Kohët e fundit Kina ka diskutuar mbi çështjen e demokracisë dhe vlerat që ajo ka për popullin e vet, dhe si konceptohet demokracia nga pikëpamja e qeverisjes. Presidenti kinez Xi Jinping gjatë një konferencë në Pekin së fundmi tha se Kina është ‘një demokraci popullore socialiste e të gjithë procesit (e gjithë proçesshme)’, pra kuptohet si një proçes i gjithanshëm i sistemit politik kinez nëpërmjet të cilit populli kinez përfaqësohet, dhe ka instrumentet për të zgjidhur problemet reale të njerëzve, për promovimin, adoptimin dhe zbatimin e ligjeve që perfeksionohen gjatë gjithë kohës duke ju përshtatur kushteve dhe rrethanave që ndryshojnë për t’ju përgjigjur më mirë nevojave të tij. Pra shqetësimet e popullit kanë mënyra institucionale për tu kanalizuar dhe dëgjuar nga institucionet qeverisëse, dhe sistemi politik i përgjigjet pritshmërive të popullit përsa i përket përparimit shoqëror dhe mirëqenies së përgjithshme.

Një diskutim i ngjashëm erdhi edhe nga ambasadori kinez në Kombet e Bashkuara para pak kohësh i cili kujtoi se demokracia duhet gjykuar nëse përputhet me interesat e specifike të një vendi, nëse ajo sjell përparim shoqëror, qëndrueshmëri dhe mirëqenie për popullin.

Ngritja e çështjes së demokracisë në Kinë nuk është i rastësishëm. Ai vjen pasi në muajt e fundit përceptohet se po tentohet të krijohet një front i gjerë nga disa vende të cilat duan ta ngrenë përballjen me Kinën në nivelin e konfrontimit jo më vetëm ekonomik, por edhe politik e ideologjik.

Kur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte në pushtet Donald Trump, ai nisi një konfrontim tregtar me Kinën. Me argumentin sipas tij se Kina ka përfituar në mënyrë të pandershme nga inovacioni i SHBA-ve, presidenti Trump vendosi një seri barrierash ekonomike për biznesin e lidhur me tregtinë me Kinën dhe barriera të tjera që pengonin investimet dhe aksesin në tregun amerikan të kompanive kineze. Deri këtu përballja ishte në lëmin tragtaro ekonomik, e megjithëse narrativa që e shoqëronte kishte nota të thella politike, përsëri thelbi ishin praktikat ekonomike.

Në analizat e shumta që bëheshin në platformat mediatike ndërkombëtare konfrontimi politik dhe ekonomik mes ShBA-ve dhe Kinës ishte më kuadrin e përballjes me dy fuqive të mëdha të cilat konkurronin për të fituar simpatinë e njërit apo tjetrit vend nëpërmjet instrumenteve ekonomikë e diplomatikë në dispozicion. Analiza të tille edhe pse e përmendin termin Luftë e Ftohtë, përsëri deri vonë nuk hiqnin paralele me konfrontimin ideologjik që ekzistonte kur Lufta e Ftohtë ishte përballja mes dy vizioneve të ndryshme të jetës mes SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik.

Mirëpo nuancat kanë ardhur duke marrë një ngjyrë më të fortë politike me ndërtimin e aleancave ushtarake që e kanë shikimin drejt paqësorit të Kinës. Administrata e re amerikane, thonë shumë analistë, e ka bërë si tip misioni përcjelljen e vlerave që Amerika thotë se janë ato mbi të cilat perëndimi mbështetet, ndër to edhe demokracia në kuptimin që i jep perëndimi këtij nocioni. Me këtë lloj diskursi Amerika e ka ngritur në fakt përballjen me Kinën në një nivel tjetër, jo më mes dy fuqive ekonomike, por mes dy sistemeve politike që në Washington përshkruhen në antitezë me njëra tjetrën.

Mirëpo ky lloj konfrontimi ka të bëjë me legjitimitetin e sistemit politik kinez që nuk është i njëjtë me ato të vendeve të perëndimit. Kjo e ka shtyrë Kinën që të përforcojë edhe me shumë vëmendjen në rritjen e ndërgjegjësimit përsa i përket efektivitetit të sistemit politik, por edhe të ngrejë zërin në arenën ndërkombëtare duke përcjellë mesazhin se sistemi politik kinez është edhe legjitim, por edhe demokratik.

Dhe këtu vijmë te thelbi i çështjes. Kina ndjen që dorashka e sfidës i është hedhur përsa i përket konceptit dhe çfarë me të vërtetë demokracia është dhe si duhet kuptuar ajo. Është demokracia vetëm një vlerë perëndimore që merr vetëm format që perëndimi i jep, apo duhet konsideruar një vlerë universale që lidhet me realizimin e të mirës së përgjithshme të popullit? Nëse është e tillë, pra jo një monopol, a nuk është kështu edhe në të drejtën e Kinës që të pretendojë se sistemi i vet është po aq demokratik sa janë kërkesat e popullit drejt të cilit kjo demokraci drejtohet dhe mbi të cilët vepron? Çështja është sa sfiduese për perëndimin aq edhe për Kinën. Për perëndimin të humbasë monopolin e konceptit të demokracisë apo të drejtave të njeriut do të thotë të mbetet ideologjikisht i çarmatosur në misionin e vet që e quan universal, atë të përcjelljes së këtyre vlerave. Kina nga ana tjetër shprehet se sistemi i vet nuk ka nevojë të jetë si ai perëndimor për të qënë demokratik, dhe se sistemet politike në fakt marrin format që historia u jep atyre.

