Pekini, Kryeqyteti i Kinës, është qyteti pritës për Lojërat Olimpike Dimërore 2022, që do zhvillohen në 4 – 20 shkurt 2022.

Por, duket se Lojërat Olimpike po kalojnë një kalvar vështirësish për shkak të pikëpamjeve që nuk reflektojnë vullnetin e sportistëve të kombeve të mbarë botës dhe nuk respektojnë as edhe përgatitjet e shumta, investimet kolosale të Qeverisë së Kinës dhe vullnetin e mbarë popullit të Pekinit për mirëorganizimin e mbarëvajtjen e këtyre lojërave. Kjo në një kohë që është nënshkruar edhe marrëveshja e paqes olimpike apo ndryshe e armëpushimit olimpik, kur ka edhe një lëvizje mbarëbotërore për depolitizimin e sportit dhe arritjen e unitetit ndërkombëtar për t’u përballuar së bashku me sfidat e përbashkëta që ka njerëzimi.

Sportistët në mbarë botën kërkojnë veprimtari ndërkombëtare olimpike të sigurt dhe kushte për garë e konkurrencë jo politike. Ata duan mbështetje dhe këtë mbështetje, së bashku me garancinë e zhvillimit të Lojërave Olimpike të shkëlqyera e jep vetëm Republika Popullore e Kinës.

Lojërat Olimpike Dimërore janë një ngjarje mjaft e përshtatshme që vjen në momentin më të mirë për mbarë sportin ndërkombëtar, pasi atletet nga mbarë bota kanë bërë për katër vite me radhë, në kushte pandemie, përpjekje dhe stërvitje të shumëanëshme për të përsosur aftësitë e tyre.

Sipas rregullave olimpike, politikanët e vendeve të ndryshme marrin pjesë në Lojërat Olimpike në cilësinë e të ftuarit zyrtar vetëm me ftesën e vendit organizator, duke marrë edhe miratimin përfundimtar nga ana e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Pekini është duke u marrë me përgatitjet e organizimit të Lojërave Olimpike dhe koha për të shkruar e dërguar ftesat do jetë diku nga fundi i Janarit 2022, kështu që nuk ka arsye për deduksione alogjike për bojkotin e këtyre lojërave që mezi priten jo vetëm nga ana e sportistëve por edhe nga ana e sportdashësve në mbarë botën.

Tashmë Kina ka mësuar shumë për pandeminë. Trupa mjekësore milionëshe e këtij vendi e ka nën kontroll të plotë gjendjen. Kjo përbën edhe një garanci më shumë për Lojëra Olimpike të efektshme, të sigurta dhe të shkëlqyera, pasi për të minimizuar rreziqet dhe për të mbrojtur atletët ndërkombëtarë, Kina mori vendimin e vështirë për të hequr dorë nga një ceremoni e madhe dhe do përmbahet me praninë e spektatorëve ndërkombëtarë. Kjo përbën një veprim të kuptueshëm dhe të përgjegjshëm nga ana e saj.

Politizimi i sportit nuk bën gjë tjetër veçse dhunon frymën olimpike, dëmton kauzën olimpike dhe përkeqëson marrëdhëniet ndërkombëtare, tashmë të vështira për shkak të qëndrimit jo bashkëpunues të disa qeverive, nxitur me rastin e pandemisë.

Thomas Bach, president i IOL theksoi se Lojërat Olimpike janë një “simbol i solidaritetit global. Ato duhet të jenë të lira nga gjithë format e diskriminimit”. Përgjatë periudhës së zhvillimit të Lojërave Olimpike nuk mund të organizohen demonstrime me frymë politike, fatera apo racore, ndaluar këto veprimtari nga Neni 50 i Kartës Olimpike. Nëse këto ngjarje do vëreheshin, atëherë imazhi dhe qëndrueshmëria e Lojërave Olimpike do vihej në pikëpyetje.

Në Lojërat Dimërore janë atletet perëndimorë që kanë marrë më shumë medalje dhe janë më shumë të përfaqësuar. Në olimpiadën e mëparshme 70% e tërë medaljeve u fituan nga atletë të dhjetë vendeve perëndimore. Ku ka më mirë se këta atletë të promovohen në një vend me 1.4 miliardë banorë. Presidenti kinez Xi Jinping theksoi se Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit pritet të arrijnë një ndjekje dhe shikueshmëri prej më shumë se 300 milionë sportdashësish.

