E gjithë bota mbajti frymën javën e kaluar, kur presidentët e dy shteteve më të fuqishme të botës realizuan videotakimin e parë në mes tyre, pas disa telefonatave që ata kishin shkëmbyer më parë. Media botërore e përcolli me një përparësi të ndjeshme këtë ngjarje që nuk kishte vetëm përmasa politike, por me impakt të fuqishëm edhe në botën e biznesit dhe të fushave të tjera.

Katër ditë përpara se të niste takimi, më 12 nëntor tregu amerikan i aksioneve pati një mbyllje të lartë, duke shënuar një rritje të ndjeshme. Nënkryetari i Dhomës Amerikane të Tregëtisë Myron Brilliant në një prononcim për gazetën “The New York Times” nënvizoi se ky është një ogur i mirë dhe se kjo është një fitore. Duke u fokusuar tek fryma optimiste që ngjalli takimi, vëren lehtësisht se krahas fushave të tjera për të cilat diskutuan dy presidentët, relaksimi i marrëdhënieve, jep një impakt të fuqishëm në ekonominë botërore e rrjedhimisht në të gjitha raportet e tjera.

Kina gjithnjë e më shumë po afishohet si një vend me potenciale të fuqishme ekonomike, por edhe si një kontribuese në ekonominë botërore dhe qëndrueshmëria e marrëdhënieve midis dy shteteve më të fuqishme të botës, i kontribuon paqes e stabilitetit, por edhe ekonomisë globale. Dy vendet kanë sot volumet më të mëdha të prodhimit të përgjithshëm. 14736 miliardë dollarë ka arritur prodhimi i përgjithshëm bruto i Kinës, ndërkohë që SHBA e ka atë 21.039 miliardë dollarë.

Ka më shumë se 12 vite që Kina është eksportuesja më e madhe në botë, dhe që nga viti 2014 ajo ia kalon edhe bllokut të BE-së, kur në vitin 2001, ishte në vendin e gjashtë.

Volumi total i import –eksportit arriti në vitin 2020 në vlerën e 5309 miliardë dollarëve, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë një volum 5004 miliardë dollarë. Shifra suprizuese janë arritur edhe në investimet e huaja direkte, gjë që e ka renditur Kinën në vend të parë në rang global. Ekonomia kineze ka një ndikim të dukshëm në nivelin e inflacionit jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe në shkallë globale.

Takimi i së martës së kaluar evidentoi këto dhe prirje të tjera të fuqishme të zhvillimit të Kinës si dhe të Shteteve të Bashkuara, duke parë se partneriteti dhe qëndrueshmëria e marrëdhënieve midis tyre, është një domosdoshmëri për të sjellë një klimë bashkëpunimi të sinqertë midis dy vendeve, ku siç nënvizoi Presidenti kinez Xi Jinping, si Kina ashtu edhe SHBA, gjenden në faza kyçe zhvillimi dhe se “fshati global” i njerëzimit përballet me sfida të shumta.

Duke qënë dy ekonomitë më të mëdha të botës, ata krahas arritjeve të mëdha e ndikimit që kanë në zhvillimet globale, kanë në të njëjtën kohë edhe përgjegjësitë që të jenë sëbashku për të çuar përpara zhvillimin ekonomik botëror në favor të paqes e të ruajtjes së përgjithëshme të ekuilibrave shumëplanësh. Ekonomia kineze dhe ajo amerikane kanë nevojë për konkurencë e bashkëveprim dhe kurrsesi për konflikt, pasi siç analizojnë specialistët më të njohur të fushës ekonomike ekonomitë e dy vendeve e kanë të pamundur të shkëputen nga bashkëveprimi, pasi shkëputja do të shkatonte krizë financiare.

Marrëdhëniet midis tyre përcaktojnë jo vetëm për momentin, por në periudhë afatgjatë të gjithë ekuilibrat e sistemit ndërkombëtar. Duke qënë se përfaqësojnë dy ekonomitë më të mëdha të botës edhe baticat e zbaticat në mes tyre kanë një ndikim përcaktues në të gjitha ekonomitë e tjera. Në mënyrë vizionare, ish sekretari amerikan i shtetit Henri Kissinger do të nënvizonte kohë më parë se “politika e SHBA ndaj Kinës duhet të marrë një qasje të dyfishtë: të qëndrojë e vendosur mbi parimet e SHBA për të kërkuar respektin e Kinës, duke mbajtur një dialog të vazhdueshëm dhe duke gjetur fusha të bashkëpunimit”.

