Kina është një nga vendet e veçanta në botë që festat e saj i kremton në një mënyrë mjaft të spikatur. Festat në Kinë nuk janë thjesht një periudhë pushimi e argëtimi, por ato janë më shumë një periudhë komunikimi të hapur me familjarë e miq, lëvizjeje të pareshtur, solidariteti prindëror, kthim në vendlindje për të respektuar rrënjët e nderuar prejardhjen. Është kjo ndjesi e një populli të kulturuar, me fisnikëri e rrënjë të thella në traditat e veta. Një popull që shikon nga e ardhmja, duke respektuar të kaluarën, brezat, historinë, gjithshka që ka lidhje me gjenezën e vet, është i sigurt në ecjen e tij.

Në periudhat festive kombi është pothuaj i gjithi në lëvizje, në një komunikim të hapur, duke marrë një energji të re për të ardhmen. Viti i Ri kinez dhe Java e artë, por edhe festa të tjera janë ditët kur transmetohet më shumë se asnjëherë dashuria njërezore, miqësia, solidariteti, kur përcillet një energji pozitive që vitalizon vendin.

Këto ditë të Javës së artë, ditët e kremtimit të Festës Kombëtare të Kinës gjallërojnë më shumë se asnjëherë. Një lëvizje dhe komunikim që i jep dimension të veçantë festës, por edhe jetës. Volumi i lartë i udhëtarëve po realizohet këto ditë, duke kapur një shifër që i kalon 120 milionë udhëtimet, vetëm hekurudhore.

A ka një popull në botë që mund të lëvizë kaq shumë dhe për një periudhë kaq të shkurtër? Është populli kinez, që krahas të tjerash transmeton përmes lëvizjes energji njerëzore, por edhe energji ekonomike. Ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Kinë kanë mundësuar kushte optimale komunikimi përmes rrjetit të gjitha llojeve të transportit, por më së shumti tani përmes atij hekurudhor, që ka marrë një zhvillim mjaft të madh vitet e fundit.

Kina ka sot rrjetin më të zhvilluar e më të gjatë në botë e në mënyrë specifike atë të shpejtësisë së lartë, që ka shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimeve, por edhe ka përmisuar cilësinë e tyre. Festimet nuk mund të kishin këtë ngjyrë pozitive e këtë gjallëri në se arteriet e komunikimit nuk do t’i përgjigjeshin kërkesave në rritje të popullsisë. Nuk është i largët viti 2008 kur u instalua hekurudha e shpejtësisë së lartë, që tashmë përshkon gjithëandej Kinën. Ky rrjet i gjithi i ri simbolizon fuqinë ekonomike në rritje të vendit, modernizimin që njeh parametra befasues, por edhe teknologjinë e lartë, e cila është pjesë substanciale e fuqisë zhvilluese të Kinës. Viti 2021 shënon një shifër rekord për mbarë botën: 37.900 kilometër rrjet hekurudhor i shpejtësisë së lartë.

Festa si “Java e artë” që u përjetua aq gëzueshëm në Kinë, nuk mund të ishte e tillë nëse gjallërisë së madhe njerëzore, karakteristikë e popullit kinez, nuk mund t’i përgjigjej edhe një gjallëri e mundësuar nga rrjete transporti të zhvilluara e bashkëkohore. Vizioni i zhvillimit e kërkonte që standardeve në rritje të popullit, t’i përgjigjeshin edhe standardet në rritje të udhëtimeve. Shifra prej mbi 120 milionë udhëtimesh do të ishte shumë më e lartë nëse do gjendeshim në kushte optimale të komunikimit, por pandemia e kufizoi në mënyrë të ndjeshme lëvizjen dhe masat për të ruajtur shëndetin e njerëzve vijojnë të jenë të forta. Autoritetet shëndetësore, duke zbërthyer dëshirën e njerëzve për të qenë në një lëvizje të pamatë, kanë këshilluar për një rritje të vigjilencës dhe forcuar masat anti –epidemike.


Në një situatë normale, Kina do të ishte tëra në lëvizje dhe ngarkesa hekurudhore, por edhe e rrugëve të tjera të transportit do të ishin me një volum shumë më të madh. Edhe në këto kushte turizmi festiv tregoi një lulëzim mjaft të madh. Ky lulëzim i turizmit dhe i konsumit, dëshmon krahas të tjerash se ekonomia kineze është fuqizuar dhe mbështet gjallërinë njerëzore të kombit kinez.

Festat zbërthejnë shumë elementë të jetesës së përmisuar të popullit, por edhe tregojnë se niveli i zhvillimit dhe ekonomisë është në rritje dhe standarde të larta. Dhe kjo nuk ndodh vetëm në kryeqytetin Pekin, por në të gjitha krahinat e provincat e vendit, sado larg që të jenë ato. Mrekullia kineze e zhdukjes së varfërisë për një popullsi me më shumë se 770 milionë u arrit si e tillë, pasi vëmendja dhe investimi ishte në çdo cep të Kinës.

