Në historinë e lojërave olimpike dhe të botës sportive në përgjithësi do të mbetet një njollë e zezë dhe e pashlyeshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa aleatë të saj, që e pasojnë bindshëm pa marrë në konsideratë pasojat e një veprimi të tillë regresiv në fushën e sporteve në botë e vendet e tyre, fushata e potershme lidhur me bojkotin e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022. Ajo do të regjistrohet si një damkë e shumëfishtë, që kalon çdo logjikë, arsye dhe dimension njerëzor sepse në këtë rast nuk është Republika Popullore e Kinës, vendi mikpritës i tyre, ai që cënohet nga çfarëdo lloj bojkoti sepse, sikurse e ka treguar historia ‘SHBA-bojkot’ janë bërë simbiozë e qëndrimit konstant dashakeq të politikës amerikane ndaj popullit kinez por pa rezultatin e dëshiruar te strategëve të kësaj skeme të vjetër.

Në këtë rast është tentuar të goditet dinakërisht fryma olimpike, e cila që kur i është dhënë jetë ka mbijetuar edhe në kohët më të errëta të historisë së njerëzimit duke ngadhënjyer mbi makinacionet e errëta djallëzore te montuara me motive politike. Po theksoj që në krye se pikërisht triumfalizmi mbi të keqen e ka bërë qesharak atë grusht vendesh të ashtuquajtur ‘bojkotistë’ që qysh nga janari 2021 e deri më sot janë në konfuzion duke e humbur fillin e një qëndrimi konsekuent, të qartë e të ndershëm për mbarë njerëzimin, i cili për ditë e më shumë shikon diabolizmin e tyre lidhur me këtë çështje.

Në nisje të kryqëzatës ‘bojkotistët’ lëshuan tymnajën e mospjesëmarrjes së plotë, pastaj pauzë si heshtje varri për disa muaj për ‘konsultime’ (lexo: makinacione të reja), dhe pasi testuan botën mbarë, që rezultoi në bojkot të plotë, u vu në lojë karta e të ashtuquajturit ‘bojkot diplomatik’ pa ‘cënuar atletët’, sikurse e konfirmojnë burime zyrtare. Kështu, për shembull, zëdhënësi i departamentit të shtetit, Ned Price ka deklaruar para pak kohësh se bojkoti ishte "diçka që ne sigurisht dëshirojmë ta diskutojmë". Por më pas një koleg i tij diplomat tha në një deklaratë publike se pozicioni amerikan mbi Olimpiadën 2022 nuk ka ndryshuar. “Ne nuk kemi diskutuar dhe nuk po diskutojmë ndonjë bojkot të përbashkët me aleatët dhe partnerët", tha ai… Kurse Ned Price shkruante në Twitter më vonë: "Ne nuk kemi ndonjë njoftim në lidhje me Lojërat Olimpike të Pekinit".

Me popullaritet në rënie pikiatë në vendin e tij, Presidenti Joe Biden e strategët e tij po e kuptojnë se sajesat e tyre për të kushtëzuar avazet e vjetra lidhur me flamurin e reckosur të shkeljes së të drejtave të njeriut në Kinë me lojërat olimpike është kthyer në një boomerang për ta. Madje vetë atletët pjesëmarrës amerikanë e perëndimorë, aktorët kryesorë të këtij demonstrimi të madh sportiv, të kësaj feste të shumëpritur botërisht, janë çorientuar dhe stërlodhur me çfarë po u bëjnë qeveritë e tyre sepse sportistët dhe sporti vetë nuk mbartin politikë, përkundrazi frymën e paqes, solidaritetit e miqësisë në botë me shfaqjet e tyre sportive të mrekullueshme. Piruetat e politikanëve amerikanë kanë dëmtuar me tej imazhin e SHBA-së se ata- sportistët ndër më të mirënjohurit në botë- i kanë sytë nga Pekini pas kaq stërvitje të gjata dhe ëndrra pasionante për fitore në garat e shumë sporteve që përfshin Olimpiada. Po kështu mezi i presin edhe popujt e botës, që aq më shumë në këtë kohë dëshpëruese pandemie dëshirojnë të mbështesin ekipet e tyre në gara por edhe të argëtohen duke i parë lojërat olimpike të Pekinit si triumf mbi sëmundjen fatale.

