Mё 25 tetor 1971, nёpёrmjet Rezoutёs 2758 tё propozuar asokohe nga [Republika Popullore] Shqipёria, shёrbeu nё rikthmin e Republikёs Popullore tё Kinёs nё Organizatёn e Kombeve tё Bashkuara dhe pёrjashtimin prej asaj organizate tё Tajvanit qё nё mёnyrё tё padrejtё pёrfaqёsonte tё gjithё Kinёn. Epoka e Luftёs sё Ftohtё nё pёrgjithёsi ishte njё epokё e marrёdhёniesh tё tensionuara ndёrmjet dy blloqeve kundёrshtare ideologjike. Nga njёra anё lufta e Vietnamit e kishte drobitur administratën amerikane dhe presidenti Riçard Nikson (Richard Nixon) kishte të tjera synime lidhur me metodat që duheshin ndjekur ndaj botës komuniste e veçanёrisht ndaj Republikёs Popullore tё Kinёs. Në Departamentin e Shtetit, Shërbimin Sekret apo Departamentin Ekonomik po rrekeshin të gjenin një rrugëdalje për vendosjen e marrëdhënieve normale me Kinën. Dasitë ideologjike ishin një tjetër pengesë që shumё amerikanë i quanin të pakapërcyeshme.

Rruga për një afrim kino-amerikan ishte e gjatë. Acarimi i çuditshëm ndërmjet Moskës dhe Pekinit do t’i vinte në ndihmë synimeve amerikane në afrimin me Kinën. Presidenti Nikson ishte një politikan që nuk vështronte taktikat dhe preferonte të përdorte instinktin. Diskutimet për implementim të vendimit ai i quante kohë e shpenzuar kot. Strategjia e tij në politikën amerikane ishte vetëm një; menaxhimi i burokracisë. Ndryshe nga presidenti Nikson, këshilltari i tij për sigurinë kombëtare Kisinger

parapëlqente përdorimin e strategjive të kamufluara me inteligjencë intelektuale për të arritur qëllimin. Niksoni e kishte kuptuar se me ç'tensionimin (Detanta) e situatës ndërmjet blloqeve kundërshtare, që kishte nisur në fillim të vitit 1969 me përcaktimin e bisedimeve sovjeto-amerikane për kufizimin e armëve strategjike (SALT) kishte ardhur koha të bëhej për vete një aleat i fuqishëm i bllokut komunist pa e detyruar të hiqte dorë nga filozofia marksiste e partisë-shtet. Një ndër problemet më të mprehta me të cilin do të përballej Niksoni ishte se mos konservatorët në Amerikë do ta akuzonin se ishte i “butë ndaj komunizmit”. Në fakt ky ishte qëllimi i detantës. Kisingeri kishte për detyrë t’i ofronte të gjitha opsionet e duhura për një afrim me Kinën, por do të ishte vendimi i presidentit ai që do të përcaktonte mbarëvajtjen e një marrëdhënieje në ndërtim e sipër.

Ndërmjet Kisingerit dhe Niksonit kishte një divergjencë në perspektivën amerikane të afrimit me Kinën. Hapjen me Kinën, presidenti e shikonte si një mundësi që do t’i shërbente dobësimit të Bashkimit Sovjetik sidomos në ndihmën që i jepte Vietnamit të veriut. Ndërsa këshilltari Kisinger e shikonte këtë hap si një impakt në strukturën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Niksoni mendonte se t’i jepje fund izolimit të 800 milion kinezëve ishte fundi i një kërcënimi ndaj paqes. Për Kisingerin, futja e Kinës në diplomacinë botërore kërkonte menaxhim me shkathtësi të problemeve ndërkombëtare dhe nuk ishte e thënë sipas tij që Kina do të kënaqte dëshirat amerikane.

Për njëzet vjet Kina ishte lënë virtualisht në izolim dhe armiqësi ideologjike me Shtetet e Bashkuara. Lufta e Koresë kishte vënë ballë për ballë ushtarakët amerikanë dhe kinezë të cilët kishin luftuar ashpër kundër njëri tjetrit. Marrëveshja e Gjenevës e vitit 1954 kishte çuar në riatdhesimin e shumë bashkëkombësve kinezё deri në vitin 1968. Kaq kishte qenë e gjithë historia e marrëdhënieve kino-amerikane mbas Luftës II Botërore. Në vitin 1968, gazeta më e madhe partiake kineze “E Përditshmja Popullore”, e kishte quajtur ndërhyrjen sovjetike në Pragë si një agresion dhe pushtim ushtarak nga klika revizioniste sovjetike.

