Republika Popullore e Kinës festoi 72 vjëtorin e themelimit të saj. Ajo u krijua më 1 tetor të vitit 1949 pas një lëvizje të gjerë revolucionare të udhëhequr nga Partia Komuniste dhe kryetari i saj, Mao Ce Dun. Kjo ditë është e shënuar si dita e formimit të shtetit modern kinez. Dhe në fakt Kina e Mao Ce Dunit realizoi procesin prej formimit e deri te konsolidimi i këtij shteti. Por kjo nuk do të thotë se vendi më i madh i botës nuk kishte një trashëgimi shtetformuese e shtet-ndërtuese.

Lindja e shtetit të parë të Kinës i përket periudhës së lashtësisë. Dinastitë kineze datojnë shumë shekuj, ndoshta mijëvjeçarë para Krishtit. Së paku prej shekullit XXI para Krishtit janë zbuluar gjurmët e qytetërimit kinez. Këto gjurmë edhe në shtet-formim shkojnë vazhdimisht e në mënyrë të pashkëputur deri në periudhën e antikitetit. Krahas qytetërimit athinas të Perkikliut, si dhe qytetërimeve të tjera si ai i Babilonisë, Egjiptit, Romës etj, një vend të veçantë zë qytetërimi i Kinës. Dinastia e parë ishte ajo e Xia, e dyta dinastia Shang dhe e treta dinastia Zhou. Gjatë sundimit të këtyre dinastive Kina shënoi e para në histori zbulimin e shkrimit, por edhe dëshmoi një mënyrë specifike, të ndryshme nga qytetërimet e tjera të ushtrimit të pushtetit. Ky qytetërim është i provuar përmes gjetjeve arkeologjike dhe zbulimeve të tjera historike dhe është shënuar si trashëgimi e patjetërsueshme e kulturës dhe civilizimit kinez.

Ceremonia e ngritjes së flamurit kombëtar në sheshin Tiananmen, 1 tetor, Pekin(VCG)

Ceremonia e ngritjes së flamurit kombëtar në sheshin Tiananmen, 1 tetor, Pekin(VCG)

Gjithashtu emër të madh në qytetërimin kinez ka lënë filozofia klasike e zhvilluar në mbi pesë shekujt e mëvonshëm, prej 750 deri më 250 para krishtit. Kjo periudhë i takon lulëzimit të 100 shkollave filozofike. Shkolla filozofike e Legalizmit u bë asokohe doktrinë zyrtare e shtetit Çin e më pas u aplikua gjerësisht në perandorinë e bashkuar. Një shkollë tjetër filozofike ishte ajo e Moizmit, e cila u përndoq nga perandori Çin. Kjo shkollë filozofike predikoi pacifizmin, vëllazërinë midis njerëzve dhe dashurinë universale midis tyre. Kurse shkolla filozofike e Taoizmit kishte në themel harmoninë e njeriut me natyrën. Zhvillimi i doktrinave dhe teorive filozofike kineze ndodhi në të njëjtën kohë me zhvillimin e filozofisë së Sokratit dhe Aristotelit në Greqinë e Lashtë. Përfaqësues tipikë të kësaj periudhe ishin Konfuci dhe Menci.

Prej vitit 1949 e deri më sot sistemi politik dhe i qeverisjes në Kinë është bazuar jo pak në doktrinat e hershme të shtetti dhe të qeverisjes. Për këtë arsye Republika Popullore e Kinës kaloi me sukses provat e mëdha të ringritjes në nivelet e qytetërimit të hershëm e antik. Themelimi i Republikës Popullore ishte pikënisja e një Kine moderne dhe të ecjes së saj për t'u kthyer në një fuqi globale.

Banorët që erdhën në Pekin për të parë ceremoninë e ngritjes së flamurit, 1 tetor, Pekin(VCG)

Banorët që erdhën në Pekin për të parë ceremoninë e ngritjes së flamurit, 1 tetor, Pekin(VCG)

Periudha e Mao Ce Dunit rimëkëmbi vendin dhe vendosi bazat e zhvillimit ekonomik, ushtarak e politik të vendit. Kjo periudhë konsolidoi institucionet e shtetit, nxiti shkencën dhe mendimin shkencor e për pasojë e shndërroi Republikën Popullore të Kinës në një fuqi bërthamore të rëndësishme të planetit. Shqipëria kishte fatin që për 20 vite të ishte një nga aleatet më të ngushta të Republikës Popullore të Kinës së Mao Ce Dunit dhe përfitoi jo pak nga kjo miqësi. Në katër pesëvjeçarë të zhvillimit të saj, Shqipëria ndërtoi me ndihmën kredive dhe financimeve të Kinës mbi 400 fabrika, uzina, hidrocentrale dhe objekte të tjera industriale. Falë ndihmës kineze me ndërtimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, dhe Fierzës vendi ynë siguroi pavarësinë energjitike. Po kështu u bënë investime prej miliarda dollarësh në ushtri dhe sektorë të tjerë.

Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet e mira me Republikën Popullore të Kinës në fund të viteve 1970, pikërisht në kohën kur gjigandi kinez po bënte kapërcimin e madh në reformimin e sistemit politik dhe ekonomik të vendit. Ten Hasiao Pin i dha asaj mekanizmin e aftësisë për të konkuruar në tregun botëror. Dhe përmes atij mekanizmi Kina u rrit ekonomikisht thuajse çdo vit me dy shifra! Hopi i madh në zhvillimin ekonomik e social i siguroi asaj rritjen e potencialit politik dhe ushtarak, e veçmas në teknologji. Megjithatë periudha e dy dekadave të fundit e presidentit Xi Jinping mund të konsiderohet si periudha e konsolidimit të Kinës dhe e ngritjes së saj në rangun e një prej Fuqive më të Mëdha të globit.

Porti Yantian në qytetin Shenzhen të Kinës Jugore(VCG)

Porti Yantian në qytetin Shenzhen të Kinës Jugore(VCG)

Në dy dekadat e fundit Republika Popullore e Kinës bëri përpjekje të jashtëzakonshme për zhvillimin e teknologjisë, uljen e varfërisë dhe ruajtjen e ambjentit. Këto tre elementë e bënë atë më zë të padiskutueshëm në botë dhe destinacionin e investimeve të mëdha të kapitalit botëror. E nga ana tjetër e shndërruan Kinën në eksportuese të kapitalit dhe bashkë me të edhe të besimit dhe ndikimit të saj në rajone të ndryshme të botës. E bënë atë konkuruese të padiskutueshme në tregun botëror dhe e rritën produktin e saj shoqëror në masën e 22 për qind të produktit të të gjitha vendeve të planetit!

Sistemi politik dhe qeverisja kineze gjithnjë, përfshirë periudhën e Mao Ce Dunit, është frymëzuar dhe orientuar nga filozofia politike e lashtësisë, veçmas nga ajo e Konfucit. Si e tillë ajo ruan principet e paqes, humanizmit, drejtësisë dhe ndihmës së pakushtëzuar. Ruajta dhe zhvillimi i këtyre parimeve rrit besimin e Republikës Popullore të Kinës te partnerët ndërkombëtarë dhe e bën këtë vend të respektuar për botën tjetër!