Një vështrim i ecurisë së marrëdhënieve midis Kinës dhe vendeve arabe në të shkuarën, të tashmen dhe perspektivat për të ardhmen dëshmon se këto vende e popujt e tyre kanë qenë partnerë dhe miq të mirë e shprehur në faktin se pavarësisht nga sfidat e shumta në situata të ndryshme ekonomike, sociale dhe gjeopolitike lidhjet ndërmjet tyre nuk janë cënuar. Përkundrazi, ato janë karakterizuar nga respekti dashamirës për njëri-tjetrin, parimi i përfitimit të ndërsjellë dhe rreshtimi në një front të përbashkët në përballimin e sfidave të shpeshta më të fundit e të cilave kriza shëndetësore e COVID – 19.

Një demonstrim më i fundit konkret i kësaj lidhje ishte Ekspozita e 5-të Kinë- Shtetet Arabe, që u mbajt në Rajonin Autonom Ningxia Hui të Kinës Veriperëndimore nga 19 deri më 23 gusht 2021.

Rajoni autonom Ningxia Hui me Yinchuan si kryeqendër dhe me një popullsi prej 6.81 milion banorësh ka në përbërje grupin etnik Hui prej 2.48 milion njerëzish dhe besimet kryesore fetare janë Islami dhe Budizmi atje. I pasur në burime natyrore dhe i blatuar nga një ndërthurje piktoreske e maleve, lumenjve, shkretëtirës, pyjeve, kënetave, Ningxia është bërë tërheqëse për turistët nga vendi dhe e gjithë bota. Vitin e kaluar më shumë se 31 milionë turistë vendas dhe të huaj vizituan rajonin duke parë me sytë e tyre të vërtetën e jetës së këtij minoritetit etnik duke hedhur poshtë fabrikimet e perëndimit për gjoja shkeljen e të drejtave të njeriut e trajtimin e pakicave etnike në Kinë.

Edhe pse në kushte të jashtëzakonshme të krizës globale në të gjithë botën jo vetëm shëndetësore por edhe politike, ekonomike e sociale, udhëheqjet dhe sipërmarrjet kineze dhe arabe ia dolën me sukses të regjistrojnë një histori tjetër suksesi. Ata treguan botës se ku ka vullnet të mire dhe miqësi të sinqertë dhe përfitim të ndërsjellë çdo gjë është e mundur. Më tepër se 50 miq të ftuar, duke përfshirë kryeministrin e Marokut, Zëvendëskryeministrin e pare të Kazakistanit, Ministrin e Jashtëm të Tunizisë, Ministrin e Shtetit për Tregtinë e Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes së Shteteve Arabe, iu drejtuan veprimtarisë 4-ditore me mesazhe të regjistruara ose lidhje me video.

Nga ana e tij, në një mesazh drejtuar vendeve pjesëmarrëse Presidenti Xi Jinping vinte në dukje se miqësia tradicionale ndërmjet popullit kinez dhe popujve të vendeve arabe është bërë më e fortë me kalimin e kohës. Sipas tij, Kina është e gatshme të punojë me shtetet arabe për të nxitur bashkëpunimin dhe zhvillimin, për promovimin e zhvillimit paqësor, arritjen e përfitimeve të ndërsjella, ndërtimin e përbashkët të Një brez, një rrugë me cilësi të lartë, ngritjen e partneritetit strategjik kino-arab në një nivel më të lartë, dhe krijimin së bashku të një komuniteti kino-arab me një të ardhme të përbashkët për epokën e re.

Kreu i shtetit kinez nënvizoi se Kina dhe shtetet arabe vitet e fundit kanë vazhduar të forcojnë edhe sinergjinë e veprimeve, dhe ndërtimi i përbashkët i mega projektit “Një brez, një rrugë” ka qenë i frytshëm.

Ndërkohë një ngjarje historike do të jetë takimi i nivelit të lartë kino-arab për të cilin është rënë dakord në korrik 2021, dhe sipas zëdhënësit të MPJ Wang Wenbei Kina është e gatshme të punojë me vendet arabe për një samit të suksesshëm ku ndër të tjera do të garantohet se mund të dezenjohet komuniteti kino-arab me një të ardhme të përbashkët për të kontribuar më tepër në forcimin e komunitetit me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.

Por cilat ishin rezultatet e ekspozitës në Yinchuan?

