Konfirmimi i paktit AUKUS, një aleancë e SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Australisë, e cila është një kundërvënie ndaj Kinës, ka krijuar një tension shumë më të madh se sa pritej mes anëtarëve të këtij pakti nga njera anë dhe Francës, por edhe BE-së në anën tjetër. Por reagimet kanë dalë edhe jashtë kontinentit të vjetër dhe India, po edhe Zelanda e re dhe shumë natyrshëm Kina, kanë reaguar duke shfaqur papajtueshmëri të thella.

Kina e ka e cilësuar atë si veprim që minon paqen dhe stabilitetin rajonal, intensifikon garën e armatimit dhe dëmton përpjekjet globale të mospërhapjes bërthamore. Vendi më i madh në botë, i cili gjithnjë ka kontribuar për paqen globale dhe trasmeton e përcjell mesazhe mirëkuptimi e raportesh paqësore me të gjithë, ka rikonfirmuar që gjithmonë beson se çdo mekanizëm rajonal duhet të jetë në përputhje me trendin e paqes, të kontribuojë në rritjen e besimit dhe bashkëpunimit reciprok në mes vendeve të rajonit.

Historia e marëdhënieve të Kinës me vendet e tjera dëshmon për trendin e një politike paqësore dhe reagimi ndaj nismës për të dërguar nëndetëse me teknologji bërthamore në Australi, është i natyrshëm dhe reagim që situata në këtë rajon nuk ka arsye as të tensionohet dhe as të vihet në rrezik nga paisje të tilla.

Reagimi dhe shqetësimi kinez nuk është i vetmi. Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka biseduar me homologun e saj australian Scott Morrison, duke i kërkuar që ta rishikojë vendimin e tij dhe se nëndetëset që pritet të prodhohen me teknologji bërthamore për Australinë, nuk do të jenë të mirëseardhura në ujrat e vendit të saj. Kryeministrja neozelandeze i ka kujtuar homologut të saj australian se në ujrat e Zelandës së re ndalohen armët dhe paisjet bërthamore.

Sigurisht që Morrison është përpjekur të qetësojë e sigurojë kryeministren Arden, por ai përpara se të bindë homolgen e tij, i duhet të bindë grupe të shumta në Australi, në mes të cilëve edhe Adam Brandt, kryetar i Partisë së Gjelbër, i cili i ka konsideruar nëndetëset të njëjta me vendosjen e Çernobilit në zemrat e qyteteve australiane. Reagim ndaj paktit AUKUS ka patur edhe India, ku në një bisedë telefonike midis ministrave të jashtëm të Indisë dhe Francës është theksuar gatishmëria për të punuar sëbashku në një program për të promovuar “ një rend ndërkombëtar vërtetë shumëpalësh” .

Charles Michel kërkon shpjegime nga SHBA (ABCNews.al)

Charles Michel kërkon shpjegime nga SHBA (ABCNews.al)

Nisma e quajtur e sigurisë nga ana e SHBA-ve ka trazuar ujrat jo vetëm në Azi, por shumë fuqishëm edhe në Europë. Pakti AUKUS i ndërmarrë pa bashkëbisedime me Francën dhe BE-në, është një nga ato hapa që jo vetëm kanë nervozuar BE-në, por e kanë vënë atë përballë të papriturave si në rastin e Afganistanit. Veprimet e pakoordinuara të Bidenit, gjithnjë e më shume po ngjasojnë me ato të paraardhësit të tij Trump. Pas tërheqjes nga Afganistani, forcimi dhe investimi për t’u futur në oborrin kinez, po i vendos aleatët evropianë përpara faktit të kryer.

Tërheqja e Australisë nga marrëveshja fitimprurëse me Parisin e nënshkruar në korrik të vitit 2016, në favor të interesave të biznesit amerikan dhe britanik dhe krijimit të një situate të tensionuar në Azinë Lindore, ka rritur nervozizmin në koridoret e BE-së. Vendet më të fuqishme të Unionit po ndjehen gjithnjë e më shumë të kërcënuara për t’u bërë të varura në mënyrë determinuese nga interesat amerikane dhe britanike edhe për shkak të përkatësisë në integrimet e përbashkëta (NATO).

Veprimet e konsideruara të “çuditëshme” të Biden-it nuk janë në favor të forcimit të aleancës ndëratlantike. Pavarësisht asaj që Presidenti Biden tha në qershor të këtij viti gjatë vizitës së tij në Europë, se SHBA-të do të ndjekin modelin e diplomacisë shumëplanëshe në politikën e tyre të jashtme, aleatët europianë nuk e fshehin zemërimin lidhur me veprimet që po shohin në mënyrë të njëpasnjëshme.

Presidenti francez Macron (TCH)

Presidenti francez Macron (TCH)

Europa ishte në pritje të tejkalimit të atmosferës së marëdhënieve me Trump-in dhe pas vizitës u pa një ndjenjë lehtësimi se gjërat po ndryshonin dhe do kishte një klimë tjetër. Por nuk vonoi shumë kohë dhe u kalua nga mosbesimi, në reagime të ashpra për rikthimin e shpejtë e të papritur të tensioneve transatlantike. Kanë kaluar nëntë muaj që nga fillimi i mandatit të Presidentit Biden dhe vendimet e njëanëshme të tij, sidomos me Afganistanin dhe Azinë Lindore, negociatat pezull me Iranin, anashkalimi i Polonisë dhe Ukraninës lidhur me gazësjellësin megjithë angazhimet e rikonfirmuara disa herë publikisht, kanë shtuar pikëpyetjet brenda e jashtë BE-së për marëdhënien transatlantike, por kanë bërë që Franca të ketë një zemërim të rritur.

