Përpjekje të dukshme po bëen që marrëdhëniet midis Republikës Popullore të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të shtensionohen. Kjo shihet para së gjithash në bisedimet për rigjallërimin e marrëdhënieve ekonomike dhe të tregtisë midis të dy vendeve. Qeveria amerikane nuk e konsideron të gabuar politkën e mëparshme në lidhje me këtë, por ama ajo ka kërkuar që përsëri të rifillojë bisedimet me Pekinin, me qëllim që të kapërcejë krizën e marrëdhënieve ekonomike e tregtare midis të dy vendeve. Qeveria kineze është e matur dhe një iniciativë të tillë amerikane e konsideron si një sinjal pozitiv. Megjithatë ajo vazhdon të mos pajtohet me masat shtrënguesëe të viteve të fundit të SHBA-ve ndaj saj.

Katherine Tai është ngarkuar nga administrata Biden për të udhëhequr bisedimet e shtensionimit të politikave të tregtisë midis palëve. Ajo u zotua se sfidën e tregtisë me Kinën do ta shohin me sinqeritet, transparencë dhe drejt për drejt. Sipas saj fillimisht bëhet fjalë për një marrëveshje të vitit 2019, me të cilën Kina është zotuar se deri në fund të vitit 2021 do të blejë në SHBA produkte që shkojnë në vlerën prej 200 miliardë dollarë amerikanë. Kjo do të thotë se amerikanët janë shumë të interesuar të rrisin bilancin tregtar me kinezët!

Në fakt Presidenti Biden në fushatën elektorale të vitit 2020 kishte dhënë sinjale për shtensionimin e marrëdhënieve, sidomos në tregti, me Republikën Popullore të Kinës. Interesi amerikan në tregun kinez është shumë i lartë. Ekspertët mendojnë se Kina ka nevojë për naftën dhe gazin amerikan, si dhe për produkte të tjera industriale e bujqësore. Ndërkohë ata besojnë se masat e administratës së Trump kundër marrëdhënieve tregtare me Kinën nuk kanë efektin e duhur dhe nuk ndikojnë që Republika Popullore e Kinës të dorëzohet para amerikanëve. Përkundrazi, disa i shohin këto masa edhe si shkak i reaksionit të qeverisë kineze në fushën e politikave dhe të sigurisë në rajon, sidomos ndaj Tajvanit.

Duket qartë se sanksionet amerikane ndaj Republikës Popullore të Kinës nuk kanë ndikuar në dobësimin e fuqisë së saj ekonomike e fnanciare, aq më pak në aspektin politik dhe gjeopolitik. Ndaj dhe nevoja që marrëdhëniet tragtare midis dy vendeve të rriten dhe përmirësohen shihet si shans për rritjen ekonomike të të dy vendeve, sidomos në SHBA. Shanset që Uashingtoni ta shantazhojë Pekinin me masa kufizimi dhe sanksione janë shumë të vogla. Konflikti për tregtinë dhe doganat ka ulur bilancin tregtar me Kinën me 50 milard dollarë amerikanë. Ky bilanc negativ i përket vitit 2018. Por një vit më vonë SHBA-të urdhëruan sanksione që preknin produktet nga Kina, vlera e të cilave kapte 500 miliard dollarë. Qeveria kineze u përgjigj me të njëjtën monedhë e ndërkohë zgjeroi tregtinë me rajone të ndryshme të Azisë, si dhe në kontinente të tjera.

Izolimi i Kinës në marrëdhëniet ekonomike e tregtare me rajonet e ndryshme të botës ishte qëllimi kryesor i përpjekjeve amerikane. Megjithatë ekspertët vlerësojnë se kjo është e pamundur në kushtet e një tregtie që bazohet te kërkesa dhe oferta, si dhe në nevojat ndërkombëtare. Për këtë shkak presidenti amerikan Biden po përpiqet që të ristartojë në marrëdhëniet tregtare me Pekinin.

Megjithatë konfliktet midis Kinës dhe SHBA-ve gjatë pesëvjeçarit të fundit kanë marrë një dimension të ri. Ato shtrihen edhe në fusha tjera, veç tregtisë. Çeshjet e ndikimit gjeopolitik dhe çeshtjet e sigurisë shihen përmes optikave të ndryshme. Ndaj po bëhen përpjekje për një takim, qoftë ky dhe virtual përmes një vidiokonference, midis presidentit Biden dhe presidentit Xi Jiping. Dy shefat e diplomacisë së të dy vendeve kanë zhvilluar bisedime në Zvicër dhe kanë rënë dakord për një takim të tillë midis dy shefave të të dy shteteve. Më e mira do të ishte që ata të takoheshin direkt, por presidenti Xi nuk do të udhëtojë për të marrë pjesë në samitin e G20-ës në Romë. Ai nuk ka udhëtuar jashtë vendit që prej fillimit të pandemisë së Covid-19. Megjithatë një takim virtual midis Baiden dhe Xi është një hap i sukseshëm për marrëdhëniet midis të dy vendeve si dhe një garanci më shumë për paqe e siguri në Azinë Lindore e Juglindore.

Se marrëdhëniet midis të dy vendeve do të marrin një kthesë pozitive, këtë e provon fakti që takimet dhe kontaktet midis dy palëve tashmë janë bërë të zakonshme. Shefi i politikës së Jashtme në Komitetin Qendror të PK të Kinës, Yang Jiech dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të qeverisë amerikane, Jake Sullivan, kohët e fundit zhvilluan bisedime prej gjashtë orësh me qëllim gjetjen e mundësive për përmirësimin e shtensionimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve.

Në fakt, bota do të dukej më e paqtë, më e sigurt dhe me stabile, nëse dy Fuqitë më të Mëdha të globit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika Popullore e Kinës do të nxisin dialogun për marrëveshje dhe bashkëpunim midis tyre. Ky do të ishte jo vetëm interes amerikan dhe kinez e madje jo vetëm në fushën e tregtisë së jashtme dhe të ekonomisë e të financave.

Enver Bytyçi