Parku pyjor shtetëror Saihanba në Chengde, provinca Hebei në Kinën veriore, (Xinhuanet)

Parku pyjor shtetëror Saihanba në Chengde, provinca Hebei në Kinën veriore, (Xinhuanet)

Pa pyje, sfida jonë e ngrohjes globale do të ishte e paarritshme që në fillim. Por t'u besosh pyjeve vetëm çdo shpresë për reduktimin e emetimeve të dyoksidit të karbonit është jo vetëm joreale, por edhe kundërproduktive. Para së gjithash, sepse përpjekjet për pyllëzim, pra për shndërrimin e zonave që nuk ishin më parë pyje, rrezikojnë të devijojnë nga nevoja parësore për të hequr dorë nga lëndët djegëse fosile; dhe së dyti sepse, siç tregojnë dy studime të fundit, mbulimi i sipërfaqeve të mëdha të tokës me pemë të reja mund të çojë në rezultate të kundërta në krahasim me qëllimet e mira fillestare.

Falë fotosintezës, pyjet grumbullojnë karbon në gjethe, te drunjtë, në rrënjë dhe në tokë, duke thithur pothuajse 30% të emetimeve antropogjene të dyoksidit të karbonit. Kjo është arsyeja pse shumë vende i kanë bërë përpjekjet për rigjenerimin e pyjeve elementin kryesor të angazhimit të tyre ndaj ndryshimeve klimaterike.

Në të parin nga dy studimet, të botuar në “Nature Sustainability”, shkencëtarët nga Universiteti i Kalifornisë në Santa Barbara dhe “Stanford” analizuan karakteristikat e bimëve të përdorura në projektet e pyllëzimit, si dhe llojin e stimujve të parashikuar për këto operacione. Në veçanti, u ndoq rasti i Kilit, ku një ligj mbulonte 75% të kostove të mbjelljes së pemëve të reja nga viti 1974 deri në 2012, në atë që u konsiderua si një maxi projekt për zgjerimin e sipërfaqeve pyjore.

Megjithëse dekreti kilian nuk kishte të bënte me pyjet ekzistuese, por vetëm me zonat fillimisht pa pemë, stimujt kanë nxitur disa fermerë të presin pyjet vendase, të cilat janë më të pasura në biodiversitet dhe më efikas në sekuestrimin e karbonit, për të krijuar vend për plantacione të reja.

Në shumë raste, projektet e pyllëzimit përfshijnë mbjelljen e monokulturave të bimëve që prodhojnë fruta ose produkte të tjera të dobishme. Por, në këtë mënyrë rrezikohet të prishet diversiteti i specieve dhe pasuria e pyjeve origjinale.

"Subvencionet për pyjet në Kili ndoshta kanë ulur biodiversitetin pa rritur totalin e karbonit të kapur në biomasë mbi tokë", -shkruajnë studiuesit. Prandaj, projektet e ripyllëzimit duhet të hartohen me kujdes, në mënyrë që mos të rrezikojnë të thithin më pak dyoksid karboni se më parë dhe në të njëjtën kohë të shpërdorohen paratë publike.

Studimi i dytë shqyrtoi më në detaje sasinë e CO2 atmosferik të përthithur nga pyjet e reja, një vlerë që zakonisht konsiderohet e fiksuar në modelet klimatike, por që, siç dyshojnë autorët, mund të varet në fakt nga kushtet lokale të tokës.

Zonë pyjore në Virxhinia, SHBA, (Blogspot)

Zonë pyjore në Virxhinia, SHBA, (Blogspot)

Ekipi i studiuesve nga SHBA dhe Kina analizoi 11.000 mostra dheu të nxjerra nga disa pyje të reja në Kinën veriore. Në vitet e fundit, ky rajon ka qenë fokusi i punës masive të pyllëzimit si për të luftuar ndryshimet klimaterike, ashtu dhe për të reduktuar me ndihmën e bimësisë pluhurin e shkretëtirës së Gobit.

