Megjithëse shenjat e para janë optimiste që Partia Socialdemokrate gjermane po krijon një kohezion bashkëpunimi të mundshëm me të Gjelbërit dhe Liberalët, për një koalicion të qëndrueshëm dhe mundësinë e formimit të qeverisë përpara Krishtlindjeve, problemet të cilat trashëgon nga e kaluara Gjermania, sjellin një sërë pikëpyetjesh. Takimet e para kanë qënë shumë konfidenciale dhe me pak informacione për publikun që pret se si do konturohet qeverisja e ardhëshme, por ditët e fundit janë dhënë sinjale të dërguara jo rastësisht se ka shenja optimizmi për mirëkuptim midis Socialdemokratëve, të Gjelbërve dhe Liberalëve.

Në pritje të qeverisë së re gjermane (DW)

Në pritje të qeverisë së re gjermane (DW)

Zgjedhja në seancën konstituive të 26 tetorit e politikanes së SPD-së, Barbel Bas, Presidente e Bundestagut me 576 vota pro nga 726 të vlefshme, një numër i lartë votash dha sinjalin e parë të një koalicioni që i ka shenjat për t’u dakordësuar. Bas u shpreh se ky Bundestag është veçanërisht i ri dhe ky “ është një shans për të gjithë”. Deri tek formimi i qeverisë duket ende një rrugë e gjatë, pavarësisht entusiazmit të parë që erdhi me zgjedhjen në shumicë dërmuese të Bas.

Kandidati për kancelar Olaf Scholz, shumë i kursyer në media, ka potencuar për publikun dakordësinë e parë themelore midis tre subjekteve potencialisht bashkëqeverisëse: modernizimin industrial, mbështetur mbi një koncept të ri, më të avancuarin e të gjithë kohrave dhe të domosdoshëm për një ndryshim thelbësor të ekonomisë gjermane. Në themel të diskutimeve të deritanishme nuk janë postet qeverisëse, por bazat programore ku do të mundësohet qeverisja e ardhshme. Pikat e takimit nuk do të jenë aspak të lehta për t’u arritur, aq më terpër që diferencat midis të Gjelbërve dhe Liberalëve të afishuara edhe gjatë fushatës, janë të ndjeshme.

Konsultimet e deritanishme kanë arritur në mirëkuptimin për mbajtjen në nivelin e tanishëm të taksave për të ardhurat, sipërmarrjen dhe TVSH-në. Gjetja e këtij konsensusi në këtë çështje, shënon një hap të konsiderueshëm në ecjen përpara të bisedimeve.

Liderët e partive kryesore gjermane (Albanian Post)

Liderët e partive kryesore gjermane (Albanian Post)

Ekonomia me e madhe e Evropës në këtë kohë ndryshimesh e ballafaqimesh të mëdha, ka patur megjithë arritjet e mëdha në periudhën Merkel, edhe disa probleme, të cilat përpara koalicionit të ri përbëjnë një ekuacion jo të lehtë për t’u zgjidhur. Infrastruktura dhe digjitalizimi, të cilat një dekadë më parë merreshin si referencë nga Gjermania, kanë patur një ritëm të ulët dhe trashëgojnë një sërë problemesh. Në grupin e G20–ës Gjermania renditet në vendin e 18 –të përsa i takon aspektit të digjitalizimit. Komunikimi mobile 5 G, i cili mundëson një impakt të fuqishëm zhvillimi në bizneset, ka një ritëm të ulët në shtrirjen e tij duke dhënë efekte negative në ekonomi. Kur pritej dhe konsiderohej domodoshmëri shtrirja e komunikimit mobile 5G, kjo gjë nuk ka ndodhur.

Problem mbetet edhe mungesa e specialistëve të IT, pavarësisht se Gjermania është përpjekur të jetë e hapur për të marrë specialist edhe nga jashtë saj, ashtu si edhe në disa fusha të tjera. Plakja e shoqërisë do të përbëjë një kërcënim të shpejtë për ekonominë gjermane, pasi kancelarja në largim nuk ka ndërmarrë hapa konkrete në reformimin e sistemit publik të pensioneve dhe për të patur rregulla më fleksibile për migracionin. E spikatur për zemërgjerësinë e saj sociale ndaj migracionit, zonja Merkel ka qënë e ngrurtë në mbështetjen e hapave ligjorë që do e përshtasnin më natyrshëm situatën që zgjidh jo vetëm një moment social të njerëzve të traumatizuar, por edhe të nevojave perspektive të vendit për fuqi punëtore pothuaj në të gjithë sektorët. Tkurrja e fuqisë punëtore që pritet të ndodhë pas vitit 2023, do të ndikojë në uljen e prodhimit ekonomik.

Parlamenti gjerman (Iliria News Agency)

Parlamenti gjerman (Iliria News Agency)

Po ashtu industria e makinave që ka një peshë specifike të lartë në ekonominë gjermane brenda, por edhe jashtë territorit të saj, do të jetë një dhimbje koke e shtuar për qeverinë në ardhje. Mungesa e çipave jo pak ka rënduar në ritmin e duhur të prodhimit, aq më shumë që pas periudhës pandemike synohej të kishte mjë ritëm të shtuar në këtë sektor. 2/3 e kompanive industriale kanë shfaqur vështirësi në sigurimin e lëndëve të para dhe atyre ndërmjetëse.

