Më 11 Dhjetor 2001, Kina është pranuar zyrtarisht në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Arritjet e saj që atëherë kanë qenë të jashtëzakonshme. Prodhimi i Brendshëm Bruto i Kinës në vitin 2001 ishte rreth 13% e atij të SHBA. Njëzet vjet më vonë, ky raport ka arritur në 70%. Në vitin 2020 ekonomia e Kinës renditet e dyta mbas asaj të SHBA. Prodhimi i Brendshëm Bruto i Kinës arrin në 14 736 miliard dollarë amerikanë, ndërsa i SHBA në 21 039 miliard dollarë amerikanë. Në vitin 2001, Kina ishte eksportuesja e gjashtë e mallrave në botë. Që nga viti 2009, ajo ka qenë eksportuesja më e madhe në botë e mallrave, duke tejkaluar edhe bllokun e BE-së nga viti 2014 e tutje. Aktualisht Kina është kontribuuesja më e madhe në tregtinë globale. Në vitin 2020 Kina zë vendin e pare në botë të tregtisë së mallrave dhe shërbimeve.

Totali i importeve dhe eksporteve të mallrave dhe shërbimeve në vitin 2020 janë 5 309 miliardë $ amerikanë ndërsa të SHBA janë 5 004 miliardë $ amerikanë. Eksportet dhe importet e mallrave llogariten në 4 647 miliardë dollarë amerikanë me një suficit tregtar prej 535 miliardë dollarë amerikanë. Eksportet dhe importet e mallrave të SHBA llogariten në 3 838 miliardë $ amerikanë me një deficit tregtar në 976 miliardë dollarë amerikanë. Në vitin 2020 pavarësisht pandemisë investimet e huaja direkte të Kinës jashtë vendit kanë arritur në 153.7 miliardë dollarë amerikanë duke e renditur atë në vendin e parë në nivel global. Rreth 22.5 miliardë dollarë amerikanë u investuan në vendet përgjatë iniciativës Një Brez Një Rrugë në 2020. Stoku i investimeve direkte të Kinës në fund të vitit 2020 arrin në rreth 2 580 miliardë dollarë amerikanë duke e renditur në vendin e tretë në botë mbas SHBA dhe Holandës. Kina është bërë një nga tre eksportuesit më të mëdhenj të kapitalit në nivel global me pjesëmarrje prej 6.6% të aksioneve totale. Deri në fund të vitit 2020, më shumë se 80 për qind e vendeve dhe rajoneve në mbarë botën kanë marrë investime nga Kina.

Burimi : World Economic Outlook, IMF, October 2021 and UNCTAD 2020

Burimi : World Economic Outlook, IMF, October 2021 and UNCTAD 2020

Indeksi i çmimeve të konsumit po tregon një rritje të shpejtë në të gjitha ekonomitë. Në një masë të madhe, rritja e inflacionit pasqyron një kombinim të mospërputhjes së ofertës me kërkesën dhe ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit të shkaktuara nga pandemia, si dhe të rritjes së çmimeve të lëndëve të para. Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitin 2021 çmimi i naftës pritet të rritej afërsisht 60 përqind mbi bazën e tyre më të ulët të vitit 2020. Ndërsa çmimet e mallrave të tjera pritet të rriten rreth 30 përqind duke reflektuar rritje veçanërisht të lartë të çmimeve të metaleve dhe ushqimeve. Rritja e çmimeve të ushqimeve ka tentuar të përqendrohet në vende ku siguria ushqimore është e ulët. Indeksi i çmimeve të konsumit në Kinë në vitet 2020 dhe parashikimi për 2021 mbetet relativisht i stabilizuar dhe i ulët krahasuar me ekonomitë në nivel global. Kina është jo vetëm kontribuuese kryesore e rritjes ekonomike në nivel global, por dhe i zbutjes së presioneve inflacioniste.

Burimi : World Economic Outlook, IMF, 2021

Burimi : World Economic Outlook, IMF, 2021

Globalizimi dhe rritja e fuqisë prodhuese të Kinës, pas hyrjes së saj në Organizatën Botërore të Tregtisë në veçanti, është konsideruar si faktor i nivelit të ulët dhe të qëndrueshëm të inflacionit në rang global gjatë dy dekadave të fundit. Nëpërmjet politikave të saj të kërkesës dhe ofertës si dhe të politikave industriale, ekonomia kineze ndikon si në nivelin e inflacionit të brendshëm edhe të atij global. Kërkesa kineze luan një rol po aq të rëndësishëm, nëse më shumë, në raport me ofertën kineze në tregjet globale të mallrave. Kina përfaqëson pothuajse të gjithë rritjen e kërkesës globale për metale gjatë 20 viteve të fundit, dhe tre të katërtat e saj janë për konsum të brendshëm. Zgjerimi i shpejtë i infrastrukturës, i banesave dhe automjeteve, ka një ndikim në tregjet globale të mallrave. Ky ndikim i atribuohet kërkesës së Kinës dhe jo ofertës së saj. Shitjet e reja të makinave në Kinë ishin vetëm 11% e atyre të SHBA-së në vitin 2000. Megjithatë, vitet e fundit ato janë 60% mbi shitjet e makinave të reja në SHBA. Ritmi i shpejtë i urbanizimit, i parë në Kinë gjatë dy dekadave të fundit, është shoqëruar me rritje të fortë në ndërtimin dhe shitjet e banesave. Gjatë viteve të fundit, afërsisht 16 milionë apartamente të reja të ndërtuara shiten në Kinë çdo vit, krahasuar me rreth 1 milion në vit në SHBA.

