Takimi i Sllovenisë lidhur me zgjerimin, i cili kishte paralajmëruar pritshmëri të larta dhe një ndjenjë sigurie se do hapej një dritë jeshile për vendet e Ballkanit pPerëndimor, përfundoi me zhgënjimin e radhës. Udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe ato të 5 vendeve ballkanike ( Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut) të mbledhur më 6 tetor ne Slloveni diskutuan si gjithnjë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor si nje interes i ndërsjellë strategjik, por kur ky interes do të marrë formë konkrete, mbeti përsëri një pikpyetje e madhe.

Rrugëtimi i 5 vendeve ballkanike po bëhet përherë e më tepër i vështirë dhe po paraqet nga njeri takim në tjetrin pengesa e të papritura që integrimin po e largojnë në kohë, duke krijuar një mosbesim të këtyre vendeve tek sinqeriteti evropian. Vërtetë në takimin e fundit u përsëritën angazhime dhe u formuluan deklarata që flasin për shifra dhe mbështetje me projekte e mbështetje financiare, por ajo se çfarë pritej me më shumë interes, mbeti një enigmë me të tjera rebuse të pazgjidhura. Deziluzioni i përsëritur i udhëheqsve ballkanikë ndaj procesit të integrimit kësaj radhe u formulua në diskutime shpesh herë pa dorashka, duke e konsideruar këtë proces si një marëdhënie e pasinqertë dhe me pengesa të kërkuara.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ishte lideri më i drejtëpërdrejtë kritik me BE-në për zvarritjen e gjatë që po i bëhet Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera lidhur me hapat dhe fazat e kryerjes së këtij procesi. Ai ka nënvizuar disa herë, por kësaj radhe me tone më të larta se mosçelja e negociatave është çështje e politikave të brendshme , se sa kushteve që plotësohen apo jo nga vendet kandidate. “ Ja ku jemi - tha Rama. Të mbledhur 18 vjet pas Samitit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor në Selanik: koha që i duhet një bebeje për t’u bërë votues, pjestar me të drejta të plota i një bashkësie politike.

Nëse i krahasojmë shënimet midis dy samiteve, mund të thuhet pa frikë se koha ka ndaluar. Ngjashmëria mes fjalëve të shkuara atëherë dhe atyre sot është mbresëlënëse. Me një përjashtim. 18 vjet më parë ishte kredoja tingëlluese e së ardhmes. Sot e njëjta fjalë është bërë jehona e ndrojtur e së shkuarës. Por njësoj, politika e re zgjerimit, duket sikur i bën jehonë politikës së vjetër të kufizimit. Përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të larë hesapet me të kaluarën e qepur këmba –këmbës pas saj, nisën 15 vjet më parë me statusin e vendit kandidat. Vendi shkoi aq larg në ato përpjekje, sa ndërroi edhe emrin. Por prapë se prapë nuk mjaftoi për të nisur një Konferencë Ndërqeveritare në Zoom me BE-në, drejt një procesi integrimi që mund të marrë edhe 18 vjet të tjera, përpara se anëtarësimi i plotë në BE të shfaqet si një fund i lumtur i mundshëm.

“Unë i kam ndarë tanimë disa mendime rreth kësaj pune me bashkëqytetarët e mi. Është disi e dhimbshme për shqiptarët të dëgjojnë prej Evropës, përsëri e përsëri që, po sigurisht Shqipëria i ka bërë detyrat e saj, por të shohin që BE-ja që ata aq shumë e adhurojnë, fatkeqësisht të mos e mbajë fjalën e dhënë. Është ajo që është” -tha i prerë e me shumë sens kritik ndër të tjera kryeministri shqiptar. Ai ishte më i drejtëpërdrejti në këtë takim, duke mos u bërë pjesë e një fjalimi me dorashka siç ndodh shpesh.

Tonet kritike nuk munguan as në fjalët e Vuçiç apo të kryeministrit maqedonas Zaev, ndonëse ato ishin më të buta dhe me tonë diplomatike. Presidenti serb Vuçiç nuk ngurroi të deklaronte se “jo të gjitha vendet e BE-së kanë të njëjtin apetit përsa i përket zgjerimit”. Por me sa duket, diplomacia perfekte dhe e kujdesëshme nuk ka sjellë zhvillim pozitiv në këtë proces të këtyre vendeve, duke ua bërë rrugën gjithnjë e më të mundimëshme dhe me një dritë shprese që fiket dhe ndizet sipas atmosferës dhe konjukturës së brendshme që ka BE-ja.

