Joe Biden, Presidenti aktual i SHBA-ve, i ka kërkuar sektorit të zbulimit amerikan të përgatisë e dorëzojë raportin për çështjen e kronavirusit dhe gjurmimin e origjinës së tij në Kinë. Deri më tani, duket se sektori i inteligjiencës amerikane nuk ka mundur të verifikojë situatën dhe kjo sjell si rezultat faktin se dëshmitë bindëse për fajësimin e Kinës në lidhje me këtë situatë mungojnë.

Të gjurmosh origjinën e virusit Covid-19, në radhë të parë është një problem kryesisht shkencor. Kjo kërkon një bashkëpunim dhe një koordinim të shkencëtarëve të fushës së virologjisë humane të të tërë botës, duke patur padyshim edhe mbështetjen e qeverive të mbarë botës, si dhe mirëkuptimin e plotë të të tërë banorëve të globit. E kundërta minon procesin dhe vonon rezultatet. Padyshim që përfshirja e agjencive të inteligjiencës në këtë çështje nuk paraqet as një gjë të keqe, përkundrazi, ndihmon procesin, por kjo me të paktën dy kushte. Agjencitë e inteligjiencës që përfshihen në proces duhet të kenë në gjirin e tyre (1) shkencëtarë dhe (2) profesionistë me dy pare mend në kokë dhe jo agjentë amatorë që pas çdo kanoçeje Coca Cola shikojnë një bombë atomike dhe që pas çdo nuse laleje shikojnë bartësin e një virusi tërbimi.

Në fakt Kina, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetit i ka kushtuar një rëndësi shumë të madhe studimit të origjinës së virusit dhe ka marrë pjesë aktivisht në bashkëpunimin global, duke mbajtur një qëndrim bazuar në shkencë.

Raporti i përbashkët Kinë – OBSH në lidhje me këtë çështje është një raport autoritar. Është shumë e rëndësishme që në këtë raport të këqyrim me kujdes atë ç’ka është shkencore dhe ç’ka është logjike, duke ju shmangur emocioneve, sentimentalizmave, xhelozisë profesionale dhe prirjeve për të politizuar çështjen e këtij virusi, që mesa duket nuk është i panjohur për shkencëtarët e virologjisë humane.

Edhe pse OBSH ndërmorri iniciativën për fillimin e fazës së dytë të vrojtimit mbi origjinën e Covid – 19, pa dalë ende rezultatet përfundimtare të fazës së parë të procesit, Kina e mbështeti punën e fazës së dytë, pavarësisht se provat shkencore të mbledhura në fazën e parë nuk mbështesnin vazhdimësinë e procesit dhe edhe pse vendimi u morr pa u konsultuar plotësisht me vendet e tjera anëtare të OBSH-së.

Studimi për origjinën e virusit përfshin edhe kqyrjen e e laboratorëve dhe tregjeve në Wuhan, qyteti kinez ku për herë të parë në 2019 u shfaq virusi Covid-19.

Duket se çështja komplikohet pasi mendohet se virusi gjen në trupin e lakuriqëve të natës mjedisin e përshtatshëm për të qendruar, por Wuhan nuk është zonë vendbanimi e lakuriqëve të natës. Kjo komplikon përcaktimin e origjinës zoonotike dhe rrugëve të transmetimit te njeriu.

Drejtori i Programit të Emergjencave të OBSH, Michael Ryan, në datën 30 korrik 2021 tha: “gjurmimi i koronavirusit duhet të çpolitizohet” dhe më tej u shpreh se vendet anëtare të OBSh-së po shikojnë mundësinë e bërjes së studimeve të mëtejshme dhe në bazë të raportit të fazës së parë të gjurmimit.

Në fakt koronavirusi nuk është gjë e re. Shkencëtarët e kanë identifikuan për herë të parë atë si një koronavirus human në 1965, kur individët e prekur me këtë virus patën shenjat e një ftohjeje të zakonshme. Brenda një periudhe dhjetë vjeçare nga evidentimi i këtij virusi, shkencëtarët zbuluan grupe virushesh të ngjashme si në njerëz dhe në kafshë, që kishin pamjen e kurorës dhe kjo është arsyeja se përse këto viruse u emërtuan koronaviruse.