Franca është vendi që ka reaguar dhe vazhdon të shfaqë papajtueshmëri të thella me veprimin e fundit të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Australisë. Në planin ekonomik me këtë pakt dhe daljen e njëanshme të qeverisë austrialiane nga marrëveshja e Kanberrës, Franca humbet mosrealizimin e marrëveshjes prej 100 miliardë dollarësh. Deklaratat e presidentit francez dhe ato te kryediplomatit ishin mjaft të ashpra dhe dilnin jashtë çmimit komercial që ka marrëveshja.

Tërheqja e ambasadorëve nga SHBA dhe Australia e ka shtuar ndjeshëm temperaturën politike midis Francës dhe vendeve të paktit AUKUS, por kjo rritje temperature marëdhëniesh ka kaluar nga Franca edhe tek mjaft vende të BE-së. Ankesat e zyrtarëve francezë që akuzojnë Australinë, SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar se po sillën në mënyrë të fshehtë, të dyfishtë dhe që kanë tradhetuar e poshtëruar Francën, kanë rënduar së tepërmi marëdhëniet në mes tyre. Tërheqja e ambasadorëve është një sinjal që tregon se raportet janë të përkeqësuara dhe kjo nuk ka ndodhur thjesht dhe vetëm së fundi nga tërheqja e Australisë nga marrëveshja e vitit 2016 me Francën.

Klima në mjedisin politik e diplomatik francez është rënduar, pasi prishja e marrëveshjes nuk është konsideruar thjesht një kontratë armësh, por prishje e një partneriteti strategjik nga ana e Australisë dhe kjo e nxitur nga dy vende anëtare të NATO-s, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar. Ndërsa Kina reagoi në të drejtën e vet legjitime si një vend kontribues permanent i paqes globale, se projekti do të jetë destabilizues për Paqësorin, por edhe për sigurinë në botë, Brukseli e Parisi në këndvështrimin e tyre ishin të ashpër jo vetëm se u mënjanuan nga marrëveshja, por edhe u shmangën nga konsultimet si për këtë çështje, ashtu edhe të tjera mjaft të rëndësishme .

Asnjera nga palët e paktit AUKUS nuk e ka pritur një reagim të tillë francez dhe kanë filluar piruetat diplomatike. Biden e konsideroi Francën “partner kyç në zonën e Indo-Paqësorit”, ndërkohë që kryeministri Scott Morrison u shpreh se Australia pret të vazhdojë të punojë “ngushtë dhe pozitivisht” me Francën .

Nëndetëset(ABCNews.al)

Nëndetëset(ABCNews.al)

Zemërimi francez pavarësisht këtyre deklaratave nuk ka rënë. Ajo planifikonte të festonte sëbashku me SHBA-në 240 vjetorin e betejës së Chesapeake-ut dhe e anluloi, duke avancuar më tej me tërheqjen e ambasadorëve nga SHBA dhe Australia. Beteja detare e Chesapeake-it e 240 viteve më parë ka një simbolikë mjaft domethënëse në marëdhëniet midis Francës dhe SHBA, pasi pas dorëzimit të forcave britanike, me kontributin e paçmuar francez, u realizua pavarësia e SHBA-ve.

Anulimi i festimit nuk është një veprim i thjeshtë, pasi simbolika e tij është shumë e madhe, por mbi të gjitha një mesazh që raportet janë dëmtuar mjaft rëndë. Kjo ngjarje ka bërë që pozitat e neo-golistëve francezë në diplomaci të forcohen. Ata tani artikulojnë publikisht qëndrimin e tyre për të mbajtur një distancë nga aleanca Atlantike, duke e parë Francën, por edhe Evropën, në një rol balancues midis Lindjes dhe Perëndimit, se sa pranë Perendimit.

Argumentet e tyre mbështeten kryesisht mbi tezat se aleancat me amerikanët kanë gjithnjë standarde të dyfishta. Presidenti Joe Biden këto ditë ka konfirmuar për një komunikim të gjerë mbi shumë çështje me Presidentin francez Macron, por tema e sigurisë në Evropë dhe rajonin e Indo-Paqësorit nuk mund të mos jetë në qendër, si një mundësi për uljen e tensioneve. Nëse kjo anashkalohet, zemërimi francez do vazhdojë dhe pikpyetjet mbi marëdhëniet e ardhëshme midis SHBA-ve dhe Francës do rriten.

Në të njejtën linjë me këtë qëndrim u paraqitën dhe ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, të solidarizuar me Francën, për shkak të vendimit të Australisë që të heqë dorë nga marrëveshja për blerjen e nëndetëseve franceze dhe të arrijë një marrëveshje të re me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë për nëndetëse me kapacitet bërthamor. Pas takimit me ministra të BE-së në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, shefi për Politikë të Jashtme në Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ky vendim ishte në kundërshtim me thirrjet për bashkëpunim më të madh me Bashkimin Evropian në rajonin Indo-Paqësor.

Pakti AUKUS ka shtyrë interesat e shumë shteteve mënjanë, për të forcuar interesat brenda këtij pakti. Kina në radhë të parë, pastaj vendet e Indo-Paqësorit, vendet më të fuqishme të BE-së ndjehen të kërcënuara e të përjashtuara nga pakti dhe reagimet ndaj tij normalisht që janë shumëplanëshe dhe nga një mision paqeje, siç përpiqen ta argumentojnë hartuesit e tij, ai është kthyer në një pakt që ka krijuar dallgë të mëdha që akoma nuk dihet saktësisht se ku do të përplasen.

Gëzim Podgorica