Megjithë premtimet për një mbështetje ekonomike prej 30 miliardë dollarësh, e cila në fakt është një bonus i fuqishëm për vendet e vogla të këtij rajoni për të krijuar një frymëmarrje ekonomike dhe për t’u dhënë jetë projekteve të rëndësishme infrastrukturore që i bashkojnë këto vende, entusiazmi pas takimit në Slloveni mbetet i ulët. Takimet e udhëheqësve ballkanikë me homologët e tyre të BE-së janë të shpeshta e ngjajnë të ngrohta, por këto takime siç po rezulton ofrojnë pak gjëra të vlefshme për gjëra thelbësore. Takimi i Bërdos ishte i treti në katër vitet e fundit dhe prodhoi më shumë retorikë për çështjen e zgjerimit, se sa hapjen e një rruge të shumëpritur. Po të lexosh me vëmendje deklarat që nga samiti i Selanikut 18 vjet më parë, tek ai i mbajtur në vitin 2018 dhe ky i fundit, fjala “zgjerim” është në të tre deklarat me të njëjtin konotacion, duke treguar se niveli i ambicieve me sa duket është në të njëjtën gjatësi vale si 18 vjet më parë. E kjo është trishtuese. Deklarata e fundit thotë se “ BE-ja rikonfirmon angazhimin e saj ndaj procesit të zgjerimit dhe vendimeve të marra për të, bazuar në reformat e besueshme nga partnerët, kuzhtëzimin e drejtë e rigoroz dhe parimin e meritave” . Megjithëse e shkruar 18 vjet pas deklaratës së parë e cila theksonte se “ E ardhmja e Ballkanit është brenda Bashkimit Evropian” dhe se “ përgatitja për integrim në strukturat evropiane dhe anëtarësimin përfundimtar në BE, përmes miratimit të standardeve evropiane, është tani sfida e madhe përpara”, ajo nuk ka asnjë dallim konceptual dhe nuk i jep garanci këtyre vendeve se përgjatë këtyre dy dekadave pritje, janë çelur shumë dyer dhe nuk garanton otimizm të lartë në përmbushjen e ëndrrës europiane të vendeve të këtij rajoni.

Gjuha diplomatike e përdorur jo thjesht në deklaratën përfundimtare, por edhe në atë që kancelarja Merkel e shprehu, ashtu si edhe presidenti Macron, se nuk është çështje datash dhe afatesh, skepticizmi në rritje për këto vende vazhdon të mbetet i lartë, i argumentuar me çështje standardesh apo vetosh si ajo bullgare, duke u përpjekur për të fshehur në fakt ato probleme të brendshme që ka BE-ja dhe lëvizjen aq të ngadaltë e burokratike tej mase të koridoreve të Brukselit.

Paaftësia e Brukesit është dëshmuar në mjaft raste, por kësaj radhe ishte përsëritja e një dështimi që ishte paralajmëruar, dhe ndonëse kishte tone pozitive në deklaratën përfundimtare, kuintesenca e asaj që duhej mungonte. Turet ballkanike, sidomos ai i fundit i Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, që u shpreh optimiste për mundësinë brenda këtij viti të konferencës së parë ndërqeveritare, vijuan rrugën në shtratin e njohur të premtimeve pa thelb, ose për ta thënë më diplomatikisht, të parakorduara me drejtuesit e lartë të vendeve anëtare të BE-së. Vendet e pasura të Evropës herë drejtëpërdrejtë, e herë përmes standardesh të përsëritura që janë kthyer në një dogmë të pajustifikueshme, mbeten kundërshtaret më të hapura ndaj këtij procesi. Në deklaratat e tij presidenti francez Macron shprehu nota pozitive për vendet e Ballkanit Perëndimor, dukë nënvizuar se ato janë në rrugën e duhur, dhe duhet të tregohet se janë në zemrën e Evropës, duke merituar investime, bashkëpunim, tregti, por edhe anëtarësim eventual. Por pas këtij inkurajimi, që ishte i ngjashëm me atë të zonjës Ursula von der Leyen, ai ia doli të vendosë në deklaratën përfundimtare të samitit një kufizim të ri, ku theksohet se integrimi i vendeve të reja në BE kushtësohet nga zhvillimi i mëtejshëm i vetë Unionit. Ngjan një shtojcë e vogël kjo, por është një shtojcë bllokuese, që kësaj radhe e vendosi Franca, në raste të tjera Gjermania, Holanda, Danimarka e vende të tjera që me sa duket vazhdojnë të mbajnë larg këto vende, përmes kushtëzimesh që nuk kanë qënë të praktikuara më parë, ose standardesh që edhe vetë ata po t’i vendosin brenda vetes e kanë vështirë që t’i plotësojnë. Mbështetjet që dhanë në mënyrë të fragmentuar kancelari tashmë i dorëhequr austriak Sebastian Kurtz, apo kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins për një perspektive të qartë kohore të anëtarësimit, nuk patën mbështetjen e duhur për t’u bërë pjesë e një qëndrimi të ri, të nevojshëm e të sinqertë për një situatë te re në procesin e vjetëruar e shumë retorik të integrimit.

Gëzim Podgorica