Vështirësia dhe kohëzgjatja në formimin e qeverisë së re në Mal të Zi pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, po tregojnë se baza e maxhorancës së sotme ishte shumë e brishtë dhe tensionet e kërcënimet për rrëzimin e saj kanë qënë të shpeshta në këtë periudhë, duke mos i lënë frymëmarrje të qetë në zgjidhjen e problemeve komplekese me të cilat është ballafaquar shteti i vogël ballkanik. Lufta e brendshme e forcave radikale po e thellon krizën e brendshme që është prezente në qeveri. Ka shumë gjasa që qeveria të mos i rezistojë dot konfliktit të brendshëm dhe ekuilibri aq i vështirë i arritur, të prishet.

Së fundi, një krizë e re me tensione në rritje është shfaqur dhe vendi ndodhet përballë një trazire politike që po merr përmasa në rritje. Caktimi nga kisha ortodokse serbe për të kurorëzuar në Cetinje kreun e ri Joankije Micovic ka bërë që të këtë një rikthim të tensioneve ashtu si dy vite më parë, kur doli ligji për pronat e kishës. Po tani kundërshtarët janë në kampin tjetër politik. Situata në këtë fillim shtatori është vërtetë shpërthyese.

Deklarata e kryeparlamentarit serb Ivica Daçic ku e konsideron Cetinjen qytet serb, jo vetëm ka provokuar një valë të re rritjesh tensionesh politike, por ka trazuar ujrat e brendshme të maxhorancës, e cila edhe pa këtë deklaratë është tejet e mbingarkuar. Protestat e qytetarëve malazezë në Cetinje, të cilët u mblodhën aty nga treva të ndryshme të Malit të Zi, për të shprehur kundërshtimin e hapur ndaj kurorëzimit të Metropolitit Joankije Micivic, u ashpërsuan edhe më shumë nga kjo deklaratë. Simbolika e kurorëzimit të Metropolitit në Cetinje konsiderohet si një provokim i hapur, pasi ky qytet qëndron në historinë e Malit të Zi si kryeqyteti i vjetër i Car Nikollës dhe lidhet me ndjenja të thella kombëtare dhe identitetin malazez, si një simbol shekullor.

Kurorëzimi në Manastirin e Cetinjës përmban mesazhe fyese për identitetin malazez- thonë protestuesit dhe janë të vendosur të mos e lejojnë një ceremoni të tillë, e parashikuar për 5 shtator. Përplasjet priten të jenë të mëdha dhe radikalizimi midis grupeve që janë kundër dhe atyre që e pranojnë një gjë të tillë më shumë si qëndrim politik, ka shenja të qarta jo vetëm të dhunës, por edhe të një destabiliteti të përgjithshëm. Protestuesit aktuale e konsiderojnë këtë gjë si një klerikalizim të vendit, duke i mohuar identitetin kombëtar dhe duke mohuar në të njëjtën kohë edhe vlera e histori identitare të këtij vendi. Synimi sipas protestuesve është asimilimi i kombit për t’i përfshirë ato në brendësi të botës serbe.

Kjo situatë e ndërlikuar është e njëjtë në ngarkesë edhe me ngjarjet që lidheshin kohë më parë për pronat e kishës. Ligji i miratuar në dhjetorin e vitit 2019 solli reagime politike të opozitës së atëhershme dhe protesta masive, që u inspiruan kryesisht nga kisha serbe. Sipas ligjvënësve para vitit 1918 pronat kishtare ishin pronë e shtetit malazez dhe më pas ato i janë dhuruar kishës ortodokse serbe.

Interpretimet për këtë çështje janë të ndryshme, por pikërisht mbi këto qëndrime u ndez konflikti. I gjithë debati si dy vite më parë, si tani është i një dimensioni politik. Mali i Zi është me një përçarje të thellë përsa i takon çështjes së identitetit kombëtar. Kjo është e dëshmuar jo vetëm tek problemi i pronave të kishës, apo ceremonia përkurorëzimin e Metropolitit, por edhe për çështje të tjera që nuk kanë konotacione fetare.

