Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tërhoqën nga Afganistani. Ishte një rrëmujë dhe një krizë që thelloi mosmarrëveshjet midis aleatëve të NATO-s, pasi që Uashingtoni nuk u konsultua me këta aleatë. Kaosi dhe mënyra e tërheqjes krijuan dyshime rreth vendimmarrjes amerikane, në veçanti për faktin se Departamenti i Shtetit nuk planifikoi dhe organizoi në kohë tërheqjen e diplomatëve dhe civilëve para se sa të tërhiqej ushtria.

Megjithatë Afganistani është tashmë në duart e talibanëve, ndërkohë që SHBA-të dhe sidomos BE janë në dilemë se si do të duhet të reagojnë ndaj një regjimi të ardhur në pushtet me dhunë. Duket se europianët kërkojnë më shumë informacion për politikat e talibanëve, ndërkohë që amerikanët mesa duket e kanë tashmë informacionin e nevojshëm në dorën e tyre.

Por më e dukshme ishte dhe mbetet kriza e refugjatëve afganë. Janë me mijëra afganë, të cilët kishin bashkëpunuar me forcat amerikane dhe të NATO-s e të cilët duheshin evakuuar për shkak se u rrezikohej jeta në atdheun e tyre. Në sytë e talibanëve ata konsiderohen "tradhtarë", ndaj dhe shumica prej tyre u nxorën nga Kabuli përmes ndërhyrjes amerikane, britanike dhe disa shteteve të tjera. Katari u bë pikëtakimi i parë e kryesor i këtyre afganëve e më pas ata u shpërndanë në shumë vende, si në SHBA dhe Europë. Turqia, megjithëse vend anëtar I NATO-s, nuk pranoi që ta luante këtë rol.

Ndër destinacionet pritëse janë edhe ato të Europës Juglindore. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut të Ballkanit Perëndimor vendosën që të pranojnë në territorin e tyre afganë të rrezikuar në Afganistan. Nuk pranuan refugjatë afganë Serbia, Mali I Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina nuk i pranuan refugjatët afganë për shkak të brishtësisë politike në këto dy vende. Ndërsa Serbia nuk dëshiron të luajë ndonjë rol në dobi të Aleancës Atlantike.

Shqipëria, sipas kryeministrit të vendit, Edi Rama, është vetofruar që si një vend anëtar i NATO-s të kontribuojë për strehimin e afganëve që kishin bashkëpunuar me SHBA-të dhe vendet e NATO-s gjatë 20 viteve të prezencës së tyre në këtë vend. Shifrat për të cilat ai është marrë vesh t'i pranojë shkojnë te 4000 afganë. Deri tani kanë ardhur 644 prej tyre. Nuk besoj se numri i afganëve në Shqipëri do të jetë më shumë sesa gjysma e shifrës së rekorduar midis shtetit shqiptar dhe SHBA-ve. Megjithatë ky kontribut i Shqipërisë është vlerësuar si një akt pozitiv nga aleatët amerikanë.

Edhe kapacitetet e Shqipërisë për të mbajtur dhe trajtuar një numër aq të madh të refugjatëve afganë janë të kufizuara. Buxheti i shtetit, të ardhurat e banorëve, infrastruktura, si dhe mundësitë e strehimit e përjashtojnë mundësinë e mbajtjes së një numri të madh afganësh në vend. Ata që tashmë kanë mbërritur në Shqipëri janë strehuar në hotele e resorte turistike në bregdet si dhe konviktet e studentëve.

Një numër më i vogël afganësh janë strehuar edhe në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Kosova është jo anëtare e NATO-s, ndërkohë që për sigurinë e saj është përgjegjëse NATO ose misioni i saj KFOR-i. Ndërsa Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s tashmë. Në Kosovë disa qindra refugjatë afganë janë strehuar në bazën amerikane të Bonstillit. Ndërsa Maqedonia e Veriut ka pranuar një numër të kufizuar dhe ka patur më shumë mundësi për një trajtim normal të tyre.

Ajo që vihet re ka të bëjë me faktin se publiku e përkrah iniciativën e qeverive të rajonit për të dhënë ndihmë për strehimin e afghanëve të kërcënuar nga talibanët. Por qytetarët kërkojnë më shumë transparencë dhe siguri për ta. Ndërsa Kosova e sheh aktin si një kontribut për aleatin më të madh perëndimor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë llogarisin edhe në benefitet për pushtetin e tyre që krijon kjo marrëdhënie e ngushtë me aleatin e përtej Atlantikut.
Enver Bytyçi