Gjatë viteve të fundit janë rritur sektorët me paga të ulta, është shtuar pabarazia në të ardhura dhe varfëria e fëmijëve. Politika në energji ka çuar në në rritjen e faturave të energjisë. Të gjitha këto e zymtësojnë pamjen për një ekonomi që i jep frymëmarrjen e duhur zhvillimit të pritshëm të vendit dhe vazhdimit të asaj që etiketohet si lokomotiva e Evropës, por në të njëjtën kohë i bëjnë më akute zgjidhjet përpara qeverisë së re.

Financat e konsoliduara në kohën më të artë të epokës Merkel do përbëjnë rrugën më të vështirë nga do kalojë koalcioni i ri. Nën qeverisjen e Merkel ka patur një qëndrim të rreptë ndaj financave publike, duke realizuar teprica të konsiderueshme fiskale. Por nëse këto teprica shërbyen si një frymëmarje në situata emergjente që kaloi vendi, ato janë objekt i një debati që ka filluar që përpara zgjedhjeve dhe do jetë pjesë e negociatave që në fillim. Dy partitë, Liberalët dhe të Gjelbërit e shikojnë protagonizmin e tyre qeverisës në drejtimin e këtij sektori. Nëse portofoli i financave do kalojë tek Liberalët, pavarësisht se akoma nuk është arritur në stadin e ndarjeve, qëndrimi i rreptë ndaj rregullave të buxhetit të BE-së do të vazhdojë, duke patur parasysh faktin se edhe qeveria aktuale e ka kundërshtuar zbutjen e rregullave buxhetore.

Ndërsa të Gjelbrit, që synojnë të realizojnë krijimin e mundësive për të marrë borxhe të reja, përtej kufirit 0.35 % të performancës ekonomike dhe të investojnë pastaj për klimën, do të mundësonin një qasje tjetër nga përballja me ngrohjen globale.

Situata me klimën në Gjermani është në kufijtë e alarmit. Gjermania emeton dioksid karboni për banor më shumë se shumica e vendeve të tjera të BE-së dhe mbështetet tek karburantet fosile për 44 % të energjisë elektrike. Merkel në këtë pikë ka patur një reagim të dobët dhe kjo mbetet një tjetër problem i mprehtë për zgjidhje. Të Gjelbërit, që përkrahen nga aleatët e tyre evropianë, po edhe qeveri në Europë si Spanja, Franca e të tjerë, janë dakordësuar për koston financiare të arsyeshme që ka nevojë të shkojë për mjedisin dhe masat përkatëse që e zgjidhin këtë çështje.

Gjermanët, të ndjeshëm siç janë ata deri në detajet më të vogla, pavarësisht simpatisë shumë të madhe dhe mbështetjes për kancelaren Merkel, kanë reaguar për rregullat e rrepta të borxhit publik, politikës së jashtme, por në mënyrë më specifike për menaxhimin kaotik siç e kanë cilësuar ata valën e dytë të Covid -19. Një ndër vendet që e menaxhoi më mirë situatën e Covid-19 ishte Gjermania. Jo vetëm shkalla e vdekjeve ishte e ulët, por edhe përgjigja fiskale e qeverisë, ndryshe nga shumë vende të tjera, ishte stimuluese për të ruajtur parametrat e zhvillimit ekonomik. Megjithëatë, të kultivuar me standarte të larta, gjermanët reaguan me ashpërsi për valën e dytë dhe nuk kursyen kritikat.

Duke analizuar këto probleme, por edhe atmosferën paraelektorale, kur rënia e ndjeshme e CDU-së nga janari në shtator, erdhi edhe si pasojë e neglizhencës se disa politikanëve dhe mungesës së masave efektive mbrojtëse në përmbytjet e mëdha të verës që kaloi si dhe dështimit të zgjidhjes së problemit të Afganistanit, ku 150.000 trupa të Bundeswehr kanë shërbyer aty për 19 vite, përgjigjet e pyetjeve që shtrohen përpara ekipit të ri qeverisës, rriten .

Sigurisht që Gjermania e epokës Merkel ka shënuar një progres të admirueshëm dhe ka qënë një siguri e shtuar për BE-në dhe partnere rigoroze për SHBA-në duke demonstruar pavarësinë e vet në vendimarrjet me rëndësi globale, ashtu siç ka qënë një partnere serioze dhe e hapur me Kinën dhe vende të tjera të mëdha. Por ky progres ka patur edhe problemet e veta që shtrohen për zgjidhje normalisht ndaj çdo qeverie në ardhje dhe konfigurimi i saj është në vëmendjen e publikut gjerman, por edhe të gjithë partnerëve.

Pavarësisht asaj që është deklaruar ditët e fundit me tone optimiste, formimimi i koalicionit do kalojë në një tunel të vështirë, drita e të cilët nuk besoj se ka shumë gjasa të shikohet parpara festës së Krishtlindjeve. Gjer atëherë zonja Merkel do të vijojë me vizitat e lamtumirës në vende të ndryshme, përkundër liderëve dhe ekipeve, që do punojnë për të gjetur kohezionin qeverisës.

Gjermania me sa duket do të drejtohet për herë të parë që nga themelimi i republikës nga një koalicion me më shumë se dy parti. Kjo gjykoj se do e rrisë vështirësinë e gjetjes së gjuhës së përbashkët, pasi do ketë një qeveri ideologjikisht jo koherente. Në pritje të një mundësie të fundit janë edhe CDU-CSU, por atyre do ju duhet të presin shumë, të konsumohen të gjitha opsionet e bashkëpunimit midis SDP-së, të Gjelbërve dhe Liberalëve, që gjërat të marrin një rrjedhë tjetër. Deri tani gjasat nuk janë, pavarësisht se do të duhen ende ditë për t’u formuar qeveria e re gjermane.

Gëzim Podgorica