Një aforizëm e kohëve moderne thotë: “Kur nuk luan dot lojën, merru me lojtarët.” – Kështu duket se po ndodh edhe me Olimpiadat Dimërore të Pekinit që do të mbahen në shkurt të vitit 2022.

Gjithçka është gati në Pekin nga logjistika deri tek simbolika, por gjatë muajve të fundit disa thirrje për bojkot janë bërë publike nga zyrtarë perëndimorë, dhe sa më shumë afrohet data, aq më tepër intensifikohen. Disa politikanë të SHBA, BE dhe Mbretërisë së Bashkuar, kanë kërcënuar “bojkotin diplomatik” të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, duke përmendur ato që ata i quajtën “shqetësime për të drejtat e njeriut.”

Duke pasur parasysh situatën e rëndë të pandemisë COVID-19 në nivel global, nuk është e udhës të ftohen mysafirë të huaj në një shkallë të gjerë, gjë që mund të kuptohet lehtësisht. Komitetet Olimpike nga shumë vende, si dhe atletë po kundërshtojnë hipotezën e "bojkotit" të Lojërave të Pekinit, duke thënë se ky qëndrim politik dëmton interesat e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik (KNO) dhe atletët.

Kina synon të paraqesë Lojëra Olimpike "të thjeshta, të sigurta dhe të shkëlqyera" me atletët që luajnë rolin kryesor dhe kanë gjithë vëmendjen e këtij spektakli sportiv. Suksesi i Lojërave të Pekinit varet nga performanca e shkëlqyer e atletëve dhe shkëlqimi i shpirtrave olimpik, dhe jo nga prapaskenat me ngjyrosje politike. Sipas rregullave olimpike, politikanët do të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike në cilësi zyrtare vetëm me ftesë të komiteteve olimpike kombëtare përkatëse por vendimi përfundimtar i takon Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe vendit pritës. Kina nuk i ka ftuar kurrë këta politikanë. Por, çfarë do të bojkotohet kur askush nuk i ka ftuar? Si është e mundur të orkestrohet një "bojkot" kundër Lojërave Olimpike?

Sikurse në të shkuarën, në zhvillime eventesh të këtij kalibri, evente që tërheqin miliona shikues nga mbarë bota në vendin organizues, është tentuar politizimi i tyre. “Bojkoti diplomatik” i vitit 2021 nga disa vende është në thelb një fushatë antagonizmi nën maskën e "të drejtave të njeriut" për të politizuar ngjarjet sportive. Në një moment kur bashkëpunimi dhe solidariteti ndërkombëtar janë më të rëndësishëm se kurrë dhe pavarësisht rrethanave, një sjellje e vrazhdë u duk e volitshme. Aq larg ka shkuar mënyra tendencioze dhe njëanësia sa edhe OKB u desh të shprehet për rastin.

Më 2 dhjetor Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën e “Armëpushimit” Olimpik Dimëror të Pekinit të hartuar nga Kina dhe të bashkë-sponsorizuar nga 173 shtete anëtare. Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, tha për mediat pas miratimit se mbështetja e gjerë për rezolutën pasqyron entuziazmin dhe besimin e komunitetit ndërkombëtar në suksesin e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit. “ Kina u bën thirrje të gjitha vendeve që ti marrin Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit si një mundësi për të eliminuar dallimet përmes dialogut, për të zëvendësuar konfrontimin me bashkëpunim, për të përmirësuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të ruajtur paqen dhe zhvillimin botëror.” Zhang tha se disa vende që thërrasin për një "bojkot diplomatik" të Lojërave Olimpike të Pekinit janë pa përkrahje dhe do të dështojnë.

Lojërat Olimpike Dimërore janë një ngjarje e madhe për atletët në mbarë botën dhe entuziastët e sporteve dimërore, jo një skenë për manipulime politike, dhe suksesi i saj nuk përcaktohet kurrë nga fakti nëse zyrtarët e një vendi të caktuar do të marrin pjesë apo jo.

