Pas tymnajës së dendur mediatike, të shtyrë, të induktuar dhe sajuar për qëllime thellësisht politike, nuk po dëgjohet më për të ashtuquajturin “gjurmimi i origjinës së Covid-19”. Mesi i gushtit është monopolizuar nga lajmet shkatërruese të situatës në Afganistan, por edhe po të kish qenë ndryshe, ky bum mediatik nuk do të ishte prezent, për të vetmin fakt se provat e aluduara nuk ekzistojnë.

Presidenti Biden në maj të këtij viti, i dha komunitetit të inteligjencës amerikane 90 ditë për të hetuar origjinën e Covid-19 dhe për të raportuar gjetjet. U dha dritë jeshile që të ndiqen teori të ndryshme, por shënjestrimi ishte mundësia e një aksidenti laboratorik në Kinë.

Më 23 gusht Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, tha se një përmbledhje mbi origjinën e Covid-19 të kërkuar nga Presidenti amerikan Joe Biden pritet të përfundojë deri në afatin e caktuar (data 25) por do të duhen disa ditë për të krijuar një version të paklasifikuar për publikun. Sipas saj zyrtarët e inteligjencës kanë hartuar një raport të klasifikuar që tani është në procesin e shqyrtimit paraprak.

Ashtu sikurse ka ndryshuar diskursi mbi origjinën e virusit, ashtu është modifikuar edhe pozicioni zyrtar i administratës Biden mbi këtë çështje. Në fillim thuhet se raporti është gati, por është konfidencial. Më tej u tha se tre muaj janë shumë pak kohë për të gjetur të vërtetën, mandej thuhet se është e pamundur të zbardhet situata pasi Kina nuk u tregua e gatshme të bashkëpunojë, në fund po thuhet se nëse nuk i dilet për tre muaj do të vazhdohet më tej!

Të gjitha këto “sqarime” vijnë nga CNN sipas së cilës, burimet e brendshme që “kanë lexuar” raportin fillestar thonë se pas tre muajsh përplasje mbi të dhënat dhe inteligjencën e papërpunuar, komuniteti i inteligjencës është ende i ndarë. Me pak fjalë raporti nuk përmban asnjë element që do habisë publikun. Pamundësia e komunitetit të inteligjencës për të paraqitur një teori të besueshme pas tre muajsh pune intensive nënvizon se sa e vështirë është të hetosh origjinën e pandemisë Covid-19 - thonë burimet konfidenciale të CNN.

Me të drejtë, pala kineze e argumenton ndryshe këtë mungesë rezultati. Global Times shkruan se edhe pse agjenci të inteligjencës amerikane nuk mund të japin asnjë provë konkrete ose mbështetje shkencore për të krijuar teorinë e "rrjedhjes së laboratorit", edhe ato që janë paraqitur si fakte janë fabrikuar deri më tani, përpos, janë kryesisht rrethanore dhe plotësisht të pabesueshme.

Zhou Fujing, një studiues kinez, shprehu se duhen vite për të përcaktuar origjinën e një virusi të panjohur. U deshën 15 vjet për të përcaktuar origjinën e virusit që rezultoi në SARS dhe, 40 vjet për Ebola. Covid-19 është një sëmundje jashtëzakonisht komplekse. Asnjë vend apo organizatë nuk duhet të trajtohet ndryshe për këtë çështje. Pa bashkëpunim të plotë dhe transparent të të gjitha vendeve të prekura, ka më shumë pyetje sesa përgjigje, veç hamendësime dhe asnjë provë.

Nga ana tjetër burime zyrtare/politike kineze pyesin :A po përpiqet ShBA-ja për të hedhur baltë Kinës duke u përpjekur të largojë vëmendjen globale nga bio-laboratorët e saj të dyshimtë? - Zhao Lijian, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, tha se nëse raporti i mediave është i vërtetë, është një dëshmi se ShBA nuk i intereson asgjë për të vërtetën, por vetëm se si të hedhin baltë mbi Kinën ... sa më shumë Uashingtoni përpiqet të fajësojë Pekinin, aq më shumë njerëz pyesin nëse ShBA po përpiqet të fshehë diçka - vuri në dukje Zhao. Mandej, miliona qytetarë kinezë kanë nënshkruar një peticion online duke kërkuar që laboratorët në Fort Detrick në ShBA të hapen për hetime ndërkombëtare. Më shumë se 50 kombe kanë denoncuar përpjekjen për të politizuar punën e gjurmimit të origjinës.

