfëria për një periudhë të shkurtër kohore, duke marrë këtu në konsideratë edhe faktin se numri i tyre ishte shumë i lartë dhe klasa e mesme tani në Kinë sa vjen e forcohet, duke shtuar konsumin dhe rritur nivelin e jetesës. Kjo nuk mund të arrihej pa një vizion të qartë, pa një ekonomi të konsoliduar, por edhe pa një sistem demokratik i cili e shtrinte efektin dhe funksionimin e tij në të gjithë vendin.

Njohja e këtij sistemi po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, pasi përvoja kineze e zhvillimit po lexohet nga popuj të ndryshëm të botës me admirim. Sigurisht që kjo përvojë është edhe nën sulmin e vazhdueshëm të shteteve të cilët përpiqen të imponojnë sistemin dhe modelin e tyre të qeverisjes, ndërkohë që rezultatet në vendet e tyre shënojnë rekorde negative.

Libri i Bardhë, i botuar këto ditë në Kinë, i jep një përgjigje shteruese mjaft pyetjeve që lidhen me sistemin dhe demokracinë kineze. Fuqizimi i Kinës ka krijuar në mënyrë të pashmangshme më shumë konkurrencë në aspektin global, por e rëndësishme është që këto rivalitete duhen trajtuar në mënyrë paqësore. Kina ka ardhur duke e rritur, modernizuar e forcuar ushtrinë e vet, por ajo asnjëherë nuk e ka përdorur atë për të cënuar paqen e një vendi tjetër.

Përmes ushtrisë nuk e ka shfaqur apo ushtruar ndikimin e saj global, por është mbështetur në zgjerimin e komunikimit përmes marrëveshjeve bashkëpunuese, nismave dhe ndihmave, që i kanë kontribuar një zhvillimi harmonik të inspiruar përmes mjeteve ekonomike e financiare. Nisma “ Një brez, një rrugë” në të cilën janë përfshirë më shumë se 172 vende dhe organizata, tregon se rruga e bashkëpunimit ka brenda vetes mundësi dhe rezerva, që i japin prosperitet zhvillimit të gjithanshëm, pa paragjykuar sistemet qeverisëse të njerit apo tjetrit vend.

Arritjet e Kinës në të gjitha fushat bazohen mbi të gjitha në sistemin e saj, në zbatimin krijues të demokracisë kineze e cila implementohet në të gjithë vendin, nga njeri skaj në tjetrin. E drejta e njerëzve për të qeverisur vendin e tyre është një shtyllë e fuqishme ku mbështetet demokracia kineze, po edhe sistemi i saj i qeverisjes, duke bërë të mundur në radhë të parë që nevojat e njerëzve të plotësohen dhe atmosfera e përgjithëshme të përshkohet nga nota optimiste.

Ulja e varfërisë nuk është dogmë politike, por një realitet i prekshëm, që ka ndryshuar cilësisht jetën në Kinë dhe ka dëshmuar gjithashtu edhe tiparet bazike të demoracisë kineze që vë në qendër njeriun, të drejtat dhe nevojat kryesore të tij: për të qeverisur, për t’u arsimuar, për një sistem të garantuar shëndetësor dhe kushte jetese normale. Demokracia e vërtetë është ajo që vihet në funksion të përmrëisimit të mirëqënies së njerëzve dhe e përqëndruar tek ata. Duke parë demokracinë kineze konstaton se ajo në themel është një demokraci popullore e implementuar në të gjithë procesin. Me gjithë procesin kam parasysh pjesmarrjen e popullit në tërë korpusin e gjërë e të përditshëm të veprimtarive politike bazuar në sistemin e zgjedhjeve demokratike, por që shtrihet edhe më tej në procesin e vendimmarrjes e të mbikqyrjes. Problemet që ngrenë njerëzit kanë mënyra institucionale për t’u drejtuar tek institucionet qeverisëse, por mbi të gjitha për t’u jetësuar në vijim në programe qeverisëse si në nivel lokal, ashtu edhe kombëtar.

Foto:VCG

Foto:VCG

Rrjeti i gjerë i 333 qeverive lokale në zona, ku bëjnë pjesë qytetet më të mëdha të vendit, i 2862 njësive administrimi të tjera me qeverisje të lokalizuar mbështetur në Kushtetutën dhe ligjet që e shoqërojnë atë, i 40 mijë komunave dhe 800 mijë fshatrave, tregojnë tabllonë e plotë të shkallëve të qeverisjes që veprojnë në mënyrë të harmonizuar, por edhe përmes një centralizmi demokratik që i jep frymëmarrje gjithë organizimit të shtetit. Decentralizimi në Kinë është unik, duke treguar edhe një standard tjetër të veçantë të demokracisë kineze. Kjo mënyrë të funksionuari është në përputhje me interesat e vendit, duke sjellë përparim shoqëror, qëndrueshmëri në rritje ekonomike e sociale dhe mirëqënie.

