Para disa ditësh, Presidenti i Kinës, Xi Jinping ka mbajtur një fjalim shumë të rëndësishëm lidhur me sistemin politik parlamentar të Kinës (Asamblenë Kombëtare Popullore), për demokracinë dhe proceset demokratike në tërësi, që aplikohen përgjatë implimentimit të këtij sistemi në vend. Këtë fjalim ai e mbajti gjatë drejtimit të një konference në Pekin mbi punën në lidhje me kongreset e njerëzve.

Thelbi i këtij fjalimi ishte pjesëmarrja e qytetarëve në këtë proces, mbështetja dhe përmirësimi i sistemit të kongreseve popullore dhe rritja në mënyrë të vazhdueshme e demokracisë popullore përgjatë tërë procesit.

Xi Jinping deklaroi: “Demokracia popullore në Kinë, jo vetëm që ka një grup të plotë institucionesh dhe procedurash, por edhe pjesëmarrje dhe praktika të plota. Ajo është një demokraci socialiste, e gjerë, e mirëfilltë dhe efektive, që realizohet me anë të sistemit të kongreseve të njerëzve, që janë mjet i rëndësishëm institucional për realizimin e demokracisë popullore.”

Duhet theksuar se sistemi i kongresit popullor është sistemi themelor politik në Kinë. Është forma organizative e pushtetit shtetëror të diktaturës demokratike të njerëzve dhe sistemi i qeverisjes së vendit. Kongresi Popullor Kombëtar është institucioni më i lartë përmes të cilit ushtrohet pushteti.

Është ky sistem që jep garanci institucionale për rrugën e ndjekur për rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë e sistemit.

Duket se sistemi i kongresit popullor është një risi në historinë e sistemeve politike, pasi paraqitet si një sistem tërësisht i ri dhe me rëndësi shumë të madhe në historinë politike të Kinës moderne dhe të botës së sotme.

Në shkencën politike, një sistem politik përcakton procesin për marrjen e vendimeve zyrtare të qeverisë dhe lidhet me sistemin juridik, sistemin ekonomik, sistemin kulturor dhe sistemet e tjera shoqërore. Si çdo sistem, edhe ky sistem e ka një fillesë dhe një zhvillim, por ajo që është më e rëndësishme është jetëgjatësia e sistemeve dhe përtëritja e përmirësimi i vazhdueshëm i tyre.

Në këtë aspekt, Presidenti i Kinës theksoi: “historia dhe realiteti tregojnë se një vend do të jetë i qëndrueshëm nëse ka një sistem të qëndrueshëm dhe një vend do të jetë i fortë nëse ka një sistem të shëndoshë.” Sistemet funksionojnë dhe përmirësohen nëse qytetarët zbatojnë plotësisht Kushtetutën, mbrojnë autoritetin dhe shenjtërinë e saj dhe punojnë fort dhe me përkushtim për të përmirësuar sistemin e ligjeve të mira, me anë të të cilave promovohet dhe mbështete zhvillimi dhe sigurohet një qeverisje edhe më e mirë.

Sistemet ecin mirë dhe përmirësohen me anë të funksioneve manaxheriale që janë planifikimi, organizimi, drejtimi dhe kontrolli. Këtë e thotë shkenca e manaxhimit dhe duket se për Xi Jinping, politika është shkencë, ekonomia është shkencë, bërja e ligjve është shkencë dhe mirëfunksionimi i jetës sociale dhe arritja e kohezionit social midis shtresave të popullsisë është shkencë.

Ushtrimi i fuqisë që u jep ligji kongreseve popullore, paralelisht me ushtrimin në mënyrë të plotë të funksioneve, detyrave, përgjegjësive dhe të drejtave që kanë këto struktura, bëjnë që sistemi jo thjesht të funksionojë, por të funksionojë me eficiencë dhe me efektivitet.

Për nga ana e hierarkisë, sistemi një partiak që ekziston në Kinë e mbështet nivelin e mëposhtëm të marrjes së vendimeve, që realizohet me anë të kongreseve të njerëzve, të cilat sipas Xi Jinping, duhet të vetëndërtohen, në mënyrë që të jenë themeli i demokracisë, dhe jo thjesht fasada që shërbejnë për zbukurime të panevojshme për demokracinë në vend.

Nëse sistemi u adresohet çështjeve për të cilat qytetarët janë të interesuar, atëherë mund të thuhet se është arritur të vihet në përdorim dhe funksionim çelësi i demokracisë së një vendi, që është drejtimi i vendit nga njerëzit, që kanë të drejtë vote dhe të drejtë pjesëmarrje edhe më të gjerë në të tërë këtë proces të demokratizimit të vazhdueshëm të jetës politike, ekonomike dhe sociale.

Fakti që Xi Jinping pohon se “demokracia varet nga premtimet verbale që njerëzit kanë marrë gjatë procesit zgjedhor, dhe për më tepër, varet nga sa prej këtyre premtimeve janë përmbushur pas zgjedhjeve”, tregon shumë. “Parimi se janë procedurat dhe rregullat politike që përcaktohen nga sistemet dhe ligjet ato që përkufizojnë, orientojnë dhe zgjerojnë demokracinë, kërkon që sistemet dhe ligje zbatohen mire, por kjo kërkon edhe një monitorim të këtyre sistemeve dhe zbatimit të ligjit nga vetë njerëzit.”, citohet të ketë thënë Jinping.

Në lidhje me debatin e hershëm dhe njëkohësisht aktual për përcaktimin e vendeve nëse janë demokratike apo jo, Presidenti Xi theksoi se “demokracia është një e drejtë për njerëzit e të gjitha vendeve dhe jo një e drejtë e veçantë e rezervuar për një vend individual.” Më tej ai artikuloi thjesht se: “nëse njerëzit zgjohen vetëm në kohën e votimit dhe hyjnë në gjumë më pas, nëse njerëzit dëgjojnë vetëm parulla shkatërruese gjatë fushatave elektorale dhe nuk kanë asnjë fjalë më pas, nëse njerëzit favorizohen vetëm gjatë anketimit dhe lihen jashtë pas zgjedhjeve, atëherë kjo nuk është një demokraci e vërtetë”.

Nga kjo del argumenti se për të gjykuar nëse një vend është apo jo demokratik, përcaktohet nga njerëzit e atij vendi, jo nga pakica e njerëzve dhe aq më pak nga një a disa vende të tjera, por nga bashkësia e të tëra vendeve.

“Demokracia ka të bëjë me paqen, zhvillimin, barazinë dhe drejtësinë. Demokracia së bashku me konceptin e lirisë përfaqësojnë vlerat e përbashkëta të njerëzimit, por kur bëhet fjalë për të gjykuar demokracinë në një vend të caktuar, atëherë duhet të kuptojmë situatën e veçantë të atij vendi, atë nëse sistemi në atë vend përfaqëson dëshirën e njerëzve, nëse sistemi në atë vend mbron interesat dhe gjen përkrahjen e tyre, si dhe nëse sistemi në atë vend sjell qëndrueshmëri, përparim shoqëror dhe mirëqenie për popullin.”. citohet të ketë deklaruar përfaqësuesi i Kinës në Kombet e Bashkuara këto ditë.

Në një botë me disa pole të rëndësishme dhe kryesore zhvillimi dhe në një botë me sisteme të ndryshme e nivele të ndryshme demokratizimi rëndësi më të madhe ka prosperiteti i përbashkët se sa përpjekja për damkosjen vendeve si jo demokratike dhe etiketimi i disa vendeve si demokratike pa asnjë kriter.