Në sesionin e përvitshëm të Asemblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shtetet anëtare kanë identifikuar fushat e veprimit si nevoja e një sistemi të fortë të OKB –së për një bashkëpunim me efektiv me institucionet financiare ndërkombëtare, mbrojtja e planetit nga emetimet e gazrave, zgjidhja urgjente e konflikteve të armatosura përmes mjeteve paqësore, respektimi i demokracisë dhe sundimi e ligjit, barazia gjinore, shkaqet e pabarazive, përfshirë dhunën, korrupsionin, diskriminimin, varfërinë, mungesën e arsimit dhe punësimit, qasjen dixhitale të sigurtë dhe të përballueshme për të gjithë, sigurimi i një zhvillimi të qëndrueshëm, si dhe nevoja për të përmirësuar gatishmërinë jo vetëm për krizat e lidhura me shëndetin, por edhe sfidat dhe krizat e tjera.

Presidenti Xi Jinping në fjalën e tij në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara ka nënvizuar se i takon secilit shtet të jetë përgjegjës në lidhje me : (i) me luftën për të mundur pandeminë COVID-19 dhe të fitores për të ardhmen të njerëzimit, (ii) nevojën për ringjalljen e ekonomisë duke ndjekur rrugën e zhvillimit të gjelbër dhe të balancuar, (iii) forcimin e solidaritetit dhe të promovimit të respektit reciprok në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe (iv) përmirësimin e qeverisjes globale duke praktikuar multilateralizmin e vërtetë.

Përballë goditjeve të rënda të COVID-19, vendet antare duhet të punojmë së bashku për të drejtuar zhvillimin global drejt një faze të re, në atë të rritjes së balancuar, të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse. Kina ka dhënë një kontribut të ҫmuar në kotrollin ndaj pandemisë, në angazhimin në ndihmë të vëndeve në nevojë si dhe në rimëkëmbjen e ekonomisë globale. Pandemia Covid -19 tregoi rëndësinë e një përgjigje të kordinuar dhe bashkëpunuar në nivel global ndërmjet vendeve. Vaksinimi është arma jonë e fuqishme kundër COVID-19. Një nga kontributet më të rëndësishme që Kina ka dhënë është fakti që ka arritur ta mbajë nën kontroll të plotë situatën shëndetësore të shkaktuar nga Covid brenda territorit të vet.

Gjithashtu Kina ka arritur të administrojë në rreth 2.2 miliardë doza ose 37% nga 5.9 miliardë doza në nivel global deri në shtator të vitit 2021. Kina ka dhuruar gjithashtu 100 milionë dollarë amerikanë në kuadrin e mekanizmit Covax – mekanizëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë – për furnizimin e vendeve me vaksina. Presidenti Xi u angazhua edhe për 100 milionë vaksina shtesë nga ana e Kinës deri në fund të vitit 2021 për vendet në nevojë.

Vaksinimi duhet të konsiderohet një e mirë publike globale për të siguruar aksesin dhe përballimin e vaksinave në të gjitha vendet në zhvillim. Sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar objektivi është që është 40 përqind e popullatës të jetë e vaksinuar deri në fund të vitit 2021. Në fund të qershorit 2021, ritmi i vaksinimeve të përditshme globale ishte rreth 40 milion doza në ditë, nga ku vetëm Kina përbënte më shumë se 20 milion doza ditore. Vendet me të ardhura të larta numuronin deri në 7 milionë doza në ditë. Kjo do të kërkojë mbështetjen nga të gjitha vendet antare të Kombeve të Bashkuara për rritjen e vaksinimeve në nivel global dhe sigurimin e shpërndarjes së barabartë të tyre.

Numri i dozave të administruara

Burimi : Statistika dhe analiza e autorit

Ekonomia kineze performoi më mirë se vendet e tjera si rezultat i masave jashtëzakonisht të ashpra që u përdorën për të zvogëluar transmetimin e virusit si dhe stimuli ekonomik i drejtuar nga shteti i u bë efektiv në një kohë të shkurtër për të siguruar që prodhimi ekonomik mundej të rritet edhe në një vit kur pothuajse i gjithë aktiviteti pushoi për një muaj të tërë. Kina tashmë ka përfunduar rimëkëmbjen e saj, duke u kthyer në nivelet e saj të rritjes para pandemisë përpara të gjitha ekonomive të mëdha. Rritja e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto mbas një tkurrje në tremujorin e parë të vitit 2020 në -6.8 përqind, u kthye në trajektoren rritëse positive në tremujoret në vijim, në 3.2 përqind në tremujorin e dytë, në 4.9 përqind në tremujorin e tretë dhe në 6.5 përqind në tremujorin e katërt. Rimëkëmbja e qëndrueshme u sigurua në vazhdimësi në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit 2021 ku ekonomia e Kinës u rrit respektivisht në 18.3 përqind dhe 7.8 përqind.

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës së Kinës dhe analiza e autorit

Rimëkëmbja dhe zgjerimi i ekonomisë kineze do të thotë se ajo do të dominojë rritjen globale duke kontribuar të paktën 30 përqind të rritjes ekonomike botërore në vitin 2021 dhe vitet në vazhdim.. Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas një tkurrjeje ekonomike të vlerësuar -3.3 përqind në vitin 2020, ekonomia globale është parashikuar të rritet me 6 përqind në vitin 2021. Në vitin 2020, në ndryshim nga vendet e tjera, në të cilat ekonomia në nivel vjetor mbeti negative, rritja ekonomike e Kinës në nivel vjetor nuk pati tkurrje, duke u rritur në 2.3 përqind në vitin 2020. Rritja ekonomike e Kinës parashikohet të arrijë në 8.5 përqind në vitin 2021. Politika e rimëkëmbjes së menjëhershme u mbështet nga rritja e investimeve publike dhe private, e rritjes së konsumit të brëndëshëm si dhe të eksporteve.

Burimi : World Economic Outlook, IMF, July 2021, dhe analiza nga autori

Qendrueshmëria ekonomike e nevojshme për të përballuar krizat do të kërkojë një ribalancim të modelit të rritjes në nivel global drejt një rritje më të gjelbër dhe më të orientuar drejt konsumit. Sipas analizës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, politikat e zhvillimit ekonomik të mbështetura në uljen e karbonit dhe stimulimit të investimeve të gjelbra, mund të rrisë nivelin e PBB -së globale në 15 vitet e ardhshme me rreth 0.7 përqind dhe të krijojë rreth 12 milion vende të reja pune deri në vitin 2027. Përballimi i pasojave të krizave do të kërkojë jo vetëm kordinimin dhe bashkëpunimin ekonomik, por do të jetë e nevojshme ndërtimi i një forme të re të marrëdhënieve ndërkombëtare, që bazohet në respektin reciprok, barazi, drejtësi dhe një situatë të përfitimit të ndërsjellë. Kina e shikon si parësor përmirësimin e qeverisjes globale dhe praktikimit të vërtetë të multilateralizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Presidenti Xi Jinping rikujtoi edhe një herë rolin që Kombet e Bashkuara kanë, si bërthama e një rendi botëror që multilateralizmin duhet ta ketë praktikë pune dhe një qasje të përhershme të drejtimit të njerëzimit për një të ardhme më të mirë dhe të begatë.

Prof. Dr. Petraq Milo