Kështu në mars të vitit 1969, marrëdhëniet kino-amerikane dukeshin të ngrira të shoqëruara me të njëjtën armiqësi që i kishte karakterizuar për njëzet vjet. Administrata e re amerikane e kishte një nocion, por nuk kishte një strategji sesi të afrohej me Kinën. Konceptet binin në kundërshtim me politikën amerikane. Por, si të ishte një dëshirë e Zotit mundësia për t’ua afruar me Kinën erdhi nga dy ngjarje. E para, ishte përplasja ushtarake mes trupave kineze dhe atyre sovjetike në Siberinë e ngrirë përgjatë lumit Usuri, në mars 1969. Kjo ngjarje i rёndoi shumë marrëdhëniet e Kinës me BS. Ngjarja e dytë ishte Kongresi IX i Partisë Komuniste Kineze i mbledhur në prill 1969, në kohën kur Revolucioni Kulturor ishte në pikun e tij, në të cilin u fol mirë vetëm për Shqipërinë.

A do të përcaktohej Shqipëria si një alternativë e mundshme, e cila do të shfrytëzohej nga amerikanët si rrugëdalje nga ku mund ta nisnin marrëdhënien me Kinën, të ndërprerë qysh në vitin 1950?

Në mënyrën sesi e kuptoj unë, një politikë e suksesshme ka të paktën tre komponentë: së pari, e ka të nevojshme një analizë të thellë për të përcaktuar me realizëm objektivin në rastin në fjalë: ndryshimin. Së dyti, e ka të nevojshme të bëjë përgatitje të kujdesshme, të përcaktojë instrumentet dhe rrugët që do të zgjedhë dhe përdorë, dhe së treti të kapë në kohë mundësinë që i jepet. Pasiviteti në krizë rrit impotencën politike. Udhëheqësi është i detyruar të veprojë ndaj ngjarjeve, por nëse nuk e bën një gjë të tillë rrit mundësinë të kalojë në dizavantazh. Nga ana tjetër, pala që ka në dorë iniciativën mund të marrë përpara energjitë dhe mundësitë e kundërshtarit. Në situata të tilla edhe lëvizjet më të vogla mund të shkaktojnë një efekt gjigand duke shpërblyer gjithnjë më të guximshmin ndaj ndryshimit. Për të arritur maksimumin e efikasitetit, veprimet e një lideri duhet të shmangin bllofin dhe mospërfilljen (në rastin e Shqipërisë heshtjen) dhe të dijë të vendosë në ekuilibër stabilitetin e vendit të tij. Hezitimi ndaj ndryshimit vë në pikëpyetje vendosmërinë e liderit për të çuar përpara popullin e tij.

Gjatë të gjithë historisë së njerëzimit, ndikimi politik i kombeve është varur në një shkallë të konsiderueshme nga fuqia e tyre ushtarake. Pafuqia shpie në rënie. Disa shtete kanë fituar autoritet ndërkombëtar pa pasur fuqi të madhe ushtarake, vetëm e vetëm se kanë vepruar në frymën e ekuilibrit botëror. Deri në atë kohë, ekuilibri ishte fjalë e huaj për diplomacinë amerikane, ishte kthyer në parakusht të paqes. Përllogaritja e fuqisë është padyshim fillesa e politikës, por nuk mund të jetë qëllimi i vetëm. Mbetet i pamohueshëm fakti se kur je i pafuqishëm, qëndron rreziku i përkuljes nga diktati i të tjerëve.

Jo në pak raste shtetarët gjenden përballë dilemës për të vepruar. Dhe ata duhet të vendosin vetëm një herë, nuk kanë as kohë e as mundësi për t’i rregulluar vendimet që marrin. Në vendimet e tyre luan rol edhe një dilemë tjetër: është më mirë të veprosh sipas drejtësisë apo mundësisë? Çdo shtetar në çdo vend të botës gjendet përballë kësaj dileme. Në kohë krizash jo në pak raste shtetarët kanë vepruar sipas mundësisë dhe jo sipas drejtësisë.

Qysh në vitin 1970, Shqipëria ishte përpjekur të paraqiste një rezolutë në OKB, e cila do të përjashtonte Tajvanin dhe të rendiste Kinën si shtetin legjitim në përfaqësimin e popullit kinez në “qeverinë e botës”. Në atë vit rezoluta shqiptare humbi me një përqindje të vogël, por megjithatë ishte një hap i madh përpara në këtë proces që vazhdonte prej vitesh.

Vizita qё zhvilloi Henri Kisinger nё Pekin nё korrik 1971 dhe kritika e Enver Hoxhës për të, e minimizoi peshën specifike të Shqipërisë në hartën e interesave ndёrkombёtare tё Kinёs. Sinjalet e para për këtë, Hoxha i kuptoi kur nuk i erdhi asnjё pёrgjigje nga PKK dhe qeveria kineze lidhur me letrёn e gjatё qё dёrgoi me anё tё sё cilёs kundёrshtonte afrimin kino-amerikan.