Tashmë njihen rreth shtatë koronaviruse që mund të infektojnë njerëzit. Virusi SARS u shfaq në Kinën jugore në 2002 dhe u përhap me shpejtësi në 28 vende të tjera. Më shumë se 8,000 njerëz u infektuan deri në korrik 2003, dhe 774 vdiqën. Një shpërthim i vogël në 2004 përfshiu vetëm katër raste të tjera. Ky koronavirus shkakton ethe, dhimbje koke dhe probleme të frymëmarrjes si kollë dhe gulçim.

Në 2012 ishte virusi MERS që u shfaq për herë të parë në Arabinë Saudite dhe pothuajse të gjitha 2,500 rastet e njerëzve të prekur me këtë virus kanë qenë individë që jetonin ose udhëtonin në Lindjen e Mesme. Ky koronavirus është më pak ngjitës se SARS, por më vdekjeprurës. Në atë periudhë nga ky koronavirus humbën jetën 858 persona. Ka të njëjtat simptoma të frymëmarrjes, por gjithashtu mund të shkaktojë edhe dështim të veshkave.

Për SARS-CoV-2, mendohet se kërcënimi filloi nga tregjet e Wuhanit, por s’ka asnjë argument kundër se virusi mund të jetë zhvilluar diku tjetër dhe të ketë ardhur në Wuhan, ku gjeti edhe mundësinë për t’u rigjeneruar e shtuar për shkak të natyrës së tregjeve në këtë qytet, pasi mendohet se virusin e stimulon gjendja e tregjeve të kafshëve që vriten në moment dhe ku gjenden edhe kafshë të egra të gjalla, të cilat mund të shkëmbejnë genet midis tyre, duke bërë që të shkëmbehen edhe viruset, të cilat më tej mund të infektojnë njerëzit

Por, në fakt, në Wuhan, në kohën kur u përhap ky virus, në tregje nuk tregtoheshin lakuriqë. Kjo është arsyeja që dyshimi u transferua tek pangolina, kafshë me luspa që konsumohej në Wuhan. Është vërtetuar se disa koronaviruse që infektojnë pangolinat janë të ngjashme me SARS-CoV-2.

Por, situata për studiuesit u komplikua edhe më tej pasi SARS-CoV-2 që u përhap si brenda dhe jashtë Kinës, infektoi në pjesën më të madhe njerëzit që nuk kishin pasur kontakte të drejtpërdrejta me kafshët. Pra, virusi transmetohet midis njerëzve.

Dihet se viruset evoluojnë. Ashtu si evoluojnë të tëra viruset e llojeve të ndryshme të gripit që njihen nga njerëzimi, ashtu dhe koronavirusi evoluon. Nuk ka as një gjë të çuditshme që koronavirusi i zbuluar në vitin 1965 në qeniet humane të ketë pësuar një ndryshim apo shumë ndryshime të njëpasnjëshme në tërë këto vite, ndryshime që kanë sjellë këtë variant shumë agresiv, që rrezikon seriozisht jetën e qenieve humane.

Tashmë për njerëzimin nuk është aspak koha e përshtatshme për të gjetur fajet dhe fajtorët e së kaluarës. Qeveritë e vendeve të ndryshme të botës u bënë së bashku për të luftuar pandeminë dhe patën edhe mirëkuptimin e pjesës më të madhe të banorëve të globit kur erdhi fjala për masat karantinore. Politika e tentativave të gjetjes së gjilpërës në kashtë është thjesht një politikë e shpenzimeve të shumta të parave të taksapaguesve për çështje dytësore, kur këto para mund dhe duhet të shpenzohen për shkencë dhe përpjekje të përbashkëta në luftën globale kundër Covid – 19.

Nga: Dr. Enriko Ceko