Duke patur parasysh kushtet e krizës shëndetësore, ekspozita e këtij viti, e pesta në total që nga fillimi i kësaj iniciative, u mbajt pjesërisht online ashtu edhe jashtë linje për herë të parë në histori. Më shumë se 1000 ndërmarrje vendase dhe të huaja ishin të regjistruara si ekspozues për ngjarje offline dhe virtuale në këtë veprimtari.

Që nga inaugurimi i saj në 2013 nën kujdesin e Ministrisë së Tregtisë, Këshillit për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës, ekspozita, që mbahet një herë në dy vjet, ka tërhequr më shumë se 5000 ndërmarrje nga rreth 110 vende dhe janë nënshkruar 940 projekte bashkëpunimi. Në vitin 2019, një total prej 287 marrëveshjesh me vlerë rreth 185.42 miliardë juan u nënshkruan në Ekspozitën e Katërt të Shteteve Kino-Arabe.

Kurse, sipas njoftimeve paraprake, një total prej 277 marrëveshjesh me një vlerë prej afërsisht 24 miliard dollar u nënshkruan në Ekspozitën e 5-të që sapo uli siparin. Marrëveshjet përfshijnë fusha nga më të ndryshmet duke përfshirë informatikën elektronike, energjinë e pastër, materiale të reja, zarzavade dhe turizmin. Një pjesë e marrëveshjeve parashikojnë investime prej afro 154 miliard juan në 199 projekte kurse 24 projekte në fushën e tregtisë me një vlerë prej 2.75 miliard juan u sigluan gjatë veprimtarisë.

Nga ana tjetër në nivel kombëtar, u nënshkruan 8 marrëveshje bashkëpunimi me një vlerë investimesh prej 11.18 miliard juan, duke përfshirë projektin indonezian ‘Cirata Floating Photovoltaic Power Plant’ dhe investimin në projektin e energjisë së integruar smart të Detit të Kuq. Harta e marrëveshjeve shtrihet në 8 provinca dhe qytete duke përfshirë Pekinin, Tianjin, Zhejiang, Henan dhe Guangdong. Ata nënshkruan projekte investimi me vendet arabe dhe të tjera përgjatë rrugëve të projektit Një Brez, Një Rrugë vlera e të cilave arrin në 7.43 miliard juan.

Kina partneri më i madh tregtar i shteteve arabe

Kina radhitet partnerja më e madhe tregtare e vendeve arabe, tha Xi Jinping-u në mesazhin e tij të lartë përmendur.

Kurse duke folur në ceremoninë e hapjes se Ekspozitës nëpërmjet videos Zëvendës Ministri i Tregtisë Qian Keming tha se Kina si partneri më i madh tregtar i shteteve arabe ka besimin të zgjerojë më tej bashkëpunimin me këta vende në ekonominë dixhitale, energjinë e re, inteligjencën artificiale (AI) dhe fusha të tjera shumë prej të cilave janë novacione.

Sipas të dhënave të ministrisë, volumi i tregtisë kino-arabe arriti në 239.4 miliard dollar in 2020, dhe gjatë atij viti Kina importoi 250 milion tonë naftë bruto nga shtetet arabe ose sa gjysma e totalit të importeve të vendit të naftës bruto vitin e kaluar.

Importet e shteteve arabe nga Kina arritën në 122.9 miliard dollar vitin e kaluar, që ishte një rritje prej 2.1 përqind, tha Qian. Ndërkohë investimet e drejtëpërdrejta të Kinës në vendet arabe kanë arritur në vlerën $20.1 miliard dollar më 2020, kurse investimet arabe në Kinë vlerësohen të jenë 3.8 miliard dollar.

