Pak javë kanë mbetur nga data kur do të mbahet ‘Samiti për Demokracinë’ (9-10 dhjetor 2021) i thirrur nga Presidenti amerikan Joe Biden në Uashington por si në asnjë ngjarje me përmasa ndërkombëtare të mbajtura gjatë këtyre dy viteve të fundit të ngarkuar me pasoja katastrofike njerëzore dhe ekonomike si pasojë e pandemisë ku çdo veprimtari ka patur një platformë të qartë nën moton e shpëtimit të njerëzimit nga katastrofa në frymën e solidaritetit e multilateralizmit, takimi i parashikuar amerikan mbetet i veshur me paqartësi të tematikës dhe madje mister të listës së vendeve pjesëmarrëse. Që në krye të bie në sy një përzgjedhje e vendeve pjesëmarrëse në bazë të ndryshimeve ideologjike larg asaj çka kërkojnë kohërat e tanishme tejet të turbullta në botë për solidaritet në fatkeqësi fatale shëndetësore si kjo e tanishmja.

Një dokument i mbiquajtur ‘Menu Ilustrative e Opsioneve’, e cila ka dalë në dritë këto ditë nga shtypi, përfshin si tema potenciale të kësaj mbledhje ‘mbrojtjen kundër autoritarizmit,’ ‘adresimin e luftës kundër korrupsionit’ dhe ‘çuarjen përpara të të drejtave të njeriut’. Kurse më parë në shkurt 2021 Biden shkruante mbi këtë takim të sponsorizuar prej administratës se tij : “Samiti do të fokusohet mbi sfidat dhe mundësitë që kanë përballë demokracitë dhe do të paraqesë një platformë për udhëheqësit që të dy- angazhimet individuale dhe kolektive të mbrojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut brenda vendit dhe jashtë tij”. Por është për tu nënvizuar thirrja e tij se mbrojtja e vlerave demokratike të Amerikës është e pandashme nga avancimi i interesit të saj kombëtar. “Demokracia dhe të drejtat e njeriut janë nën kërcënim në mbarë botën”, jep alarmin Biden.

Nga sa më sipër e sintetizuar në binomin ”mbrojtja e vlerave demokratike të Amerikës është e pandashme nga avancimi i interesit tonë kombëtar” nuk lë vend për të hamendësuar mbi synimet që mbart ky takim i sponsorizuar amerikan. Ai nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e kësaj administratë për të rikthyer SHBA në skenën politike botërore me rolin e tyre të ëndërruar dominues të mëparshëm në botë nën maskën e mbrojtjes ala- amerikane të ‘vlerave demokratike’ që barazohen me interesat e tyre kombëtare.

Por një lexim i vëmendshëm i disa dokumenteve të shpërndara nga mediat botërore dëshmon se më shumë se për ‘demokracinë e popullit’, që është në qendër të të gjithë konventave dhe dokumenteve të tjera të OKB-së, ngjarje të tilla si ky takim vërtiten si përpjekje për krijimin e ‘aleancave demokratike të udhëhequra nga SHBA për të përballuar, sikurse shkruante Politico më 4 nëntor 2021, rritjen e “një vizioni alternativ të internetit si një mjet i kontrollit shtetëror të promovuar nga pushtetet autoritare si Kina dhe Rusia”. Dhe nga çfarë është bërë publike thelbi paraprak i rendit të ditës përfshin ndër të tjera zhvillim të standardeve për privatësi të të dhënave, siguri e të dhënave dhe standarde super të sigurta kibernetike, kurse vendet pjesëmarrëse do të ‘angazhohen’ të jenë të hapur për akses në softuear dhe teknologjitë celulare.

Mirëpo pa filluar takimi shumë vende anëtare po pyesin se si kjo ‘aleancë’ e re do të jetë ndryshe nga Koalicioni i Lirisë Online (Freedom Online Coalition) dhe ata i shqetëson më shumë nëse kjo aleancë do të jetë një fotokopje e FOC-së ekzistuese në të cilën SHBA janë anëtare.

