Në Forumin Ekonomik Botëror të vitit 2020, drejtuesit e bizneseve u shprehën se humbja e biodiversitetit ishte rreziku i tretë më i madh në botë për sa i përket gjasave dhe ashpërsisë, rankuar pas vetëm dështimit të veprimit klimatik dhe armëve të shkatërrimit masiv.

Biodiversiteti është themeli i jetës njerëzore. Problemet botërore po bëhen transnacionale dhe është pranuar gjerësisht se bashkëpunimi ndërkombëtar është e vetmja zgjidhje. Një bashkëpunim i tillë mund të lëkundet dhe të pësojë regres nëse vullneti i përbashkët i palëve nuk është në unison.

Toka pësoi një rënie prej 68% të biodiversitetit global midis 1970 dhe 2016, sipas Raportit të Living Planet 2020, bollëku, shpërndarja dhe përbërja e specieve globale, si dhe shëndeti i tokës, diversiteti i bimëve dhe insekteve vazhdojnë të jenë në trajektore rënëse pa shenja rimëkëmbjeje. Ndryshimi i përdorimit të tokës dhe mbishfrytëzimi i specieve janë kontribuesit kryesorë të kurbës rënëse globale. Vlera e madhe e biodiversitetit qëndron në ofrimin e mundësive për njerëzit që të përshtaten me ndryshimet lokale dhe globale. Lëvizja materiale dhe shkëmbimi i energjisë midis biologjisë dhe mjedisit e mban ekosistemin të balancuar, nëse ekosistemi del jashtë ekuilibrit, do të shkaktojë pasoja serioze.

OKB, biodiversiteti dhe Kunming

Konventa për Diversitetin Biologjik (KDB) u hap për nënshkrim në Samitin e Tokës në Rio de Janeiro

në 1992, dhe duke hyrë në fuqi në dhjetor 1993. KDB është një traktat ndërkombëtar për ruajtjen e biodiversitetit dhe ndarjen e barabartë të përfitimeve që rrjedhin nga përdorimi i burimeve gjenetike. Konventa kërkon të shënjeshtrojë të gjitha kërcënimet ndaj biodiversitetit dhe shërbimeve të ekosistemit, përfshirë kërcënimet nga ndryshimet klimatike, përmes vlerësimeve shkencore. Dhjetë vjet më pas hyri në fuqi Protokolli i Kartagjenës (11 shtator 2003) që kërkon të mbrojë diversitetin biologjik nga rreziqet e mundshme.

Në vitin 2010, palët u mblodhën sërish dhe vendosën një plan për aksion 10-vjeçar në Aichi të Japonisë ku u shpalosën të ashtuquajturat “Qëllime strategjike të 10-vjeçarit” ose siç njihen “Synimet e Biodiversitetit Aichi”. Ato grupohen nën pesë qëllime strategjike: A) Adresimi i shkaqeve themelore të humbjes së biodiversitetit duke përfshirë biodiversitetin në qeveri dhe shoqëri. B) Ulja e presioneve të drejtpërdrejta mbi biodiversitetin dhe promovimi i përdorimit të qëndrueshëm. C) Përmirësimi i statusit të biodiversitetit duke mbrojtur ekosistemet, speciet dhe diversitetin gjenetik. D) Rritja e përfitimeve për të gjithë nga biodiversiteti dhe shërbimet e ekosistemit. E) Përmirësimi i zbatimit përmes planifikimit me pjesëmarrje, menaxhimit të njohurive dhe ngritjes së kapaciteteve.

Por, në vitin 2020 Kombet e Bashkuara raportuan se nuk ishte arritur të përmbushej asnjë objektiv i vetëm të biodiversitetit të rënë dakord në Aichi në 2010. Dhe detyrat e 10 vjeçarit do të barten në dekadën 2020-2030.

