Këtë vit është hapur sesioni i përvitshëm i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Ky sesion ka rëndësi për faktin se kthehet në një forum ku shtetet anëtare mund te shprehin qëndrimet e tyre mbi temat më shqetësuese në agjendën e kombeve. I tillë ishte edhe mesazhi i presidentit kinez Xi Jinping, i cili vendosi ti drejtohet personalisht kësaj organizate me një fjalim që preku disa tema të forta në agjendën e politikës së jashtme kineze, por edhe çështje që janë shqetësuese për marrëdhëniet mes shteteve dhe që kërkojnë një bashkëpunim të gjerë ndërkombëtar. Kina shënon këtë vit 50 vjetorin e rivendosjes së të drejtave të saj legjitime në OKB, dhe presidenti Xi u shpreh se Kina do ta festojë solemnisht këtë përvjetor. Historikisht Kina ka shprehur vlerësim për rolin e madh që një organizatë e tillë mund të luajë në rritjen e mirëkuptimit mes vendeve, madje edhe aty ku interesat mes shteteve mund të mos përputhen plotësisht. Prandaj presidenti Xi rikujtoi edhe një herë se sa thelbësor mbetet OKB-ja në forcimin e multilateralizmit, dhe në evitimin e konfrontimit mes vendeve.

Me këtë rast presidenti kinez pati solli disa propozime që mund të konsiderohen edhe si parime të një politike ndërkombëtare me një frymë të re.

Pikë së pari, për presidentin Xi, në këtë moment është i rëndësishëm përballimi me sukses i pasojave të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19. Mbi këtë pikë ai shprehu angazhimin e Kinës për të ndihmuar akoma edhe më shumë vendet në nevojë. Një nga kontributet më të rëndësishme që Kina ka dhënë është fakti që ka arritur ta mbajë nën kontroll të plotë situatën shëndetësore të shkaktuar nga Covid brenda territorit të vet. Gjithashtu Kina ka arritur të vaksinojë më shumë se një miliard njerëz nga popullata e saj prej 1,4 miliardë, dhe deri në fund të vitit ka shumë gjasa që e gjithë popullsia madhore në Kinë të ketë përfunduar të gjithë ciklin e vaksinimit. Duke bërë këtë, Kina ka qënë në gjendje të çlirojë më shumë burime për vendet e tjera e kështu të ofrojë një sasi vaksinash që deri në fund të vitit do tejkalojë 2 miliardë vaksina – një shkallë të paparë më parë në rang global. Kina ka dhuruar gjithashtu 100 milionë dollarë amerikanë në kuadrin e mekanizmit Covax – mekanizëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë – për furnizimin e vendeve me vaksina. Presidenti Xi u angazhua edhe për 100 milionë vaksina shtesë nga ana e Kinës deri në fund të vitit 2021. Në këtë mënyrë Kina shpreson të japë një kontribut themelor në tejkalimin e pandemisë e cila edhe pse në kufijtë e vet është plotësisht nën kontroll, mbetet një rrezik konstant si për ciklin shëndetësor ashtu edhe për atë ekonomik global. Kina gjithashtu u ka bërë thirrje vendeve të zhvilluara të bëjnë më shumë për të ndihmuar vendet në zhvillim të cilat mbeten prapa me shkallën e vaksinimit për shkak të mungesës së vaksinave të disponueshme.

Së dyti, duhet të mbetet prioritet zhvillim ekonomik i të gjitha vendeve. Por ky zhvillim duhet të jetë më i balancuar, pra të prodhojë më pak pabarazi në shoqëri, dhe më në harmoni me ambientin dhe nevojat për një rritje të qëndrueshme afat gjatë. Në fakt presidenti Xi bëri thirrje për të përshpejtuar implementimin e agjendës së Kombeve të Bashkuara UN 2030 për një Zhvillim të Qëndrueshëm. Kjo mund të bëhet duke mbajtur njeriun në qendër të zhvillimit, dhe ekonomia, siç e tha ai, “duhet të zhvillohet nga njerëzit dhe për njerëzit”. Kina e shikon inovacionin si një element kyç në të ardhmen e ekonomisë, dhe zhvillimi i mëtejshëm i teknologjive të reja mund të krijojë kushtet për një rritje të balancuar ekonomike dhe në harmoni me ambientin. Duke e parë ekonominë e Kinës si të lidhur me ekonominë e gjerë globale, Kina do të japë edhe 3 miliardë dollarë asistencë për vendet në zhvillim në 3 vitet e ardhshme.

