Ajo që po dëshmon prej vitesh R.P. e Kinës është fakti se zhvillimi i hovshëm i vendit nuk është i përqëndruar në krahina apo kombësi të veçanta, por në mënyrë të balancuar në të gjitha zonat e vendit, duke i dhënë ekonomisë një frymëmarrje më të gjerë, por mbi të gjitha duke ndikuar në mënyrë të barabartë në një zhvillim harmonik në jetën e njerëzve. Arritja e madhe e zhdukjes së varfërisë, sigurisht që përbën një krenari të politikës, por ajo është edhe një dëshmi e pakontestueshme e ecjes së sigurt të Kinës në rrugën e vet të zhvillimit të marëdhenieve socialiste.

Presidenti Xi Jinping, duke zbërthyer dëshirën e çdo banori kinez për një jetë më të mirë, për aspirata të reja që lidhen me zhvillimin e vendit, për një harmonizim të përgjegjësive të gjithsecilit me mundësitë që ofron natyra dhe vendi, bëri kredo politike idenë se: “Interesat e përbashkëta mund të krijojnë objektiva të përbashkëta, dhe kur këto objektiva përmbushen, edhe ëndrrat e vogla bëhen realitet”.

Kanë kaluar 9 vite që nga nëntori i vitit 2012 kur Presidenti Xi lançoi këtë ide, për të cilën pati një angazhim të veçantë. Puna për ndërtimin e një Kine të bukur është një rrugëtim i gjatë, i vështirë, por i qartë në objektivat që janë arritur dhe në ato që do të arrihen deri në vitin 2035, mbështetur ne vizionin e Xi. Fitorja e madhe e arritur nga Kina mbi pandeminë, tregon se ngadhënjimi mbi situatën më të rëndë pandemike globale, se mrekullia kineze është shumëplanëshe dhe e shtrirë në të gjithë vendin. Nuk ka sot asnjë krahinë në Kinë që të ketë një situatë pandemike më të rënduar se një krahinë tjetër, pavarësisht çfarë kombësie i përket ajo.

Vëmendja dhe angazhimi ka qënë maksimal që nga Pekini deri në fshatin më të largët malor dhe kjo vëmendje dhe investim i njëllojtë për secilin banor të Kinës ka bërë që fitorja të jetë masive. Shëndeti, si një përparësi në politikën sociale kineze, ka marrë investimin më të madh dhe mposhtja e pandemisë tregoi se Kina nuk bën asnjë dallim ndërmjet kombësive .

Kemi folur edhe herë të tjera për angazhimin kinez brenda dhe jashtë vendit dhe kontributin global, i cili po bën të mundur që efektet e pandemisë të jenë sa më të vogla. Por nënvizova jo pa qëllim faktin se realiteti pozitiv që ekziston sot në Kinë dhe ritmet e larta të ekonomisë në shumë fusha, dëshmojnë se një zhvillim i barabartë dhe vëmendje e njëkohëshme kudo, ka dhënë rezultatet që janë surprizuese pozitive dhe dëshmi e një ecje të sigurt përpara.

Promovimi i begatisë së përbashkët midis kombësive nuk është një tezë, por është një realitet në lëvizje dhe i prekshëm. Forcimi i ndjenjës së bashkësisë ka bërë që të ketë përpjekje të vazhdueshme për mbrojtjen e interesave themelore të të gjitha kombësive dhe zhvillimin e marëdhënieve socialiste mes kombësive, ku në bazë të këtyre marëdhënieve qëndrojnë si referencë themelore barazia, uniteti, harmonia dhe ndihma e ndërsjellë.

Arritja e madhe e zhdukjes së varfërisë u realizua pikërisht nga vëmendja e barabartë dhe investimi për secilën kombësi dhe solli suksesin e madh. Lufta për mposhtjen e varfërisë ishte jetike, humane dhe arriti suksesin pasi kishte përmasa kombëtare. Mrekullia kineze, e mbështetur ne Reformën e hapjes u realizua si e tillë për një popullsi që ishte në më shumë se 770 milionë banorë dhe në çdo cep të Kinës. Nuk është thjeshtë kjo realizimi i një ëndrre, është realizimi dhe prekja e suksesit në çdo skaj, edhe në atë më të largtin gjeografikisht, ku kërkohej shumë investime dhe sakrifica për ta nxjerrë nga një situatë shumë e vështirë, në një situatë normaliteti me objektiv zhvillimi.