Presidenti i Atletikës Botërore Sebastian Coe tha se një bojkot diplomatik i Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit do të ishte “shumë i dëmshëm”. Është ironike të mendosh se edhe pse Lojërat Olimpike lindën nga armëpushimi dhe se rezoluta e armëpushimit olimpik luan një rol të lavdërueshëm në promovimin e paqes dhe miqësisë ndërkombëtare, afrimi i datës së këtyre

Lojërave të shikohet nga disa sfera të errëta të politikës ndërkombëtare si shans për bojkote, debate false, parakusht për konflikte të reja e thellim të mosbesimit në arenën ndërkombëtare, që edhe pa këto daulle me lëkurë dhelpre është mjaft e rënduar dhe kur mbarë njerëzimi kërkon dhe synon një platformë për të rindërtuar besimin dhe solidaritetin global.

Para disa javësh Presidenti i IOC, Thomas Bach, Presidentja e Republikës së Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, si dhe personalitete dhe organizata të tjera të shquara nënshkruan deklaratën e quajtur “Ekecheiria”, ose “Armëpushimi Olimpik”, sipas traditës së hershme, sipas së cilës në Greqinë e lashtë në shekullin e nëntë para Krishtit, përmes nënshkrimit të një traktati midis tre mbretërve - Iphitos i Elisit, Kleosthenes i Pizës dhe Likurgu i Spartës, lejohej pjesëmarrja e sigurt në lojërat olimpike për të gjithë sportistët dhe spektatorët, që vazhdimisht ishin të përfshirë në konflikte me njëri-tjetrin.

IOC e ringjalli konceptin e armëpushimit olimpik me synimin për të mbrojtur interesat e sportistëve dhe sportit në përgjithësi, dhe për të shfrytëzuar fuqinë e sportit për të promovuar paqen, dialogun e pajtimin. Asambleja e Përgjithshme e OKB, që nga 1993 e ka shprehur mbështetjen e saj për idealin e armëpushimit olimpik dhe për misionin e IOC duke miratuar, çdo dy vjet (një vit përpara çdo edicioni të Lojërave Olimpike) një rezolutë të titulluar “Ndërtimi i një paqeje dhe një botë më e mirë përmes sportit dhe idealit olimpik”.

Olimpiadat janë ngjarje sportive ndërkombëtare që organizohen në verë dhe në dimër dhe njihen si lojërat olimpike verore dhe dimërore, ku marrin pjesë mijëra atletë nga tërë bota në një larmi të shumtë garash. Lojërat Verore mbahen çdo katër vite dhe Lojërat Dimërore po ashtu, me dy vite larg njëra tjetrës. Lojërat Olimpike moderne rifilluan në 1894, kur Baroni Pierre de Coubertin, themeloi Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe njoftoi rifillimin e organizimit të lojërave të para moderne olimpike në Athinë në vitin 1896.

Lojërat e fundit dimërore janë mbajtur në Korenë e Jugut (2018), ndërsa lojërat e fundit verore në Japoni (2021), një vit më pas se rregulli, për shkak të pandemisë. Lojërat olimpike dimërore organizohen që nga viti 1924 dhe në to sportistët garojnë kryesisht në sporte të borës e akullit. Lojërat Olimpike Dimërore janë mbajtur katër herë në SHBA, më shumë se në çdo vend tjetër (1932, 1960, 1980, 2002), tre herë në Francë (1924, 1968, 1992), dy herë në Austri (1964, 1976), Kanada (1988, 2010), Japoni (1972, 1998), Itali (1956, 2006), Norvegji (1952, 1994) dhe Zvicër (1928, 1948), një herë në Gjermani (1936), Jugosllavi (1984), Rusi (2014) dhe Korenë e Jugut (2018). Pas Pekinit në shkurt 2022, për organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore radhën e ka Milano në Itali në vitin 2026.

Nga: Dr. Enriko Ceko