Nobelisti Rudyard Kipling është ndër shkrimtarët më të njohur britanikë dhe vargjet e tij kanë impaktuar breza të tërë letrarësh dhe jo vetëm. Një nga poemat më të famshme të Kipling titullohet Manadaly, duke ju referuar qytetit të dytë më të madh të Burmës ose siç njihet sot, Mianmar. Kipling e vendos poemën në Birmaninë koloniale, e cila ishte pjesë e Indisë Britanike në kohën kur u shkrua poema. Një tregim plot stil, poema ndjek një ushtar i cili, pasi u kthye në Londër, kujton kohët që kaloi në Burmë.

Në vitin 2017, Boris Jonhson, asokohe Sekretar Shteti për Çështjet e Jashtme dhe Komonuelthit të Mbretërisë së Bashkuar, i rrethuar nga grup i ngushtë diplomatësh dhe zyrtarësh në Mianmar recitoi disa vargje nga poema Mandaly e Kipling dhe specifikisht: "Këmbanat e tempullit thonë / Kthehu mbrapa, ti ushtar anglez.” Ndërsa Johnson vazhdon recitimin e tij, ambasadori britanik prezent sposton mikrofonin dhe i shprehet eprorit të tij se ndoshta poema “nuk është një ide e mirë!”

George Orwell e ka quajtur Ruyard Kipling një “shenjtor të imperializmit britanik” – dhe shumë kritikë letrarë dhe politikë kanë shprehur të njëjtin mendim.

Njësoj si me Mandaly, lexuesit perëndimorë u magjepsën me veprën e James Hilton, “Horizonti i humbur” publikuar në 1933 bazë e së cilës ishte Shangri-La, një vend imagjinar i cili është bërë sinonim me parajsën tokësore, veçanërisht me një utopi mistike të Himalajeve - një tokë e lumtur dhe e izoluar nga bota. Ҫfarë këto kryevepra letrare nuk pasqyrojnë në fakt, janë kushtet e varfërisë dhe shtypjes se tejskajshme që banorët vendas vuanin nga një sistem feudal ku skllavëria ishte normale dhe kriza të vazhdueshme urie pllakosnin vendin.

Por, çfarë përmbajnë në vetvete vargjet e këtyre veprave me të cilat bota është mahnitur? - Romanticizimi në nivele idilike i kolonializmit kishte si element bazë bukuritë ekzotike dhe misticizimin e vendeve që kolonizoheshin, por asnjëherë nuk është shkruar për mjerimin që mendësia imperialiste dhe pushtimi la pas për vendasit.

Veprat artistike të Kipling dhe Hilton (dhe të tjera si to) kanë ngritur një perceptim të gabuar të Tibetit për lexuesit. Më tej, këto perceptime u thelluan nga kinematografia e shekullit të XX. Duke vazhduar në këto rryma, publiku mendon se Tibeti ka qenë një parajsë tokësore mistike dhe ekzotike.

Një mitologji e tillë e "Shangri-la" dhe romanticizimi i Tibetit, i përforcuar nga përshkrimi i shtrembër i mediave në kohët moderne, kanë errësimin e disa fakteve të thjeshta, por të pamohueshme. Kjo parajsa mbi tokë nuk ishte aq e lumtur! Tibeti dikur ishte një rajon i prapambetur që vuante nën një sistem robërie çnjerëzor. Shërbëtorët trajtoheshin si pronë private e pronarëve të tyre. Në këtë vend, deri në fillim të viteve 1950, jetëgjatësia mesatare mbeti më pak se 36 vjet.

“Kompleksi Shangri-La” e quan një shkrim në Agjencia e Lajmeve Xinhua. Këto mendje të njëanshme, në vend që të interesohen për të kuptuar Tibetin e vërtetë, i mëshojnë fantazive të tyre të rajonit dhe e bëjnë Tibetin një "supermarket shpirtëror".

Ekspeditat britanike në Tibet u ndërmorën në vitin 1888 dhe 1903 kur kaluan Himalajat dhe de facto pushtuan Tibetin. Të dyja këto ekspedita nisën me trupa britanikë të stacionuara në Indi.

