Përballë krizës më të rëndë shumëplanëshe e përkeqësuar në kulm nga kriza shëndetësore si pasojë e përmasave të pandemisë kovidiane qorrsokaku ku ndodhet njerëzimi po thërret gjithnjë e më fort në skenën e politikës ndërkombëtare të gjithë vendet e popujt, të mëdhej dhe të vegjël, që sëbashku të kapërcejnë këtë krize globale më e rënda që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Por me një ndryshim se zgjidhjet jo më si pas vitit 1945, në vitin 2021 nuk mund të përcaktohen dhe të imponohen nga një grup i vogël i fuqive të mëdha pavarësisht përpjekjeve të tyre të shfrenuara për të imponuar skemat e tyre edhe në këto situata. Sa më shumë që gjëndja përkeqesohet e bashkë me të rriten edhe tensionet ndërkombëtare, vihet re zgjërimi i frontit të pjesës dërmuese të vendeve liridashëse që duan dhe kërkojnë zgjidhje tani, zhvillim paqësor në frymën e besimit reciprok duke vështruar përpara drejt një të ardhme të përbashkët dhe bote më të begatë në harmoni të plotë. Kësisoj, kohërat e trazuara në të cilat ndodhet bota dhe njerëzimi ne dekadën e tretë të shekullit të 21-të po nxjerrin gjithnjë e më në pah domosdoshmërinë urgjente për lidership të vërtetë multilateral dhe jo diktat të ‘fortësh’.

Kjo domosdoshmëri urgjente për përballimin e kërcënimeve dhe sfidave të mëdha ndaj njerëzimit po ushton fort në punimet e sesionit të 76-të të zakonshëm vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në këto kohë të jashtëzakonshme kur kërkohen jo fjalë bombastike e premtime boshe, por propozime dhe veprime konkrete për zgjidhje gjithëpërfshirëse, jo skema të ndërtuara mbi bazën e grupimeve të ngushta, por plane për veprim duke mos lënë asnjë popull prapa në mëshirë të fatit si në kohërat e kaluara kolonaliste. Epoka e re dhe krizat që po e shoqërojnë sfidën e madhe për një rend të ri botëror kërkojnë gjithëpërfshirje dhe jo përjashtim sepse hapësirat jetike, pasuritë natyrore dhe mënçuritë njerëzore janë të mjaftueshme për të gjithë popujt mjafton të ‘ushqehen’ nga fleksibiliteti e optimizmi dhe jo nga fryma e diktatit dhe e vrasjes së shpresave.

Këtë mesazh vullnetmire me propozime të realizueshme dhe konkrete i dha të gjithë njerëzimit nga OKB-ja më 21 shtator 2021 Xi Jinping, Presidenti i Kinës, e cila këtë vit ka patur shumë jubilera historike si 100-vjetori i krijimit të Partisë Komuniste, 72-vjetori i formimit të Republikës Popullore (1 tetor 1949) dhe 50-vjetori i rikthimit të saj në vendin e ligjshëm në Kombet e Bashkuara dhe të gjithë mekanizmat e kësaj organizate pan- botërore përfshi edhe Këshillin e Sigurimit i përbërë nga 15 anëtarë si një ndër 5 anëtaret e përhershëm të tij me të drejtë vetoje për çdo veprim të tij.

“Bota është mjaft e madhe për të siguruar zhvillim të përbashkët dhe përparim të të gjithë vendeve. Ne kemi nevojë të ndjekim dialogun dhe gjithëpërfshirjen kundrejt ballafaqimit dhe përjashtimit”, deklaroi Presidenti Xi Jinping në fjalimin e tij me temë: “Të forcojmë besimin dhe të kapërcejmë vështirësitë, për të ndërtuar një botë më të mirë" mbajtur në debatin e përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 21 shtator 2021.

Duke përçuar këtë frymë për rigjallërim të multilaterilizmit në këtë udhëkryq që ndodhet njerëzimit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres deklaroi në fjalën e tij në hapje të Asamblesë së Përgjithshme të këtij viti: “Kjo është koha jonë. Një moment për transformim. Një epokë për të rigjallëruar multilateralizmin. Nje epokë e mundësive… Le të rikthejmë besimin. Le të frymëzojmë shpresën. Dhe le të fillojmë që tani”.

