Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se në fillim të Dhjetorit presidenti Joe Biden planifikon të mbajë një samit që është quajtur samit për demokracinë. Fakti që ky takim lajmërohet me shumë bujë, tregon se vendet me demokraci liberale ndjehen të kërcënuara, ose të paktën kjo është ajo që lënë të kuptojnë, dhe Amerika kërkon që të krijohet një farë koordinimi në të ardhmen për tu përgjigjur më mirë sfidave që do të vijnë. Një arsye tjetër përse ky samit mbahet tani ndoshta lidhet me faktin se disa prej vendeve pjesëmarrëse kanë një seri interesash të cilat lehtësisht bien në kontradiktë mes tyre. Kështu, kur Shtetet e Bashkuara së bashku me Britaninë e Madhe, dhe me Australinë krijuan një front ushtarak e politik, që u quajt AUKUS, nga shkronjat e para të emrave të këtyre vendeve, papritur shkaktuan një irritim dhe reagim të madh nga Franca, së cilës ju fshi një marrëveshje që ishte duke nënshkruar me Australinë për furnizimin e kësaj të fundit me nëndetëse franceze por veçanërisht fakti se Franca ishte mbajtur gjatë gjithë kohës jashtë negociatave dhe e pa informuar mbi këtë çështje. Ndoshta ky forum mendohet si një mundësi për të sheshuar mosmarrëveshjet e për të krijuar një farë imazhi se vendet demokratike janë një front i vetëm. Por a janë me të vërtetë ata një front i vetëm? Politikisht sistemet qeverisëse janë të ngjashme, por diferencat ekonomike janë të mëdha. Për më tepër, interesat e Shteteve të Bashkuara janë spostuar në Oqeanin Paqësor, ndërsa Europa është ngushtësisht e lidhur me dinamikat e marrëdhënieve që krijohen me dhe në vendet e Afrikës së Veriut dhe ato të Lindjes së Mesme. Europa nga ana tjetër, për mungesë burimesh dhe fuqie, nuk mundet që në të njëjtën kohë që mbështet fuqimisht Shtetet e Bashkuara në fronte larg Europës, të mbrojë edhe interesat e saj në zonën e Mesdheut. Në Bashkimin Europian pastaj ndasitë mes Europës lindore dhe asaj Perëndimore janë të mëdha ashtu sikurse janë ato mes Britanisë së Madhe dhe vetë Bashkimit Europian që kur Britania vendosi të tërhiqet nga BE.

Me pak fjalë, Shtetet e Bashkuara, nën drejtimin e presidentit Biden, po mundohen të riafirmojnë primatin e vet duke luajtur kartën e mbrojtjes së demokracisë. Por më shumë se armiq të jashtëm, rreziku më i afërt vjen nga disa lëvizje në vendet aleate. Në Europë ka disa vende ku populizmi i së djathtës po shprehet hapur për një fund të sistemeve ekonomike liberale, por këto lëvizje kërkojnë edhe bërjen hapa prapa në disa të drejta të fituara sikurse janë ato të lidhura me lirinë e shprehjes, barazinë gjinore, etj. Për Shtetet e Bashkuara situata komplikohet kur në Afrikën e Veriut dhe me gjerë, në disa vende ku demokracia u duk një punë e mbaruar, regjime ushtarake po rimarrin në dorë qeverisjen e tyre. Problemet bëhen edhe më komplekse kur vjen puna te ekonomia. Megjithëse të gjithë bien dakord tashmë se tema si ajo e klimës duhen zgjidhur me shpejtësi, përsëri shumë vende aleate të Shteteve të Bashkuara vendosin kufizime përsa i përket kohës së implementimi të këtyre ndryshimeve duke treguar se në fakt interesat globale afat gjatë nuk përkojnë gjithnjë me interesat ekonomike afatshkurtra të konglomerateve të mëdha ekonomike që kanë fuqi të influencojnë vendimmarrjet politike në këto vende. Por edhe sikur i gjithë perëndimi të jetë në një zë të vetëm rreth Amerikës, ai përbën vetëm 20 përqind dhe më pak të popullsisë së botës. Një front i tillë, nëse nuk ofron një perspektivë që inkuadron rreth vetes edhe vendet e të ashtuquajturës botës së tretë, pra vendet në zhvillim e sipër, është vështirë të ketë sukses.

Edhe pse nuk thuhet hapur, në fakt ky samit ka si objektiv Kinën, që është shënjestruar këto vitet e fundit vazhdimisht si një vend antagonist i ShBA-ve për shkak të sistemeve të ndryshme politike. Kina nga ana e saj, është përgjigjur se të gjitha çështjet e ngritura mes saj dhe vendeve të tjera duhen trajtuar në frymën e dialogut dhe të mirëkuptimit reciprok. Gjithashtu, Kina i ka dhënë një rëndësi shumë të madhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila shikohet si forumi më i lartë ku fryma e dialogut duhet të zotërojë, por, dhe akoma më e rëndësishme, Kina i mëshon publikisht shumë konceptit të multilateralizmit si e vetmja qasje në sistemin e global të marrëdhënieve komplekse të krijuara. Për më tepër, disa nga temat që janë bërë objekt diskutimi mbarë botëror, Kina i ka bërë prioritete të rëndësishme në politikën e saj të brendshme e të jashtme. Shembulli i ndryshimeve klimaterike është një prej tyre. Kina, nga vend ndotës, synon të bëhet një vend kampion për ndërtimin me faza të një ekonomie të gjelbër. Në këtë pikë në fakt këto ditët e fundit u pa një sintoni mes Kinës dhe Amerikës. Në Glasgow, Skoci, të dyja vendet ranë dakord të bashkëpunojnë për menaxhimin e krizës së ndryshimeve klimaterike dhe reduktimin deri në braktisjen e burimeve energjetike që përdorin lëndë të parë djegëse karbonin dhe naftën.