Megjithatё, Shqipёria nuk qëndroi duarkryq. Ministri i Punёve tё Jashtme tё Shqipёrisё, Nesti Nase e kishte informuar mё 15 qershor 1971 se cilёt do tё ishin hapat qё do tё ndёrmerrte Shqipёria qё Kina tё anёtarёsohej nё OKB. Lidhur me problemin e rivendosjes sё tё drejtave tё Kinёs nё OKB, nga ana shqiptare ishte bёrё gati rezoluta, dhe se ishte njoftuar paraprakisht misioni nё Nju Jork qё tё merrte kontakt me pёrfaqёsuesin e Algjerisё, tё Kubёs dhe tё Zambias pёr kёtё çёshtje dhe mbasi tё pёrfundonin çёshtjen nga Shqipёria do tё jepeshin udhёzimet pёrfundimtare.

Siç duket këshilltari i ambasadës kineze në Tiranë, Sjap Sju Fen, e kishte lajmëruar menjëherë udhëheqësit kinezë, sepse Çu En Lai, në takimin që pati me 17 korrik 1971 me ambasadorin shqiptar në Pekin Xhorxhi Robo, i kërkoi këtij të fundit tё falёnderonte nё emёr tё tij projektin qё kishte hartuar Shqipёria qё Kina tё ishte pjesё e Organizatёs sё Kombeve tё Bashkuara. Ishte i pashmangshёm fakti se Kina do tё pranohej me tё drejta tё plota nё OKB, Rezoluta e re shqiptare nё favor tё anёtarёsimit tё Kinёs ishte depozituar nё sekretariatin e Kombeve tё Bashkuara dhe tashmё nuk mund tё kishte hap prapa. Madje, edhe shtete tё tjerё si Kili dёshironin tё bёheshin bashkё-autorё nё mbёshtetje tё rezolutёs tё Shqipёrisё. Madje sipas deshifrimit tepёr sekret nga ambasada shqiptare nё Kinё i datёs 15.9.1971, Franca, Anglia dhe Kanadaja do tё votonin nё favor tё rezolutёs shqiptare.

Anёtarёsimi i Republikёs Popullore tё Kinёs nё OKB, ishte një fitore e madhe për një shtet të vogël si Shqipëria. Gazeta e famshme “Nju Jork Tajms” e raportoi rezolutën shqiptare me një jehonë të pazakontë ku theksonte rezultatin 76 me 35, 17 abstenime (dhe asnjë aleat i NATO-s nuk kishte votuar për palën amerikane (Rezolutën Bush).

Pra, Rezoluta 2758 e propozuar nga Shqipёria kaloi me superioritet. Rezoluta amerikane për një përfaqësim dypalësh Kinë-Tajvan asnjëherë nuk u hodh në votë pasi ishte shpenzim i kotë. Thelbi i problemit qëndronte se shtetet aleate të Amerikës ndryshuan qëndrim kundër saj. Nëse vota "kundër" e aleatëve të SHBA ishte me të vërtetë kundër amerikanëve, apo shtetet aleate të SHBA kësaj radhe nuk kishin pasur instruksione konkrete, kjo ende nuk është plotësisht e njohur. Disa mendojnë se vizita sekrete e Kisingerit pa u këshilluar me aleatët e kishte bërë dëmin e vet, por ishte një risk të cilët amerikanët duhet patjetër ta provonin. Disa të tjerë mendojnë se përpjekja amerikane për një kompromis të arsyeshëm që Tajvani të mos përjashtohej nga OKB-ja nuk pati sukses. Duke votuar Rezolutën shqiptare në favor të Pekinit, vendet e tjera, jo vetëm që i bënë shërbim interesave të tyre gjeopolitike, por vota e tyre ishte edhe për të kënaqur opinion publik si dhe për t’i bërë sfidë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sot po jetojmё njё tjetёr kohё tё vёshtirё nё marrёdhёniet ndёrmjet SHBA-ve dhe Republikёs Popullore tё Kinёs. Mёsimi i çmuar historik i vitit 1971 duhet tё kuptohet mirё nga udhёheqёsit e dy shteteve mё tё fuqishёm tё botёs. Nuk ёshtё thjesht fjala pёr imponim tё dёshirёs sё njёrit kundёr tjetrit, por shmangien e njё aventure tё rrezikshme me pasoja tё paparashikuara pёr stabilitetin botёror. Ishte mё e vёshtirё tё gjendej njё gjuhё kompromisi nё kulmin e Luftёs sё Ftohtё nё vitin 1971, sesa sot kur gjёrat janё mё tё dukshme dhe mё tё pranueshme. Aftёsia pёr tё bёrё kompromis ёshtё mundёsia pёr investim afatgjatё ku tё gjithё dalin tё fituar. Eksperienca e vitit 1971 ёshtё e nevojshme tё shёrbejё si katalizator dhe domethёnie thelbёsore nё aplikimin e politikave bashkёpunuese nё shekullin XXI.

Dr. Gjon Boriçi