Sa më shumë afrohet koha e mbajtjes së Konferencës së Biodiversitetit të OKB-së në qytetin Kunming të Provincës Yunnan të Kinës Jugperëndimore si brenda vendit ashtu dhe në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në qarqe të specializuara shkencore, politike e diplomatike, i bëhet jehonë përvojës kineze në mbrojtjen e biodiversitetit si vlerë e shtuar për popullin e vendin e tij por edhe në shkallë botërore në analiza dhe studime.

Takimi i 15 -të i Konferencës së Palëve në Konventën për Diversitetin Biologjik (COP15) me teme: “Qytetërimi Ekologjik: Ndërtimi i Një të Ardhme të Përbashkët për të Gjithë Jetën në Tokë”, do të mblidhet në dy sesione, këtë vit dhe vitin e ardhshëm në Kunming, sipas vendimit të Sekretariatit të Konventës për Diversitetin Biologjik, dhe Kinës si vendi pritës.

Duke dhënë hollësi për këtë ngjarje në fund të javës së kaluar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Hua Chunying tha se pjesa e parë e COP15, duke përfshirë një hapje zyrtare dhe një segment të nivelit të lartë, do të zhvillohet si online ashtu edhe jashtë linje më 11-15 tetor. Pjesa e dytë, që do të mbahet me prani personale në gjysmën e parë të vitit 2022, do të ketë në rend të ditës bisedime të gjëra dhe të thelluara drejt një kuadri ambicioz dhe praktik global të biodiversitetit pas vitit 2020.

Kina ka luajtur rol kyç në mbrojtjen e biodiversitetit në botë dhe përvoja e çmuar e shkencëtarëve kinezë meriton të merret në konsideratë nga mbarë bota, shkruante në një kryeartikull të saj revista britanike "Nature" (25 gusht 2020).

Ka kaluar më shumë se një vit nga ai konstatim dhe në mënyrë të natyrshme gjërat kanë ndryshuar, rreziqet janë shtuar, sikundër edhe përpjekjet e vendeve konstruktive në mbrojtje të biodiversitetit dhe ekosistemit janë shtuar, por deduksionet e atij kryeartikulli dhe veçanërisht besimi në vendosmërinë e Kinës për zbatimin e konceptit të zhvillimit të gjelbër, për të mbajtur premtimet e saj, janë plotësisht aktuale.

Diplomacia, vizioni i Presidentit Xi në mbrojtje të biodiversitetit

Duke ndjekur trajtimin e çështjeve alarmante të ndryshimeve klimatike në botë bie dukshëm në sy një vazhdimësi në shqetësimin dhe zhvillimin me mendime, propozime e alternativa konkrete të Presidentit Xi lidhur me ndotjen e ambientit, parandalimin e kontrollin e tij, biodiversitetin, ekosistemin, me një fjalë çuarjen përpara të zhvillimit të gjelbër në të gjitha fushat në tërë botën. Në mënyrë të veçantë tingëllon fuqishëm thirrja e tij për atë që quan ‘Qytetërim Ekologjik’ dhe më duket e gjetur një kronikë e agjencisë Xinhua me titull: “Xiplomaci: vizioni i Xi-së mbi luftën kundër ndotjes së ambientit, zhvillimin e gjelbër” (Xiplomacy: Xi's vision on anti-pollution fight, green development).

E konkretisht më 1 shtator 2021, Presidenti Xi Jinping theksoi rëndësinë e konsolidimit të arritjeve kundër ndotjes së ambientit në një kohë kur Kina ka hyrë në periudhën madhore të progresit të qytetërimit ekologjik në periudhën e Planit të 14-të 5-vjeçar me temë qendrore uljen e emetimeve të karbonit. Xi e vuri theksin tek masat shkencore të mbështetura në ligj në luftën kundër ndotjes së ambientit në mbledhjen e 21-të të Komitetit Qendror të kryesuar prej tij për thellimin e reformës së gjithanshme.

Mbledhja e mbajtur pak kohë para konferencës së Kunming-ut bëri thirrje për më tepër përpjekje për të çuar përpara luftën e vendit kundër ndotjeve, dhe u përqendrua imtësisht në fusha kyçe dhe lidhjet që kanë të bëjnë me parandalimin e ndotjes dhe kontrollin e zgjidhjen e problemeve kryesore ekologjike që cënojnë jetën e njerëzve.

Duke lënë gjurmën e tij mbi tërë ecurinë e këtij procesi aq delikat dhe jetik kombëtar dhe ndërkombëtar janë me vlerë disa momente kyçe lidhur me këtë temë në të shkuarën jo të largët që sillen për lexuesin nga Xinhua.

