Drejtuesit e vendeve QUAD, Amerika, Australia, India dhe Japonia (Quadrilateral Security Dialogue – QSD), u mblodhën për herë të parë javës që kaloi në mes të shtatorit 2021 me prezencë fizike, për të diskutuar marrëveshjen AUKUS, midis SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Australisë për të furnizuar këtë të fundit me të paktën tetë nëndetëse me energji bërthamore, duke anashkaluar marrëveshjen e përafërt që Australia kishte përgatitur me Francën.

Franca reagoi me shpejtësi dhe argumentoi me të drejtën e parapërcaktimit të një marrëveshjeje për furnizimin e Australisë me nëndetëse bërthamore, gjë që predominoi në mediat e rëndësishme ndërkombëtare më shumë se vetë arsyeja që Perëndimi nxitoi të kryente këtë marrëveshje.

Duket se Paqësori po shkon drejt një ekuilibri të ri. Ekuilibër i ri, kryesisht ekonomik dhe financiar, dhe prek pothuajse tërë sektorët e ekonomisë së vendeve të Azi-Paqësorit, me ndikim shumë të madh në ekonominë globale.

Këtë ekuilibër të ri, që vendoset mbi bazën e avantazheve konkurruese, ku Kina duket se është e privilegjuar për një kohë të gjatë për shkak të kostove të ulëta dhe faktorëve të vlefshëm të prodhimit, vendet perëndimore duket se kanë si synim që ta venë nën kontroll me anë të forcimit të aleancave ushtarake në këtë rajon, nën kuadrin e idesë së ish – presidentit të SHBA-ve, Obama, që pothuajse dhjetë vite më parë ka deklaruar për një "Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur".

Shmangia e Francës në këtë rajon të botës ka qenë fakt prej shumë e shumë vitesh, pasi prej kohësh SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania, individualisht kanë transferuar teknologji sensitive në Azi dhe Paqësor, përfshirë edhe pajisje dhe metodologji në fushën e bioteknologjive, kibernetikës, inteligjencës artificiale, teknologjive të hapësirës, kuantikës, etj.

Për hir të së vërtetës, pajisja e Australisë me nëndetëse bërthamore jep përparësi për monitorimin e rajonit. Edhe përdorimi i territorit të Australisë si kundrapeshë për sistemin raketor kinez, është në këtë hulli.

Por, nga ana tjetër, marrëdhëniet e Perëndimit me Kinën janë shumë më shumë të rëndësishme se sa tetë nëndetëse bërthamore, pavarësisht nga vlera monetare e tyre.

Bashkëjetesa paqësore midis vendeve dhe kombeve dhe vetë bashkëjetesa midis vetë fuqive të mëdha ku SHBA dhe Kina janë ndër më kryesoret, është më e rëndësishme se sa një konflikt ushtarak i shkruar në letër që arkivohet në dosjet e Perëndimit.

Bashkëjetesa është kombinim i mundësive të përbashkëta. Bota përballet me një problematikë të natyrave nga më të ndryshmet, dhe nuk ka kohë për të humbur me idetë e vjetra të luftës së ftohtë që kanë zhgënjyer thellë pjesën më të madhe të qytetarëve të globit, përfshirë këtu edhe qytetarët perëndimorë.

Fjala e Z. Biden para disa ditësh në OKB tregon fare qartë se SHBA dhe Perëndimi nuk kanë mundësi të fillojnë një luftë tjetër të ftohtë, tashmë përballë Kinës që me planifikimin e saj mjaft të hollë të gjerave dhe me përkushtimin e popullit kinez për të ecur në mënyrë të pandalshme përpara, është kthyer në një superfuqi botërore në të tëra drejtimet.

Por, duket se Perëndimi nuk ka më ide zhvillimore. Ideja e Biden për të financuar zhvillimin në botë dhe shtimi i nivelit të sigurisë ekonomike, duke rritur punësimin në vend, është e tejkaluar në aspektin mikro dhe makroekonomik. Ekonomistët politikë në mbarë botën, por specifikisht ata që merren me studimet kulturore në ekonomi, tregti dhe biznes, e kanë vënë theksin prej kohësh në vjetërimin e teorive liberale dhe neoliberale ekonomike, mbi bazën e të cilave u ndërtua Perëndimi në periudhën 1950 – 1990.