Angazhimi i Kinës për të pritur Lojërat Olimpike Dimërore në një mënyrë të ekologjike, të përbashkët dhe të hapur ka dhënë një shembull të mirë për botën dhe duhet vlerësuar shumë, pasi ofron një platformë për njerëz me prejardhje të ndryshme për të marrë pjesë. Kultura, arti, sporti, të gjitha kanë shërbyer ndër shekuj si ura lidhëse për njohjen e ndërsjellë midis civilizimeve të ndryshme. Këtyre fijeve lidhëse të njerëzimit nuk mund tu vihet fre në botën e ndërvarur dhe të globalizuar në shekullin XXI.

Për këtë event mijëra punëtorë kanë vite që po angazhohen. Teknologjia më e fundit e transmetimit televiziv live është gati për gjithçka. Miliarda dollarë janë hedhur për krijimin e një ambienti të sigurtë, komod dhe të denjë për pjesëmarrësit. Këto e shumë të tjera janë gati për miqtë olimpikë.

Në vitin 2015 Pekini fiton shorteun për të mbajtur Lojërave Olimpike Dimërore 2022. Në 2017 Komiteti organizativ Pekin 2022 zbulon emblemat zyrtare. Dy vite më pas Pekini fillon rekrutimin e 27,000 vullnetarëve për Lojërat Olimpike Dimërore 2022 dhe 12,000 për Lojërat Paraolimpike Dimërore. Në 2019 linja hekurudhore e shpejtësisë së lartë që lidh Pekinin dhe Zhangjiakou, (qyteti bashkëpritës i Lojërave Dimërore në provincën Hebei) nis zyrtarisht funksionimin. Hekurudha prej 174 kilometrash, me një shpejtësi maksimale prej 350 km/orë, zvogëlon kohën e udhëtimit midis Pekinit dhe Zhangjiakou nga mbi tre orë në 47 minuta, duke lehtësuar trafikun ndërqytetës gjatë dhe përtej Lojërave. Në shkurt 2021 Pekini zbulon pishtarin e Lojërave Olimpike i cili përmban një fjongo të brendshme të artë me një pjesë të jashtme argjendi. Kombinimi i argjendit dhe arit simbolizon "lavdinë dhe ëndrrat" duke reflektuar vlerat paraolimpike të vendosmërisë, barazisë, frymëzimit dhe guximit. Shumë punë dhe përkushtim nga pala kineze për mbarëvajtjen e këtij organizimi duhen respektuar dhe vlerësuar.

Kryeqyteti kinez do të bëhet qyteti i parë në histori që do të presë lojërat olimpike verore dhe dimërore. Pekini organizoi Lojërat Olimpike të vitit 2008, një edicion që ende mbahet mend si një spektakël masiv dhe një vitrinë madhështore e krenarisë kombëtare të Kinës. Ceremonia e hapjes në atë vit, mahniti botën si një nga shfaqjet më të arrira ndër dekada. 12 vite me vonë, kundërshtarët me sa duket nuk e mbajnë dot trysninë e zhvillimit të mëtejshëm të Kinës dhe për këtë e bojkotojnë. Por, fakti që ata nuk duan ta shohin këtë spektakël nga afër, nuk e bën atë më pak të vlefshëm.

Ndezja e pishtarit olimpik shoqërohej në lashtësi me një degë ulliri për fituesit dhe lëshimi i pëllumbit si simbol i paqes. Mijëra vjet më pas dhe diçka kaq unike, që ka shoqëruar njerëzimin ndër shekuj si moment bashkimi dhe jo përçarjeje, po shtrembërohet për qëllime politike.

Në Lojërat Olimpike të vitit 2008 Pekini mahniti botën; në vitin 2022 Pekini do të shkëlqejë sërish duke sjellë në një vend të vetëm kultura nga e gjithë bota në emër të sporteve. Dhe e gjithë kjo histori duhet të kish ngelur vetëm nën petukun e sportivitetit dhe jo konfrontimit.

Me sa duket “loja” gjeopolitike po bëhet shumë e vështirë për t’u luajtur, kështu kësaj radhe po merren më lojtarët olimpike.

Dr. Marsela Musabelliu