Një Brez, Një Rrugë vazhdimësi e lidhjeve tradicionale kino-arabe

Bilanci i pjesshëm i shifrave të mësipërme dëshmon për vitalitetin dhe dinamikën e lidhjeve kino-arabe që, në fakt, janë të vjetra saqë historia tregon se për shkak të shkëmbimeve të mëdha të produkteve të mëndafshit midis tyre rruga që lidhte dy zonat gjeografike u mbiquajt Rruga e Mëndafshit që në lashtësi. Ky produkt i çmueshëm origjina e të cilit sikurse dihet është Kina, e cila kishte fillimisht monopolin e prodhimit të tij, u përhap me shpejtësi ndër popujt arabë dhe u bë simbol i miqësisë së tyre. Por kjo rrugë e degëzime të tjera transporti e ndërlidhje shërbyen edhe për tregtimin e pëlhurnave të llojeve të ndryshme, erëzave, drithërave, frutave dhe zarzavadeve, produkteve blegtorale, artikujve prej metali dhe druri, gurëve të çmuar dhe produkteve të tjera me vlerë. Pikërisht vlera e asaj që transportohej në këtë arter transporti publik rriti vlerën e rrugës si edhe miqësinë dhe mirëbesimin midis popujve të dy zonave ndër më të mëdhatë në botë por edhe me njerëz lartësisht të ditur. Por çfarë është me e rëndësishme shkëmbimet e tyre, përfshi edhe ata njerëzore, dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fusha të tjera të një niveli më të lartë me kalimin e kohës rritën elementët plotësues të ekonomive të tyre, çka është shtuar më shumë në ditët tona.

“Paraardhësit tanë, tregtarë dhe të dërguar diplomatikë, udhëtuan vajtje -ardhje përgjatë rrugëve tokësore dhe detare të Mëndafshit. Në epokën moderne, ne luftuam krah për krah për pavarësinë dhe çlirimin. Ne gjithashtu i dhamë njëri-tjetrit mbështetje të fortë në zhvillim, duke krijuar një kapitull të shkëlqyer të bashkëpunimit fitimprurës. Përvojat e së shkuarës dhe të së tashmes kanë vërtetuar se çfarëdo ndryshimi që mund të ndodhë në botë dhe çfarëdo pengese që mund të na dalë përpara, Kina dhe shtetet arabe mbeten gjithmonë partnerë të mirë, duke ndarë përfitime reciproke, dhe vëllezër të mirë në ditë të mira dhe të vështira,” ka thekuar Xi i cituar në një koment të CGTN me titull “Si kanë bashkëpunuar kombet kinez dhe arab për BRI?” botuar më 1 gusht 2021. (Burimi: Pjesë nga fjalimi i Xi Jinping në ceremoninë e hapjes se takimit të tetë ministerial të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Shtetet Arabe në Pekin, kryeqytet i Kinës, më 10 korrik 2018).

Kurse në mesazhin e drejtuar Ekspozitës në gusht 2021 Xi u bëri thirrje shteteve arabe të punojnë me Kinën për ndërtimin me cilësi të lartë të projektit Një Brez, Një Rrugë në mënyrë që partneriteti strategjik midis tyre të arrijë një nivel më të lartë.

“Vendet arabe dhe Kina janë tejet plotësues në ekonomi dhe kanë perspektiva të mëdha për bashkëpunim”, vuri në dukje kryeministri i Marokut Saad Eddine El Othmani në një deklaratë nëpërmjet videos drejtuar Ekspozitës.

Duhet shënuar se me iniciativën e Kinës Maroku mori pjesë si i ftuar nderi në Ekspozitë dhe organizoi me këtë rast disa veprimtari për të shpalosur kulturën e tij dhe përparimet teknologjike. Të dy vendet i kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike më 1958 dhe që atëherë niveli i bashkëpunimit ka arritur nivele tepër të larta.

Sipas kryemninistrit El Othmani, Maroku merr pjesë aktive dhe luan një rol konstruktiv në iniciativën Një Brez, Një rrugë, e njohur si BRI, dhe ka bërë përparim të madh në infrastrukturën e vendit në kuadër të saj.

Duke theksuar se BRI do të sjellë mundësi të reja për vendet që përshkon ky projekt, ministri i jashtëm i Tunizisë Othman Jerandi tha se përpjekjet e përbashkëta për të mbrojtur sigurinë dhe stabilitetin rajonal janë jetike për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj iniciative.

Kurse zëvendëskryeministri i parë i Kazakistanit Alikhan Smailov tha se BRI ka dhënë prova që është një iniciativë praktike dhe e suksesshme dhe propozimi për të ndërtuar një rrugë dixhitale të mëndafshit dhe rrugë të gjelbër të mëndafshit do të kontribuojnë për një nivel të ulët karboni në botë.