Ekipi mati densitetin e karbonit të pranishëm në tokë dhe zbuloi se, aty ku toka ishte fillimisht e pasur me karbon, mbjellja e pemëve të reja reduktoi dendësinë e kësaj substance. Nga ana tjetër, ku toka fillimisht ishte e ulët në karbon, mbjellja e pyjeve të reja ka pasuruar dendësinë e këtij elementi. Prandaj, është e mundur që vlerësimet e kapacitetit të sekuestrimit të karbonit të tokës në pyjet e zhvilluara deri më tani të kenë qenë shumë bujare. Ky studim u botua gjithashtu në “Nature Sustainability”.

Përfundimi që del nga dy studimet, theksojnë shkencëtarët, qëndron në kompleksitet: projektet e pyllëzimit duhet të kenë parasysh një sërë variablash, ekuilibra të ekosistemit dhe detaje teknike. Nuk mund të mendojmë se të njëjtat udhëzime vlejnë për të gjithë dhe as që pyjet vetëm e zgjidhin krizën klimatike.

Metodat për të luftuar ndryshimet klimaterike përfshijnë gjithashtu mbrojtjen e bimësisë ekzistuese. Rritja e pemëve ndodh duke thithur dyoksid karboni dhe kjo na ndihmon të përpiqemi të frenojmë rritjen e temperaturës mesatare globale.

Shkaku kryesor i ndryshimeve klimaterike është ngrohja globale, një fenomen i lidhur me gazet serrë, të cilët duke mbetur të bllokuar në atmosferë, parandalojnë daljen e nxehtësisë dhe kontribuojnë në rritjen e temperaturës botërore. Është një fenomen i njohur si efekti serrë, i shkaktuar nga aktivitete të ndryshme që i atribuohen njeriut duke përfshirë përdorimin e lëndëve djegëse fosile, shpyllëzimin dhe bujqësinë.

Për ekspertët, dyoksidi i karbonit është gazi serrë më i dëmshëm për klimën e tokës, si dhe është shkaktari kryesor i ngrohjes globale. Sipas Bashkimit Evropian, niveli i përqendrimit të CO2-shit në vitin 2020 ishte 48% më i lartë se niveli paraindustrial i vitit 1750. Të rrezikshëm janë edhe gazet e tjerë, por efektet e tyre konsiderohen më pak të dëmshme, pasi qëndrimi i tyre në atmosferë është më i shkurtër, siç është metani.

Në veçanti, shkaqet e ndryshimeve klimaterike i atribuohen aktiviteteve të ndryshme, si prodhimi i energjisë elektrike nga lëndët djegëse fosile, nafta, gazi natyror dhe qymyri, një operacion që shkakton emetime të vazhdueshme të dyoksidit të karbonit dhe oksideve të azotit.

E njëjta gjë ndodh me përdorimin e gazit, naftës dhe benzinës për transportin publik dhe privat, ose për pastrimin e pyjeve për të pasur toka të reja për blegtorinë, të mbjellat dhe vendbanimet urbane dhe industriale.

Një kryqëzim rrugësh mes pyllit në Zvicër, (Helvetia)

Një kryqëzim rrugësh mes pyllit në Zvicër, (Helvetia)

Detyra kryesore në luftën kundër ndryshimeve klimaterike është e institucioneve, të cilat duhet të planifikojnë strategjitë më të mira për reduktimin e këtyre fenomeneve dhe gjetjen e burimeve për shndërrimin e shoqërisë në një model më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.

Në këtë fushë, Bashkimi Evropian krenohet me një program vërtet ambicioz, me synimin për ta bërë kontinentin një zonë neutrale klimaterike deri në vitin 2050, me ndërtimin e një ekonomie elastike sipas objektivave të përcaktuara në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane.

Objektivi i ri për vitin 2030 parashikon një ulje prej 55% të emetimeve të gazeve serrë në krahasim me nivelet e vitit 1990, me një nivel minimal jo më pak se 40%, përveç rritjes me të paktën 32% të burimeve të rinovueshme dhe rritjes me 32% të efikasitetit të energjisë.

Plani nuk bazohet vetëm në rritjen e përdorimit të energjisë së gjelbër, por edhe në ndërhyrje si përdorimi korrekt i tokave pjellore, ripyllëzimi i zonave të braktisura dhe zhvillimi i burimeve të reja të energjisë së pastër.


Përgatiti: Irma Paloli