Bosnje -Hercegovina pavarësisht se nuk po artikulohet me shumë zë të lartë, ndodhet buzë një konflikti, i cili i kalon kufijtë e shtetit më të brishtë të Ballkanit. Separatistët serbë po përsërisin gjithnjë e më shumë dhe po ndërmarrin hapa, të cilat kërkojnë shkëputjen e Republikës Srpska dhe bashkimin e saj de fakto me Serbinë. Kryetari i parlamentit serb Ivica Daçiç deklaroi rreth një muaj më parë në Banja Luka se “nuk ka kufij midis Serbisë dhe etnitetit serb në Bosnje –Hercegovinë” Mohimi i hapur që bëri Daçiç për njohjen e kufijve ndërkombëtarë është një rikthim i frikshëm në periudhën e fillimit të viteve 90-të, në atë kohë që pati një spastrim të tmerrshëm etnik, pasuar nga masakra e Srebrenicës dhe zhvendosja e 1.1 milion refugjatëve.

Pas një tensioni që ka disa muaj që është instaluar në këtë rajon, deklarata e Daçiçit konfirmon se qarqe të ndryshme aktuale politike në Serbi po përshkallëzojnë procesin destruktiv të prishjes së shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Por nuk është vetëm kjo deklaratë që ngre tensionet dhe parasheh situata destabilizuese. Serbia ka organizuar me serbët lokalë të Republikës Srpska edhe mbledhje qeverie të përbashkët, jashtë çdo praktike ndërkombëtare të njohur deri tani, veprim ky që parasheh dhënien e legjitimitetit një shteti të ri, për të cilin po investohet duke ndezur konflikt. Marrëveshja e vështirë dhe e komplikuar e Dejtonit asnjëherë nuk solli një paqe të qëndrueshme. Tani kur komuniteti ndërkombëtar për të pastruar në një lloj kuptimi edhe shpirtin e tij për vonesën e tepruar në ndërhyrje në konfliktin e vitit 1994, po kërkon të mbahet qëndrim ndaj atyre krimeve të rënda , separatistët serbë në Bosnje po reagojnë dhe kërkojnë të gjejnë shtegun për të afruar zyrtarisht qëndrimet me Serbinë dhe për t’u shkëputur nga shteti i përbërë nga dy rajone autonome të lidhur përmes qeverisë qendrore.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Dejtonit,1995(VCG)

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Dejtonit,1995(VCG)

Udhëheqësi serb Milorad Dodik, pjesë e presidencës me tre persona në Bosnje ka futur ligje të cilat në thelb kërkojnë të ndajnë Republikën Srpska nga institucionet bazë e të shtetit, ligje që lidhen me forcat e armatosura si dhe organet gjyqësore. Ky hap, është një veprim i hapur që e çon etnitetin serb të rajonit autonom drejt shkëputjes, duke konsideruar pastaj edhe hapa të tjerë që janë bërë kohë më parë, por edhe që janë pjesë e kësaj strategjie në vazhdim.

Milorad Dodik, i cili prej kohësh afekton me qarqet ekstremiste politike në Serbi ka reaguar ashpër ndaj një ligji të propozuar nga Komisioneri i lartë i cili parashikon dhënien e dënimeve për ata që në këtë kohë mohojnë kryerjen e genocidit. Vërtet është arritur dy dekada e gjysëm më parë një traktat paqeje që i dha fund luftës më shumë se tre vjeçare në këtë rajon, por rikthimi dhe trajtimi nga pozita të ndryshme i krimeve të kryera, ka krijuar tensione të vazhdueshme. Udhëheqësi separatist serb Dodik kërkon që të shfrytëzojë abuzivisht mbi historinë e dhimbshme të fillimit të viteve 90-të, për të realizuar një shkëputje dhe filluar shpërbërjen e shtetit të brishtë të Bosnje-Hercegovinës. Pavarësisht se deri në çfarë shkalle mund të jetë e realizueshme platforma e Dodikut, ajo që mund të ndodhë është se vendi do ballafaqohet me dhunë, migrim, rëndim të situatës ekonomike, e cila edhe në këto kushte mbetet e vështirë.

Qytetarët e zakonshëm serbë janë më të frikësuar në këtë periudhë se ata të etniteteve kroate dhe boshnjake, pasi e ndjejnë se një shkëputje nuk mund të arrihet paqësisht dhe pasojat e dhunës dhe gjendjes së rënduar ekonomike, do jenë më shumë se kudo mbi supet e tyre.

Ndërkohë që Bashkimi Europian nuk po arrin të menaxhojë krizat ekzistuese të sigurisë në Ukrainë dhe Bjellorusi, një krizë e re në Ballkanin Perëndimor, rrënjët e së cilës janë shumë të thella, do të sillte dallgë konflikti që do dilnin jashtë kufijve të shtetit të Bosnje-Hercegovinës.