"Një brez, një rrugë" udhë e ndritshme për të gjithë

Një vend të posaçëm në fjalimin e tij në debatin e përgjithshëm Presidenti Xi i kushtoi rikonfirmimit të roleve të Kinës si ndërtuese e paqes në botë, kontribuese për zhvillimin global dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar. Gjithnjë novatore, gjithnjë në kërkim të alternativave për një bote më të begatë presidenti Xi shpalli për herë të parë rolin tjetër të Kinës si ‘ofruese e produkteve publike’ që u shtohet tre roleve të para në këtë bashkëbisedim të përvitshëm të udhëheqësve të kombeve të botës.

Dhe për të folur konkretisht megaprojekti “Një brez, një rrugë” është bërë tashmë produkti publik i ofruar nga Kina ndër më të mirëpriturit në botë në të cilin janë përfshirë më tepër se 134 vende dhe organizata ndërkombëtare me të cilat janë nënshkruar marrëveshje. Në kuadër të kësaj iniciative të nisur nga Kina më 2013 janë realizuar me qindra projekte në vende të ndryshme të rruzullit tokësor nga lindja në perëndimi, nga jugu në veri në fushat e transportit rrugor, detar dhe ajror përgjatë trasesë së rrugës historike të mbiquajtur të mëndafshit midis Azisë dhe Evropës.

Nisma "Një brez, një rrugë" është dhe energji për rimëkëmbjen ekonomike të vendeve përgjatë rrugës së gjatë historike që për shumë skeptikë do të ishte e pamundur të realizohej. E konkretisht për shkak të ndikimit të pandemisë, tregtia dhe investimet globale u tkurrën ndjeshëm në vitin 2020. Por tregtia dhe investimet midis Kinës dhe vendeve përgjatë kësaj traseje janë rritur. Sipas të dhënave zyrtare kineze, në vitin 2020, vëllimi i tregtisë së mallrave midis Kinës dhe vendeve përgjatë rrugës u rrit 0.7% në krahasim me vitin 2019, duke zënë 29.1% të tregtisë së jashtme të përgjithshme të Kinës. Vlera e investimeve të ndërmarrjeve kineze në 58 vende përgjatë rrugës u rrit 18.3% .

Më e rëndësishmja është që kur u propozua në fillim nisma "Një brez, një rrugë" fokusi ka qenë e ardhmja e njerëzimit. Dhe është forcuar bashkëpunimi në fushat e infrastrukturës së gjelbër, energjisë së gjelbër dhe financave të gjelbërta dhe është përmirësuar bashkëpunimi ndërkombëtar për zhvillimin e gjelbër. Sipas raportit të Bankës Botërore, deri në vitin 2030, ndërtimi i përbashkët i nismës "Një brez, një rrugë" do të ndihmojë 600.000 vetë të dalin nga varfëria ekstreme dhe 32 milionë njerëz të dalin nga varfëria e moderuar.

Një koment i CMG-së më 24 prill 2021 tregonte se gjatë 7 viteve kjo nismë është bërë produkti publik më i popullarizuar ndërkombëtar, që tregon se trajtimi i barabartë dhe bashkëpunimi për përfitimet e përbashkta janë të drejta.

Por misionin e kësaj nisme e përshkroi me pak fjalë më së miri Presidenti Xi në videofjalimin e mbajtur në ceremoninë e hapjes të Forumit të Boaos në prill të këtij viti kur ritheksoi se "Një brez, një rrugë" është një udhë e ndritshme për të gjithë dhe jo një rrugicë private.

Vaksina anti-COVID për të gjithë dhe ‘vija anti-epidemike’

Një tjetër ‘produkt publik global’ i deklaruar nga Kina janë vaksinat anti-COVID për të gjithë popujt e botës pas shpërthimit të pandemisë. Kësisoj ajo u bë vendi i parë në botë që ndërmorri këtë iniciativë sa të guximshme po aq edhe humanitare duke i parë vendet dhe popujt e botës të barabartë me të drejtën njerëzore për tu mbrojtur nga ky kërcënim i ekzistencës së njerëzimit. Jo me fjalë por me vepra të dhënat zyrtare tregojnë se deri tani Kina u ka dhënë afro 1.2 miliardë doza vaksinash kundër COVID-19 mbi 100 vendeve e organizatave ndërkombëtare, duke u radhitur në vendin e parë kontribues në botë.