Kamal Hassan Ali, ndihmës sekretar i përgjithshëm për çështjet ekonomike në Lidhjen e Shteteve Arabe, tha përmes lidhjes me video se rajoni arab është bërë një nga zonat kryesore të mbuluara nga nisma Një Brez, Një Rrugë, të cilën ai e përshkroi si "një projekt i madh global ". Ai tha gjithashtu se Kina gëzon popullaritet të gjerë në rajonin arab dhe se ajo ofron përvojën më të spikatur nga e cila mund të mësojnë vendet arabe për të ringjallur ekonominë pas pandemisë.

Që nga korriku, Kina ka nënshkruar dokumente bashkëpunimi për mega projektin BRI me 19 ekonomi arabe. Bashkëpunimi energjetik kino-arab është thelluar, ndërsa projektet kryesore në fushën e energjisë elektrike, komunikimit dhe parqeve industriale vazhdojnë të rriten dhe bashkëpunimi është avancuar në fusha të tilla si energjia bërthamore, satelitët dhe energjia e re, sipas një raporti të publikuar në ekspozitë.

"Gjatë dy dekadave të fundit ne kemi parë që Kina është bërë partneri më i madh tregtar dhe investitori i jashtëm strategjik për shumë vende arabe dhe të Gjirit, veçanërisht në sektorin e energjisë", tha Awaidha Murshed Ali Murshed Almarar, drejtor i Autoritetit të Energjisë në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe.

"Tani, me konsensusin ndërkombëtar, ne duhet të veprojmë për të zbutur ndryshimet klimatike dhe rritja e përdorimit të energjisë së rinovueshme është bërë një tendencë globale", tha ai.

Të dhënat zyrtare tregojnë se Kina ka ndërtuar shumë projekte në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabi Saudite dukë përfshirë ura, tunele, rrugë, ndërtesa banimi dhe komplekse zyrash dhe ndërtesa të tjera tregtare.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë ndër vendet e para që iu bashkuan nismës Një Brez, Një Rrugë dhe është gjithashtu një anëtar themelues i Bankës Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë. Është për tu shënuar se mbi 6000 kompani kineze operojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila merr pjesë në mbi 650 projekte investimi në Kinë.

Pikat e takimit të Kinës me vendet arabe shtrihen edhe në mbrojtjen e ambientit jo me fjalë por me vepra. Dihet se Kina është zotuar që para 2030 të arrijë një nivel të emetimit të dioksidit të karbonit dhe ‘neutralitetin nga karboni’ para 2060. Po kështu vendet arabe janë aktivë në përpjekjet për të arritur transformim të energjisë që të shmanget vartësia mbi karburantet fosile.

Të dhënat zyrtare tregojnë se Kina renditet e para në nivel global në kapacitetin e ri të instaluar të energjisë së erës dhe është gjithashtu një udhëheqëse globale në prodhimin dhe përdorimin e energjisë diellore dhe hidrocentraleve. Kjo përvojë vlerësohet tepër nga vendet arabe e bashkëpunimi në këtë fushë shikohet me perspektivë.

COVID- 19, shembull i kapërcimit të vështirësive së bashku

Përballë COVID-19 dhe pasojave të tij që janë ku më pak e ku më shumë akoma të pranishme, Kina dhe vendet arabe janë bashkuar në një luftë të përbashkët, duke dhënë një shembull të ndihmës së ndërsjellë dhe të kapërcimit të vështirësive së bashku, sipas Presidentit Xi Jinping-u në mesazhin e tij.

Ekspozita ishte një rast ku vendet pjesëmarrëse vlerësuan lart ndihmën dhe kontributin që u ka dhënë Kina vendeve të ndryshme arabe në përballimin e pandemisë, dhe është konsideruar shembull bashkëpunimi ndërmjet tyre për ndihmën e ndërsjellë në këto kohë të vështira.

“Deri tani Kina u ka dërguar shteteve arabe rreth 100 milionë doza vaksinash COVID-19 në formën e ndihmës ose eksportit”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin në konferencën e rregullt për shtyp në Pekin më 23 gusht 2021. Ai zbuloi se Kina ishte duke punuar me vendet e këtij rajoni duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjiptin në prodhimin e përbashkët të vaksinave. Konkretisht Kina ka deklaruar se do të vazhdojë të mbështesë prodhimin e vaksinave në Egjipt për të ndihmuar vendin të luftojë COVID-19.

Pas periudhës pandemike Kina dhe vendet arabe do të vazhdojnë të shtojnë investimet në fushën e shëndetësisë duke përfshirë furnizimin me medikamente mjekësore dhe prodhimin e përbashkët të vaksinave për të forcuar përpjekjet e vendeve të rajonit për të mposhtur virusin dhe rigjallëruar ekonomitë e tyre.