Por, nga ana tjetër, po përforcohet mendimi se ka ikur koha kur një vend, qoftë SHBA, ti identifikojë vendet e tjera në të tërë anët e botes sipas interesave të tyre gjeopolitike se ‘ju jeni demokraci; ju nuk jeni demokraci’. Sigurisht, ky lloj etiketimi ka lënë një shije të hidhur e po shtohen ankesat se Uashingtoni nuk mund ‘të bëjë zgjedhjen se cili vend është demokratik e cili jo’. Kjo ngjet se për shume vende ‘recetat’ demokratike të imponuara nga SHBA kanë krijuar mjaft konflikte në vende të ndryshme, madje edhe në rajone të tëra. Kësisoj nuk është aspak e habitshme që disa vende nuk i janë përgjigjur akoma Uashingtonit nëse do të marrin pjese në një takim të tillë virtual kur në kornizën e OKB-së ka shumë institucione, organizma e mekanizma, që trajtojnë me devotshmëri çështje të demokracisë dhe sigurisë, të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, autokracisë. Mjafton të përmendim sesionin e fundit të radhës të Komisionit për të Drejtat e Njeriut ku shumë vende anëtare ndër të tjera prekën në plagët e ‘pashëruara’ edhe të demokracisë amerikane, duke iu kthyer edhe popullsisë indigjene indiane e diskriminuar në mënyrën më çnjerëzore historikisht.

Nuk i shpëton syrit në materialet që qarkullojnë për këtë takim fjalia ‘urdhërore’ si SHBA u kërkojnë vendeve të ndryshme të mbledhin një komision të përbashkët të shoqërisë civile-zbatuesve të ligjit, i cili të trajtojë çështjet e të drejtave të njeriut . Madje, sipas njoftimeve, mund të kërkohet një vend në komitetin e OKB-së që merret me OJQ-të si një mënyrë për të kundërballancuar influencën e ‘qeverive autoritative’.

Konfuzioni i krijuar rreth këtij takimi ka bërë që disa aleatë amerikanë të heshtin e madje të dyshojnë nëse po marrin pjesë në një eveniment për demokracinë apo në një të ashtuquajtur ‘aleancë teknologjike’ të llojit të ri për t’iu kundërvënë të ‘padëshiruarve’.

Vendet dhe popujt e botës nuk kanë nevojë për aleanca të reja, të cilat përçojnë interesa të disa fuqive perëndimore në luftën e tyre për rivendosje të sundimit të tyre nën maska më të sofistikuara kur balancat në raportet ndërkombëtare po ndryshojnë duke preciptuar si pasojë e krizës pandemike.

Para sfidave të përbashkëta të sotme me të cilat po përballet njerëzimi ka gjëra tejet parësore që kanë të bëjnë, e thënë drejtpërdrejtë, me shpëtimin e rruzullit tokësor që është i kërcënuar. Së pari, sikurse tregojnë të dhënat vazhdimisht të përditësuara pandemia po godet me një valë tjetër tërë Evropën dhe shumë vende po u kthehen kufizimeve, deri në karantina lokale. Gjendja është akoma më dramatike në vendet e varfra në zhvillim ku mungesa në pajisje mjekësore dhe vaksina është e frikshme. Këtij aspekti fatal i shtohet rënia ekonomike dhe një rritje e pandalshme e varfërisë, çka u vu në dukje me shqetësim edhe në takimin e nivelit të lartë të G20-tës në Romë.

Kur Uashingtoni thotë se ka rëndësi për të çfarë bëjnë demokracitë në vende të tjera menjëherë të lind pyetja: A ia bëjnë ndonjë herë këtë pyetje vetes kur hiqen si kampionë të demokracisë, e lirive dhe të drejtave të njeriut? Shumë ngjarje të afërta për të mos u kthyer më përpara në kohë jo ja kanë krisur por ja kanë kanë rrënuar themelet ‘karabinasë’ amerikane, që arriti kulmin me sulmin mbi Capitol më 6 janar 2021 nga mbështetësit e ish- presidentit Donald Trump, i cili vazhdon të akuzojë për pushtetin e vjedhur nga presidenti aktual Joe Biden. A mund të quhet ky shembull pozitiv për të tjerët, e në këtë kontekst edhe aleatët më të ngushtë akoma nuk a kanë kapërdirë atë akt tragjik të luajtur në skenën e demokracisë së ‘kulluar’.