"Së pari, duhet të mposhtim virusin dhe të fitojmë këtë luftë jetike që ka të bëjë me të ardhmen e njerëzimit. Para sfidave të vazhdueshme, njeriu gjithmonë realizon zhvillimin dhe përparimin", tha presidenti Xi në Asamblenë e Përgjithëshme. Sipas tij, shpërndarja e barabartë dhe e arsyeshme e vaksinave në përmasë botërore është detyra më emergjente. Kina do të përpiqet të ofrojë 2 miliardë doza vaksinash për botën dhe, në bazë të dhurimit të 100 milionë dollarëve amerikanë planit COVAX, do t'u ofrojë falas vendeve në zhvillim 100 milionë doza vaksinash. Ndërkohë, ajo do të vazhdojë të mbështesë dhe të marrë pjesë në gjurmimin shkencor të origjinës së koronavirusit të tipit të ri, duke kundërshtuar çdo manipulim politik mbi këtë çështje. Përpos kontributit të lartëpërmëndur Kina ka dhënë edhe ndihmë me materiale antiepidemike për më shumë se 150 vende dhe 14 organizata ndërkombëtare, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian.

Duke u treguar realist Xi vuri në dukje se pandemia ende nuk e ka ndalur përhapjen në mbarë botën, duke e ndryshuar thellësisht shoqërinë njerëzore. “Bota ka hyrë në një periudhë të re me luhatje dhe transformim. Çdo politikan i përgjegjshëm duhet t'i përgjigjet temës së kësaj epoke, duke marrë vendime historike me besim, guxim dhe ndjenjën e misionit", tha ai.

Dhe konkretisht këto dy ‘produkte publike globale’ jetike në kohë kritike të ofruara nga Kina po plotësojnë njëri- tjetrin në mënyrë perfekte sepse në luftën midis njerëzimit dhe virusit COVID-19, "Një brez, një rrugë" ka ndërtuar një "vijë anti-epidemike". Gjatë pandemisë, treni Kinë-Evropë ka transportuar dhe transporton shumë materiale anti-epidemike në vendet përgjatë rrugës. Vaksinat kineze vazhdojnë të shpërndahen në vendet përgjatë rrugës për ndihmë jetësore. Kompanitë kineze zhvillojnë prodhimin e përbashkët të vaksinave në Indonezi, Brazil, Emiratet e Bashkuara Arabe, Malajzi, Pakistan, Turqi dhe vende të tjera për të promovuar vaksinat që të bëhen produkte publike që mund të përdoren dhe të merren lehtësisht.

Mirëpo situata dramatike si pasojë e kësaj murtaje dhe veprimet në funksion të kapërcimit të pasojave të saj nuk harrohen kollaj nga njerëzimi sepse vaksinat dhe materialet e dhëna nga Kina janë si ‘shiu në kohën e duhur’, duke luajtur një rol aktiv dhe të rëndësishëm në luftën kundër epidemisë dhe mbrojtjen e shëndetit të njerëzve.

Nuk harrohet, nga ana tjetër, se kur vendet më të zhvilluara u përfshinë nga paniku të gjetur krejt të papërgatitur përballë kësaj sëmundje vdekjeprurëse ata u mbyllën në vetvete duke harruar ‘solidaritetin’, madje edhe ndaj aleatëve. Duke kujtuar këtë moment tragjik është rasti të rikujtohet kur edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i deklaronte publikisht popullit në pranverën e vitit 2020, në kulmin e pandemisë, se ‘jemi vetëm në këtë luftë’. Por pikërisht në ato muaj arritën ndihmat e para antiepidemike nga Kina në Tiranë dhe autoritetet zyrtare vendase e vlerësuan lart këtë gjest.

Dhe kur po bëhen gati dy vjet me virusin në tërë cepat e botës është rasti të vihet në dukje se edhe disa vende të zhvilluara po e kuptojnë se Kina kishte të drejtë, dhe përshëndetet prej tyre sakrifica e saj për të përballuar sfidën sëbashku kur, kuptohet, po zhvillonte një betejë të ashpër brënda vendit të vet.