Vlerësohet roli paqësor i Kinës në Lindjen e Mesme

Krahas bashkëpunimit ekonomik e tregtar, Kina, një ndër fuqitë më të mëdha në botë si dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vlerësohet nga bota arabe edhe për rolin e saj stabilizues në mbrojtje të sigurisë dhe paqes në rajon shpesh të trazuar nga konflikte të armatosura shumica të nxitura nga fuqitë e huaja perëndimore, fuqi ish- kolonizatore.

Disa ide u thanë qartë për opinionin publik të dy vendeve dhe atë botëror nga ministrat e jashtëm të Kinës dhe Arabisë Saudite Wang Yi dhe Faisal bin Farhan Al Saud në një takim në Tashkent më 15 korrik 2021 kur u prek edhe çështja e zhvillimeve në Afganistan. Se në fund të fundit Afganistani është më afër Arabisë Saudite dhe Kinës se sa SHBA që krijuan atë situatë me pushtimin e atij vendi më 2001 dhe duke lënë prapa një katraurë me ikjen e tyre spektakulare pas dy dekadash.

Kina, i theksoi Wang homologut saudit, i kushton rëndësi të madhe partneritetit të saj strategjik gjithëpërfshirës me Arabinë Saudite dhe është e gatshme të jetë një mik i besueshëm dhe i qëndrueshëm i saj.

“Kina falënderon Arabinë Saudite që gjithmonë i jep Kinës mirëkuptim dhe mbështetje për çështjet që përfshijnë interesat kryesore të Kinës. Kina gjithashtu mbështet fuqishëm Arabinë Saudite në mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë dhe dinjitetit të saj, kundërshton forcat e jashtme që drejtojnë gishtin drejt Arabisë Saudite nën flamurin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë dhe është kundër çdo ndërhyrje në punët e brendshme të Arabisë Saudite”, tha Wang.

Duke vënë në dukje se evolucioni i situatës në Afganistan ka treguar edhe një herë se çdo përpjekje për të ndërhyrë nga forca të jashtme ushtarake do të jetë e kotë, dhe çdo përpjekje për të imponuar modelin e vet institucional ndaj të tjerëve nuk do të japin rezultat. “Çështja afgane duhet të zgjidhet nga vetë populli afgan. Kina nuk ka ndërhyrë kurrë në punët e brendshme të Afganistanit dhe është e gatshme të luajë një rol konstruktiv në pajtimin dhe rindërtimin e saj. Kina beson se Arabia Saudite, si një forcë e rëndësishme në botën myslimane, gjithashtu mund të japë një kontribut pozitiv në zgjidhjen politike të çështjes afgane", tha shefi i diplomacisë kineze me atë rast.

Nga ana e tij Faisal tha se Kina është një partner i madh i Arabisë Saudite dhe ajo do të mbështesë me vendosmëri Kinën në çështjet që kanë të bëjnë me sovranitetin e saj dhe është e gatshme të jetë miku i Kinës përgjithmonë.

“Kina po luan një rol gjithnjë e më të madh në Lindjen e Mesme. Arabia Saudite do të punojë me Kinën për t'u përgatitur për Samitin (Vendet) Arabe-Kinë dhe për të rritur komunikimin midis Kinës dhe vendeve të Lindjes së Mesme. Arabia Saudite shpreson të rrisë komunikimin dhe koordinimin me Kinën për çështjen afgane, çështjen bërthamore iraniane dhe çështje të tjera, të zgjerojë bashkëpunimin në fusha shumëpalësh dhe të ruajë strukturën ndërkombëtare të përqendruar në Kombet e Bashkuara”, theksoi Faisal.

Një përmbajtje të re cilësore kanë marrë marrëdhëniet midis Kinës dhe Egjiptit kur të dy vendet nënshkruan një marrëveshje për krijimin e një komiteti ndërqeveritar bashkëpunimi që synon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të dyanëshme. Ky hap u konkretizua gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm Wang Yi në Kajro më 19 korrik 2021.