Në anën e ofertës, rritja e inflacionit në vend shkakton gjithashtu shqetësime globale. Inflacioni në rritje i ardhur nga prodhuesit po ushqen presionin në rritje në nivel global. Kina si furnizuesi kryesor në botë i mallrave të konsumit dhe rëndësinë e saj në zinxhirin e furnizimit luan një rol të rëndësishëm në frenimin e rritjes së inflacionit global. Prodhuesit kinezë me politikën e tyre synojnë të mos humbasin pjesën e tregut global duke rritur prodhimin dhe reduktuar kostot. Pandemia COVID shërben si një shembull i mirë. Përhapja e virusit u përkeqësua shpejt në vendet e tjera në tremujorin e dytë 2020, duke rezultuar në rritjen e kërkesës për mallra të natyrës për mbrojtjen personale dhe produkte pune nga shtëpia si kompjuter, etj., Eksportuesit kinezë ishin të shpejtë për të rregulluar prodhimin dhe për të përmbushur kërkesën për këto mallra. Kina nuk përfitoi nga kërkesa e lartë për këto produkte për të rritur çmimet pavarësisht rritjes së indeksit të çmimeve të prodhimit. Një tregues i kësaj politike është dhe zhvillimi i indeksit të çmimeve të konsumit në raport me indeksin e çmimeve të prodhimit. Ndërsa indeksi i çmimeve të prodhimit industrial në tetor të viti 2021 u rrit në 13.5 përqind nga viti në vit, indeksi i çmimeve të konsumit u rrit në 1.5%.

Në rang global përgjithësisht kriza Covid-19 ka përkeqësuar perspektivën e prodhimit pasi ka ndërprerë zinxhirët e furnizimit. Megjithatë treguesit kryesorë ekonomikë të Kinës gjatë vitit 2021 nuk kanë treguar ndonjë tkurrje ose thyerje të zinxhirëve të furnizimit. Kërkesa e brendshme dhe e jashtme është në rritje. Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikës, rritja ekonomike në vitin 2021 vazhdon me ritme të larta. Në tremujorin e tretë prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 4.9 përqind nga viti në vit, në tremujorin e dytë u rrit në 7.9 përqind dhe në tremujorin e parë në 18.3 përqind. Investimet e huaja direkte të Kinës jashtë vendit arritën në 71.4 miliardë dollarë amerikanë në gjysmën e parë të 2021 ose 12.3 përqind më shumë krahasuar me gjysmën e parë të 2020. Europa ishte destinacioni kryesor i Kinës jashtë vendit në gjysmën e parë të vitit me një rritje në 210 përqind rritje nga viti në vit. Parashikimi është që investimet totale të huaja jashtë vendit në 2021 do të arrijnë në 160 miliardë dollarë amerikanë, duke tejkaluar nivelin e vitit 2020. Në dhjetë muajt e parë, vlera totale e importeve dhe eksporteve të mallrave ishte 31,673 miliardë juanë, me një rritje prej 22.2 përqind nga viti në vit. Vlera e eksporteve ishte 17,489 miliardë juanë, me 22,5 përqind në rritje nga viti në vit, dhe vlera e importeve ishte 14,183,5 miliardë juanë, me një rritje 21,8 përqind nga viti në vit. SHBA mbeti partneri më i madh tregtar i Kinës. Megjithë luftën tregtare dhe pandeminë, e cila uli rëndë kërkesën, tregtia dypalëshe kino-amerikane ka vazhduar të rritet. Në shtator eksportet u rritën me rreth 30% nga një vit më parë, ndërsa importet u rritën me pak më pak se 17%.. Ndërsa në terma vjetore në shtator eksportet e Kinës u rritën 28.1% nga viti në vit.