Vetë zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në botë pas vitit 1990 tregojnë më së miri se mënyra më e mirë për të ecur së bashku është bashkëjetesa dhe ekzistenca e shumë rrymave tregtare në botë, që përcjellin fluks financiar në çdo vend të botës, pavarësisht nga madhësia e territorit dhe nga numri i popullsisë dhe kjo i bën mirë ekonomive kombëtare të çdo vendi e ekonomive të rajoneve.

Paralelisht me këtë Kina në arenën ndërkombëtare është shprehur me deklarata për luftën ndaj ngrohjes globale, duke ndaluar financimin e termocentraleve me qymyr që ndërtohen jashtë vendit dhe me deklarata për mbrojtjen e biodiversitetit, fushë e ngushtë bashkëpunimi me Bashkimin Evropian.

Ideja e Presidentit të Kinës, Xi Jinping, për prosperitet të përbashkët, theksuar disa herë në takime shumë të rëndësishme ndërkombëtare, duket se po ze vend përherë e më shumë në axhendat e takimeve të ndryshme të liderëve botërorë.

Kina, përballë rrugës së konfliktit ka vendosur rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm global, ka zgjedhur rrugën e shtimit dhe zgjerimit të investimeve në disa zona të globit, për të përshpejtuar fluksin e njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve, duke ndihmuar edhe në forcimin e asaj që tashmë mund të quhet arkitektura ekonomike, tregtare dhe e biznesit botëror.

Të mos harrojmë se edhe vetë Britania e Madhe e ka më shumë për zemër Kinën si një partner të rëndësishëm ekonomik, financiar, tregtar dhe biznesi se sa si një partner inekzistent apo edhe kundërshtar.

Edhe Franca, që vetëndihet e anashkaluar nga pjesa tjetër e Perëndimit, ka synime të qarta për bashkëpunimin e saj me Kinën.

Gjermania e periudhës së pas Merkelit, do bëjë përpjekjet e saj maksimale për të ruajtur pozitat e lakmueshme në marrëdhëniet ekonomike dhe industriale me Kinën.

Bashkimi Evropian duket se e ka përcaktuar tashmë orientimin e vet për marrëdhëniet shumëplanëshe me Kinën.

Vendet e tjera si Rusia, Brazili, India, Afrika e Jugut, që së bashku me Kinën formojnë vendet BRICS, kërkojnë më shumë partneritet dhe qetësi financiare e tregtare se sa shkatërrim të atyre lidhjeve tashmë ekzistente.

Japonia, e rënuar politikisht, synon qëndrueshmëri në kontinent dhe furnizim të vazhdueshëm me lëndë të para, të cilat i mungojnë, duke e patur Kinën një partner të rëndësishëm në këtë aspekt.

Në 15 nëntor 2020, 15 vende aziatike nënshkruan me Kinën Marrëveshjen e Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP). Kjo marrëveshje u nënshkrua nga 15 vendet aziatike dhe të rajonit të Oqeanisë, nga të cilat 10 vende janë anëtare të bllokut të ASEAN-it (Kamboxhia, Indonezia, Laosi, Birmania, Filipinet, Tajlanda, Brunei, Singapori, Malajzia dhe Vietnami) dhe vendet e tjera janë Kina, Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re, vende me një popullsi prej 2.3 miliardë banorësh, me një ekonomi që përbën më shumë se 30% të prodhimit të përgjithshëm botëror të produkteve dhe shërbimeve.

Në vitin 2012, me iniciativën e Qeverisë kineze, u iniciua një nismë, e cila ka si synim përmirësimin e marrëdhënieve të biznesit dhe investimeve midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Ajo është pjesë e nismës “Rruga e Mëndafshit”. Anëtarë janë Shqipëria, Serbia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Greqia, Hungaria, Letonia, Polonia, Rumania dhe Sllovakia. Kjo iniciativë, deri tani, vlerësohet deri në 1 trilion dollarë.

Por, është e qartë se Kina, ashtu siç ndjek me interes dhe kujdes çdo gjë që ndodh në botë, ndjek me interes dhe kujdes edhe situatën e krijuar në lidhje me tetë nëndetëset që kontraktohen midis Perëndimit dhe Australisë.

Dr. Enriko Ceko