Kongresi i 7-të Botëror i Konservimit (WCC) u mblodh në Marsejë, më 4 shtator 2021, dhe ky organizohej edhe me mbështetjen e Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Presidenti i IUCN Zhang Xinsheng në ceremoninë e hapjes, ku merrte pjesë edhe Presidenti francez Emanuel Macron, u shpreh se korniza e natyrës dhe biodiversitetit pas vitit 2020 duhet të jetë universale, novatore dhe transformuese. Ajo duhet të mbështesë një rimëkëmbje ekonomike pas COVID-19 duke respektuar natyrën, duke qenë e drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Kongresi i Marsejës është një pararojë për çfarë pritet të ndodhë në Kunming, ku tema do të jetë “Qytetërimi Ekologjik - Ndërtimi i një të Ardhme të Përbashkët për të gjithë Jetën në Tokë ".

Samiti më i madh në botë i biodiversitetit, COP15 (Konferenca e Palëve) do të mbahej në Kunming, Kinë në maj të vitit 2020, por për shkak të pandemisë, agjenda u shty me një vit.

Më 18 gusht 2021, Sekretariati i OKB njoftoi se COP 15 do të zhvillohet në dy pjesë. Pjesa e parë do të zhvillohet në një format virtual, nga 11-15 tetor 2021. Pjesa e dytë e COP 15 do të jetë një takim ballë për ballë në Kunming, Kinë, nga 25 prill-8 maj 2022.

Konferenca përfshin takimin e 15 të Konventës për Diversitetin Biologjik (KDB) ku pjesëmarrësit priten të zhvillojnë negociata të gjera dhe të thella drejt një kuadri ambicioz dhe praktik global të biodiversitetit pas vitit 2020.Në këtë samit do të takohen shkencëtarë, OJQ dhe politikëbërës, që mblidhen për të diskutuar elementet shkencore dhe financiare të marrëveshjes mbi objektivat e biodiversitetit për vitin 2030. E vendosur për të vërtetuar se Kunming do të jepte rezultate më të mira, Konventa e OKB-së për Biodiversitetin botoi një draft prej 20 pikash që përshkruan detajet e marrëveshjes.

Kina dhe biodiversiteti

Në linjë me zotimet në rang global, Kina formuloi një politikë në nivel kombëtar, Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Ruajtjen e Biodiversitetit (2011-2030). Kjo u konceptua si një sistem ligjor për ruajtjen e biodiversitetit dhe një mekanizëm për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve biologjike, dhe mbrojtja e biodiversitetit ka arritur të prekë ndërgjegjshmërinë e vendasve në Kinë.

Metodat më të përhapura dhe të zakonshme përfshijnë krijimin e rezervave natyrore, zbatimin e mbrojtjes së pyjeve dhe kthimin e tokës së djerrë në kullota. Për shembull, Kina ka 2,740 rezerva natyrore, duke mbuluar 15% të masës së saj tokësore. Sistemi i ri i parqeve kombëtare në Kinë është përpiluar për të shpëtuar florën dhe faunën duke e bërë Kinën është një shembull modern global. Të gjitha provincat në Kinë kanë hartuar "vija të kuqe ekologjike" dhe zonat e përcaktuara nga ato kanë një sipërfaqe të kombinuar deri në një të katërtën e sipërfaqes totale të tokës të vendit.

Sfida për ruajtjen e biodiversitetit është si të përkthehet vullneti në veprim, tha Patrick Giraudoux, profesor i ekologjisë në Universitetin e Franche-Comte. Në Kinë, mbrojtja e mjedisit dhe specieve është bërë "një nga përparësitë kryesore" dhe ndërgjegjësimi i publikut është i madh.

Rëndësia e tematikës se biodiversitetit në Kinë mund të shihet qartë në fjalët e Presidentit Xi Jinping, ku më 6 korrik, vetëm pak ditë pas festimeve të 100-vjetorit të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), mbajti një fjalim ku përmendi Kunming, duke thënë: “ palët do të konsultohen me njëra -tjetrën mbi strategjitë e reja për biodiversitetin dhe do të fillojnë një udhëtim të ri të qeverisjes globale të biodiversitetit.”