Duke qënë një ekspert i spikatur i këtyre marrëdhënieve, diplomati Kissinger shprehej në Forumin e Ekonomisë së re “Bloomberg” në Singapor se pas videotakimit Xi-Biden “duhet të pasohen nga diskutime konkrete që çojnë në drejtimin që dy presdientët kanë pohuar se duan të ndjekin” .

Atmosfera e tensionit dhe e kundërshtimeve, të cilat janë ekspozuar shumë në periudhën e ish-presidentit Trump, pas videotakimit të 16 nëntorit shfaqin optimizmin se mund të ndërtohet një kornizë strategjike si për konkurencën, ashtu edhe për menaxhimin e kujdesshëm dhe afatgjatë të problemeve që kanë përballë palët.

Ajo që është nënvizuar në fund të takimit, e cila përmblidhet në “1-2-3-4 “ që do të thotë “një çështje e rëndësishme”; “dy konsensuse” ; “ tre pika “ dhe “ katër përparësi” përmbledh gjithë fokusin mbi të cilën dy presidentët kanë potencuar, por edhe kanë ravijëzuar si shinat nga do ecë e ardhshmja e komunikimit e bashkëveprimit midis dy vendeve, duke respektuar edhe qëndrime të përcaktuara kohë më parë në mes tyre, ku ka edhe vija të kuqe që nuk mund të tejkalohen dhe tolerohen.

Parimi i “ Një Kine” i theksuar me argumente nga presidenti kinez Xi Jinping, i cili do të çojë domosdoshmërisht në ribashkimin e Kinës dhe pohimi i Presidentit Biden se pala amerikane i përmbahet politikës së një “Kine” dhe nuk e mbështet “pavarësinë e Tajvanit”, është traseja e qëndrueshme për të krijuar një marrëdhënie mirëkuptuese mes dy vendeve, në të mirë edhe të paqes globale.

Sigurisht që bisedimet të cilat kanë fokusuar mjaft tema, evidentuan krahas të tjerash atë që presidenti Xi e konsideroi si promovim të katër përparësive të cilat janë të drejtuara: Së pari, të dyja palët duhet të tregojnë përgjegjësinë e fuqive të mëdha dhe të udhëheqin bashkësinë ndërkombëtare për të përballuar sfidat. Së dyti, në frymën e barazisë dhe përfitimeve të ndërsjellta, duhet të nxiten shkëmbimet në të gjitha nivelet e në fusha të ndryshme për të sjellë më shumë energji positive për marrëdhëniet kino-amerikane.

Së treti, të dyja palët duhet të menaxhojnë dallimet dhe çështjet e ndjeshme në mënyrë konstruktive për të parandaluar prishjen dhe daljen jashtë kontrollit të marrëdhënieve kino-amerikane. Së katërti, duhet të forcohen bashkëpunimi dhe bashkërendimi për çështjet kryesore ndërkombëtare dhe rajonale, për të ofruar produkte publike për mbarë botën.

E paraqitur nga Presidenti Xi, kjo platformë shmang atë udhëkryq kritik ku janë sot raportet midis dy vendeve, por fut në shinat e qëndrueshmërisë një raport për të cilin e gjithë bota është e interesuar në mënyrë të veçantë. Kanë kaluar më shumë se 10 ditë që nga takimi dhe jo rastësisht analizat e gazetave më prestigjoze botërore vijojnë të kenë në qëndër atmosferën dhe rrjedhojat që do të vijnë nga mundësia për një klimë tjetër të marëdhënieve Kinë- SHBA.

Ruajtja e dialogut të sinqertë i jep energji pozitive bashkëpunimit të qëndrueshëm, i cili është me ndikim në ruajtjen e të gjithë ekuilibrave globalë.

Gëzim Podgorica