Duke folur në ceremoninë e hapjes së Forumit Boao për Konferencën Vjetore Aziatike 2021 më 20 prill të këtij viti, Xi bëri thirrje për të forcuar bashkëpunimin në infrastrukturën e gjelbër, energjinë e gjelbër dhe financën e gjelbër.

Ai gjithashtu bëri thirrje për përmirësimin e Koalicionit të Gjelbër Ndërkombëtar të Një Brez, Një Rruge, projekt i njohur edhe si BRI, Parimet e Investimit të Gjelbër për Zhvillimin e BRI dhe platforma të tjera bashkëpunimi multilateral “për të bërë të gjelbrën një tipar determinues të bashkëpunimit Një Brez, Një Rrugë”.

Duke çuar më tej bashkëpunimin dhe shqetësimin e përbashkët me BE, kryesisht me disa vende kyçe shumë të ndjeshme në këtë shqetësim, më 16 prill 2021 në një samit nëpërmjet videos më Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel, Xi tha se ai gjithnjë ka mbështetur ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe është i gatshëm të forcojë bashkëpunimin me Francën dhe Gjermaninë në adresimin e ndryshimit të klimës.

Ai vuri në dukje se është jashtëzakonisht sfiduese për Kinën të arrijë një pikë për emetimet e karbonit nga viti 2030 dhe të arrijë asnjanësi nga karboni (achieve carbon neutrality) nga 2060, por Kina do ta realizojë premtimin e saj.

Dhe Kina, sipas Presidentit Xi, i ka përfshirë arritjen e pikut të karbonit dhe asnjanësinë nga karboni në planin e saj të përgjithshëm për mbrojtjen ekologjike dhe nxit zhvillimin e një ekonomie të gjelbër dhe me qarkullim të ulët karboni gjatë gjithë kohës.

Më 9 shkurt 2021, Presidenti Xi deklaroi në fjalimin kryesor kur drejtoi Takimin e Nivelit të Lartë Kinë- Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore se ne kemi nevojë të fokusohemi tek zhvillimi i gjelbër dhe u bëri thirrje vendeve pjesëmarrëse që me këmbëngulje të çojnë përpara bashkëpunimin ndërkombëtar mbi ndryshimet klimatike, të zbatojnë së bashku Marrëveshjen e Parisit dhe të kontribuojnë për suksesin e sesionit të 26-të të Konferencës së Palëve (COP26) të Konventës Kuadër të OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike dhe takimin e 15-të Konferences së Palëve të Konventës mbi Diversitetin Biologjik të cilat do të mbahen këtë vit.

Kurse më 12 dhjetor 2020 në Samitin virtual Ambicja për Klimën Xi i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndjekin një qëndrim të ri për administrimin e klimës që vë në plan të parë rigjallërimin e gjelbër dhe u zotua për angazhimet e mëtejshme të Kinës për 2030 për të përballuar sfidën klimatike globale.

Duke folur më 30 shtator 2020 në Samitin e OKB-së për Biodiversitetin Xi evidentoi rreziqet e mëdha të humbjes së biodiversitetit dhe degradimin e ekosistemit duke i bërë thirrje botës të veprojnë së bashku dhe urgjentisht për të çuar përpara paralelisht mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre.

"COVID-19 na kujton ndërvarësinë midis njeriut dhe natyrës. Na takon të gjithëve që të veprojmë së bashku dhe urgjentisht të çojmë përpara mbrojtjen dhe zhvillimin paralelisht, në mënyrë që ta kthejmë tokën në një atdhe të bukur që të gjitha krijesat të jetojnë në harmoni ", tha Xi.

Për të arritur një qëllim të tillë, Presidenti kinez bëri katër propozime - respektimi i qytetërimit ekologjik dhe rritja e dëshirës për ndërtimin e një bote të bukur; mbështetja e multilateralizmit dhe ndërtimi i sinergjisë për qeverisjen globale të mjedisit; të vazhdohet me zhvillimin e gjelbër dhe të rritet potenciali për rimëkëmbje ekonomike me cilësi të lartë pas COVID-19; dhe forcimin e fuqisë së veprimit për të trajtuar sfidat ndaj mjedisit.

Në fakt Kina është vlerësuar për përvojën e saj prej disa dekadash në ekuilibrimin midis zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së llojeve, si dhe në kontrollin e humbjeve ekologjike, e cila do të jetë në ndihmë të çështjes botërore të biodiversitetit. Ndër të tjera, qeveria qendrore dhe organet e pushtetit vendor në Kinë kanë hartuar një sërë objektivash për mbrojtjen e mjedisit dhe kanë zhvilluar eksperimente. Ato kanë formuar edhe mekanizmin e mbikëqyrjes e të raportimit dhe kanë arritur disa suksese.