Në gusht Departamenti i Publicitetit i Komitetit Qendror të PKK, nxjerr një deklaratë zyrtare me titutll “PKK: Misioni dhe Kontributet.” Dokumenti shpreh se PKK ndjek tendencat themelore të zhvillimit shoqëror dhe respekton rolin kryesor të njerëzve në krijimin e historisë. Edhe pse kishte shumë prioritete për të shënuar, dokumenti nuk lë pa vënë në pah rëndësinë e biodiversitetit në axhendën politike kinëze.

Për sa i përket përparimit eko-mjedisor - vazhon shkrimi - Kina u bën thirrje të gjitha vendeve që të jenë miq të mirë me mjedisin, të forcojnë bashkëpunimin për ndryshimet klimatike dhe ruajtjen e biodiversitetit dhe të mbrojnë planetin tonë për hir të mbijetesës njerëzore.

Kina nga premtimi në veprim - Financimi i një të ardhmeje të gjelbër

Që një politikë të funksionojë si duhet, nevojitet vullnet i palëve dhe padyshim, financim. Në vitin 2016, Banka Popullore e Kinës (PBOC), udhëhoqi koordinimin ndër-departamental për të prezantuar një udhëzues mbi ndërtimin e një sistemi financiar të gjelbër, i cili është korniza e parë e politikës së gjelbër financiare në botë e miratuar dhe krijuar nga departamentet e qeverisë qendrore.

Lei Yao, nënkryetar i Institutit të Kërkimit financiar të PBOC, shprehet se në mbështetjen e zhvillimit të gjelbër, financat kanë tre role kryesore: shfrytëzimin e burimeve financiare nëpërmjet mjeteve të politikës, rritjen e aftësive të sistemit financiar kundër rreziqeve të lidhura me ndryshimet klimatike dhe lehtësimin e tregtimit në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar.

Për të përmbushur role të tilla, Kina ka kombinuar qasjet nga lart-poshtë dhe poshtë-lartë për të siguruar që qeveria të luajë një rol udhëzues ndërsa tregu luan një rol vendimtar në alokimin e burimeve.

Kina ka përparuar me shpejtësi në zhvillimin e sistemit të saj të gjelbër financiar dhe tregjeve. Deri në vitin 2020, kreditë e gjelbra dhe obligacionet e gjelbra në Kinë arritën përkatësisht 1.8 trilionë dollarë amerikanë (duke u renditur si më të mëdhatë në botë) dhe 125 miliardë dollarë amerikanë.

Së fundmi, duhet theksuar se Kongresi i 18-të Kombëtar i PKK ka ndikuar të ardhmen e qytetërimit ekologjik të Kinës. “Dëshira e njerëzve për një jetë më të mirë është qëllimi ynë – shprehu Presidenti Xi Jinping - Për të përmbushur pritjet e reja të njerëzve për një mjedis të mirë ekologjik. ”

Një studiues i shquar kinez, Pan Xiangchao e lidh Mendimin e Xi me teori më të hershme të mendimit filozofik. Engels ka thënë se “Njeriu është produkt i natyrës, i zhvilluar në mjedisin e tij dhe me këtë mjedis... planet njerëzore, të cilat nuk bazohen në ligjet e mëdha të natyrës, do të sjellin vetëm fatkeqësi.” Bazuar në perspektivën e zhvillimit njerëzor, Marksi parashtroi idenë e vështrimit ekologjik shoqëror. Xi Jinping beson se zhvillimi shoqëror nuk mund të ndahet nga faktorët natyrorë, dhe ka theksuar gjithmonë pikëpamjen e “simbiozës harmonike njerëzore, natyrore dhe shoqërore.”

Dr. Marsela Musabelliu