Megjithatë si populli ashtu edhe atletët amerikanë si pjesa dërmuese e popujve në botë janë sensibilizuar se kur bëhet fjalë për Kinën, nuk është gjë e re se çfarë kanë në mendje zyrtarët e Uashingtonit. Shtëpia e Bardhë ka një reagim impulsiv të politizimit të çdo gjëje të mundshme për ta frenuar këtë vend dhe popullin e tij, të cilët ecin përpara duke kapërcyer çdo pengesë e çfarëdo lloji qoftë. Dhe synimet më të fundit të propagandës anti-kineze të këtij viti kanë qenë që të zveniten sa të munden shkëlqimi e solidariteti i paparë kinez ndaj vendeve të tjerë, veçanërisht ndaj popujve të varfër, në luftën kundër COVID-19. Tani kur pjesa më e madhe e vendeve perëndimorë, përfshi SHBA, lëngojnë, fatkeqësisht, nga pasojat e krizës shëndetësore në Pekin flakëron ‘Flaka Olimpike’ duke pritur shkëlqimin e Lojërave Olimpike, të cilat fillojnë më 4 shkurt e mbarojnë më 24 shkurt të pasuara nga Lojërat Paralimpike që zhvillohen nga 4 deri më 13 mars 2022.

Ky shkëlqim kinez u ka verbuar sytë edhe më parë administratave amerikane e aleatëve të tyre. Mjafton të kujtojmë se në vitin 2008, kur Pekini priti Lojërat Olimpike Verore, Nancy Pelosi, kryetarja aktuale e Dhomës së Përfaqësuesve, i kërkoi administratës së presidentit Bush të bojkotonte lojërat. Arsyetimi që ajo zgjodhi ishin të ashtuquajturat shkelje të të drejtave të njeriut në Tibet. Më 2021, trembëdhjetë vjet më vonë, Pelosi veçse ndryshoi destinacionin nga Tibeti në Xinjiang. Në parantezë a ka gjasa se Pelosi është ‘bindur’ se në Tibet nuk ka më shkelje të të drejtave të njeriut, dhe a mund të merret kjo si një akuzë amerikane më pak kundër Kinës për gjoja shkelje të të drejtave të njeriut?!

Duke iu kundërpërgjigjur kësaj ofensive antikineze, që në fakt në këtë rast është kthyer në fushatë për të minuar vetë lojërat olimpike, që i përkasin mbarë njerëzimit, Pekini zyrtar ka dënuar e demaskuar botërisht përpjekjet për të politizuar edhe sportet çka, sipas tij, shkon kundër frymës olimpike dhe dëmton interesat e atletëve nga të gjitha vendet.

Në një prej deklaratave lidhur me këtë çështje zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Zhao Lijian deklaroi me 19 nëntor se politizimi i sporteve shkel frymën olimpike. Ai e bëri këtë koment kur iu përgjigj vërejtjeve të fundit të Presidentit të SHBA Joe Biden se ai po konsideronte një bojkot diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit në lidhje me situatën në Xinjiang.

“Çështjet e Xinjiang-ut janë thjesht çështje të brendshme të Kinës, të cilat nuk paraqesin asnjë ndërhyrje nga asnjë forcë e jashtme nën asnjë pretekst dhe në asnjë formë”, tha Zhao në një konferencë të përditshme për shtyp. “Për popullin kinez, sa për të qeshur ka bërë SHBA-ja me veten duke njollosur Xinjiang-un mbi të ashtuquajturin gjenocid dhe punë të detyruar”, tha Zhao, duke shtuar se akuzat amerikane kundër Kinës për çështje të tjera të të drejtave të njeriut janë edhe më të pabaza.

Atletët që marrin pjesë në Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të Pekinit 2022 janë protagonistët e vërtetë, tha Zhao, duke shtuar se politizimi i sporteve shkon kundër frymës olimpike dhe dëmton interesat e atletëve nga të gjitha vendet. Ai tha se Kina beson se, e udhëhequr nga fryma olimpike dhe me përpjekjet e përbashkëta të të gjitha palëve, vendi është i sigurt se do të mbajë lojëra Olimpike Dimërore të thjeshta, të sigurta dhe të shkëlqyera për botën, për të promovuar së bashku zhvillimin e shëndoshë të sporteve ndërkombëtare.

Ndërkohë edhe komunitetet sportive ndërkombëtare ndajnë pikëpamjen se bojkoti është "aspekti më ogurzi i Olimpiadës". Sipas Kartës Olimpike, Lojërat Olimpike nuk duhet të politizohen. Karta thekson qartë se organizatat sportive brenda Lëvizjes Olimpike do të zbatojnë neutralitetin politik dhe se sportet dhe atletët nuk duhet të përdoren për asnjë qëllim politik ose komercial. Çdo Komitet Olimpik Kombëtar (KOK) që shkel Kartën duke nënvlerësuar autonominë sportive përmes mjeteve politike do t'i nënshtrohet ndëshkimit disiplinor nga Sesioni ose Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Shkelje të tilla mund të çojnë në tërheqjen e të drejtave të KOK-shë, ose në rastin më të keq tërheqjen e njohjes së plotë.