"Në të gjitha komunikimet tona diplomatike rreth samitit, ne po fillojmë nga një vend i përulësisë dhe duke pranuar se asnjë demokraci, përfshirë natyrisht Shtetet e Bashkuara, nuk është e përsosur," tha një zyrtar i administratës. Nga ana tjetër, kërkohet që SHBA të ndërmarrë angazhimet e veta sepse askush nuk e fsheh skepticizmin për ‘shëndetin’ e demokracisë së tyre. “Pas humbjes së zgjedhjeve të nëntorit 2020 ndaj Bidenit, pretendimet e rreme të Trump për mashtrim i hapën rrugën sulmit të 6 janarit të mbështetësve të tij në Capitol të SHBA-së, një episod i paprecedentë që habiti qeveritë e huaja dhe liderët autoritarë për të vënë në pikëpyetje me arsye qëndrueshmërinë e demokracisë amerikane”, tha nje zyrtar amerikan ne kushtet e anonimetit.

Duke ndjekur metodikën e organizimit ndjekur prej iniciatorëve të ‘Samitit për Demokracinë’ natyrshëm lind pyetja: përse kjo ndarje me thikë të prerë e botës në ‘demokratike’ dhe ‘autokratike’ në shekullin e 21? A ka të drejtë një vend me pasuesit e tij të gjykojë vendet e tjerë si jo demokratikë?

Demokracia është një e drejtë që gëzojnë njerëzit e të gjitha vendeve, jo një e drejtë e veçantë e rezervuar për një vend individual, deklaroi Presidenti i Republikes Popullore të Kinës Xi Jinping në një fjalim më 13 tetor 2021. "Ka shumë mënyra për të arritur demokracinë dhe nuk ka një model të përshtatshëm për të gjithë", vuri në dukje Xi. Është jodemokratike në vetvete të përdorësh një matës të vetëm për të përcaktuar sistemet e ndryshme politike të botës dhe të shqyrtosh civilizimin e pasur politik të njerëzimit me një sy monoton, tha ai.

Realiteti tregon se vlerësimin nëse një vend është demokratik apo jo duhet të bëhet nga populli i tij, jo me dylbi nga një pjesë e vogël e të tjerëve dhe nga ana tjetër nëse një anëtar i bashkësisë ndërkombëtare është demokratik apo jo, duhet të gjykohet nga bashkësia ndërkombëtare së bashku, jo nga një pakicë vetëdrejtësie.

Kësisoj jeta po e provon fuqishëm se demokracia popullore në të gjithë procesin në Kinë ka qënë funksionale dhe novatore dhe gjykimin për këtë e jep vetë populli me arritjet e vendit te vet.

Jeta e shtetasve kinezë është përmirësuar në të gjitha fushat dhe vendi ruan një stabilitet social afatgjatë, sipas një rezolute historike të publikuar në Pekin më 16 nëntor 2021. Pjesëmarrja e publikut në qeverisjen sociale po rritet dhe qeverisja sociale po bëhet më e zgjuar, më e bazuar në ligj dhe më e specializuar që nga Kongresi i 18-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës, citon “Xinhua”. Sipas rezolutës, Kina ka vazhduar të zhvillojë një atmosferë të shëndoshë në të cilën njerëzit janë në gjendje të jetojnë dhe të punojnë në paqe dhe kënaqësi dhe të mbizotërojë stabiliteti dhe rendi social.

Rezoluta u shqyrtua dhe u miratua në plenumin e gjashtë të Komitetit Qendror të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës. Ajo vë në dukje eliminimin e varfërisë absolute në Kinë dhe arritjet kryesore strategjike në luftën kundër Covid-19. Në të thuhet se Kina po ndërmerr gjithashtu hapa për të parandaluar dhe luftuar dhunën dhe terrorizmin, llojet e reja të krimit kibernetik dhe krimin transnacional.