Egjipti i përmbahet parimit të një Kine dhe mbështet fort përpjekjet e saj për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë, dhe kundërshton me forcë ndërhyrjen e forcave të huaja në punët e brendshme të Kinës mbi çështje që kanë të bëjnë me Hong Kongun, Xinjiangun, Taivanin dhe Tibetin, deklaroi Ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry në takimin me homologun e tij kinez Wang Yi.

Kurse shefi i diplomacisë kineze shpalli se Kina është e gatshme të punojë me Egjiptin për të thelluar harmonizimin e strategjive të tyre të zhvillimit, për të zgjeruar bashkëpunimin në kapacitetet prodhuese, infrastrukturë, energjinë e re, hapësirë dhe aviacion, si dhe industritë e reja dhe të teknologjisë së lartë, që hapin perspektiva të reja për përfitime reciproke.

Diversiteti në rritje i lidhjeve Kinë- Shtetet Arabe ka marrë një hov të ri prej vitalizimit të bashkëpunimit të Kinës me Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI), e cila ka 57 vende anëtare 56 prej të cilave janë anëtare të OKB-së me përjashtim të Palestinës.

Më 15 qershor 2021 Ambasadori Chen Weiqing u bë përfaqësuesi i parë i Kinës në këtë organizatë kur i paraqiti zyrtarisht kredencialet Dr. Yousef Al-Othaimeen, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik.

“Komunikimi dhe miqësia midis Kinës dhe botës islamike, që ka zgjatur prej mijra vitesh, janë pasuria jonë shpirtërore”, deklaroi Ambasadori Weiqing, i cili shtoi se në kohët moderne si Kina ashtu edhe shumë vende islamike kanë vuajtur nga shtypja koloniale, shkelja e sovranitetit, vështirësi ekonomike dhe pengesa në zhvillim.

Duke rikujtuar vlerën e rrugës së mëndafshit, ai theksoi se vendet islamike po tregojnë rëndësi për të zbuluar, kuptuar dhe studiuar Kinën. Dhe në këtë kontekst qeveria kineze ka ftuar delegacione nga kjo organizatë islamike të vizitojë zonat myslimane në Xinjiang.

Drejt ardhmërisë së begatë duke lënë pas të shkuarën imperialiste e kolonialiste

Zhvillimet më të fundit midis Kinës dhe botës arabe dhe islamike janë një shembull si një fuqi e madhe ekonomike, politike dhe ushtarake dhe popujt e një rajoni të madh dhe vital, të cilët po rilindin duke lënë prapa pasojat e pushtimeve kolonialiste, po shfrytëzojnë vlerat e multilateralizmit dhe globalizmit në një epokë të re zhvillimi duke u përballuar me pandeminë vrastare. Zgjedhja që kanë bërë këta popuj shkon kundër ballafaqimit dhe supremacisë së grupeve të mbyllura perëndimore që me strukturat e demoduara themelet e të cilave i kanë shkundur kriza e fundit shëndetësore dhe pasojat e saj vazhdojnë përpjekjet të krijojnë përçarje dhe konflikte të reja në botë në lloj mënyrash diabolike.

Por pavarësisht nga sistemi politiko-shoqëror, niveli i zhvillimit, raca apo besimi fetar njerëzimi është në kërkim të një të ardhme të re, ndryshe nga e shkuara, ku popujt të gëzojnë të mirat materiale dhe shpirtërore që ofron kjo tokë bashkërisht dhe në mënyrë të barabartë në liri të plotë sovrane. Çdo ditë po zhvleftëson të shkuarën e hidhur imperialiste e kolonialiste dhe në këtë kontekst nuk ka se si të mos evidentohet katastrofa në Afganistan dhe të kujtohet çfarë krimesh monstruoze kanë kryer SHBA në Vietnam, Laos dhe Kamboxhia para disa dekadash në shekullin e kaluar. Popujt e këtyre vendeve nuk harrojnë pavarësisht ‘degës së ullirit’ që mban numri dy i Shtëpisë së Bardhë Kamala Harris në vizitën e saj të këtyre ditëvë të fundit në Vietnam.

Besimi në miqësi dhe partneritet nuk ushqehen me sllogane por me vepra konkrete dhe kjo u demonstrua në Ekspozitën e 5-të Kinë- Shtetet Arabe, që shënoi vazhdimin në një stad më të lartë të rrugëtimi të ri për zhvillimin e marrëdhënieve të tyre miqësore mbi trasenë e shtruar mijra vite më parë: Rrugën e Mëndafshit!

Genc Mlloja