Për asnjë moment as Kina as Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) nuk janë çorientuar nga skenat e prapaskenat minuese ndaj lojërave, përkundrazi çdo gjë edhe pse në kushtet e vazhdimit të pandemisë, është zhvilluar sipas protokolleve dhe rregullave përkatëse. Sikurse njoftonte IOC pas ceremonisë së dorëzimit në Athinë, flaka olimpike mbërriti në Kinë më 20 tetor, 2021 duke e bërë Pekinin qytetin e parë pritës që mirëpret flakën si për edicionet verore ashtu edhe për ato dimërore të Lojërave Olimpike. Flaka olimpike mbërriti në aeroportin e Pekinit rreth orës 7 të mëngjesit me kohën lokale në një fener sigurie, frymëzuar nga një llambë e lashtë kineze e quajtur "Changxin", që nënkupton dritën dhe shpresën. Pas një ceremonie të shkurtër në aeroport, flaka më pas u transportua në Kullën Olimpike të Pekinit e pasuar nga një ceremoni zyrtare e mirëseardhjes. Për shkak të pandemisë dhe masave të vendosura për të ndjekur me përpikëmëri kërkesat e parandalimit dhe kontrollit, formati i Stafetës së Pishtarit Olimpik është përshtatur. Flaka olimpike do të udhëtojë në zona të ndryshme të vendit të njohura për historinë dhe kulturën e tyre të sporteve të akullit dhe bores, vinte në dukje deklarata e IOC-së.

“Do të ketë një stafetë tradicionale të pishtarit olimpik për tre ditë përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Pekin 2022 më 4 shkurt. Më pas, flaka olimpike do të bartet nga rreth 1200 ‘pishtarë’ në zonat e garave të Pekinit, Zhangjiakou dhe Yanqing”, theksonte deklarata.

Ndërkohë Komisioni Koordinues i IOC për Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022 përfundoi më 4 nëntor takimin e gjashtë tre-ditor të tij, dhe pas diskutimesh Komiteti Organizativ (BOCOG) raportoi reagime pozitive të marra nga ngjarjet e fundit të testimit të të gjitha ambjenteve të lojërave olimpike dhe paraolimpike.

“Ka pasur testime të gjëra që po zhvillohen javët e fundit në Kinë në vendet olimpike dhe paraolimpike. Kjo është efektivisht ngrohja për Lojërat e Shkurtit të ardhshëm dhe reagimet që kemi marrë si nga atletët ashtu edhe nga Federatat Ndërkombëtare kanë qenë shumë inkurajuese”, tha kryetari i Komisionit Koordinues, Juan Antonio Samaranch i cituar nga një njoftim shtypi i IOC. "Është vlerësuar veçanërisht cilësia e mjediseve, si dhe mbështetja organizative dhe operacionet në terren që po ofrohen në Kinë".

Vihej në dukje se kundërmasat ndaj COVID-19 ishin një temë e qëndrueshme gjatë gjithë diskutimeve pasi IOC, IPC dhe Pekin 2022 vazhdojnë të kenë prioritet shëndetin dhe sigurinë e pjesëmarrësve të Lojërave dhe popullatës lokale. Komisioni u informua se këto masa do të vazhdojnë të përmirësohen gjatë javëve të ardhshme.

Federata Ndërkombëtare e Bobsleigh & Skeleton IBSF zhvilloi një trajnim të suksesshëm ndërkombëtar tre-javor në Qendrën Olimpike të Rrëshqitjes në Yanqing në tetor, duke përfunduar me një garë zyrtare në të gjashtë disiplinat dhe me pjesëmarrës nga më shumë se 20 kombe.

Pas rreth 60 ditë, që nuk janë larg tashmë, atletë nga mbarë bota do të jenë krah për krah në garat respektive ne Kinë, në vendet e përzgjedhura për zhvillimin e tyre duke demonstruar tërë mjeshtëritë dhe aftësitë e tyre konkurruese. Sigurisht, të gjithë ëndërrojnë për sukses e medalje. E medaljet janë gati, sipas Komitetit Organizativ për Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike Dimërore Pekin 2022, i cili më 26 tetor 2021 ka zbuluar modelin e tyre.

