Me 9 -10 dhjetor organizohet me inciativën e presidentit amerian Joe Biden, Samiti Botëror për Demokracinë. Në këtë “momentum” kritik për globin, Biden ka hedhur tezën e zhvillimit për të diskutuar në nivel ndërkombëtar çështje të demokracisë. Temat e këtij Samiti do të jenë : Mbrojtja kundër autoritarizmit; Adresimi dhe luftimi i korrupsionit; Avancimi i respektit për të drejtat e njeriut.

Këto tema janë tipike për sisteme ku beteja për votat e qytetarëve përqëndrohet midis dy kampeve apo dy partive kryesore dhe satelitëve të tyre. Ky model betejash brenda vendit trasmetohet edhe në marëdhëniet ndërkombëtare duke synuar që problemet të zgjidhen me anë të betejave, duke patur për bazë përcaktimin e kundërshtarit, sulmin kundër tij, mbështetur në frymën e nacionalizmit ekstrem, kombinuar me liberalizmin.

Samiti i iniciuar nga administrata amerikane do të jetë një takim në format virtual, që pritet të vijohet nga një takim me prani fizike, vitin e ardhshëm. Në samitin e dhjetorit janë ftuar liderë nga 110 vende të botës, por janë lënë jashtë listës Kina, Rusia, Egjipti, Arabia Saudite, Jordania, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia dhe Hungaria.

Fakti që ky takim lajmërohet me shumë bujë, tregon se vendet me demokraci liberale ndjehen të kërcënuara, ose kjo është ajo që lihet të nënkuptohet dhe Amerika kërkon që të krijohet një farë koordinimi në të ardhmen për t’iu përgjigjur më mirë sfidave që do vijnë.

Presidenti Biden dhe lista e vendeve pjesmarrëse në Samit (Syri.al)

Presidenti Biden dhe lista e vendeve pjesmarrëse në Samit (Syri.al)

Një arësye tjetër që mbahet ky samit, mund të lidhet me faktin se disa prej vendeve pjesmarrëse kanë një seri interesash, të cilat lehtësisht bien në kontradiktë midis tyre. Kështu, kur SHBA së bashku me Britaninë e Madhe dhe me Australinë krijuan një front ushtarak e politik, që u quajt AUKUS, shkaktuan një reagim dhe irritim të madh nga Franca. Ndoshta ky forum mendohet si një mundësi për të sheshuar mosmarrëveshjet e për të krijuar një farë imazhi se vendet demokratike janë një front i vetëm. Por a janë ata me të vërtetë një front i vetëm? Politikisht sistemet qeverisëse janë të ngjashme, por diferencat ekonomike janë të mëdha. Për më tepër interesat e SHBA-ve janë spostuar në Paqësor, ndërsa Europa është e lidhur ngushtësisht me dinamikat e marëdhënieve që krijohen me dhe në vendet e Afrikës së Veriut dhe ato të Lindjes së mesme.

Nëse do t’i referohemi listës së vendeve që do të marrin pjesë në Samit bie në sy pjesmarrja e Pakistanit, Maldivet dhe Republika Demokratike e Kongos. A janë këto vende demokratike ? Raportimet e “Freedom House” i kanë vlerësuar këto vende përkatësisht me 37, 40 dhe 20 nga 100 pikët, duke i etiketuar si shtete “pjesërisht të lira”, dhe “jo të lira”.

Hungaria nuk është pjesë e kësaj liste. Hungaria është më demokratike dhe më e lirë sesa Pakistani dhe më e lirë dhe demokratike se Republika Demokratike e Kongos. Nëse i referohemi raportit të Freedom House Hungaria është në vendin e 69, por kjo me sa duket nuk ka vlerë për pjesmarrjen në Samitin për demokracinë.

Edhe pse nuk thuhet hapur ky samit ka si objektiv Kinën, që është shenjestruar vitet e fundit si një vend antagonist i SHBA-ve për shkak të sistemeve të ndryshme politike. Kina nga ana e saj është përgjigjur se të gjitha çështjet e ngritura mes saj dhe vendeve të tjera duhen trajtuar në frymën e dialogut dhe të mirëkuptimit reciprok. Gjithashtu Kina i ka dhënë një rëndësi shumë të madhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila shikohet si forumi më i lartë ku fryma e dialogut duhet të mbizotërojë, por, dhe akoma më e rëndësishme, Kina i mëshon publikisht konceptit të multilaterizmit. Disa nga temat që janë bërë object diskutimi mbarë botëror, Kina i ka bërë prioritete të rëndësishme në politikën e saj të brendshme e të jashtme. Shembulli i ndryshimeve klimatike është një prej tyre. Kina synon të bëhet vend kampion për ndërtimin me faza të një ekonomie të gjelbër. Në politikën e jashtme ka ruajtur koherencë e qëndrueshmëri.