Zbutja e varfërisë ka sjellë optimizëm tek banorët që as nuk e ëndërronin se atje, në viset më të thella do të hynte drita e zhvillimit dhe përparimit. Zbutja e varfërisë, e cila është një arritje historike, ka dimensionin e vet social, por ajo ka të bëjë edhe me përkushtimin e veçantë të Kinës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sepse sigurimi i të drejtave të çdo individi për arësimim, kujdes shëndetësor e strehim, qëndron në themel të ketyre të drejtave.

Sivjet u festua me shumë madhështi çlirimi paqësor i Tibetit dhe “çatia e botës” siç njihet gjerësisht, ka një zhvillim të hovshëm duke e renditur në rajonet më të përparuara të vendit. Paragjykimi i kombësive nuk ekziston në Kinë dhe kjo ka bërë që edhe rajone të tilla si Tibeti, të njohin zhvillime impulsive që kanë ndryshuar në themel jetën e banorëve. Shifrat e publikuara kohët e fundit tregojnë se çfarë ndryshimesh të mëdha janë realizuar këtu. Renditja e Tibetit ndër tre rajonet me rritjen më të madhe ekonomike në Kinë tetë vitet e fundit, dëshmon se vëmendja e politikës kineze për një zhvillim të balancuar midis rajoneve është një vizion dhe bazë e ecjes përpara.

70 vite më parë prodhimi i brendshëm ishte vetëm 20 milion dollarë, ndërkohë që sot ka arritur në më shumë se 29 miliardë dollarë. Shifrat janë gjithnje relative, por duke i analizuar zbërthen forcën e tyre. 29 miliardë dollarë prodhim i brendshëm bruto për një popullsi prej 5 milionë banorësh të këtij rajoni autonom. Vetëm këtë shifër mbresëlënëse të marrësh në konsideratë, është tregues i mjaftueshëm e kuptimplotë i zhvillimit dhe hopit që ka pësuar Tibeti, falë vëmendjes së veçantë tëe Qeverisë kineze dhe ndjekjes së politikës së shanseve e mundësive të barabarta për secilin banor të Kinës.

Reformat e mëdha ekonomike që janë ndërmarrë në Kinë në kuadër të Reformes së Hapjes, i kanë dhënë edhe Tibetit mundësi të shumta .

Duke qënë e orientuar në bujqësi e blegtori, është ruajtur tradita, ekonomia i është përgjigjur rrugës socialiste të zhvillimit, duke u diversifikuar e kërkuar mundësi të reja efektive, që kanë sjellë rezultate optimiste. Kombësia tibetiane, pjesë e kombësisë së madhe kineze, i ka kaluar vështirësitë e mëdha të viteve 50 –të, 60-të e 70-të dhe ka standarde në rritje të jetesës.

Vendimi i marrë nga Këshilli i Shtetit të Kinës në vitin 2001, për ta mbështetur Tibetin përmes krijimit të Zonës së Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjik, ka mundësuar një hop cilësor ekonomik, i cili ka ndikuar dukshëm në rritjen e nivelit të jetesës në zonën më të lartë gjeografike. Në prefekturën Garzi të Tibetit është ndërtuar aeroporti më lartësinë më të madhe në botë mbi nivelin e detit.

Zhvillimi i Tibetit, ashtu si edhe zonave të tjera etnike në Kinë, është një qasje që ka marrë vëmendje të shtuar nga Qeveria kineze kryesisht në dekadën e fundit, pasi një zhvillim propocional, është një mundësi më shumë për zhvillim të harmonishëm në të gjithë vendin, por edhe pjesë e integrimit të rajoneve minoritare dhe autonome me shtetin dhe institucionet qendrore. Zhvillimi i Tibetit, mbështetja e madhe financiare, teknologjike, po edhe intelektuale që i është dhënë tregojnë se politikat e Pekinit ndaj minoriteteve, shprehin qartësisht aspiratën e madhe të përbashkët të kombit kinez për të udhëtuar të sigurt e të bashkuar me njeri-tjetrin dhe materializuar interesat themelore të gjithë popullit kinez.

