Në fillim të muajit Shkurt 2022 në Pekin do të mbahen lojërat olimpike dimërore. Një rast për të celebruar dhe bashkuar ekipe nga e gjithë bota në një frymë sportive e cila së fundmi është kthyer në një përplasje politike mes Kinës dhe disa vendeve në perëndim. Këto të fundit kanë hedhur në qarkullim idenë e një bojkoti të mundshëm të këtyre lojërave nga ana e përfaqësuesve politikë të vendeve respektive. Thelbi i çështjes është politizimi që i bëhet lojërave olimpike.

Në fakt për kundër retorikës se sporti nuk duhet politizuar, lojërat olimpike janë një event sa sportiv ashtu edhe politik. Ato e kanë gjenezën e tyre në vendime shumë politike atëherë kur qytetet shtet të Greqisë së Lashtë vendosnin të mbanin këto lojëra në malin Olimp dhe me vendime politike binin dakord që gjatë këtyre garave çdo konflikt mes këtyre qyteteve duhej të pushonte. Në kohën moderne gjithashtu, ceremonia e hapjes së lojërave është aq sportive sa edhe politike: normalisht zyrtarë e krerë shtetesh marrin pjesë, bëhet parade e ekipeve pjesëmarrëse gjatë së cilës flamujt e vendeve që secili ekip olimpik përfaqëson valëviten, vendi pritës zakonisht tregon gjithë mikpritjen duke nxjerrë në pah traditat e vet.

Lojërat olimpike në Pekin në vitin 2008 gjithashtu ishin një mundësi për Kinën për të treguar gjatë ceremonisë së hapjes së tyre, arritjet e mëdha të popullit kinez dhe për ti vënë ato më në dukje për një audiencë ndërkombëtare që ndoshta fare pak kishte dëgjuar më parë për Kinën. Unë jam një nga ata që lojërat e Pekinit në vitin 2008 i zgjuan një interes më të madh për të ditur më shumë për Kinën moderne, arritjet dhe përparimin e saj, por edhe për historinë e re e të vjetër, kulturën e saj mijëravjeçare, dhe si kjo kulturë e traditat e saj të lashta ndërthuren me modernitetin e sotëm. Pra në këtë kuptim po, lojërat olimpike (përfshirë ato dimërore) janë edhe një forum politik. Problemi është ndarja që i duhet bërë këtij eventi sportive në formën e vet politike, nga politizimi për interesa konfrontimi mes shteteve të mëdha.

Lojërat Olimpike të Moskës në vitin 1980

Historia na mëson se kur lojërat olimpike politizohen për interesa gjeostrategjike të përplasjes mes vendeve të mëdha, ato jo vetëm që nuk arrijnë qëllimin e deklaruar të bojkotit, por përkundrazi, nga një forum i celebrimit të krijimtarisë sportive që është një pasuri mbarë njerëzore, kthehen në një mundësi të munguar për të ecur drejt miqësisë mes shteteve, për ta kthyer konkurrencën sportive në një festë të shëndoshë njohje reciproke dhe ardhjes më afër me njëri tjetrin.

Lojërat Olimpike të Los Anxheles në vitin 1984

Për më tepër që është treguar e debatuar nga shumë studiues në perëndim se bojkoti nuk arrin asnjë objektiv konkret të lajmëruar. Për shembull, në vitin 1980, 62 vende, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, organizuan një bojkot të lojërave në Moskë, pas ndërhyrjes së Bashkimit Sovjetik në Afganistan në 1979. Ndërkohë që shumë atletë u pajtuan me vendimet e vendeve të tyre të origjinës, shumë të tjerë u ankuan për humbjen e mundësisë së tyre të vetme në garat në lojërat olimpike për shkak të një proteste politike. Dhe në vitin 1984 ishte radha e Bashkimit Sovjetik që së bashku me vendet e Europës së Lindjes bojkotuan lojërat olimpike të organizuara në Los Anxheles. Në të gjitha këto raste lojërat vazhduan dhe garat u mbajtën pavarësisht marrjes ose jo pjesë të një apo më shumë palëve. Për më tepër, sikurse edhe pritej në asnjë rast bojkoti nuk pati influencë në politikat e brendshme të asnjë vendi.