Në fjalimin e tij presidenti Xi u angazhua se Kina do to ndalojë ndërtimin dhe investimin në centrale energjetike jashtë Kinës që përdorin karbon për prodhimin e energjisë. Gjithashtu, Kina do të arrijë kulmin e emisioneve të dëmshme deri në vitin 2030 për të arritur neutralitetin deri në vitin 2060. Gjasat janë që Kina ti arrijë këto objektiva më përpara se këto data për shkak se ruajtja e ambientit është bërë një prioritet kombëtar i Kinës, por dhe një emergjencë ndërkombëtare.

Së treti, Kina e vë theksin në forcimin e solidaritetit, respektit reciprok, dhe bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella në zhvillimin e drejtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në këtë pikë presidenti kinez na rikujtoi se një botë paqësore ka vend për civilizime që kanë forma të ndryshme, dhe që marrin rrugëtime jo të njëtrajtshme në zhvillimin e tyre. Por Kina i shikon si të dëmshme ndërhyrjet ushtarake nga jashtë të cilat kanë për qëllim transformime të ashtu quajtura demokratike por që në fund rezultojnë katastrofale. Diferencat mes vendeve, që janë të pa evitueshme, duhet të trajtohen mes dialogut dhe bashkëpunimit theksoi presidenti Xi. Në këtë kuptim është e nevojshme ndërtimi i një forme të re të ndërtimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, që bazohet në respektin reciprok, barazi, drejtësi dhe një situatë win win, dmth përfitimi të ndërsjellë, theksoi ai. Presidenti kinez rikujtoi se populli kinez gjithmonë ka luftuar për paqe, harmoni dhe miqësi mes popujve, dhe se “Kina kurrë nuk ka pushtuar dhe nuk do të pushtojë vende të tjera, apo të kërkojë hegjemoni”. Përkundrazi, Kina ka dhënë kontribut në ndërtimin e paqes, ruajtjen e rendit ndërkombëtar dhe kontribues i zhvillimit ndërkombëtar.

Së katërti, për të arritur sa më sipër Kina e shikon si parësor përmirësimin e qeverisjes globale dhe praktikimit të vërtetë të multilateralizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pikërisht për këtë arsye presidenti kinez rikujtoi edhe një herë rolin që Kombet e Bashkuara kanë, si bërthama e një rendi botëror shumë polar që multilateralizmin duhet ta ketë praktikë pune dhe një qasje të përhershme të drejtimit të njerëzimit për një të ardhme më të mirë dhe të begatë.

Pikat e ngritura në fjalimin e sivjetshëm të presidentit kinez përçojnë si shpresë ashtu edhe shqetësim. Shpresë sepse tregohen disa rrugë që sipas perspektivës kineze mund të çojnë në ndërtimin e një rendi ekonomik dhe politik ndërkombëtar që ka si synim ndërtimin e urave të mundshme të bashkëpunimit që fokusohen te ndërtimi i një ekonomie që sjell përfitime për njerëzit, dhe uljes së konfliktualitetit mes shteteve. Në fund të fundit, kjo ishte pikërisht një nga arsyet qëndrore për të cilën u themeluan Kombet e Bashkuara. Nga ana tjetër, fakti që presidenti kinez thekson përsëri rolin e pazëvendësueshëm që ka multilateralizmi si një parim në marrëdhëniet ndërkombëtare, shpreh perceptimin që ka Kina se disa vende të mëdha perëndimore po e shikojnë Kinën me një frymë antagonizmi i cili kohët e fundit ka filluar të marrë edhe trajtat e aleancave ushtarake e politike. Kjo, për Kinën, do të çonte drejt minimit të parimeve bazë mbi të cilat multilateralizmi është ngritur, por edhe të minimit të dialogut si forma më e lartë e zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare në gjirin e Kombeve të Bashkuara. Nga perspektiva kineze, multilateralizmi nënkupton pranimin e formave të ndryshme të demokratizimit dhe zhvillimit dhe se jo të gjitha vendet në botë mund të marrin formën e demokracive perëndimore. Kjo sepse proceset historike kanë qënë të trajtave të ndryshme nga ato të perëndimit dhe multilateralizmi do të thotë, ndër të tjera, që duhet të respektohet historia dhe traditat e veçanta të secilit vend. Ajo çfarë ka rëndësi është kapaciteti për të sjellë mirëqenie për njerëzit dhe për të garantuar të drejta të barabarta për të gjitha në aksesin e burimeve të mirëqenies njerëzore.

Ylber Marku