E nxitur nga një vizion i ri zhvillimi, ekonomia kineze po kalon nga një rritje e shpejtë në zhvillim me cilësi të lartë. Kina është bërë një stabilizues dhe forcë lëvizëse e madhe për ekonominë botërore. Në vitin 2001, Kina u anëtarësua në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe ky ishte një moment historik në integrimin e Kinës në ekonominë globale. Që nga anëtarësimi në OBT Kina ka dhënë një kontribut të madh në ekonominë dhe tregtinë globale. Ndërsa në vitin 2001 eksportet e Kinës përfaqësonin rreth 3.9 përqind të eksporteve globale, ato kanë arritur në 14.7 përqind në vitin 2020. Kina është partner kryesor tregtar i mbi 120 vendeve. Që kur Kina u anëtarësua në Organizatën Botërore të Tregtisë, ajo ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të reformuar ekonominë socialiste të tregut dhe sistemin ligjor. Pas anëtarësimit të saj, Kina filloi përpjekje të mëdha për të rishikuar ligjet dhe rregulloret përkatëse, duke përfshirë 2,300 ligje, dhe rregullore në nivel të qeverisë qendrore, si dhe 190,000 rregullore në nivelet e qeverisë lokale që mbulojnë tregtinë, investimet, mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Kina kishte përmbushur të gjitha angazhimet e saj për uljen e tarifave, duke ulur nivelin mesatar të tarifave nga 15.3 përqind në 2001 në 7.4 përqind.

Nga viti 2005, Kina filloi heqjen e kërkesave për kuota dhe licensim nga shumica e importeve, dhe vetëm një numër i kufizuar produktesh tani i nënshtrohen kontrollit të licensimit të importit. Sipas katalogut të viti 2019 të mallrave që i nënshtrohen administrimit të licensës së importit janë vetëm dy kategori mallrash – substancat që shkatërrojnë ozonin dhe produktet mekanike dhe elektronike kryesore të përdorura. Për të diversifikuar njësitë ekonomike dhe për të stimuluar angazhimin në tregtinë e jashtme, Kina zëvendësoi sistemin e miratimit me sistemin e regjistrimit për autorizimin e tregtisë së jashtme, duke çliruar energji të jashtëzakonshme të bizneseve private që ka çuar në një rritje të tregtisë së jashtme në sektorin privat. Kompanitë private janë bërë aktorë të rëndësishëm në tregtinë e jashtme të Kinës. Sektori privat është një burim i madh i të ardhurave nga taksat dhe investimeve të aseteve fikse, si dhe një kontribuues kryesor në tregtinë e jashtme. Deri në fund të vitit 2019, numri i ndërmarrjeve private ishte rritur në rreth 19.81 milionë, duke zënë 93.9 përqind të totalit të ndërmarrjeve në Kinë. Sektori privat siguron më shumë se 80 përqind të vendeve të punës dhe përbën mbi 60 përqind të të ardhurave tatimore, 55.7 përqind të investimeve të aseteve fikse dhe 46.6 përqind të tregtisë së jashtme. Kina ka ulur hap pas hapi pragun e hyrjes së investimeve të huaja. Janë hequr kufizimet gjeografike dhe sasiore për shërbimet dhe ka zgjeruar vazhdimisht hapësirën e biznesit. Kina ka lejuar sipërmarrje tërësisht të huaja në 54 nënsektorë si shërbimet bankare dhe të sigurimit, dhe ka lejuar pronësinë e shumicës së huaj në 23 nënsektorë, si shërbimet kompjuterike. Që nga anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë, Kina ka formuluar dhe përmirësuar ligjet dhe rregulloret e saj për mbrojtjen e pronësisë intelektuale duke u mbështetur në praktikat e avancuara legjislative ndërkombëtare dhe ka ndërtuar një sistem ligjor që përputhet me rregullat e OBT-së dhe i përshtatet kushteve kombëtare. të Kinës. Është rritur roli dominues i gjyqësorit në mbrojtjen e pronësisë intelektuale duke rritur ndjeshëm koston për shkelësit.

Në rishikimin e politikës tregtare të Kinës më 20 tetor të vitit 2021, Ministri i Tregtisë i Kinës, Z. Wang Wentao, ka nënvizuar se : “Kina mbështet reformën e nevojshme të OBT-së me qëllim të përmirësimit të rregullave të saj, forcimit të efikasitetit dhe autoritetit të sistemit tregtar shumëpalësh dhe mbrojtjes së të drejtave, interesave të vendeve anëtare në zhvillim”. Gjatë viteve, Kina ka mbrojtur në mënyrë aktive tregtinë e lirë globale, ka ruajtur rregullat e tregtisë së Organizatës Botërore të Tregtisë dhe ka mbrojtur multilateralizmin kundër politikave të unilateralizmit dhe proteksionizmit. Së pari, Kina ka zbatuar rregullat e OBT-së, duke reformuar ligjet dhe rregulloret e saj sipas parimeve të ekonomisë së tregut dhe ka ndërtuar një sistem ligjor në përputhje me rregullat e tregtisë shumëpalëshe; së dyti, ajo ka qenë mbështetëse e një mekanizmi efektiv të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së; dhe së treti Kina ka mbështetur gjithmonë mekanizmat multilateralë dhe rajonalë me qellim që vendet në zhvillim të kenë një rol dhe mbështetje më të madhe.

Prof. Dr. Petraq Milo