Por tingëllon tejet ironike përpjekja e ndonjë vendi si SHBA që tash po mundohen të bëhen flamurtar të luftës kundër epidemisë. Në këtë linjë ishte Videosamiti Global mbi Epideminë e COVID-19 i drejtuar nga presidenti amerikan Joseph Biden më 23 shtator e po ashtu pretendimet e tij për "kontributet" amerikane për luftën globale kundër epidemisë. Zor se beson sinqerisht njeri në përcaktimin e kësaj ngjarje si "samiti më i madh i udhëheqësve kundër epidemisë" aq më pak në aftësinë dhe motivimin amerikan në drejtimin e luftës kundër epidemisë. Mund të thuhet se shumë prej pjesëmarrsëve në këtë ‘samit’ do të kenë vënë buzën në gaz se kanë kujtuar çfarë lehtësimi të krizës fatale patën kur arritën ndihmat kineze përgjatë vitit 2020 e në vazhdim…

Ka shumë arsye por së pari kushdo e shikon se Uashingtoni është kujtuar tepër vonë; jemi në vitin e dytë të pandemisë. Nga ana tjetër në SHBA ka mbi 42.5 milionë të prekur nga virusi i COVID-19 dhe mbi 680.000 të vdekur, duke e kaluar numrin e fataliteve krahasuar me gripin spanjoll. Në mediat amerikane është përshkruar kjo tragjedi si "një gur kilometrik i tmerrshëm".

A rregullohet me të tilla shfaqje bombastike imazhi në këto kohë ‘fatwkeqe’ për SHBA? Shumë vonë, shumë pak’!

OKB-ja duhet të mbajë flamurin e multilaterizmit të vërtetë

Një aspekt që tërheq vëmëndjen në paraqitjen e Presidentit Xi është rikonfirmimi i realizmit të politikës së jashtme të Kinës kur theksoi se duhet të forcohet solidariteti dhe të nxitet zhvillimi i marrëdhënieve ndërkombëtare me respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunimi me leverdi të ndërsjellë, por nga ana tjetër vuri në dukje se janë të pashmangshme ndryshimet dhe problemet midis vendeve të ndryshme të botës.

"Ndryshimet dhe problemet janë paevitueshme ndër vendet e botës. Por suksesi i një vendi nuk duhet të nënkuptohet si dështim i një vendi tjetër. Bota është mjaft e madhe për të përfshirë zhvillimin e përbashkët dhe përparimin e të gjitha vendeve”, theksoi Xi, i cili vuri në dukje se duhet ndërtuar një tip i ri i marrëdhënieve ndërkombëtare në bazë të respektit të ndërsjelltë, barazisë, drejtësisë dhe bashkëpunimit me leverdi reciproke, duke bërë përpjekje maksimale për të zgjeruar pikëtakimet e interesave dhe për të krijuar një sinergji sa më të madhe që të jetë e mundshme.

Por ai vuri në dukje se në botë ka vetëm një sistem, që është sistemi ndërkombëtar me OKB-në në thelb; ka vetëm një rend ndërkombëtar, që është ai i bazuar në ligjin ndërkombëtar, si edhe vetëm një grup rregullash, që janë normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare bazuar në synimet dhe parimet e Kartës së OKB-së. Kjo mishëron qëndrimin e qartë të Kinës për përsosjen e qeverisjes globale, sipas tij.

E me atë rast Presidenti Xi shprehu shpresën se OKB-ja do të mbajë lart flamurin e multilateralizmit të vërtetë dhe do të shërbejë si platforma thelbësore e vendeve të ndryshme për mbrojtjen e sigurisë së përgjithshme, për ndarjen e rezultateve të zhvillimit dhe për të marrë në duart e tyre fatet e botës. Në këtë linjë ishte thirrja për të shtuar përfaqësueshmërinë dhe dëgjuar fjalën e vendeve në zhvillim mbi çështje ndërkombëtare duke luajtur një rol udhëheqës në forcimin e demokracisë dhe të sundimit të ligjit në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Mund të jetë koincidencë por pikërisht këto ditë një seri vaksinash kineze “Sinopharm” kundër COVID-19 mbërritën në Kopenhagë si një donacion nga qeveria kineze për paqëruajtësit e OKB-së, një mekanizëm ku Kina mban një peshë tejet të rëndësishme me trupa dhe fonde. Së shpejti pritet shpërndarja e vaksinës te personeli i vijës së parë dhe partnerët më të afërt përmes sistemit të Kombeve të Bashkuara, njoftonte agjencia “Xinhua”. Donacioni kinez do të përdoret në zonën e misionit afrikan në bazë të një përparësie, tha Zhang Maoyu, nënkryetar i Agjencisë Kineze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, në ceremoninë e dorëzimit.