Debati mbi demokracinë është i vjetër sa edhe veti termi, i cili për herë të parë nga pikëpamja teorike është diskutuar gjerësisht nga Platoni në Athinën e lashtë. Platoni dhe më pas Aristoteli thoshin se demokracia është në thelb një sistem që kërkon një shoqëri të mirë informuar dhe meqë në Athinën e kohës së tyre, ku praktikohej demokracia direkte, pak njerëz kishin arsimin e duhur për të kuptuar politikën dhe shoqërinë, Platoni vetë rekomandonte oligarkinë si formë të kohë së vet. Populli për Platonin ishte lehtësisht i manipulueshëm nga rektorët (nga ku rrjedh fjala retorikë) dhe mbështeste një regjim oligarkik (oligarki në kuptimin grek antik do të thoshte qeverisje e më të mirëve).

Megjithatë rëndësia e termit demokraci rrjedh jo aq nga sa është vënë në jetë ajo, se sa më shumë nga fakti se termi demokraci ka shërbyer si një ide rregullatore, si një mesazh etik, një aspiratë drejt së cilës synohet, edhe pse vështirë të arrihet. Si e tillë demokracia ka marrë forma të ndryshme sipas kushteve historike të vendeve të caktuara, zhvillimit shoqëror, ekonomik e kulturor, aspiratave të ndryshme të popujve. Edhe në vendet e Europës dhe të perëndimit në përgjithësi, demokracia nuk është e njëjtë në të gjitha vendet. Shumë veta për shembull, sidomos filozofë që fatkeqësisht nuk para pëlqehen të lexohen për të vërtetat e hidhura që thonë, shprehen se demokracia në vendet me sisteme shumë partish, është kthyer në një fasadë ku politika bëhet në televizion, aty ku edhe zhvillohet retorika rreth saj dhe mbi bazën e kësaj retorike populli voton, por vendimet në fakt merren gjetiu, në dhomat e zhvillimeve ekonomike, dhe në epokën e teknokracisë në të cilën jetojmë gjithmonë e më shumë na laboratorët e zhvillimeve teknologjike. Pra demokracia në shumë vende demokratike të zhvilluara, sipas këtyre mendimtarëve, është kthyer në një mburojë për përfaqësimin e një klase dirigjente ekonomike, jo të interesave të popullit.

Në rastin e Kinës, për arsye historike, sociale dhe gjeografike që do donin kohë për tu shtjelluar, gjithë historia deri në shekullin e 19-të ishte e ndryshme nga zhvillimi i perëndimit. Për pasojë edhe sistemi qeverisës nuk ka ndjekur trajektoren e Europës apo Amerikës. Në Kinë, po të lexohet me vëmendje si është qeverisur vendi historikisht, gjithnjë i është dhënë prioritet stabilitetit më shumë se sa eksperimenteve politike, paqes sociale dhe ekonomike më shumë se sa revolucioneve shoqërore e politike, marrëdhënieve të qëndrueshme dhe të parashikueshme mes vendeve, më shumë se sa ndryshimit të aleancave. Prandaj edhe Kina deri edhe një shekull pas revolucionit industrial, ka qënë vendi me zhvillimin më të madh ekonomik në rang botëror, dhe për këtë mjafton të lexohet (mes shumë të tjerëve) analiza që i bën Angus Madison. Por në shekullin e 19-të perëndimi me politikat e veta ekonomike ekspansioniste e ndërpreu zhvillimin kinez dhe i dha fund një epokë gati dymijë vjeçare të qeverisjes gjatë dinastive. Lufta e parë dhe e dytë botërore shkaktuan humbje të mëdha njerëzore, por edhe krijuan kushtet për lindjen e lëvizjeve të mëdha popullore çliruese që kulmuan me ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste Kineze. Në ktë kuptim, sistemi qeverisës kinez është fryt i historisë së popullit kinez dhe e shikon gjithë legjitimitetin jo në ato që perceptohen si diktate moraliste që vijnë nga perëndimi por në ato që në Kinë konsiderohen arritjet e mëdha të saj. Dhe arritjet konsiderohen të pamohueshme dhe të gjithanshme në të gjithë lëmin e jetës: pikë së pari çlirimi nga pushtuesit fashistë dhe bashkimi i vendit, kapaciteti për të mësuar nga historia dhe për tu reformuar në qeverisje, krijimin e mundësive për një arsimim sipas talentit dhe jo pasurisë, sistem shëndetësor modern dhe të aksesueshëm për të gjithë, ekonomi të zhvilluar dhe me oportunitet për brezat e ardhshëm, zhdukjen e varfërisë dhe ndërtimi i një infrastrukture moderne, krijimin e një bazë solide për zhvillimin e teknologjive të reja që mund të zbatohen në të gjitha fushat, nga agrikultura, mbrojtja e ambientit, prodhimi i energjisë së rinovueshme deri te eksplorimet hapësinore. Nga perspektiva kineze është nëpërmjet këtyre arritjeve, dhe të tjera akoma, që demokracia kineze materializohet, vihet në praktikë, jo në mbajtjen e proceseve elektorale që siç u shpreh presidenti kinez rrezikojnë ta bëjnë demokracinë të duket thjesht një dekor.
Ylber Marku