Kina, duke respektuar e zbatuar me korrektesë rezolutat e parimet e OKB-së është surprizuar nga ftesa e pakuptimtë që i është bërë përfaqësuesit të Tajvanit për të marrë pjesë në këtë samit. Rezoluta 2578, e miratuar 50 vite më parë, që rivendosi të drejtat e Kinës në OKB, përjshtoi Taivanin nga kjo organizatë. Në 28 shkurt të vitit 1972, u firmos ndërmjet Kinës dhe SHBA-ve “Deklarata e Shangait” ku specifikisht Shtetet e Bashkuara pranuan se nuk ekzistojnë “dy Kina”, por vetëm një Kinë dhe Tajvani konsiderohej pjesë e Kinës.

“Përfshirja e Tajvanit në listën e vendeve të ftuara në Samit përbën një gabim. Kina i kundërvihet çdo lloj ndërveprimi zyrtar midis Shteteve të Bashkuara dhe rajonit kinez të Tajvanit. I bëjmë thirrje SHBA-së të respektojë parimin e “një Kine” dhe marrëveshjet në këtë drejtim”, theksoi zëdhënësja e Drejtorisë për Marrëdhëniet me Tajvanin në Ministrinë e Jashtme kineze, sipas “The Guardian”.

Forumi për demokracinë në Pekin (CMG)

Forumi për demokracinë në Pekin (CMG)

Kina ka reaguar ndaj Samitit dhe permes zhvillimit të shtunën në Pekin të "Forumit Ndërkombëtar për Demokracinë: Vlerat e Përbashkëta Njerëzore". Demokracia është vlerë e përbashkët e njerëzimit dhe jo një patentë që mund të përcaktohet vetëm nga disa vende, u tha në forum.

Më shumë se 500 politikanë dhe studiues të lartë vendas dhe të huaj nga mbi 120 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare morën pjesë në këtë veprimtari dyditore.

Huang Kunming, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe kreu i Departamentit të Publicitetit të Komitetit Qendror të PKK theksoi se demokracia është një vlerë e përbashkët e njerëzimit dhe një simbol domethënës i përparimit të qytetërimit njerëzor. Ai paraqiti katër mendime të PKK-së mbi demokracinë, ndër të cilat demokracia është një angazhim i përhershëm i PKK-së dhe popullit kinez; statusi i popullit si zot i vendit është thelbi i demokracisë popullore; demokracia popullore në të gjithë procesin, duke e quajtur atë një krijim të madh të demokracisë kineze dhe politikat demokratike të çdo vendi janë të rrënjosura në historinë, kulturën dhe traditën e tyre.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov (Al Arabiya)

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov (Al Arabiya)

Nga ana e saj administrata Putin ka kritikuar Samitin e iniciuar nga pala amerikane, ka akuzuar Uashingtonin zyrtar se po gjeneron përçarje në nivel botëror. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov e ka cilësuar Samitin e organizuar nga SHBA si një përpjekje për të krijuar linja të reja demarkacioni.

“Sigurisht që kemi një qëndrim negativ ndaj samitit, sepse nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të krijuar linja të reja demarkacioni. Luftuam në filli të viteve 90-të që linjat e demarkacionit të ulen dhe shmangen, por tani SHBA-ja preferon të krijojë linja të reja dhe t’i ndajnë vendet në të mira dhe të këqija, sipas mendimit të tyre”, është shprehur Peskov, cituar nga agjencia ruse e lajmeve TASS.

Sfidat e përcaktimit të demokracisë janë të mëdha dhe gjithnjë shoqërohen me diskutime e përvoja të shumta. Nëse një model qeverisjeje përkrahet nga qytetarët dhe jep rezultate për vendin, nëse një model qeverisjeje nuk krijon destabilitet e pasiguri për qytetarët e për vendet fqinjë, në se një model qeverisjeje respekton drejtësinë e lirinë, atëherë është vështirë që këtij sistemi t’i kundërvihet një model tjetër qeverisjeje. Ndërkaq nuk ka një definicion të qartë se cilat vende mund të klasifikohen si demokratike e cilat jo. Samiti për demokracinë do përballet me çështje të shumta, zgjidhjet e të cilave sa vijnë e komplikohen.

Përtej formatit të përcaktuar për pjesmarrjen në Samitin për demokracinë, përjashtimi i shumë vendeve dhe përfshirja e të tjerave, bazuar në kritere jo të qarta, mund të minojnë vetë qëllimin e takimit.

Eda Merepeza