Biodiversiteti nënkupton tërësinë e llojeve dhe ekosistemeve në një vend, rajon apo në gjithë globin. Samiti i OKB-së për Tokën në 1992 përcaktoi “diversitetin biologjik si ndryshueshmërinë midis organizmave të gjallë, përfshirë ekosistemet tokësore, detare, ujore dhe diversitetin brenda specieve, midis specieve dhe ekosistemeve.

Humbja e biodiversitetit është problem global. Vlerësohet se një numër i madh speciesh janë në rrezik. Nëse nuk ndërhyhet me kujdes dhe shpejtësi, gjendja do përkeqësohet më shumë.

Veprimet e njeriut në 50 vitet e fundit kanë ndryshuar diversitetin e jetës në planet me tepër se çdo etape tjetër e historisë së njerëzimit. Në 100 vitet e fundit, zhdukja e specieve, shkaktuar nga njeriu është shtuar 1000 herë. Rreth 12 % e shpendëve, 23 % e gjitarëve, 25 % e halorëve dhe 32 % e ujërave nëntokësore kërcënohen për zhdukje. Rezervat e peshkimit janë pakësuar deri në 90 %, krahasuar me fillimin e zhvillimit të industrisë së peshkimit në botë. Vlerësimet e fundit shkencore parashikojnë se, me ritmet e sotme të shpyllëzimeve, brenda 25-30 viteve të ardhshme do zhduken 10 % e llojeve të njohura në planet. Pasojat e kësaj humbje do reflektohen në ekonominë botërore dhe në zhvillimet shoqërore, duke pasur parasysh faktin se 40 % e ekonomisë botërore dhe 80 % e nevojave të njeriut plotësohen nga burimet biologjike.

Nëse vazhdohet me këtë ritëm, humbja e biodiversitetit do ketë pasoja fatale për njerëzimin. Ekzistojnë shumë faktorë, shkaktarë të zhdukjes së specieve dhe biodiversitetit, por më kryesoret janë: rritja e numrit të popullsisë, shkalla e lartë e shpyllëzimit, zhvillimi i shpejtë industrial, ngrohja globale, shirat acide, etj.

Ruajtja e biodiversitetit është e rëndësishme dhe e domosdoshme dhe përbën (1) detyrim moral për specien njerëzore, në mënyrë që t’u lemë pasardhësve një mjedis po aq të pasur sa kemi trashëguar nga paraardhësit tanë, (2) çdo qenie e gjallë ka të drejtë të jetojë, ashtu si dhe vetë njeriu, (3) shumë specie bimore kanë vlera të jashtëzakonshme shëndetësore, (4) proceset natyrore biologjike janë rregullatorët më të mirë të ruajtjes së mjedisit të pastër dhe jetës në planet, (5) biodiversiteti dhe shumëllojshmëria biologjike në natyrë paraqet një potencial të lartë për zhvillimin e sektorit të turizmit, (6) zhvillimi ekonomik mund të sigurohet përmes ruajtjes dhe përdorimit të qëndrueshëm të pasurive natyrore e biologjike, (7) jeta e njerëzimit në tokë është e varura tërësisht nga biodiversiteti, etj.

Për këto arsye në qytetin Kunming të Kinës Jugperëndimore mbahet edhe Konferenca e Biodiversitetit e OKB-së, në të cilën do marrin pjesë qeveri nga e gjithë bota, për të rënë dakord për një sërë qëllimesh të reja për natyrën përgjatë dekadës së ardhshme. Kjo sipas kornizës së Konventës për Diversitetin Biologjik, në të cilën përcaktohet një plan ambicioz për të zbatuar veprime me bazë të gjerë për të sjellë një transformim në marrëdhëniet e shoqërisë me biodiversitetin dhe për të siguruar që, deri në vitin 2050, vizioni i përbashkët, për të jetuar në harmoni me natyrën, të jetë i përmbushur.

Samiti i Kunmingut adresohet te sfida për ndalimin e humbjeve të vazhdueshme të specieve e diversitetit gjenetik dhe dëmtimit të ekosistemeve si dhe në përcaktimin e rrugës drejt mirëqenies së njerëzimit për brezat e ardhshëm, te mbrojtja e natyrës, duke harmonizuar politikat dhe veprimet e çdo niveli, vendi e rajoni në një kuadri global për biodiversitetin, bazuar në shkencë.

