Nisma “Një brez, një rrugë”, e projektuar dhe adoptuar si një platformë gjithëpërfshirëse, tashmë në krye të tetë viteve, është ravijëzuar si një model influence dhe shtrirjeje ekonomike me rëndësi të pamohueshme në hapësirën globale. Ai është jo vetëm projekti më i madh dhe ambicioz ndërkombëtar i Kinës, por mishërohet dhe si një model për partneritetin ekonomik të Kinës në tërësi.

Më shumë se 140 vende janë përfshirë dhe bërë pjesë e projekteve të parashikuara prej kësaj nisme. Ndërkohë, në kuadër më të përgjithshëm, platformës i janë bashkuar edhe disa qindra partnerë të ndryshëm organizata që, në një rrafsh investues, po plotësojnë një gjeografi të veçantë përfshirjeje në sektorë të ndryshëm.

Iniciuar në vitin 2013, nisma ka në epiqendër projekte dhe investime në fushën e transportit. Bëhet fjalë për përmirësime dhe vepra infrastrukturore që thyejnë tabunë tradicionale të rrugëve, hekurudhave dhe akseve ndër-rajonale dhe kontinentale, duke krijuar një hartë të re lidhjesh dhe ndryshimesh infrastrukturore. Ato janë pjesë e një influence të re ekonomike, sikundër edhe mëtojnë të krijojnë bazat për rishqyrtime të projekteve ekzistuese si dhe qasje rishtare për mundësi të reja shkëmbimesh tregtare në nivel global.

Në këto tetë vite, nisma ka marrë përmasa të konsiderueshme. Njëkohësisht, ajo është vënë përpara interpretimeve të ndryshme që kanë lidhje me interesat strategjike të fuqive të mëdha, veçanërisht Shteteve të Bashkuara. Zyrtarisht, presidenti i Kinës zoti Xi Jinping, në propozimin fillestar konsideroi pjesëmarrjen dhe përpjekjet e përbashkëta të të gjitha palëve për realizimin dhe përmasimin e këtij projekti.

Pas tetë vitesh, palët e përfshira dhe shtetet që janë bërë pjesë e këtij projekti madhor pohojnë përmasat energjike dhe gjallërinë e platformës. E vërteta është se, qysh prej vitit 2013 e deri në këtë fundvit 2021, Kina ka nënshkruar më shumë se 200 dokumenta për ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” me më shumë se 32 organizata ndërkombëtare. Përgjatë kësaj hapësire kohore, sipas statistikave të Ministrisë kineze të Tregëtisë, vëllimi i tregtisë së mallrave me vendet pjesëmarrëse ka kaluar 10 triliardë dollarë.

Në të njëjtën kohë, statistikat tregojnë se investimet e kompanive kineze në vendet pjesëmarrëse të projektit kanë pësuar rritje të konsiderueshme. Projektet infrastrukturore të kësaj nisme si autostrada në Afrikën Lindore, ura ndërishullore në Maldive, apo lidhja e Kazakistanit me detin, hekurudha e shpejtësisë së lartë në Azinë Juglindore, etj., janë projekte të cilat janë të ndërvarura me zbatimin e kësaj nisme.

Ecuria investuese dhe shumëpërfshirja në kësi investimesh dhe projektesh të kësaj platforme, po e plotësojnë, sipas pikëpamjes kineze dhe grupeve partnere, imazhin e një modeli të ri shumëkombësh në investimin infrastrukturor global. Autoritetet kinezë dhe ato të vendeve që lidhen në këtë nismë pretendojnë se këtë model po e mishërojnë edhe në fushën e shëndetësisë, për mbrojtjen e sigurisë, por dhe mirëqenies dhe sektorit shëndetësor, duke tejkaluar ofertën fillestare drejtuar vendeve pjesëmarrëse.

Duke iu rikthyer shpesh këtij projekti të ambicies më të madhe gjeostrategjike të vendit të vet, presidenti Xi nënvijëzoi në Forumin e Boaos për Azinë, në prill të këtij viti, se Kina synon të ndjekë "parimet e konsultimeve të gjera, kontributit të përbashkët dhe përfitimeve të ndërsjella, dhe do të mbrojmë filozofinë e bashkëpunimit të hapur, të gjelbër e të pastër, në përpjekje për ta bërë bashkëpunimin në kuadër të ‘Një brez, një rrugë’ të standardit të lartë, të përqëndruar te njerëzit dhe të qëndrueshëm."

Në këtë afishim të metodologjisë zbatuese të nismës apo projektit sfidant, Kina qartazi shpalos devizën e përfitimit dhe përpjekjeve reciproke me vendet pjesëmarrëse. Madje në shtrirjen e tij, ajo mbart edhe specifikat në përputhje me interesat dhe nevojat ekonomike të secilit prej vendeve partnere që përfshihen në nismë, duke shigjetuar kapilarët e rëndësishëm të tregtisë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Duhet pasur parasysh se aktorët shtetërore të përfshirë në këtë nismë mes Azisë, Afrikës dhe Europës, janë të ndryshëm për nga gama e interesave apo përfshirjeve ekonomike. Projektet kinezo-europiane në infrastrukturën rrugore dhe kryesisht atë hekurudhore janë jo vetëm të ndryshme me ato të Azisë, por edhe me projeksione interesash të pakrahasueshme.

Në tetë vitet e ardhshme, por edhe përtej, sfida e nismës në vetvete do të jetë akordimi i këtyre interesave të ndryshme ndërmjet vendeve pjesëmarrëse për të tejkaluar diversitetin e tyre. Realisht, është një sfidë që kërkon kreativitet dhe fleksibilitet për të arritur objektivin e paracaktuar për një gjurmë të qëndrueshme në rrafshin global.

Në vijimësi të saj, sfida tjetër do të jetë me skepticizmin ndaj nismës që lind prej disa vendeve ose që shtyhet në kontekstin gjepolitik nga përballja me Shtetet e Bashkuara. Vitet e fundit, nën degradimin e marrëdhënieve Kinë-SHBA, iniciativa “Një brez, një rrugë” është bërë shënjestër e kritikave dhe shqetësimeve të ngritura nga Uashingtoni. Gjasat janë që të vazhdojë intensifikimi i tyre në periudhën afatmesme.

Përtej këtyre dy sfidave, vendosmëria e lidershipit të Kinës duket qartazi në rrugëtimin drejt materializimit dhe shfrytëzimit të këtij projekti gjigand. Sytë e shumë vendeve në botë do vazhdojnë të shikojnë me vëmendje drejt Pekinit për të parë ardhmërinë e saj.

Nga Aleksandër Çipa