Dhurimi kinez do të rrisë kapacitetin e OKB-së për t'iu përgjigjur epidemisë dhe do të ndihmojë paqeruajtësit të përmbushin më mirë detyrat dhe misionet e tyre, sipas Christian Francis Saunders, ndihmëssekretar i përgjithshëm i OKB-së për Menaxhimin e Zinxhirit të Furnizimit.

Demokracia nuk është patentë e askujt…

Kuptimplotë është komenti i Presidentit Xi mbi demokracinë. "Demokracia nuk është patentë e ndonjë vendi, por është e drejta e popujve të ndryshëm", deklaroi ai në Asamblenë e Përgjithshme.

E duke iu përmbajtur këtij parimi Kina ka qënë aktive me kontributin e saj në fuqizimin e demokracisë së vërtetë. Kështu, për shëmbull, ajo u ka bërë thirrje të gjitha vendeve që të krijojnë një kuadër të shëndetshëm ligjor për të luftuar racizmin. Këtë e deklaroi ministri i Jashtëm kinez Wang Yi më 22 shtator 2021 në një videofjalim në një mbledhje të nivelit të lartë për 20-vjetorin e miratimit të Deklaratës dhe Programit të Veprimit të Durbanit, që krijoi një kornizë gjithëpërfshirëse ndërkombëtare për të luftuar diskriminimin dhe intolerancën.

"Vendet përkatëse duhet të paktën të kenë guximin të përballen me këtë histori të turpshme, të marrin masa për të eliminuar vuajtjet e shkaktuara nga këto akte dhe të kenë më shumë përgjegjësi për të udhëhequr në qëndresën ndaj të gjitha formave të racizmit", tha Wang. Ai u shpreh se Deklarata dhe Programi i Veprimit i Durbanit është një angazhim i përbashkët i të gjitha vendeve, duke vënë në dukje se Kina mbështeti me vendosmëri Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në mbajtjen e takimit përkujtimor.

Tregtia e skllevërve dhe kolonializmi janë burimet kryesore të racizmit, vuri në dukje ai. Njerëzit me prejardhje afrikane dhe aziatike, si dhe banorët autoktonë, ishin viktima të këtyre veprimeve në të kaluarën dhe janë ende të prekur nga pasojat e tyre.

Kina u bën thirrje të gjitha vendeve që të kenë tolerancë zero dhe të krijojnë një kuadër të shëndetshëm ligjor për të luftuar racizmin, tha kryediplomati kinez. Ai shtoi se vendi i tij nxit forcimin e dialogut dhe shkëmbimeve midis racave e kulturave të ndryshme dhe dëshiron të sigurojë që të gjithë të gëzojnë të drejtën e zhvillimit, duke zhdukur shkaqet për racizmin si varfëria, margjinalizimi, përjashtimi shoqëror dhe pabarazia ekonomike.

"Kina do të vazhdojë të punojë me vendet e tjera për të bërë përpjekje të vazhdueshme për të zhdukur plotësisht racizmin dhe për të ndërtuar një botë ku të gjithë të jenë të barabartë", theksoi Wang.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi në këtë mbledhje një deklaratë politike mbi luftën kundër racizmit. Ky dokument rikonfirmon se Deklarata dhe Programi i Veprimit i Durbanit dhe dokumentet e mëvonshme ofrojnë një kuadër gjithëpërfshirës të OKB -së dhe një bazë solide për të luftuar racizmin, diskriminimin racial, ksenofobinë dhe intolerancën, dhe rithekson angazhimin e shteteve anëtare për zbatimin e plotë dhe efektiv të tyre.

Ndërkohë në sesionin e 48-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, që zhvilloi më 21 shtator 2021 një dialog me Grupin e Punës për Ndalimin Arbitrar përfaqësuesi i përhershëm i Misionit të Kinës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, Jiang Duan, shprehu shqetësim të thellë për çështjen e ndalimeve arbitrare në SHBA, Australi, Kanada dhe disa vende të tjera perëndimore. Përfaqësuesi kinez vuri në dukje se në burgun amerikan të Guantanamos të dyshuarit mbahen të ndaluar për një kohë të papërcaktuar, dhe disa prej tyre janë ndaluar për një kohë të gjatë pa proces gjyqësor, duke u torturuar dhe keqtrajtuar. Qeveria e Australisë zbaton politikën e ndalimit të refugjatëve në vende të tjera. Kushtet e strehimit dhe mjekimit në qendrat e ndalimit janë shumë të këqija. Në kushte të tilla, të ndaluarit vuajnë dëmtime fizike dhe psikologjike afatgjata.