Por kjo krahinë ishtë zyrtarisht dhe faktikisht pjesë e dinastisë Qing të Kinës që prej vitit 1720, dhe jo vetëm, lidhjet shkonin edhe më herët kur në vitin 1642, Güshri Khan ribashkoi Tibetin dhe në 1653, Dalai Lama i 5-të udhëtoi për një vizitë shtetërore në gjykatën e Dinastisë Qing, u prit në Pekin dhe u njoh si autoriteti shpirtëror i Perandorisë Qing. Me kësisoj referencash historike, është mëse normle që autoritetet shtetërore dhe akademike kineze quajnë Tibetin një pjësë tradicionale dhe integrale e Kinës.

Duke parë mendësinë kolonialiste të Britanisë, është mëse e dukshme që për ta, një ndikim indian në Tibet do të ishte më i menaxhueshëm se një ndikim kinez, dhe u munduan t’a arrinin deri në momentin kur në krye të Kinës erdhi Mao Zedong.

Në 1951 Republika Popullore e Kinës shpalli Çlirimin Paqësor të Tibetit, e cila ishte një ngjarje e rëndësishme në historinë moderne të Kinës, si dhe një arritje epokale në historinë tibetiane.

Me çlirimin paqësor në 1951, njerëzit e Tibetit u çliruan nga zinxhirët e pushtimit të imperializmit përgjithmonë dhe filluan udhëtimin e tyre të unitetit dhe zhvillimit. Në vitin 1959 skllavëria feudale u bë e jashtëligjshme dhe më shumë se 1 milion skllevër u bënë njerëz të lirë.

Rëndësia që ka Tibeti për qeverinë qendrore në Pekin u duk qartë kur në fund të korrikut 2021, Presidenti i Kinës, Xi Jinping zgjodhi Tibetin për turneun e tij të parë inspektues pas 100 vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Kinës, duke përçuar mesazhin se harmonia etnike është e rëndësishme në axhendën politike të Kinës.

Gjatë 70 viteve të fundit, qeveria qendrore ka prezantuar shumë politika të favorshme për rajonin, duke mbuluar taksat dhe financat, infrastrukturën, zhvillimin industrial, arsimin, shëndetësinë, ruajtjen e kulturës dhe mbrojtjen e mjedisit. Që nga viti 1978, Komiteti Qendror i PKK ka mbajtur shtatë takime kombëtare në Tibet për të miratuar vendimet dhe planet kryesore për rajonin. Tibeti ka zhdukur varfërinë absolute dhe ka arritur prosperitet të moderuar në të gjitha aspektet. Njerëzit në rajon gëzojnë një mjedis të qëndrueshëm shoqëror, prosperitet ekonomik dhe kulturor, një mjedis ekologjik të shëndoshë dhe bëjnë jetë më të mirë.

Kina ka bërë një përpjekje të madhe për të gjeneruar rritje ekonomike dhe për të rritur jetesën standarde, me besimin se kjo do të ndihmojë në mirëqenien e tibetianëve, me Tibetin e subvencionuar thellësisht nga Pekini. Që nga viti 1950 standardet e jetesës janë transformuar. Çlirimi paqësor i Tibetit dëshmoi se politikat e Pekinit ndaj minoriteteve etnike ishin të sakta dhe pasqyronin aspiratën e përbashkët dhe interesat themelore të të gjithë popullit kinez, pa lënë mënjanë asnjëherë Tibetin.

Autostrada gati 120 mijë kilometra, ura gjigande, hekurudha, aeroporte, tregti e lirë, varfëri ekstreme e çrrënjosur, rritje mirëqenieje e përshkallëzuar nga viti në vit, arsimim për të gjithë, turizëm që lulëzon.

Të përshkruash Tibetin e vjetër me fjalën "Shangri-la" ose ajo parajsa mbi tokë është historikisht e pasaktë. Një qasje më pak romantike por më pragmatike duhet të merret për të vlerësuar zhvillimin e Tibetit.

Të përdoret mentaliteti kolonial, ndoshta nuk është një ide e mirë, kur mundohet të kuptohet Tibeti, pasi ajo Shangri-La letrare duhet të harmonizohet me mirëqenien e njerëzve të Tibetit, ndryshe është e pavlerë.

Dr. Marsela Musabelliu