Pothuajse të tëra vendet e botës kanë shprehur përkushtim për të çuar përpara negociatat edhe pse rrethanat e shkaktuara nga pandemia e Covid - 19 kanë qenë të jashtëzakonshme.

Samiti i Kunmingut do propozojë 21 objektiva për t’u realizuar deri në 2030 përfshirë (1) ruajtjen me sisteme efektive dhe me menaxhim cilësor të paktën të 30% të zonave tokësore dhe detare në mbarë botën, (2) reduktim me 50% të ndërhyrjeve me specie invazive te speciet autoktone, (3) reduktim të humbjes së lëndëve ushqyese në ekosisteme, (4) reduktim të kimikateve në ekosisteme, (5) eliminim të depozitimit të mbetjeve plastike, (6) reduktim të emetimit të CO2, (7) eliminimi të dëmtuesve të biodiversitetit, (8) shtim të financimit për mbrojtjen e biodiversitetit me rreth 200 miliardë dollarë në vit në nivel global, etj.

Edhe Evropa, duke qenë një partner i rëndësishëm për Kinën, në synimet për mbrojtjen e biodiversitetit ka luajtur një rol të rëndësishëm. Mbrojtja e biodiversitetit në BE aktualisht trajtohet sipas programit të ruajtjes Natura 2000, i cili mbulon rreth 18% të tokës së BE -së dhe 10% të detit.

Që nga viti 2003, dialogu i Politikave të Mjedisit midis Kinës dhe Evropës është mbajtur në nivel ministerial, duke diskutuar si të përshpejtohet bashkëpunimi dy dhe shumë palësh për t'iu përgjigjur më mirë sfidave të përbashkëta, për të mbështetur kalimin në një model global efikas të shfrytëzimit dhe menaxhimit të burimeve, aplikimin e ekonomisë cirkulare, etj.

Kërcënimet ndaj biodiversitetit, përfshirë pyjet, presionet mbi burimet e pakta natyrore, ujërat dhe oqeanet, si dhe kërcënimi i ndotjes kërkojnë qeverisje të fortë, punë në bashkëpunim dhe drejtim globalisht dhe lidership global. Kjo kërkon marrëveshje kolektive mbi një kuadër ambicioz botëror në lidhje me biodiversiteti, përfshirë qëllimet e përgjithshme, objektivat specifike dhe mekanizmat e monitorimit dhe rishikimit të procesit dhe mjetet efektive të zbatimit të strategjisë së përbashkët dhe kërkon edhe një koordinim më të ngushtë të punës dhe veprimtarive midis BE dhe Kinës për të adresuar sfidat urgjente dhe të përbashkëta mjedisore, për të promovuar mundësitë për rimëkëmbjen e gjelbër pas pandemisë COVID-19.

Filozofia udhëheqëse e Kinës për civilizim ekologjik dhe Master Plani për Projektet kryesore për Mbrojtjen dhe Restaurimin e Ekosistemeve Kryesore Kombëtare janë një bazë shumë e mirë dhe një garanci e plotë që jep Kina për Evropën dhe mbarë botën për çështjen e mjedisit dhe biodiversitetit.

Pika të përbashkëta Kinë – BE janë ndotja e ajrit, emetimet industriale, kimikatet si dhe ndotja e deteve nga plastika, etj. Për këtë BE ka në plan të lançojë Planin e Veprimit për Ndotjen Zero, që duket se ecën paralel me iniciativën e Kinës për civilizim ekologjik dhe strategjinë e Kinës për mbrojtjen e mjedisit, parashtruar në Planin aktual pesëvjeçar të zhvillimit dhe në dokumentet kryesore të punimeve të Kongresit të fundit të Partisë Komuniste të Kinës.

Duket se Samiti i Kunmingut do jetë sipari i një bashkëpunimi afatgjatë dhe frutdhënës midis Kinës, BE-së dhe pjesës tjetër të botës në lidhje me mbrojtjen e biodiversitit, natyrës dhe mjedisit në interes të brezave të ardhshëm të qenies njerëzore.

Dr. Enriko Ceko