Konkretisht, sepse është temë shumë sensitive, zhdukja e varfërisë absolute në të gjithë Kinën si dhe ndërtimi i një shoqërie relativisht të begatë në të gjitha aspektet e shpallur më 1 korrik të këtij viti janë arritje për popullin e jo zbukurim për propagandë. Në fund të vitit 2020 e gjithë popullsia prej 99 milionë banorësh të varfër në zonat rurale doli nga varfëria dhe shifrat zyrtare tregojnë se rreth 750 milionë kinezë dolën nga varfëria absolute gjatë 4 dekadave të fundit një shifër që është sa gati tre të katërtat e numrit global gjatë asaj periudhe në mbarë botën. E ndër 6 objektivat e agjendës së OKB-së 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm të miratuar nga të gjithë vendet anëtare të saj në krye është objektivi i zhdukjes së varfërisë dhe urisë çka demokracia popullore kineze e realizoi në mënyrë të mrekullueshme 10 vite para afatit!

Nuk janë të braktisur e në mëshirë të fatit të moshuarit në Kinë çka dëshmon për një aspekt tjetër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Sipas të dhënave statistikore mbi popullsinë, në Kinë ka 264 milionë njerëz mbi moshën 60-vjeçare dhe 191 milionë mbi moshën 65-vjeçare, të cilët përbëjnë përkatësisht 18.7% dhe 13.5% të popullsisë së përgjithshme të vendit. Në prag të Ditës së të Moshuarve të Kinës Presidenti Xi dha një udhëzim mbi punët në lidhje me të moshuarit më 14 tetor duke u bërë thirrje niveleve të ndryshme të pushtetit t'i kushtojnë rëndësi të madhe punës në lidhje me plakjen e popullsisë.

Është kuptimplotë një artikull i publikuar në uebsajtin e gazetës spanjolle “El País” më 14 nëntor 2021, i cili vinte në dukje se demokracia nuk është “patentë” e vendeve perëndimore dhe çdo vend ka të drejtë të zgjedhë rrugën e vet për zhvillimin e demokracisë. “Gjatë 100 vjetëve të kaluar, rruga e demokracisë popullore gjatë të gjithë procesit në Kinë theu “mitin e demokracisë” të vendeve perëndimore dhe u shërben si përvojë vendeve në zhvillim në kërkimin e modelit të demokracisë në përputhje me gjendjen konkrete të brendshme”, thekson gazeta spanjolle.

Veç anës propagandistike nuk pritet që ‘Samiti për Demokracinë’ të sjellë ndonjë gjë konkrete në funksion të zbatimit dhe zhvillimit të demokracinë së popullit dhe për popullin sepse pa nisur punimet duket qartë aspekti i politizuar dhe përçarës i saj me angazhimin e sa më shumë aletëve të saj besnikë amerikanë në bazë të tendencave ideologjike. Por sikurse vinte në dukje një analist shumë vende aleate ndjehen të lehtësuar se asnjë nga angazhimet në çdo dokument të takimit nuk është ndërkombëtarisht detyrues për askënd.

Në hyrje të Kartës së OKB-së më 1945 theksohej “Ne popujt e Kombeve të Bashkuara…”, dhe janë pikërisht popujt që vendosin për fatin e tyre; ata janë zot i vetes dhe si të tillë ata zgjedhin dhe zhvillojnë sistemin e tyre demokratik në të mirë të tyre dhe të interesave kombëtare të vendit. Nga ana tjetër, OKB-ja është dhe do të jetë institucioni pan- botëror, ku dëgjohet zëri i të gjithë vendeve anëtare, të mëdhenj dhe më të vegjël, ku diskutohet e vlerësohet si e sa demokratike janë sistemet e vendeve anëtare, sa i respektojnë ata liritë dhe të drejtat e njeriut. Ka mbaruar koha e super arbitrave që bëjnë përcaktimet: ‘Ju jeni demokraci; ju nuk jeni demokraci’!

Genc Mlloja