Më 13 gusht 2021, Zëvendës Ministri i Jashtëm Ma Zhaoxu drejtoi një konferencë mbi gjurmimin e origjinës së Covid-19 për të dërguarit diplomatikë në Kinë ku morën pjesë më shumë se 160 përfaqësues.

Kina, si vendet e tjera, është viktimë e pandemisë – u shpreh Ma - dhe ne të gjithë shpresojmë të zbulojmë origjinën e virusit dhe të ndërpresim transmetimin e tij sa më shpejt të jetë e mundur. Ai vuri në dukje se pozicioni i Kinës në gjetjen e origjinës është i qëndrueshëm dhe i qartë.

Së pari, gjurmimi i origjinës është një çështje shkencore. Duhet t'i lihet vetëm shkencëtarëve puna që të identifikojnë, përmes kërkimit shkencor prejardhjen e virusit. Së dyti, gjetjet dhe rekomandimet e raportit të studimit të përbashkët OBSh-Kinë njihen gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare dhe shkencëtarët, dhe duhet të respektohen dhe zbatohen nga të gjitha palët, përfshirë OBSh. Së treti, Kina gjatë gjithë kohës ka mbështetur dhe do të vazhdojë të marrë pjesë në përpjekjet për gjetjen e origjinës të bazuara në shkencë. Ajo që Kina kundërshton është politizimi i gjurmimit të origjinës. Së katërti, Sekretariati i OBSh-së duhet të kryejë konsultime të plota me shtetet anëtare mbi planin global të punës për gjetjen e origjinës, përfshirë mekanizmin përcjellës dhe të respektojë plotësisht pikëpamjet e shteteve anëtare.

Është e qartë se edhe fillesat e kërkimit të orgjinës së Covid-19 nga administrata Biden vijnë si presion i realitetit politik të brendshëm. Duke parë që teoritë konspirative janë shumë tërheqëse për qytetaret, dhe këta qytetarë janë votues, bëhet gjithçka që të tregohet mbështetje nga Shtëpia e Bardhë. Në nëntor të vitit të ardhshëm amerikanët do të votojnë për 435 vende (nga 435) në Dhomën e Përfaqësuesve dhe për 34 (nga 100) vendet në Senat. Rëndësia e zgjedhjeve të vitit 2022 është e niveleve më kritike, dhe duhet që kur të majtët të shkojnë në zgjedhje të paraqiten me mburrje për një presidencë efikase, të vendosur, aktive dhe punëmbaruese. Diskursi agresiv kundrejt Kinës është tërheqës për publikun amerikan, kjo vërehet edhe në fjalimet e ditëve të fundit të zv. Presidentes amerikane Kamala Harris në Singapor dhe Vietnam. Partia Demokratike duhet që për audiencën e saj të brendshme të duket ‘e ashpër’ me Kinën, për të fituar pikë sidomos me votuesit e lëkundur, por shënjeshtrimi i Kinës me hamendësi që duan ti shesin për fakte, nuk është vetëm e pavend, por përbën një element të rrezikshëm të një loje gjeopolitike të brishtë.

Kur virusi politik kontaminon procesin e gjurmimit të virusit real, bëhet e vështirë të ndash realitetin nga trillimi dhe shkencën nga hamendësitë. Megjithatë, po duket qartë se nuanca të thella donkishotizmi gjeopolitik kanë mbërthyer origjinën e Covid-19.

Donkishotizmi zakonisht lidhet me idealizmin e tepërt, me romantizmin naiv dhe utopizmin. Don Kishoti në analizat bashkëkohore përfaqësohet si një çrregullim i personalitetit, të dëshmuar nga sjellja eksentrike. Ai shfaq të gjitha shenjat klasike, nga dyshimet për të tjerët deri te paaftësia për të marrë fajin për veprimet e veta. Zakonisht, shenja të thella të eksentrizmit paraqiten në njerëz ose shoqëri që në thelb ndihen superiorë dhe vetëvendosen mbi realitetin.

Por, ashtu sikurse mullinjtë e erës, progresi dhe e vërteta nuk luftohen dot.

Dr. Marsela Musabelliu