Zbutja e varfërisë, që me të drejtë konsiderohet një arritje historike, jo vetëm për dimensionin e saj social, por edhe atë të fuqisë ekonomike, shpreh përkushtimin e Kinës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sepse sigurimi i të drejtave të çdo individi për arsim, kujdes shëndetësor e strehim, por edhe për të qenë i bashkuar e festuar në ditët simbolike kombëtare, por edhe të besimit, qëndron në themel të këtyre të drejtave dhe pohon standardet e një vendi të zhvilluar.

Pa një frymëmarrje të fuqishme ekonomike, por edhe respektim të të drejtave dhe lirive të çdo individi, festat e ndryshme e të shumta që ka Kina nuk do të kishin këtë gjallëri. “Java e artë” po i jep një gjallëri plot shkëlqim të gjithë vendit dhe një energji të re njerëzve, por injektoi në ekonomi më shumë potenciale financiare. “Java e artë” që vjen pas Festës së Mesvjeshtës, është një mundësi tjetër për t’i dhënë impulse pozitive ekonomisë. Megjithëse 3 ditore, edhe Festa e Mesvjeshtës, e cila u mbyll disa ditë më parë, shpalosi krahas ndjenjës për të qënë besnik të traditës, edhe cilësinë e një jete të re. Në ditën e parë të Festës së Mesvjeshtës, sipas traditës të gjithë anëtarët e familjes duhet të mblidhen në shtëpi, për të parë hënën, e cila është më e bukur kur e shikon nga vendlindja. Kultivimi i dashurisë për vendlindjen, është në thelb të festës dhe rrënjët e thella të kombeve të fuqishme, qëndrojnë të forta pikërisht pse ruajnë traditat e mbi të gjitha dashurinë për vendlindjen.

Festat në Kinë kanë simbolika të veçanta. Ato kanë një përmasë të madhe masiviteti dhe kënaqësie kremtimi, pikërisht sepse lidhen me motive që ushqejnë ndjenjat e dashurisë për vendin nga vijnë duke e çmuar si një nga pasuritë më të mëdha.

Në harkun e tre ditëve u realizuan 881.59 milionë udhëtime, me të ardhura turistike prej 37.14 miliardë juanë. Janë shifra që vetëm në Kinë mund të qëndrojnë kaq natyrshëm, pasi për vende të tjera tingëllojnë supersonike. Turizmi familjar, parqet tematike dhe resortet ne zonat rurale ishin zgjedhjet më të spikatura. Një numër të madh vizitorësh tërhoqi hapja e parkut tematik “Universal Studios” të Pekinit, por edhe parqet e tjera argëtuese si “Disneyland” i Shangait, “Lugina e lumtur” e Pekinit dhe resorti oqeanik ndërkombëtar “Chimelong” në Zhuhai (Çuhai). Në krahasim me vitin 2019, niveli i rezervimit të hoteleve është rritur me mbi 20 %, i biletave në zonat turistike me 30 %, ndërsa marrja e makinave me qera me 77 % . Parku argëtues “Universal Studios” i Pekinit që ishte si në Festën e Mesvjeshtës, si tani në Javën e Artë, një destinacion tepër i preferuar, tregon se kinezët duan t’i japin jetës dhe argëtimit të tyre ngjyra sa më të bukura, standarde gjithnjë e më të larta dhe shije bashkëkohore.

Në ditën e 20 shtatorit, kur u hap “Universal Studios” biletat u shitën të gjitha online brenda një minute dhe mbi 60 % e tyre nga banorë jashtë Pekinit. Sigurisht që kërkesat përputhen me nivelin në rritje të jetesës, me ekonominë që zhvillohet e që mbështetet mbi themele të sigurta. Raportimet e vazhdueshme mbi përparimin e ekonomisë kineze, reflektojnë normalisht edhe në standardet në rritje të jetesës së njerëzve. Shifra e 100 dollarëve për frymë të PBB-së në vitin 1952, tani është në mbi 10.000 dollarë ! Një kapërcim befasues, por edhe një realitet që tregon se pas këtyre shifrave domethënëse, qëndrojnë përpjekje dhe energji të mëdha të drejtuara mençurisht dhe me vizion nga lidershipi kinez.

Jo rastësisht Kina i kushton një vëmendje të përqëndruar organizimit të festave të ndryshme të saj.

Duke ruajtur traditat, duke i ushyer me ndjenja njerëzore ato, duke i krijuar hapësirë e kushte argëtimi njerëzve, ajo forcon ndjenjën vitale të bashkësisë, por injekton energji zhvillimi në ekonomi, e cila forcon dhe siguron rritjen e standarteve të jetesës së njerëzve, duke reflektuar përgjegjësinë politike e sociale të shtetit për t’u investuar fuqishëm në përmirësimin e vazhdueshëm të jetës së popullit.