Kanadaja e ka mbajtur zonjën Meng Wanzhou të ndaluar për mbi 1000 ditë, për të goditur zhvillimin e sipërmarrjeve kineze të teknologjisë së lartë. Pala kineze u bën thirrje vendeve përkatëse të ndalojnë menjëherë veprime të tilla që shkelin të drejtat e njeriut.

Përveç kësaj, sesioni i 48-të i Këshillit për të Drejtat e Njeriut i OKB-së zhvilloi më 21 shtator 2021 një dialog me ekspertë për të drejtat e të moshuarve ku diplomati kinez Jiang tha në fjalimin e tij se sipas të dhënave nga Qendrat e Kontrollit të Sëmundjeve të SHBA-së shumica e vdekurve nga COVID-19 në atë vend janë në moshën mbi 65-vjeçare.

Populli në plan të parë në propozimin prej 6 pikash

Për nxitjen e përbashkët të një zhvillimi global më të ekuilibruar dhe më përfshirës, Presidenti Xi i paraqiti Asamblesë së Pergjithshme të OKB-së një propozim prej gjashtë pikash: trajtimi i zhvillimit si përparësi, vënia e popullit në plan të parë, këmbëngulja në përfitimet e përgjithshme e të gjithanshme, zhvillimi me risitë si forcë nxitëse, bashkëjetesa harmonike e njeriut me natyrën dhe këmbëngulja në veprimet konkrete.

Po kështu ruajtja e raportit të drejtë mes mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit ekonomik ka qenë në fokus të vëmendjes së Presidentit dhe me këtë rast ai shpalli se Kina do t’i përkrahë vendet në zhvillim në shfrytëzimin e energjisë së gjelbër dhe nuk do të ndërtojë më termocentrale në vende të tjera.

"Megjithëse Kina ka vështirësi të mëdha për të realizuar arritjen e kulmit të lëshimit të karbonit brënda vitit 2030 dhe të asnjanësimit të karbonit para fundit të vitit 2060, do të bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme brënda mundësive që kemi. Kina do të mbështesë edhe vendet në zhvillim në fushën e energjisë së gjelbër dhe zhvillimit me shkarkim të ulët karboni dhe nuk do të ndërtojë jashtë vendit projekte të reja të prodhimit të energjisë elektrike nëpërmjet djegies së qymyrgurit", u zotua presidenti kinez. 

Ndërsa fryma e fjalimit të Presidentit Xi ishte thirrje për bashkëpunim global kundër sfidave të përbashkëta ai rikonfirmoi synimet e popullit të madh kinez për paqë, miqësi dhe harmoni. “Kina kurrë nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë hegjemoninë, as të pushtojë apo të ngacmojë vendet e tjera. Kina është gjithmonë ndërtuese e paqes botërore, kontribuuese në zhvillimin global, mbrojtëse e rendit ndërkombëtar dhe ofruese e produkteve publike botërore. Kina do të vazhdojë t’i sjellë botës mundësi të reja nëpërmjet zhvillimit të ri të saj", ishte deklarata solemne e Presidentit të Republikës Popullore të Kinës.

Është me vend të citohet ministri i Jashtëm Wang Yi lidhur me vlerësimin e fjalimit të presidentit Xi Jinping në debatin e përgjithshme të sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Sipas tij fjalimi forcon besimin në luftën globale kundër pandemisë së COVID-19 dhe tregon drejtimin e rrugës së zhvillimit të përbashkët të botës.

Si konkluzion fjalimi programatik i Presidentit Xi, që pasqyron realitetin e hidhur të gjërave në botën e sotme, udhëkryqin e njerëzimit, por me plot besim për ti kapërcyer sfidat, përmbante propozime konkrete për një zhvillim global të botës, të cilat janë në një linjë me Axhendën për Zhvillim të Qëndrueshëm të OKB-së objektivat e të cilës duhen realizuar nga vendet anëtare deri më 2030. Kina po u përmbahet angazhimeve, është një hap para në përmbushjen e tyre!
Genc Mlloja