Pronësia intelektuale lidhet me krijueshmërinë dhe inovimin. Me anë të të drejtave të pronësisë intelektuale mbrohen interesat e krijuesve, inovatorëve, duke ju dhënë atyre të drejtën e pronës mbi produktet dhe shërbimet që krijojnë. Sipas Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (1967) nga të drejtat e pronësisë intelektuale mbrohen:


1、Veprat letrare, artistike dhe shkencore;

2、Interpretimet e artistëve ekzekutues, fonogramet dhe transmetimet;

3、Shpikjet në të gjitha fushat e përpjekjes njerëzore;

4、Zbulimet shkencore;

5、Markat tregtare, markat e shërbimeve, emrat komercialë dhe dizenjimet

6、Mbrojtja kundër konkurrencës së pandershme;

7、Të gjitha të drejtat e tjera që vijnë nga aktiviteti intelektual në fushat industriale, shkencore, letrare ose artistike.


Pronësia intelektuale nuk është e mishëruar në kopjet e shumta të produktit dhe / ose shërbimit që ofrohet, por në informacionet apo njohuritë që pasqyrohet në kopjet e produkteve dhe shërbimeve që ofrohen në mbarë botën. Kjo, pasi e rëndësishme është kopja e parë e produktit dhe / ose shërbimit. Është kopja e parë ajo që përmban të tërë aspektet e krijueshmërisë dhe inovimit që lidhen me aftësitë, njohuritë dhe kompetencat që ka individi në realizimin e produkteve dhe shërbimeve. Kopjet e tjera janë thjesht riprodhim.

Duhet theksuar se të drejtat e autorit kanë kufizime. Një ndër kufizimet më të rëndësishme është afati kohor i të drejtës së ekzistencës së pronësisë intelektuale.


Duhet theksuar gjithashtu se Pronësia Intelektuale është një mjet shumë i fuqishëm për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e pasurisë. Çdo produkt apo shërbim që ne përdorim në jetën tonë të përditshme është i lidhur ngushtësisht me pronësinë intelektuale. Pronësia intelektuale sjell përparësi konkurruese, fitim më të lartë, të ardhura shtesë, imazh pozitiv të ndërmarrjes, etj.


Por, në fakt, Kina dhe një grup vendesh të tjera, kohët e fundit po mbështesin fuqimisht heqjen dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale për vaksinat e COVID-19, duke u bërë thirrje vendeve përkatëse të marrin pjesë aktive në bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë drejtim.


Duke folur në emër të një grupi vendesh në sesionin e 48-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, Chen Xu, kreu i Misionit Kinez në Zyrën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare dhe palëve të tjera të interesuara që të rritin prodhimin e vaksinave dhe të përmirësojnë aftësitë prodhuese të vendeve në zhvillim me anë të eksportit, dhurimeve, studimit e prodhimit të përbashkët, si edhe transferimit të njohurive.


Kreu i Misionit Kinez në OKB citohet të ketë thënë se: "Pandemia e COVID-19 dhe shfaqja e varianteve të ndryshme kanë shkaktuar ndikime të rënda negative mbi zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në të gjitha vendet, veçanërisht në vendet në zhvillim, dhe kanë kërcënuar shëndetin e njerëzve".

Duke u shprehur se vaksinimi është një mjet i fuqishëm për të luftuar pandeminë, Chen theksoi se: “Shpërndarja e pabarabartë dhe vaksinimi i pabalancuar mbeten sfida, dhe hendeku në imunizim duhet të trajtohet urgjentisht. Ne mbështesim thirrjen e Kombeve të Bashkuara për shpërndarje të drejtë dhe të barabartë dhe qasje në vaksinat COVID-19 në nivel global, dhe i nxisim të gjitha vendet që t'i vënë të drejtat e jetës dhe shëndetit para interesave të tjera, si ato ekonomike, politike etj".


Në fakt, në përgjithësi ekziston një mendim tashmë i pjekur mbarëbotëror se çështja e vaksinave nuk duhet të politizohet. Qasja ndaj vaksinës në të tëra aspektet, si në gjurmimin e virusit, si në eksperimentim, si në prodhimin e medikamenteve, ku vaksinat janë shumë të rëndësishme, si në trajtimin e pacientëve, etj, nuk ka nevojë për politizim. Nëse e politizojmë çështjen, atëhere jemi duke pretenduar për përfitime përkundrejt humbjes së të tjerëve, kur këkrohet një situatë fitoj – fitoj për të tërë vendet, kombet dhe qeveritë dhe padyshim për të tërë qytetarët e botës.


Në këto aspekte, një pjesë e mirë e qeverive të vendeve të ndryshme të botës pranojnë se duhet të bëhemi bashkë për të luftuar pandeminë.


Organizata Botërore e Shëndetsisë ka dhënë miratimin për produktet kineze që luftojnë me eficiencë dhe efektivitet virusin Covid – 19. Vaksinat kineze janë vaksinat e para të suksesëshme të prodhuara jashtë vendeve perëndimore. Ato, sipas OBSH-së, janë “të sigurta, efikase dhe cilësore”.


Nëse mund të bëjmë disa krahasime midis vaksinave të prodhuara nga operatorë të ndryshëm në botë, mund të themi se një nga avantazhet kryesore të vaksinave kineze është se ato mund të ruhen në një frigorifer standard në 2-8 gradë Celsius, gjë që sipas OBSH-së “kjo kërkesë e lehtë për ruajtje” i bën vaksinat kineze “shumë të përshtatshme për vende me pak mundësi e pak burime financiare”.


Nga një këndvështrim tjetër, vaksinat kineze janë zhvilluar në mënyrën tradicionale, me virus të dobësuar apo të deaktivizuar, që është një mënyrë e provuar e zhvillimit të vaksinave dhe më eficiente dhe shumë më pak e rrezikshme se sa mënyrat e tjera të zhvillimit të vaksinave që e ekspozojnë më shumë sistemin imunitar të njeriut ndaj virusit. Kjo do të thotë se këto vaksina përftohen duke dobësuar virusin, në atë masë sa që kur të injektohet në trupin e njeriut të bëjë të mundur forcimin e sistemit imunitar ndaj virusit aktiv.

Është mjaft e dukshme se vaksinat kineze janë shumë të përshtatshme për vendet me burime të pakëta dhe pa teknologji të përshtatshme ruajtje e magazinimi të produkteve farmaceutike dhe këto vende përbëjnë pjesën më të madhe të shteteve dhe popullsisë së botës. Deri tani me këto dy vaksina janë vaksinuar miliona qytetarë në Kinë dhe miliona qytetarë në shumë vende të botës në të tëra kontinentet.


Në të mirë të njerëzimit, Kina kërkon që për vaksinat kundër koronavirusit të mos ketë aplikim të së drejtës së pronësisë intelektuale, pavarësisht shpenzimeve të shumta që ka bërë qeveria kineze dhe prodhuesi kinez i këtyre vaksinave, përfshirë këtu edhe punën krijuese dhe inovatore të studiuesve dhe mjekëve kinezë. Duket se Kina nuk e trajton çështjen e koronavirusit në aspektin ekonomik dhe politik, dhe aq më pak në aspektin diplomatik, pasi duket se reputacioni i Kinës në arenën ndërkombëtare është në rritje. Kina e trajton çështjen e koronavirusit në aspektin human dhe të të drejtave të njeriut për mjekim të përshtatshëm dhe trajtim shkencor të shëndetit individual dhe të shëndetit të mbarë shoqërisë njerëzore.