Pra çështja është, a nuk janë disa prej çështjeve me të cilat Kina përballet dhe që ajo ngre në narrativën e politikës së saj të brendshme e të jashtme, ato me të cilat shumë vende, përfshi edhe ato perëndimore, do duhej të hapnin një diskutim? Për shembull, në mediat e huaja është kritikuar qëndrimi i Pekinit ndaj grupeve të mëdha ekonomike, dhe roli i shtetit në ekonomi. Por, sikurse e thotë bukur Mi You dhe Lorenzo Marsili në një shkrim për Al Jazeera i publikuar me 30 Tetor 2021, me ndërhyrjet e veta në ekonomi Kina po vendos primatin e interesit publik ndaj atij privat, po vendos primatin e politikës në jetën e vendit, një primat që shumë analistë mendojnë se në Europë dhe në perëndim është humbur kur u fitua Lufta e Ftohtë me Bashkimin Sovjetik e cila i la vendin jo fuqisë së politik bërjes, por një liberalizmi të shfrenuar që e kufizoi hapësirën e politikës në sallonet mediatike. Për fat të keq pasojat e këtij neoliberizmi po vuhen akoma sot me krizën ekonomike dhe politike në shumë vende. Dhe pikërisht këtu e kanë origjinën të gjitha ato lëvizje populiste, që bëjnë të mundur zgjedhjen e liderëve si Donald Trump, që premtojnë gjithçka dhe të kundërtën e saj.

Megjithatë samiti mundet edhe të riafirmojë rolin e rëndësishëm që për Amerikën ka demokracia dhe vlerat që ajo mbart. Por është vështirë të mendohet se rivaliteti mes Amerikës edhe Kinës të çojë në një skenar të ngjashëm me atë të parë gjatë Luftë së Ftohtë mes Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik. Lufta e Ftohtë ishte një konfrontim mes dy sistemeve vërtetë të kundërta, por mbi të gjitha mes dy sistemeve ekonomike që kishin krijuar tregje të mbyllura brenda secilit kamp dhe që rivaliteti ishte gjithnjë parimi i parë dhe bashkekzistenca një nevojë më shumë se një dëshirë.

Në atë që shumë analistë e konsiderojnë luftën e re të ftohtë mes Amerikës dhe Kinës, përfshi këtu edhe studiues si John Mersheimer në një artikull së fundmi në Foreign Affairs – megjithëse si Kina ashtu edhe Amerika publikisht mohojnë të jenë duke dashur një gjë të tillë – terreni i konfrontimit është shumë i ndryshëm dhe ndarja në blloqe mund të mos funksionojë. E para interesat ekonomike nuk janë më ato të një shkallë rajonale, por lëvizin në një ekonomi globale. Për pasojë këto interesa janë të ndërtuara shumë shpesh mbi një realitet ekonomik dinamik dhe që synon shtrirje jo tërheqjen nga tregjet ndërkombëtare, integrimin jo izolimin. Shumë vende, sidomos ato të vogla dhe të mesme, nuk do donin të ishin në një pozicion që do u duhej të zgjidhnin mes një superfuqie apo një tjetre. Për të përmendur një rast konkret, shumë vende në Afrikë, kanë mirëpritur investimet kineze sepse Kina, me eksperiencën e saj në ndërtimin e shpejtë të një rrjeti gjigand infrastrukturor në vend, e ka ndarë këtë know how me shumë vende afrikane. Këto investime nuk janë një terren i hequr nga influenca Amerikane, por një sektor ku Kina ka konkurruar më me efikasitet. Por duke parë ashpërsimin e retorikës ndaj saj, disa masa janë marrë për tu përgatitur ekonomikisht ndaj të papriturave që vijnë nga jashtë. Kështu duhet parë, për mendimin tim, implementimi i asaj që quhet qarkullimi i dyfishtë, që me pak fjalë balancon konsumin e brendshëm me shkëmbimet e jashtme tregtare në mënyrë që ekonomie kineze të jetë më pak e varur nga tregjet e jashtme. Nga ana tjetër, megjithëse merr pjesë në mënyrë shumë aktive në shumë organizma ndërkombëtarë, Kina duket se i konsideron të një rëndësie të veçantë sidomos Kombet e Bashkuara, Organizatën Botërore të Tregtisë, dhe së fundmi, Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Në të tre këto organizata, sikurse në shumë organizma të tjerë rajonalë, Kina shikon mishërimin e multilateralizmit dhe mjetin nëpërmjet të cilit shumë çështje mund të dialogohen e marrin zgjidhje edhe aty dhe atëherë kur shtetet kanë interesa të kundërta. Një rrugë e mesme është gjithmonë e mundur, mundësisht një rrugë që eviton një luftë të re të ftohtë.

Ylber Marku