Medaljet të quajtura "Tong Xin", që do të thotë "Së bashku, si një" përbëhen nga pesë unaza dhe një qendër. Dizajni bazohet në varëse të lashta kineze me rreth koncentrikë prej nefriti me pesë unazat që përfaqësojnë frymën olimpike për të bashkuar njerëzit. Pjesa e përparme e medaljeve olimpike tregon pesë unazat olimpike të gdhendura në qendër dhe fjalët "Lojërat Olimpike XXIV Dimërore Pekin 2022" të gdhendura rreth tyre. Në anën e pasme, emblema e Lojërave Olimpike Dimërore Pekin 2022 është vendosur në qendër me emrin e plotë kinez të gdhendur rreth saj. Pjesa e pasme tregon gjithashtu emrin e ngjarjes së medaljes, të gdhendur në unazën më të jashtme, të rrethuar me modele akulli, dëbore dhe resh.

Për sportistin medalja është ëndrra e një jete të tërë sportive, mundi e djerse e secilit, një gëzim i spektakolar për fituesin, popullin dhe krenari për vendin e tij. Por privimi nga pjesëmarrja, sidomos në gara të tilla olimpike një herë në katër vjet, për arsye diabolike politike të pushtetarëve të tyre, është fatalitet për ta.

Shumë kuptimplotë në këtë linjë është çfarë kujton Presidenti i IOC, Thomas Bach, i cili fitoi një medalje të artë në skermë në Lojërat Olimpike të Montrealit 1976 dhe ndërkohë ai ishte një nga ata atletë që vuajtën nga bojkoti i Lojërave Olimpike pasi Gjermania Perëndimore vendosi të mos merrte pjesë në Lojërat e Moskës në 1980. Si hakmarrje, Bashkimi Sovjetik ndërmori një bojkot tjetër të Lojërave të Los Anxhelosit katër vjet më vonë, kostoja e të cilit ishte që dy breza atletësh humbën ëndrrat e tyre olimpike, kujtoi Bach.

"Kushdo që mendon për një bojkot duhet ta mësojë këtë mësim nga historia", tha Bach. "Një bojkot sportiv nuk shërben asgjë, po dëmton vetëm atletët dhe popullatën e vendit sepse ata humbasin gëzimin për të ndarë krenarinë, suksesin me ekipin e tyre olimpik".

"Pra, për çfarë është bojkoti? Është kundër gjithë frymës olimpike. Është kundër të gjitha vlerave që kemi në sport dhe asaj që ne po mbrojmë në sport", deklaroi Presidenti i IOC, Thomas Bach.

Kurse Dick Pound, anëtari veteran i IOC, e ka hedhur poshtë bojkotin e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit si "plotësisht të paefektshëm".

“Është kundërintuitive që atletët olimpikë duhet të jenë ata që paguajnë çmimin”, tha kanadezi për CBC News. "Ideja dhe filozofia olimpike është që ju të kontribuoni për një jetë më të mirë për njerëzit në një mjedis paqësor", shtoi Pound. "Ne nuk duam të heqim dorë nga qasja jonë filozofike ndaj asaj që sporti mund të bëjë për botën", tha ai. (Burimi: Aljazeera, 20 tetor 2021)

Ndërsa pritet që të ngrihet sipari i festës më të madhe sportive mbarëbotërore në Pekin më 4 shkurt 2022, autoritetet kineze ne bashkëpunim me IOC po i japin dorën e fundit përgatitjeve që sportistët nga mbarë rruzulli tokësor të përcjellin nëpërmjet sportit frymën e miqësisë dhe të paqes në ‘shtëpinë e përbashkët’ olimpike të vendosur këtë radhë në Kinë. Dhjetra mijëra përfaqësues më të mirë nga e gjithë bota të kategorive të ndryshme të sportit do të jenë në Lojërat Olimpike në Pekin si ambasadorë të paqes, si promovues të dialogut, si farkëtues të mirëkuptimit, si lajmëtarë të paqes e jetës. E tani që ata po bëhen gati të fillojnë misionin e tyre, politikanët 'bojkotistë' do të bënin mirë të heshtnin, të mos ndotin atmosferën e festës së madhe.

Vetë armata e sportistëve, krah për krah e në një hap, të ndriçuar nga Flaka Olimpike në llambën e lashtë kineze të quajtur "Changxin", që nënkupton dritën dhe shpresën, si dhe medaljet e quajtura "Tong Xin", që do të thotë "Së bashku, si një", do ti dëshmojnë mbarë njerëzimit se fryma olimpike për të bashkuar njerëzit do të triumfojë mbi të keqen, të cilën popujt duan ta lënë pas në honet e harresës bashkë me ‘arkitektët’ e saj!

Genc Mlloja