Kina ka bërë risi edhe në sistemin e mbrojtjes së mjedisit ekologjik, përfshirë përcaktimin e "vijës së kuqe ekologjike" në mbarë vendin, formimin e "zonave të ndjeshme ekologjike", "zonave të brishta ekologjike", "zonave të ndaluara për zhvillimin" etj., që të kufizohet veprimtaria e njeriut dhe të mbrohet biodiversiteti. Kjo është një nga politikat më të hershme në botë në këtë drejtim dhe ia vlen të merret në konasideratë për zbatim nga vendet e tjera.

‘Ëndërra e botës së gjelbër’ nga Parisi në Kunming…

Çështjet e ndryshimeve klimatike nuk është se kanë qenë në harresë nga disa vende anëtare të komunitetit ndërkombëtar dhe nëse më lejohet mund të kujtoj që edhe gjatë periudhës 1987-1991, e madje edhe më përpara, kur isha me punë në misionin shqiptar pranë OKB-së në Nju Jork, kishte vende që shprehnin shqetësimin në organizmat e kësaj organizate panbotërore për ‘ngrohjen globale’ e masat që duheshin marrë. Por fatkeqësisht pak rëndësi e vëmendje i kushtohej në atë kohë kësaj teme nga fuqitë e mëdha.

Por me kalimin e kohës sensibilizmi erdhi duke u shtuar dhe më 1995 OKB-ja organizoi Konferencën e Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet Klimatike që u pasua me Protokollin e Kiotos më 1997, të cilin SHBA refuzuan ta ratifikojnë ndërsa Kanadaja u tërhoq prej tij më 2011. Në Konferencën e Kopenhagës më 2009 mbi Ndryshimet Klimatike pati kundërshtime të thella midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim lidhur me objektivat e pakësimit të emetimeve.

Në nëntor-dhjetor 2015 u mbajt Konferenca e 21-të e Palëve të UNFCCC në Paris ku në ceremoninë e hapjes Presidenti Xi citoi një thënie të vjetër kineze se “të gjitha gjërat jetojnë në harmoni dhe rriten më përkujdesje”. Me këtë rast ai u bëri thirrje vendeve të forcojnë besimin dhe punën e përbashkët për të ndërtuar një mekanizëm drejtues përfitimi të ndërsjellë, të barabartë dhe të ekuilibruar mbi ndryshimet klimatike, dhe në atë rast Kina ka luajtur një rol aktiv koordinues midis palëve kundërshtare. Ndër shumë mekanizma që u krijuan ishte edhe ‘Grupi i të 77-ve plus Kinën’.

Konferenca përfundoi me miratimin e Marrëveshjes së Parisit, e cila përbëhet nga 29 nene që përfshijnë qëllimet, zbutjen, përshtatjen, humbjen dhe dëmtimin, financat, teknologjinë, ngritjen e kapaciteteve dhe transparencën. Dokumenti është një bazë e rëndësishme ligjore për reagimin global ndaj ndryshimeve klimatike pas vitit 2020. Përpjekjet aktive të Kinës luajtën një rol kritik në përfundimin e këtij dokumenti historik. Presidenti i COP21 Laurent Fabius vuri në dukje se sa herë që pyetet për suksesin e Marrëveshjes së Parisit, ai do të theksojë se pa mbështetjen aktive të Kinës, nuk do të kishte pasur asnjë Marrëveshje të Parisit.

Përveç kësaj, Kina ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në drejtim të hyrjes në fuqi dhe zbatimit të Marrëveshjes. Ishte ndër traktatet ndërkombëtare të njohura për hyrjen e tyre të shpejtë në fuqi. Nicholas Rosellini, Koordinatori i Përhershëm i OKB -së në Kinë, vlerësoi rolin e rëndësishëm të Kinës në zbatimin e Marrëveshjes dhe vuri në dukje se udhëheqja dhe angazhimi i sai ishin vendimtare për arritjen e qëllimeve.

Kurse Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ishte konkrete kur bëri thirrje duke folur në Dialogun e Tranzicionit të Energjisë në Berlin 2021 më 15 mars të këtij viti për një "marrëveshje të stilit të Parisit për biodiversitetin", duke vënë në dukje se Bashkimi Evropian është gati të ndërmjetësojë ambicien e tij në konferencën e Kombeve të Bashkuara për biodiversitetin në Kinë.