Zhvillimi i demokracisë kineze mbështetet jo vetëm mbi aplikimin krijues të situatave dhe realitetit në lëvizje intensive të tanishëm, por edhe mbi përvojën dhe mençurinë që ka ofruar qytetërimi i lashtë 5000 vjeçar, që mbështetet mbi një thesar të vërtetë kulture e përvoje krijuar nga breza të tërë, të cilët kanë ditur mjeshtërisht edhe ta trashëgojnë atë. Duke zhvilluar demokracinë, Kina ka zhvilluar pandërprerë vendin, ka realizuar hope cilësore të tilla, që janë kthyer në sfidë globale.

Rrugëtimi i sukseshshëm në të gjitha fushat i Kinës, ka bërë që shumë vende me mungesën e vullnetit për ta parë atë me sy pozitiv, sulmojnë sistemin kinez të qeverisjes. Demokracia nuk është atribut i një shteti të vetëm, ose edhe i një grupi shtetesh që përcaktojnë rregullat dhe trasenë nga duhet ecur. Duke qënë një e drejtë universale e të gjithë popujve , ajo është një tërësi mundësish e modelesh në varësi të vendit dhe kushteve përkatëse. Nëse kontributi i demokracisë dëshmohet në përparimin e shoqërisë, në ecjen e saj përpara dhe zhvillimin kompleks e të harmonizuar, atëherë kemi një demokraci funksionale.

Çfarë mund të quhet ndryshe mbështetur mbi këtë bazë dhe koncept demokracia kineze, kur treguesit e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror janë surprizues dhe me një shtrirje harmonike në të gjithë vendin?

Thjesht: Demokraci popullore socialiste funksionale dhe në shërbim të njerëzve ! Kur njerezit ushtrojnë të drejtën e tyre për të qeverisur vendin dhe rezultatet e kësaj qeverisjeje janë pozitive, kur ballafaqimi me ata që i kanë zgjedhur është i vazhdueshëm, reflektimi për ato çfarë trajtojnë dhe adresojnë si nevoja dhe shqetësime bëhet më përgjegjësi nga të zgjedhurit, demokracia është reale dhe e vërtetë.

Kjo që sapo citova nuk është një slogan, por një mënyrë të funksionuari të vazhdueshëm në realitetin kinez, ndryshe nga ata vende që kur njerëzit votojnë e thirren pas katër vitesh për të votuar përsëri, mbushen me slogane e dogma e ballafaqohen me realitete të kundërta nga ato që u premtohen. Kur populli është zot i vetes, demokracia e ka thënë fjalën e saj. Kina ka ardhur duke e pasuruar në vite sistemin e saj demokratik, para së gjithash duke i bërë zgjedhjet gjithnjë e më demokratike, konsultimet një themel të sistemit dhe një praktikë rigoroze të ushtrimit të pushtetit, por edhe jetën me mundësi të shumta të shprehjes së interesit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ditët e fundit në Pekin u mbajt një konferencë kombëtare për çështjet fetare. Presidenti kinez Xi Jinping ndër të tjera evidentoi një fakt mjaft kuptimplotë që flet për hapësirën e gjerë demokratike të lirive dhe të drejtave të njeriut. Më shumë se 200 milionë besimtarë dhe 380.000 klerikë ushtrojnë lirisht dhe praktikojnë disa fe si budizmi, taoizmi, islami, katolicizmi dhe protestanizmi, në një harmoni marëdhëniesh e mirëkuptimi dhe mundësish edhe institucionale për të mirëfunksionuar. Një sistem demokratik funksional, që ka në themel respektimin e të drejtave themelore të individit, mundëson edhe ushtrimin e lirë të besimeve fetare, duke i përshtatur ato me shoqërinë socialiste. Fetë në Kinë japin një mesazh shumë të fuqishëm i cili lidhet me pozitivitetin që duhet të luajnë në shoqëri. Besnikëria dhe bashkëpunimi brenda familjes dhe një ndjenjë e fortë e përgjegjësisë për rendin në shoqëri trasmetohen si mesazh i përhershëm doktrinar.

Një tipar i spikatur i botëkuptimit kinez është barazia fetare-besimi se mundësia e ndriçimit është e barabartë për të gjithë.

Këndvështrimi demoratik kinez është poliedrik. Fakti që një shtet socialist siç është Kina, ka një vëmendje të shtuar e të dedikuar edhe për komunitetet fetare, afishon standardet e një demokracie multifunksionale.

Kina ka ndjekur rrugën e saj të zhvillimit e modernizimit, ndryshe nga rruga e vjetër e Perëndimit. Rrugë kineze është konfirmuar si e suksesshme , me statusin e popullit si zot i vendit. Duke qënë ky thelbi i demokracisë kineze, sistemi i saj qeverisës demokratik ka ardhur duke u pasuruar. Efektet e implementimit të standardeve demokratike kineze kanë bërë që kombi kinez të ketë nje ripërtëritje të vazhdueshme dhe të jetë vital dhe me mundësi për të pasuruar qytetërimin e tij, por edhe qytetërimin botëror.

Gëzim Podgorica