Gjatë luftës së Ftohtë (1949-1989) konflikti u zhvendos midis dy sistemeve, kapitalizmit dhe socializmit. Në këto kushte në vendet e sistemit kapitalist u zhvillua demokracia, në të cilën të drejtat e njeriut dhe liria ekonomike u bënë faktorë të zhvillimit. Ndërsa në vendet e sistemit komunist u frenuan këta dy elementë dhe kjo çoi në falimentimin e sistemit përkatës.

Republika Popullore e Kinës ishte ndër të parat vende, e cila kuptoi se ekonomia e centralizuar dhe e kontrolluar nga shteti përbënte një pengesë për konkurrencën ekonomike ndërkombëtare. Prandaj ajo u hap drejt ekonomisë së tregut. Ten Hsiao Pin ishte lideri i parë kinez që themeloi një teori të re sa i përket lirisë ekonomike dhe konkurrencës së saj në rang global. Në dhjetë vitet e fundit, bazuar në filozofinë e ekonomisë së tregut, Kina u shndërrua në një fuqi globale, madje në rritje të vazhdueshme.

Kjo strategji e zhvillimit ekonomik u ndoq me korrektësi, ndaj dhe Kina sot është jo vetëm superfuqi e Azisë Qendrore, por edhe një nga Fuqitë më të mëdha ekonomike pas SHBA dhe BE-së, në ekonominë botërore. Ndërkaq në Azinë Qendrore bëjnë pjesë edhe dy fuqi të tjera ekonomike të rëndësishme, Rusia dhe Turqia. Por duket se Republika Popullore e Kinës e ka kapërcyer kompleksin e inferioritetit ndaj vendeve të tjera të fuqishme të rajonit. GDP-ja kineze është dhjetëfish më e madhe. Pavarësisht kësaj ajo me Rusinë ka një partneritet ekonomik të formësuar tashmë, ndërsa me Turqinë ruan lidhje të ngushta sa i përket bashkëpunimit ekonomik. Lënda e parë dhe prodhimet industriale të Kinës gjenden me shumicë në tregjet e këtyre dy vendeve.

Megjithatë Pekini sheh përtej këtyre dy aktorëve euro-aziatikë. Europa Qendrore dhe ajo Lindore janë objektivi i radhës. Kjo gjithashtu në funksion të Rrugës së Gjelbër. Sipërmarrësit kinezë gjenden tashmë me investimet e tyre sidomos në infrastrukturë thuajse në të gjitha këto vende. Megjithatë ata punojnë në një farë trysnie politike. Shkaku është diferenca në modelin e qeverisjes. Por a do të mund të jetë pengesë e përhershme kjo diferencë midis Europës dhe Kinës?! Mendoj se në përfundim vendosin e do të vendosin interesat gjeopolitike e gjeostrategjike dhe jo modeli i sistemit qeverisës.

Ky interes përcakton mbylljen ose hapjen e një vendi apo një bashkësie shtetesh si Bashkimi Europian. A është mbyllja interesi europian në raport me Kinën dhe a mundet që diferenca ideologjike në modelin e qeverisjes të bllokojë bashkëpunimin ekonomik e në investime midis palëve?! Shanset janë thuajse zero. Le të sjellim dy argumente: Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndjekin një politikë të jashtme pragmatiste. Ato për ruajtjen dhe mbrojtjen e interesave strategjike të tyre nuk përdorin si kriter modelin e qeverisjes. Përkundrazi, shpesh herë përpiqen që përmes udhëheqësve autoritarë të realizojnë më lehtë interesat gjeopolitike.

E njëjta gjë ndodh me disa vende europiane, pavarësisht se në principet e Bashkimit Europian shënohen obligimet për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut ose të tregut të lirë e të pavarur ekonomik e në investime. Në Europën Qendrore dhe Lindore shumë vende orientohen nga interesi ekonomik, politik dhe strategjik, duke mos i dhënë rëndësi modelit dhe praktikës së qeverisjes së një vendi tjetër. Që sot Europa është e përçarë sa i përket prioritetit të marrëdhënieve me Kinën!

Ndërkaq duhet thënë se në praktikë shqetësimi për mënyrën dhe modelin e qeverisjes sa i përket Fuqive të Mëdha ka qenë dhe mbetet në minimum. Nëse në adresë të Kinës mediet dhe në raste të veçanta zhvillojnë kritika sa i përket lirive dhe të drejtave të njeriut, kjo nuk e ka penguar asnjë vend që të zhvillojë marrëdhënie të ngushta në ekonomi e në investime. Ndërkohë që qeveria kineze ka mundur të përmirësojë kuadrin ligjor dhe praktikat e respektimit të të drejtave të njeriut si për çështje të besimit, ashtu edhe të etnive, duke e bërë më pak agresive retorikën perëndimore.

Megjithatë, sipas një diplomateje gjermane, Patricia Flor, Kina është një aktore globale. Ajo i rekomandon Bashkimit Europian që të forcojë pozitën e tij si fuqi botërore përmes angazhimit europian për vlerat e sistemit të qeverisjes liberale. Në këtë këndvështrim, Flor e sheh pozicionin e Europës ndaj Kinës të njëjtë me atë ndaj Rusisë. Por ajo çfarë dallon në rekomandimin e diplomates gjermane lidhet me kërkesën që BE të ruajë vlerat e saj, pavarësisht bashkëpunimit ekonomik me Republikën Popullore të Kinës ose me Rusinë.

Kjo do të thotë që marrëdhëniet ekonomike, tregtare e në investime të Europës me Kinën të bazohen te interesi ekonomik, duke mos devijuar nga parimet europiane në sistemin e qeverisjes. Ndërkaq kuptohet se nuk ka dhe nuk mund të ketë një bllokadë ekonomike të ndërsjellë, sepse në planin ekonomik Kina është e duhet të jetë po aq liberale sa edhe Europa. Duke u bazuar në këtë harmoni dhe ekuilibër duket se pavarësisht konjukturave, të cilat herë i dobësojnë dhe herë u japin prioritet marrëdhënieve BE-Kinë, në të ardhmen ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej.

Republika Popullore e Kinës me bumin e vet ekonomik, me rritjen e konsumit dhe shtimin e të ardhurave dhe mbetet një nga tregjet më të mëdha të Europës. Ndërkaq kjo do të diktojë edhe vendosjen e një raporti harmonik me rikthimin e Kinës në tregun europian. Në fund të fundit ekonomia e tregut ka ligjet e veta, të cilat ndikohen, por nuk përcaktohen nga modeli dhe mënyra e qeverisjes, gjë për të cilën vendosin vetë popujt dhe kombet. Nëse Kina do të liberalizojë akoma më shumë tregun, ekonominë dhe investimet e saj, ajo bëhet partnere e dyfishtë me Europën si dhe me vende të tjera të fuqishme: Nga njëra anë ofron tregun e saj për të tjerët dhe në anën tjetër ofrohet si investitore e fuqishme dhe treg për të tjerët, veçmas për europianët!
Enver Bytyçi