Foto:VCG

Foto:VCG

Rrugët që po kërkon komuniteti ndërkombëtar për shuarjen e flakëve që po ndizen janë jo vetëm të paefektshme, por edhe shumë të koklavitura e pa shpresë për të arritur shpejt në destinacion. Riaktivizimi i forcës paqeruajtëse EUROFOR është një opsion, por pa një fuqi sigurie se mund të parandalojë flakët e konfliktit. Edhe ky mision kërkon mandatin nga Këshilli i Sigurimit, në të cilin Rusia është dakord vetëm në rastin e heqjes së emrit të përfaqësuesit të Lartë nga teksti i rezolutës që i jep mandat forcave paqeruajtëse. Në çdo shteg ku kërkohet paqja, konstatohen vështirësi të shumta, që e bëjnë pamjen përherë dhe më shumë gri.

Disa ditë më parë dhe në vazhdim Christian Shmidt, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën vijon të tërheqë vëmendjen se jo vetëm Bosnja, por i gjithë Ballkani është nën kërcënimin dhe ethet e luftës, pasi siç konstaton ai “perspektivat e ndarjes dhe të konfliktit të mëtejshëm janë shumë reale” . Ndërkohë që Dodik vijon me strategjinë e tij të shkëputjes, mbështetur nga Serbia përmes kanaleve të shumta e veprimeve që janë të fokusuara në atë drejtim, komuniteti ndërkombëtar mendon se mund ta parandalojë këtë situatë përmes sanksioneve dhe presioneve të shtuara ndaj udhëheqësit separatist serb.

Ministri i jashtëm gjerman në detyrë Heiko Maas deklaroi se “ Berlini dëshiron të shohë masa e sanksione individuale kundër atyre që vënë në dyshim integritetin territorial”. Ai nuk është kursyer për të akuzuar në mënyrë direkte Republikën Serbe se po punon në mënyrë aktive për të shkatërruar Bosnjë–Hercegovinën si një shtet të tërë. Reagime ka patur ka patur nga sekretarja e jashtme britanike, parlamentarë të ndryshëm evropianë e zyrtarë të lartë të Brukselit. E gjitha kjo pasqyron një shqetësim në rritje për situatën e krijuar dhe për atë se çfarë pritet të ndodhë, por e gjitha mbetet e pamjaftueshme, ndërkohë që situata në terren prodhon çdo ditë shkëndija.

Aq më shumë që Milorad Dodik ka kërcënuar komunitetin ndërkombëtar, në mes të tjerëve edhe zëvëndës ndihmës sekretarin e shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore Gabriel Escobar, se do të përshpejtojë planet e tij, nëse ndaj tij vendosen sanksione. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç po tregohet më i kujdesshëm se sa kryeparlamentari serb Ivica Daçiç në këtë situatë e cila bëhet gjithnjë e më delikate. Vuçiç theksoi së fundi se “Është e rëndësishme të ruhet paqja dhe të tregohet se Republika Srpska nuk është burimi i problemit, por se ne të gjithë jemi gati të bisdojmë në rajon”. Por duke kundërshtuar sanksionet dhe duke thënë që kjo nuk është rruga, ai ka ecur në të njëjtën linjë me Milorad Dodikun, duke kompremetuar kështu edhe një lloj luajaliteti të deklaratës së tij të parë.

Analistët dhe diplomatët e shumtë e ndjekin me shqetësim situatën e krijuar në Bosnje, ku konflikti do të dilte menjëherë jashtë suazës së këtij shteti dhe do të merrte një rezonancë rajonale. Konflikti midis Serbisë dhe Kroacisë do rindizej dhe plagët e vjetra të së kaluarës do t’i jepnin këtij konflikti përmasa të paparashikueshme, aq më tepër që të dy shtetet kanë drejtuar vëmendjen e tyre nga riarmatosja dhe rritja e shpenzimeve ushtarake. Një gjë e tillë sigurisht që nuk ndodh rastësisht. Duke qenë një tjetër vatër e nxehtë në Kosovë, flakët e luftës mund të rindiznin konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë, kur jo më larg se dy muaj më parë, një mosmarrëveshje ndërkufitare, ngriti tensionin në mes palëve në një temperaturë tepër të lartë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Megjithëse mund të duken larg, vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë afër për t’u përfshirë në konflikt, për arsye të shumta, mbi të gjitha të një historie që është shumë e afërt dhe ka brenda një varg problemesh të pazgjidhura dhe tensionesh ndëretnike që kanë qenë dhe mbeten vatra të pashuara zjarri.

Ligjësitë historike të cilat që predikojnë se historia nuk përsëritet, ka shumë gjasa që në rastin e Bosnjës të bien poshtë dhe të kemi një rikthim të konfliktit të luftës civile të fillimit të viteve 90-të, por tashmë me një valë që shkon përtej kufijve të Bosnjë–Hercegovinës dhe me një ballafaqim të fuqive të mëdha në të dy anët e përplasjes.

Gëzim Podgorica