Tani në rastin e Kinës arsyet që fliten prapa këtyre zërave për bojkot janë ato që lidhen me problemet e të drejtave të njeriut. Por disa studiues të të drejtave të njeriut në perëndim janë të parët që po thonë se historia e përpjekjeve për të luajtur kartën e të drejtave të njeriut rreth lojërave olimpike është kryesisht një histori dështimi. Po të shikohen me vëmendje të gjitha herët që është tentuar të krijohet presion politik më kërcënim për bojkot ndaj lojërave, ato asnjëherë nuk kanë patur sukses. Mjafton të shikohen bojkotet e përmendura më sipër apo edhe të tjera në shkallë më të vogël. Madje edhe në vende me sisteme politike perëndimore, shtetarët demokratë bëhen më autoritarë kur organizojnë lojërat olimpike. Rasti i Meksikës ne vitin 1968 është një prej tyre.

Në Kinë, sikurse pritej, zërat për bojkot nuk janë pritur mirë, dhe janë dënuar nga zyrtarët e ministrisë së jashtme. Kina përpiqet që të mos i japë një ngjyrë politike këtyre lojërave, por kërkon që të celebrohen në një frymë feste ndërkombëtare. Por edhe në botën akademike, Prof. Yuan Sha, e Institutit Kinez të Studimeve Ndërkombëtare, shprehet se përdorimi i çështjeve të lidhura me të drejtat e njeriut për të politizuar lojërat dimërore, është një farsë politike e pastër, e cila, shprehet ajo, përdoret në mënyrë instrumentale për të demonizuar Kinën dhe sabotuar organizimin e këtyre lojërave. Duhet gjithashtu shtuar se pjesa më e madhe e organizatave sportive pjesëmarrëse është shprehur kundër çdo bojkoti, sepse i heq mundësinë shumë atletëve të konkurrojnë dhe të mund të marrin medalje për të cilat janë stërvitur me vite e vite. Dhe duhet kujtuar se në jetën sportive, hapësira për të marrë medalje është shumë e ngushtë për shkak se afatet e moshës aktive sportive janë të shkurtra dhe për pasojë çdo atlet nuk ka mundësi të shumta në jetë për një garë që organizohet vetëm një herë në 4 vite.

diplomaci pingpongu

Nëse zyrtarët e disa vendeve bojkotojnë ceremoninë e hapjes apo të mbylljes së lojërave olimpike dimërore, ata janë duke i hequr vetes një shans për tu takuar më afër dhe parë sy më sy me organizatorët dhe vendet e tjera pjesëmarrëse në një kohë kur takime të tilla janë më se të nevojshme pasi për shkak të pandemisë takimet direkte janë bërë më të vështira. Në këtë moment, lojërat dimërore në Pekin do ishin një mundësi e artë që zyrtarë amerikanë e Europianë të shkonin në Pekin dhe të takoheshin me zyrtarë kinezë dhe në një farë mënyre të ndihmon në uljen e tensionit dhe të frymës së konfrontimit që ka mbërthyer së fundmi marrëdhëniet mes Kinës dhe vendeve perëndimore. Edhe në kohët moderne gara sportive janë shfrytëzuar si një mundësi për të përcjellë shqetësime të ndryshme, mesazhe politike, por edhe për të hapur kanale komunikimi mes aktorësh politikë. A nuk u bë një turne pingpongu në vitin 1971 një rast për afrimin mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara? Me atë rast ekipi amerikan u ftua nga autoritetet kineze të shkonte në Pekin, duke u bërë kështu një forum i mirë për të afruar Pekinin dhe Washingtonin që një vit më vonë u kurorëzua me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Republikës Popullore të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kaq mirë u shfrytëzua politikisht ai event sa politologët i dhanë një term të ri eventit – diplomaci pingpongu. Pra ka dy mënyra për ti parë lojërat olimpike në përgjithësi, dhe ato dimërore në Pekin në veçanti: si një mundësi konfrontimi dhe rritje të tensionit, ose si një mundësi afrimi, dialogu e njohje reciproke më të mirë që çon në bashkëpunim dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Në të dyja rastet, topi është në dorën e lojtarëve.

Ylber Marku