Ndarjet janë të tjella, pasi një pjesë e sheh dhe e ndjen veten si përkatësi e popullit serb, ndërkohë që pjesa tjetër krenohet dhe mbron identitetin malazez dhe e lidh historinë me kryeqytetin e vjetër Cetinje. Grupet etnikisht malazeze dhe serbe përfaqësojnë shumicën dominante në këtë republike dhe shqiptarët, boshnjakët e minoritete të tjera më të vogla, kanë ndjekur prej kohësh përplasjen midis dy grupeve të mëdha.

Në vendimmarrje përcaktuese si ajo që lidhej me pavarësinë e Malit të Zi, vota shqiptare ishte përcaktuese dhe maxhoranca e drejtuar nga Milo Gjukanoviç diti për një kohë të gjatë të ruante ekuilibrat dhe raportet normale me shqiptarët dhe pakicat boshnjake. Abuzimi me pushtetin i qëndrimit për një kohë të gjatë të liderit që konsiderohej shumë perëndimor Gjukanoviç, bëri që numrat e opozitës të shtoheshin dhe të shfrytëzoheshin të gjitha sensibilitetit, edhe ato fetare për rrëzimin e partisë së tij. Skandaleve të shumta që i paraprinë humbjes së partisë së Gjukanoviçit iu shtua edhe reagimi që pasoi nga miratimi i ligjit të fesë. Ky ligj, që i jepte shtetit malazez pronësi të kishës serbe, bëri që kisha të mobilizonte besimtarët e saj nga protestat, tek unifikimi elektoral kundër Gjukanoviçit.

Ardhja në krye të qeverisë së Zdravko Krivokapiç, profesor universiteti që drejtoi Frontin Demokratik proserb, u prit me një ndjenjë optimizmi për të luftuar plagët e mëdha të korrupsionit e krimit të organizuar. Shumë reforma dhe masa drastike u morën që në ditët e para të ardhjes së qeverisë së Krivokapiçit dhe situata dhe klima ka ndryshuar. Por prishja e interesave të mëdha, goditjet e fuqishme që janë dhënë kanë krijuar reaksion tek forcat që kanë qënë prej kohësh në pushtet, pasi interesat e tyre financiare janë tronditur thellë. Fillimi i hetimit të pasurisë së politikanëve që kanë drejtuar prej disa dekadash shtetin malazez, nën mburojën e të qënit properëndimor dhe abuzimit të hapur me pushtetin nën këtë pekt, kanë sjellë një reagim dhe monitorim të çdo lëvizjeje që bëhet nga qeveria. Duke patur vetëm një votë më shumë se opozita, maxhorancës i duhet të luftojë në parlament për çdo ligj, por edhe për çdo deklaratë. Kjo ka sjellë që influencat e kishës të jenë edhe më shumë prezente, pavarësisht se tërheqja e saj nga jeta politike, do t’i jepte një frymëmarrje tjetër gjithe diafragmës politike në Malin e Zi.

Edhe tensionet e këtyre ditëve ndodhin pikërisht se kisha serbe vijon të ushtrojë ndikimin e vet, duke dalë jashtë sferës religjoze.

Një tejkalim i tillë i së drejtës ka bërë që të sensibilizohet ndjenja identitare malazeze dhe protestuesit e shumtë, pavarësisht se thirren në emër të mbrojtjes së identitetit malazez dhe kundërshtojnë ndërhyrjen e kishës serbe në problemet e brendshme të vendit, i përkasin opozitës dhe duan të kapitalizojnë çdo mundësi që pengon ritmin normal të punës së kabinetit qeveritar dhe të shtojnë të çarat ekzistuese atje.

Menaxhimi i situatës së krijuar duket i vështirë. Në momentin që Mali i Zi kundërshtoi edhe ardhjen e refugjatëve afganë, mbështetja ndërkombëtare, kryesisht ajo perëndimore është e tërhequr dhe përballimi i sfidës do jetë i vështirë.

5 shtatori, që është shumë pranë, ka të gjitha gjasat të sjellë jo vetëm një tension politik në rritje, por edhe tejkalim fizik të situatës, çfarë do të krijonte një hendek mjaft të madh në marrëdhëniet midis malazezëve dhe serbëve dhe problemi i fesë të marrë përmasa radikalizimi, ku një urë e madhe do të ishte në mes. Maxhoranca ndjehet shumë e tensionuar në këto ditë të prag ngjarjes së Cetinjes, ku ultimatumet e palëve nuk mungojnë, përkundrazi janë shtuar.

Gëzim Podgorica