Fushata që bëhet ndaj Kinës për shkelje të drejtave të kombësive të vogla dhe atyre minoritare ka si qëllim vetëm ta përbaltë atë dhe të komprometojë zhvillimin e gjithëanshëm, por edhe marëdhënien harmonike midis kombësive të ndryshme që bashkëjetojnë paqësisht në shtetin më të madh të botës. Është gjithashtu një përpjekje dhe pjesë e strategjisë për të frenuar vende të ndryshme në zgjerimin dhe bashkëpunimin e tyre me Kinën.

Xinjiangu, një ndër vendet ku kritikat e Perëndimit drejtohen me keqdashje, është prej vitesh në një situatë sociale të qetë, komunitetet e ndryshme këtu kanë një komunikim shumë të mirëkuptuar në mes vetes, por edhe me banorët e tjerë jashtë Xinjiangut dhe të integruar plotësisht në jetën politike, sociale dhe ekonomike të vendit. Rritja ekonomike prej një mesatareje prej 6.1 % në vit dhe të ardhurave për frymë me 5.8 %, por edhe zhdukja e varfërisë ekstreme janë disa nga treguesit që flasin se ndryshe nga çfarë pretendojnë disa media perëndimore, situata, jetesa dhe zhvillimi janë pjesë e një standardi të lartë dhe shumë larg të ashtuquajturit genocid.

Rritja e popullsisë me shifra nga viti 2010 deri në vitin 2018 me gati 25 për qind, një shkallë e lartë krahasuar me të gjitha grupet e pakicave të marra sëbashku, zhvleftëson në mënyrë të argumentuar gjithë propagandën e qëllimëshme që bëhet për Xinjiangun, apo për minoritete të tjera që jetojnë në Kinë. Në vitin 2021, vit kur sulmet mediatike rriten ndaj Xinjiangut, ky rajon shënoi rritje të ndjeshme të tregëtisë së jashtme. Në periudhën janar-korrik tregtia në Rajonin Autonom Xinjiang-Ujgur u rrit me 14 për qind, ose rreth 13 miliardë dollarë amerikanë. Me Bashkimin Europian rritja është prej 77 për qind .

Ajo për të cilën flitet shumë, liria e besimit, është e mbrojtur me ligj dhe literatura fetare është e përkthyer në gjuhën ujgure, por edhe gjuhë të tjera. Në një intervistë në marsin e këtij viti lidhur me Xinjiangun, Këshilltari i Shtetit dhe ministri i jashtëm kinez Wang Yi nënvizonte se “ Përpjekjet për të kritikuar e stigmatizuar Kinën mbi Xinjiangun nisen nga një agjendë e fshehtë. Ata synojnë dëmtimin e imazhit të Kinës nepërmjet shpifjeve të pabaza, të mbjellin përçarje midis Kinës dhe vendeve arabe islamike, dhe madje të pengojnë e minojnë zhvillimin e Kinës”.

Referenca zhvillimi të fuqishëm mund të sjellim edhe nga rajone të tjera autonome në mbështetje të argumentit që e nisëm analizën tonë se forcimi i ndenjës së bashkësisë i ka dhënë një zhvillim harmonik të gjithë kombit. Ky forcim qëndron në bazë të punëve dhe të agjendës së zhvillimit për epokën e re. Në konferencën e pestë qendrore mbi çështjet e kombësive Presidenti Xi Jinping theksoi se duhet të nxiten kombësitë e ndryshme të ecin drejt modernizimit socialist. Tani ata po ecin sëbashku drejt epokës së ndryshimeve të mëdha, që kanë transformuar jetën e tyre.

Gëzim Podgorica