"Ne jemi gati të ndërmjetësojmë të njëjtën ambicie në nivel global, në Samitin e ardhshëm të OKB -së për Biodiversitetin në Kunming. Sepse kjo do të duhet të jetë ashtu siç ishte COP21 për klimën"! tha von der Leyen. Ajo tha se Komisioni Evropian së shpejti do të paraqesë një kuadër ligjor për restaurimin e ekosistemeve të shëndetshme, me ambicien për të mbrojtur "të paktën 30 përqind të tokës dhe detit në BE".

Humbja e biodiversitetit, argumentoi ajo, nënkupton jo vetëm humbjen e "hapësirës së gjelbër ose habitatit natyror", por edhe humbjen e një "aleati kryesor" në luftën e botës kundër ndryshimeve klimatike dhe rritjes së temperaturave.

Kurse Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres lëshoi thirrjen më 30 gusht nga Kombet e Bashkuara në Nju Jork për veprime të guximshme për të mbrojtur biodiversitetin përpara takimit të Konferencës së Palëve në Konventën mbi Diversitetin Biologjik (COP15) në Kunming, Kinë.

"Biodiversiteti po shembet dhe ne jemi humbësit ... Ekosistemet po vuajnë. Oqeanet mbipeshkohen, ata po mbyten me mbeturina plastike dhe acidifikohen. Dhe, çdo vit, ne shkatërrojmë 10 milionë hektarë pyje", tha ai për "PreCOP Biodiversiteti 2021", ngjarje e nivelit të lartë e organizuar nga Kolumbia. "Njerëzimi po zhvillon një luftë të pakuptimtë dhe vetëshkatërruese kundër natyrës. Ne duhet të shpallim paqen. Kjo duhet të jetë një përparësi për të gjithë e kudo," tha Guterres.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, vetëm veprimi i guximshëm në terren mund t'i japë fund krizës së biodiversitetit.

Por cilat janë disa nga arritjet e Kinës në luftë për biodiversitet?

Ndërsa janë shkatërruar gjithësej 420 milionë hektarë pyje në të gjithë botën nga viti 1990 deri në vitin 2020, pyjet dhe kullotat në Kinë janë rritur me 33 milionë hektarë, sipas raportit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë. Të dhënat nga Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës e Shteteve të Bashkuara (NASA) tregojnë se që nga fillimi i shekullit 21, Kina ka kontribuar me 25% të zonës së sapo vegjetuar në të gjithë botën.

Kina ka kontribuar me pjesën më të madhe të kursimeve të energjisë në të gjithë botën. Tani është konsumatori numër një i energjisë së re dhe të rinovueshme, dhe investimi i saj në energji të pastër ka tejkaluar vendet e tjera për vite me radhë. Që nga viti 2000, ka pasur një rritje tetëfish të kapacitetit të instaluar të energjisë së rinovueshme në Kinë. Ajo është ‘shtëpia’ e një të tretës së centraleve diellore në botë dhe turbinave të erës, dhe e gjysmës së numrit të automjeteve elektrike të pasagjerëve në botë.

Pritet që deri në vitin 2035, automjetet me energji të re do të zënë më shumë se 50% të tregut të automobilave në Kinë, nga të cilat 95% ose më shumë do të jenë automjete elektrike me bateri.

Në këtë vend ka një grup të madh hulumtues me studiues që punojnë në institute kërkimore dhe shoqata joqeveritare vendase e të huaja. Këta shkencëtarë kanë përcaktuar nga ana sasiore, nisur nga këndvështrimi ekonomik, vlerat e burimeve natyrore dhe të sistemit ekologjik në shërbim të njeriut, në mënyrë që publiku dhe politikëbërësit ta njohin më mirë natyrën.

Kina nuk u shmanget as përgjegjësive as përkushtimit që edhe në kushtet e krizës aktuale shëndetësore globale të kontribuojë në fusha të tjera të interesit të përbashkët të njerëzimit sikurse është biodiversiteti, mbrojtja e planetit të përbashkët tokë të popujve nga shkatërrimi, që ky vit provoi se ishin me të vërtetë kritike jo vetëm në vende në zhvillim por edhe në ata to zhvilluara. Zjarre, përmbytje, uragane, ngrohje globale, epidemi, e fatkeqësi të tjera me pasoja të mëvonshme karakterizuan 2021 si pasojë direkte ose indirekte e ngrohjes globale.

Alarmi është dhënë, prandaj është koha për veprim në drejtim të zhvillimit të gjelbër, të kultivimit të qytetërimit ekologjik dhe harmonisë së plotë midis njeriut dhe natyrës dhe shpresat janë të vazhdohet rruga e drejt të ‘gjelbërtës’ nisur nga Parisi në Kunming dhe më tej.

Genc Mlloja